Standard.al

Protestojnë vetëm komunistët/ Dokle: 1 Maj i shkretë, mjerim për të papunët, Majko: Shpallja festë, kompromis me papunësinë

0

namik_dokle_kuvendNë ditën e 1 Majit, e cila mbarë botën përkujton të drejtat e punëtorëve, në Shqipëri festohet dhe cilësohet si ditë pushimi. Të vetmit që protestuan dje ishin komunistët, të cilët si çdo vit me pankarta në duar të ish-diktatorit Enver Hoxha kundërshtuan “borgjezët kapitalistë”. “Kriza e rëndë ekonomike, mjerimi, papunësia, padrejtësia po bëjnë kërdinë. Të protestojmë në të gjithë Shqipërinë në sheshe e bulevarde. Kur faraonët kanë ngritur piramidat, shqiptarët kërkojnë Evropën në terr. Vetëm Enver Hoxha mund ta sjellë atë epokë të ndritur, barazi që kishim në socializëm”, – tha kreu i PKSH-së. Por pakënaqësinë në këtë ditë kanë shprehur edhe senatorët e PS-së si Namik Dokle dhe Pandeli Majko. I pari e cilësoi ditën e djeshme si një ditë të shkretë ku kishte vetëm mjerim për të papunët. “Dita e 1 Majit po mbaron. As feste, as proteste, as gëzim, as gjëmim, asnjë zë, asgjë! Një dite e shkrete… Shkretim për njeriun e punës… Mjerim për te papunët…”, – shkruante Dokle në rrjetin social “FB”. Po ashtu edhe deputeti tjetër socialist, ish-kryeministri Pandeli Majko shprehu kundërshti për faktin se kjo ditë ishte cilësuar si ditë feste dhe pushimi. “1 Majin e kalova me pritjen e te papunëve në njësinë bashkiake nr. 5. Kjo dite është me e vështirë për ata qe nuk e kane punën. Data 1 maj, festa e punëtoreve, na kujton ku jemi dhe dëshirën për cilësinë me te vjetër të jetës, e cila është PUNA. Në Shqipëri 1 Maji festohet si përkujtim. Kjo është arsyeja që 1 Majin nuk e respektoj si dite pushimi. Shpallja “festë” më duket si një kompromis me papunësinë”, – shkruante dje Majko.

 

Veliaj: Kosova i respektuar, në 21 qershor dua vend pune në Bashki. PD: Shet edhe Ramën për karrierë

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Erion Veliaj, e konsideroi si aplikim për vend pune garën në 21 qershor. Në një takim me përfaqësues të transportit publik dhe punonjës të pastrimit, Veliaj i kërkoi mbështetje që së bashku t’i japin drejtim qytetit. “Sot është dita ime e parë ku unë po aplikoj për një punë. Dëgjova që është hapur një vend pune në Bashkinë e Tiranës, Tirana ka qenë pa kryebashkiak 4 vitet e fundit dhe besova se është një moment i mirë që ata që kanë dëshirë për të punuar në një qytet që ka kaq shumë kantiere pune që presin të mbarohen besoj se ishte vendimi i duhur”, – tha ai. Ndërkohë, në një takim pasdite, Veliaj tha se Halim Kosova është një burrë i respektuar, i cili po nxjerr në pah të gjitha problemet e Bashkisë të drejtuar nga Lulzim Basha. “Doktor Halimi është një burrë shumë i mirë, i respektuar. Shkon në një vend dhe thotë që në Tiranë ka shumë probleme. Po është e njëjta parti si e Doktorit, ai po i diskrediton në të gjitha plagët. Siç e ka nisur edhe Doktori do votojë për drejtimin e duhur”,- deklaroi Veliaj. Ndërkaq në një reagim lidhur me deklaratat e Veliajt, PD theksoi se ky i fundit çdo gjë e bën për karrierë. “4 herë atij i shpëtoi se ishte dakord me Halim Kosovën. Të jesh dakord me Halim Kosovën është në të vërtetë drejtimi i duhur. Halim Kosova është shembull për t’u ndjekur, sepse ka arritur gjithçka me punë e meritë. Halim Kosova është krejt e kundërta e një mashtruesi të paskrupullt si Erion Veliaj që është gati të shesë në rastin më të parë edhe krijuesin e tij, Edi Rama, për të bërë karrierë”, – tha koordinatorja Bozdo.

 

Bashkimi me LSI-së/ Habit Shehu: Ika se Mediu s’respektoi marrëveshjen për Dukën. PR: Kishe hallin e babait në Kukës

Përmes një deklarate të shpërndarë nga zyra e shtypit të LSI-së, deputeti Ylli Shehu, deklaroi dje se u largua nga Partia Republikane, pasi kreu i saj nuk respektoi marrëveshjen për Agron Dukën. “Z. Mediu i iku në mënyrë krejtësisht jotransparente premtimit publik të bërë në strukturat drejtuese të Partisë Republikane, që nëse Partia Demokratike nuk do t’i qëndronte angazhimit për të kandiduar z. Agron Duka për kryetar të Bashkisë së Durrësit, atëherë Partia Republikane për të vënë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur do dilte me vete dhe do të kandidonte me kandidatët e saj në të 61 bashkitë e vendit”, – thuhej në deklaratë. Por në reagimin e saj PR-së, duke renditur pesë arsye bëri të ditur se shkak kryesor i largimit të tij nga partia ishte kërkesa për kandidimin e babait në garën për Bashkinë Kukës. “Vendimin e koalicionit me PD-në e ka marrë Asambleja Kombëtare e PR-së, ku Ylli ka folur vetëm me heshtjen e tij si gjithmonë, madje ka ngritur dhe dorën. Ka qenë Agron Duka që ka vendosur të mos kandidojë jashtë koalicionit, ka deklaruar publikisht dhe po punon në mbështetje të kandidates së PD-së dhe PR-së, znj. Grida Duma. I vetmi pretendim që ka shprehur Ylli Vesel Shehu, jo formalisht, por privatisht, ka qenë se PD-ja nuk i kandidoi babi Veselin”, – thuhej në reagimin e PR-së, e cila kujton së fundmi edhe marrëveshjen që kishte me këtë parti. “Ylli Vesel Shehu ka një marrëveshje të nënshkruar para zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës, të depozituar në PR, që do të ushtronte mandatin vetëm 2 vjet dhe ky mandat mbaronte në shtator 2015 dhe i kalonte z. Alfred Deshatit, i dyti në listë”.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.