Përgjigje sulmeve/ Blushi: Qeveria po ndjek fantazmën e Saliut. Kush i futi kriminelët në Parlament?

0
89

Blushi ne parlament“Thoni se keni futur 92 mijë veta në punë, ndërkohë që nga Kukësi një fshat po zbrazet. Sollët në Parlament ligjin që parashikon që me taksat publike të financohen universitetet private”

Dua në fillim të mbështes të gjithë kolegët sidomos nga krahu i majtë që bënë të mundur korrektimin e një padrejtësie që iu servir Parlamentit dy javët e fundit. Heqjen e nenit 92 që parashikonte sekuestrimin e banesës atij që nuk ka mundësi të paguajë energjinë elektrike ti vihej barrë mbi shpinë. Në një kuptim, t’i sekuestrohej banesa një fukarai se nuk ka mundësi të paguajë drita. Ky nen është i rëndësishëm për ata që nuk i prek. Ka një rëndësi tjetër që dua ta theksoj dhe tregon se kjo shumicë ka mundësi të korrektojë veten, shumicën. Pra kjo shumicë ka mundësi të korrektojë veten, dhe ky është një frymëzim i madh për njerëz si puna ime që kanë vendosur të flasin duke besuar se për Shqipërinë ka më shumë rëndësi e vërteta sesa partia. Ka më shumë rëndësi e vërteta sesa PS apo çdo parti e marrë bashkë. Po i merret banesa atyre atë që nuk e paguajnë dot. Do flas dhe do ta bëj deri në fund, edhe sepse kjo që ndodhi sot në Kuvend më jep shpresë.

Sigurisht ka njerëz që nuk janë dakord me mua. Meqë i kam përballë kam arsye tua them përballë: Ka shumë njerëz që më thonë s’ke të drejtë, papunësia, borxhi nuk është rritur, taksat janë balancuar. Unë i kuptoj të gjithë ata që nuk mendojnë si unë dhe i mirëkuptoj dhe i inkurajoj të flasin më shumë siç ka shumë të tjerë që mbase kanë nevojë të mbarojnë ndonjë punë, sepse të mbarosh ndonjë punë me këtë qeveri sot është shumë e vështirë. E të mbarosh punë me këtë qeveri sot duke më sharë mua ta bëjnë 3 herë, 4 herë, 5 herë derisa ta mbarojnë punën, sepse nëse mbaroni punën duke më sharë mua është kosto më e vogël.

Por ka dhe ca të tjerë që më kanë thënë që unë flas me gjuhën e Saliut. Këta më kanë detyruar të vij sot të flas. Dua tu them diçka, mbase nuk e dinë, Saliu është një fantazmë, dhe fantazma ka një veti. Disa i ndjek dhe disa e ndjekin. Do ju them sot kush e ndjek Saliun. Kam një pyetje për ju që më thoni mua flas me gjuhën e Saliut dhe një pyetje për shqiptarët që kuptojnë më mire. Mua Saliu as më ndjek dhe as e ndjek dhe po ju them kush e ndjek: E ndjekin ata si puna ime që thonë që papunësia në Shqipëri është rritur në dy vjet apo ata që kanë thënë do fusim 300 mijë veta në punë, sot thonë që kemi futur 92 mijë veta në punë, ndërkohë që nga Kukësi një fshat a një lagje po zbrazet?! Kush po e ndjek Saliun, ne që e themi apo ju që qeverisni?! Ata që thonë që një shqiptar i varfër merr më pak para nga shteti apo ata që kanë mundësi që 100 mijë familje në Shqipëri ti nxjerrin nga mjerimi me më pak se 2 mijë lekë në ditë

Kush pra po e ndjek fantazmën e Saliut?! E ndjekin ata që thonë se çmimi i energjisë është rritur siç jam unë njëri prej tyre dhe them Po, çmimi i energjisë është rritur. Kjo është kaq e vërtetë se sot është e enjte dhe nesër e premte 1 maji. Kush pra e ndjek Saliun?! Ata që rrisin çmimin e energjisë apo ata që energjinë që ne e prodhojmë e shesin më lirë dhe atë që e blejmë e shesin më shtrenjtë. Kush pra e ndjek Saliun në Shqipëri? Ata që thanë do ulin borxhin, apo ata që e kanë çuar borxhin publik mbi 7 miliardë dollarë dhe nuk pranojnë as ta pranojnë. Ata që thonë që sot po humbi popullsinë, dhe nëse vazhdojmë kështu Shqipëria mund të shpopullohet për shkak të varfërisë, keqqeverisjes dhe papunësisë apo ata që thonë se shqiptarët po ikin se i do Gjermania për elektricistë e hidraulikë.

Kush e ndjek Saliun pra?! Ata që flasin si Saliu dhe nuk kanë guximin në dy javë t’u thonë shqiptarëve mos ikni nga Shqipëria. A keni dëgjuar njeri të thotë mos ikni nga Shqipëria nga kjo qeveri?! Unë nuk jam njëri prej tyre nëse nuk e bëj këtë. Unë nuk mund të pranoj që ka dy javë që kjo qeveri nuk u thotë asnjë shqiptari që mos ik nga Shqipëria se unë për ty do të bëj këtë: Do rris pagat, pensionin, ndihmën ekonomike do çoj investimet ku ti jeton keq, do rregulloj shkollën që ti mos kesh mundësi të shkosh në Gjermani për tu bërë hidraulik, por mund të jesh mësues në Kukës, apo njeri që i shërben turizmit në Orikum. Pse po kin këta, se po flas unë?!

Kush pra po e ndjek Saliun, fantazmën e Saliut?! Jua them unë. Ata që qeverisin si Saliu. Kush e ndjek Saliun?! Ata që thonë që arsimi publik duhet të dominojë në Shqipëri apo ata që kanë sjellë në parlament një ligj që parashikon që me taksat publike të financohen universitetet private, që Saliu i ngriti e i ktheu në kioska pune. Se me këtë erdhëm në pushtet ne

Kush po e ndjek Saliun ata që e bënë apo ata që e bëjnë këtë gjë?! Kush e ndjek Saliun e fantazmën e Saliut, ata që thonë nuk është e drejtë gjithë ky terror mbi fukarenjtë e Shqipërisë, apo këta që sollën një ligj dhe mezi u bindën ta ndryshojnë, që të mos i vihet sekuestro mbi familjet e varfra?!. Kush po e ndjek Saliun?! Kush po qeveris si Saliu?! Jua them unë, fatkeqësisht po qeverisin këta po qeverisin si Saliu pa Saliun, dhe këtë nuk mund ta pranoj sepse nuk mund të pranoj se njerëzit me të cilët kam ardhur në pushtet, kam kërkuar votat, program me të cilën kam marrë vota të përfundojë te Saliu dhe të jetë si Saliu.

Ja pra kush po e ndjek Saliun? Kush e ndjek Saliun pra?! Ata që sollën kriminelët në parlament?! A ka njeri në këtë parlament kryetar partie nga të gjitha anët përfshi dhe ky i partisë sime që ti kërkojë ndjesë shqiptarëve. A ka arsye për ti kërkuar ndjesë që ky parlament u mbush me kriminelë?! A ka arsye për të kërkuar ndjesë që njerëzit mendojnë që të jesh i pasur të vrasësh, të shesësh drogë, se makina jote nuk kapet nga kokaina që ke makinë. Kush i futi këta në parlament. I futa unë që po e them, apo shumica e këtij parlamenti?! Jo 90% e këtij parlamenti nuk kanë faj, janë burra e gra nga të dy palët të ndershëm që nuk ka lidhje me krimin, por dikush i futi këto. Pra kush bën si Saliu ai që futi kriminelët në parlament apo ne që po e themi që në këtë parlament nuk mund të bashkëjetohet me kriminelët.

Se në këtë parlament nuk ka arsye që makina ime të mos kontrollohet nëse unë eci me shpejtësi, apo pse paska arsye që makina e dikujt të ketë imunitet kur policia thotë jo dyshoj se ke. E firmosin 9 policë që ke brenda në makina një kriminel të penalizuar. Kush pra do pranonit ju që mua të më vihej mandate arresti dhe ai të mos ekzekutohej sepse jam deputet i shumicës. A ka arsye për të kërkuar ndjesë. Them se ka. E pra kush e ndjek Saliun. Unë që e them apo ata që e bëjnë?! Nuk dua të lejoj që Shqipëria të rrezikohet të ketë një qeverisje inerciale. Në 10 vitet e fundit iku Saliu qeverisim si Saliu, pa Saliun. Duan shoqëri fantazmat se nuk rrinë dot vetëm, dhe kush po i bën shoqëri fantazmave? Këta që kam unë nga mbrapa, por ju nuk jeni shokët e Saliut ju jeni shokët e mi dhe unë do bëj gjithçka të mos ndiqni Saliun

 

*Fjalimi i plotë i deputetit Ben Blushi në Parlament

Bejko: Blushi të japë alternativat, e lehtë të përcjellësh negativitet

Pas përfundimit të fjalës së Blushit, deputeti socialist Bejko i është kundërpërgjigjur kolegut të tij, duke kërkuar që t’i japë fund negatitvitetit. Bejko u shpreh se Blushi duhet të ofrojë edhe alternativat e duhura. “Neve do të na vinte shumë mirë nëse parafolësi do të nxirrte alternativat e duhura se si të dalim nga ky batak, meqë e ai e konsideron të tillë. Është e lehtë të përcjellësh negativitet për mazhorancën, por ne këtu jemi në një rrugëtim”, – tha Bejko.

 

Fjalimi i Blushit çon nga kafja deputetët e PS-së, “kërshëria” për të ndjekur live kritikat

Fjalimi kritik i Ben Blushit, i cili u bëri thirrje kolegëve të tij që të merrnin masa që qeveria të mos bëhej në kopje e asaj të drejtuar nga mazhoranca e kaluar, solli jo pak kërshëri në radhët e socialistëve. Disa prej tyre si ministri Gjiknuri apo deputeti Klosi, u çuan nga kafet e Kuvendit dhe u vendosën në fund të sallës në këmbë për të dëgjuar fjalën e kolegut të tyre. Po ashtu edhe deputetja e qarkut të Tiranës, Blerina Gjylameti, e ndoqi me vëmendje diskutimin e Blushit, ku thuajse gjatë gjithë fjalës së tij, ajo nuk ndau nga dora telefonin. Pjesë e grupit të deputetëve socialistë që tregun interes për fjalën e Blushit ishin edhe krerët e grupeve parlamentare Ruçi e Vasili, si edhe deputeti Pandeli Majko. Pjesë e “vëzhguesve” të Blushit ishte edhe ministri Veliaj, i cili me pamjen e marrë gjatë diskutimit të Blushit, duket se nuk aprovonte asnjë prej qëndrimeve të tij.

 

Po dosjet e tutorëve të prostitutave?/ Patozi: Doshi e Frroku s’do ishin zbuar nga e majta, nëse nuk do ta kruanin me Ramën e Metën

Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, u shpreh dje në Kuvend gjatë fjalës së tij për projektligjin për hapjen e dosjeve se drafti i sjellë nga mazhoranca përbën një hipokrizi. Sipas tij, me rëndësi parësore është hapja e dosjeve për parlamentarët aktualë të sjellë nga mazhoranca, ku nuk ngurroi të theksonte se ka nga ata që kanë qenë më parë tutorë prostitutash. “Nëse ky ligj ka si synim pastrimin, procesi të nisë nga Parlamenti. Zyrtarët e lartë kanë bashkëpunuar me sigurinë e shtetit. Nuk po i shërbeni shoqërisë me zbardhjen e krimeve, e keni mbushur sallën me punëtorë prostitutash dhe plaçkitës në vende si Gjermania, Brukseli dhe Italia. Po dosjet e tyre kush do t’i hapë?”, – u shpreh Patozi. Në këtë kontekst, ai përmendi edhe dy deputetët Frroku dhe Doshi, të cilët i quajti “viktima” të Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit. “Dy deputetët u zgjuan si armiq të përbetuar, por s’do të ishin të tillë, nëse nuk do ta kishin kruajtur me Kryeministrin dhe kreun e Kuvendit”, – tha ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here