Sharjet dhe fyerjet dixhitale – flladi i freskët i demokracisë

0
153

Artan Fuga

(Nga libri: KOMUNIKIMI NË SHOQËRINË MASIVE)

Artan FugaE di që shumë njerëz do të mendonin ndryshe nga unë dhe do të jepnin argumentet e tyre se deputetët kanë të drejtë kur vendosin disa rregulla dhe norma ndaluese edhe për të shprehurit në Internet. Është fjala në Facebook, në Tweetter-a, në blogje, në faqe të ndryshme web, pra në të gjitha rrjetet sociale.

Mendoj se do të thoshin se nuk mund të lejohet që individë të ndryshëm të shpifin, fyejnë, shajnë sipas qejfit në këtë hapësirë komunikimi që ndërton Interneti. Dhe me të vërtetë doza e agresivitetit, sharjeve dhe fyerjeve është e konsiderueshme, shumë herë më e madhe në komunikimin numerik në Internet sesa në jetën e përditshme. Mund të ketë njerëz që janë mërzitur nga kjo gjë, sidomos individë të ndryshëm publikë, politikanë, artistë, gazetarë, apo edhe individë të tjerë. Fundja bëhet edhe një lloj krahasimi, përderisa në mediat e tjera ose në jetën publike nuk mund ta ofendosh dhe shpifësh një njeri pa u ndëshkuar nga ligja nëse çështja shkon deri atje, atëherë përse jo edhe në komunikimin në Internet të mos ndodhë kështu? Në librin “Gazetaria”, të botuar së fundmi edhe në shqip dhe në Shqipëri, kolegu gjerman Stefan Russ-Möhl, citon një burim që i krahason faqet web në Internet pothuajse si ato të WC-ve publike, mbushur me sharje, fjalë të ndyra, shpërthime instinktive shprehjesh që shpesh iu drejtohen njerëzve konkretë. Aq më shumë, përse të mos jem i një mendje se duhet normativizuar legalisht hapësira e komunikimit në Internet kur edhe vetë i kam parë ato fushata të orkestruara denigrimi, shpifjesh dhe ofendimesh të ulëta që më janë drejtuar herë pas here, sa herë që më është dashur të mbaj qëndrime që cenojnë këtë apo atë në vijat politike, por gjithmonë me respekt e mirësjellje për njeriun, cilido qoftë ai.

Kur diskutohet për një ligj që përmban norma ndaluese, pavarësisht sesa i drejtë apo i padrejtë duket, ka vend të diskutohen në këto rrafshe:

Së pari, a është i drejtë apo jo?

Së dyti, a mund të zbatohet apo jo?

Së treti, a është i barabartë për të gjithë qytetarët apo jo?

Së katërti, a është i dobishëm apo jo?

Në të gjitha këto rrafshe, gjykoj që një ndalim i shprehjes krejt të lirë në Internet nuk sjell asgjë pozitive, përkundrazi. Por, le t’i marr me radhë argumentet e mia në të gjitha këto rrafshe.

Së pari, a është i drejtë apo jo?

E shtroj këtë pyetje sepse në botën perëndimore ende diskutohet shumë se çfarë përfaqësojnë disa hapësira komunikimi në web, a janë ato hapësira publike apo janë hapësirë private komunikimi?

Secili këtu mund të ketë mendime të ndryshme, problemi është se ende jemi shpejt që në botë të ketë një mendim të njehsuar për këtë çështje. E them këtë sepse ka një dallim të konsiderueshëm midis transmetimit të mesazheve nga mediat që quhen “klasike”, shtypi i shkruar, radio, televizioni dhe informacionet që qarkullojnë në Internet sidomos në disa forma të veçanta sikurse janë blogjet personale, Facebook-et personale apo Tweetter-at, faqe web të komuniteteve të ndryshme.

Cili është ky dallim i rëndësishëm epistemologjik që e venë në dukje shumë studiues dhe që duhet të na bënte të mendoheshim mirë?

Mediat klasike në përgjithësi e emetojnë informacionin drejt audiencave të tyre, pra e kërkojnë konsumatorin e informacionit, nuk është thjesht konsumatori që shkon e gjen këtë informacion, por është burimi i mesazheve që dërgon drejt një publiku të gjerë, përgjithësisht edhe pa pyetur këtë audiencë nëse dëshiron apo jo ta marrë atë informacion. Kurse në shumë forma të komunikimit në Internet, aspak në të gjitha, por sidomos në Facebook-e personale etj., këtë informacion duhet të shkosh ta kërkosh në mënyrë të vullnetshme, je ti që e kërkon informacionin. Nuk vjen ai në radion apo në televizorin tënd për të penetruar muret e shtëpisë tënde. Parë në këtë drejtim nuk dihet me saktësi se çfarë paraqet për shembull një faqe web komunitare apo një Facebook personal: Paraqet një hapësirë publike ku ligjërimi duhet t′i përmbahet disa normave të përcaktuara nga shoqëria, apo një hapësirë private, ta zëmë, si një mjedis shtëpie, një mjedis banje, ku dikush mund të mbyllet në banesën e vet, dhe të shajë me vete me rrënjë e me degë gjithkënd që i vjen për mbarë dhe shpif, shan, ofendon me zë të lartë, mjekë, pedagogë, ministra, gruan, burrin, komshinjtë, vjehrrën dhe vjehrrin, me një fjalë flet, shkruan, vizaton çfarë t′i pjellë mendja e çoroditur nga kriza.

Nëse dikush hyn papritur dhe e dëgjon se atje po e shajnë dhe pastaj e padit subjektin që po e shante në gjyq, i akuzuari si do të mbrohej? Ai do të thoshte: “More zotëri, unë po shaja dhe po ofendoja në shtëpinë time, në një hapësirë private ku jam i lirë të flasë si të dua, të rri pa rrobe dhe pa të brendshme, të pështyj ku të dua, të thyej pjata e filxhanë, të shaj cilindo që më vjen ndërmend, se ligja më lejon intimitetin në hapësirën time private. Je ti që duhesh dënuar që ke hyrë pa lejen time këtu dhe më dëgjove se unë po shpifja për ty”.

Nëse dikush ka venë emrin e vet në hapësirën informatike ku hedh mesazhet e veta, jemi ne që kur hyjmë atje thyejmë hapësirën e tij intime, apo është ai që na ofendon duke na dëmtuar rregullat e hapësirës sonë publike?

Kjo pyetje nuk është aq e lehtë për të gjetur një përgjigje. E them këtë, sepse ndonjëherë ne vetë kërkojmë të bëhemi “miq” me disa dhe pastaj lind pyetja: Përse duhet të mërzitemi kur në hapësirat e tyre virtuale të komunikimit lexojmë gjëra që nuk na pëlqejnë? E thjeshtë, mos futemi më në atë hapësirë nëse nuk e marrim fjalën edhe me anën e vet qesharake e aspak serioze.

Në fakt, komunikimi në Internet nuk është për nevrikët dhe për njerëzit e turpshëm. Këta të fundit më mirë le të qëndrojnë në leximin e gazetave ose në dëgjimin e seancave të debateve parlamentare…

Nëse ky argument nuk bind, vijmë menjëherë te pyetja tjetër: A janë të zbatueshme sanksionet ndaluese dhe ndëshkuese kundër atyre që shpifin dhe shajnë në Internet?

Sipas meje janë krejtësisht të pandëshkueshme. E para, sepse mund të shahet dhe ofendohet me alegori, që asnjë gjyq të mos ketë mundësi të provojë se fjala ishte për këtë apo për atë person. E dyta, ofenduesit dhe shpifësit më të mëdhenj, të specializuar, janë ata që dalin me profile anonime, sepse këtë e krijon si mundësi vetë teknologjia.

Si do të bëjë gjyqi? Do të thërrasë: “Rrota e Mullirit” paraqituni para trupit gjykues!” Apo: “Krokodili pa ujë, jeni dënuar me dy vjet burgim me kusht!” Do të ishte fare pa kuptim dhe qesharake. Për më tepër që disa emra në Internet, sido që paraqiten si persona anonim nuk janë fare njerëz, por janë institucione, janë qendra marrëdhëniesh publike agjencish politike, që unë i quaj “serial killer-a virtualë”, me pagesë. Por, nuk janë individë. E ndërkaq, një pjesë e atyre që paraqiten si anonimë janë edhe individë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.

Një njeri që ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë dhe që andej ofendon, a mund të ndëshkohet sipas ligjeve shqiptare që janë të vlefshme vetëm për territorin shqiptar. Nëse do të arrinim deri atje sa ligjet tona do t′i quanim të vlefshme për të gjithë universin, kjo do të ishte pastaj tjetër gjë.

Nëse edhe ky argument nuk mjafton, le të shtrojmë pyetjen në një rrash tjetër: A i shërben barazisë së qytetarëve ky ndalim i lirisë të pakufizuar të shprehjes në komunikimin në Internet?

Unë mendoj se jo. Argumenti im është se klasa politike ka arenën e kuvendit për t′u shprehur sikurse i pëlqen. Por, edhe një pjesë e shtresave të larta të shoqërisë, shprehen në gjithfarë mediash të mira, më pak të mira apo surrogato sikurse ka në të gjithë botën. Kurse Interneti në një farë mënyre është hapësira e komunikimit edhe për ata që nuk kanë asnjë mundësi shprehje në hapësira të tjera.

Ku do shpifin, shajnë, ofendojnë këto shtresa të popullsisë që nuk kanë mundësi të tjera shprehjeje të lirë? Dikush do të më kundërshtojë me pedantizmin e vet që e karakterizon sidomos në një periudhë dimri si ky i fundit që po kalojmë: “Tjetër është të komunikosh lirshëm dhe tjetër gjë të shash, të ofendosh dhe të shpifësh. Mos ia fut kot i nderuar koleg” (Ndonëse nuk e kam fare koleg).

Ai ka harruar një gjë thelbësore. Komunikimi në masë i njerëzve të thjeshtë është kështu, gjithnjë midis të vërtetave, folklorit, informacioneve të paverifikuara, një gjuhe paksa të fortë, dhe transmetimit nga goja në veshin e tjetrit edhe të thashethemeve të paverifikuara që mund të quhen shpifje, sharje, ofendim, a quheni si të doni.

Ky është folklori, kjo është thashethemnaja popullore, kjo është kultura e “nëntokës”, ky është humusi ky lindin pastaj idetë e mëdha. Në kohët e sotme teknologjike ky komunikim popullor është Interneti dhe bëhet shumë në Internet. Prandaj ndalimi i shpifjeve, ofendimeve, sharjeve, do të ishte pikërisht një “atentat” kundër kulturës së atij folklori urban që gëlon në të gjithë hapësirat urbane të botës dhe që vështirë se mund ta ndalojë njeri. Ndaloje në Internet, ai do të shfaqet nëpër birrari, shtëpi publike, cepash rruge, pub-e të ndryshme, e gjithandej.

Pastaj duhet pranuar se është vetë teknologjia e komunikimit në Internet që e nxit me pasion dhe e eksiton ofendimin e tjetrit. Sepse njeriu atje mund të bëhet anonim. Njeriu e fut në normat e moralit syri i tjetrit, se sikurse do të thoshin antroposociologët ose socioantropologët, njeriun moralisht e stabilizon gjykimi i opinionit jopublik. Por, Internet e bën njeriun si bariun e Platonit kur vuri në gisht unazën, të padukshëm, atëherë mos prisni gjë tjetër veçse po si bariu që kërkoi të flinte me mbretëreshën, edhe i padukshmi ynë çfarë do të bënte tjetër veçse do të eksitohej duke sharë të gjithë. Një WC e mbyllur ku nuk të sheh kush, a nuk të shtyn të bësh gjëra që janë të ndaluara për t’u bërë para syrit të tjetrit?

Individi i thjeshtë popullor nuk ka as mundësi, as kohë, as mjete që të verifikojë informacionet që merr, ai vetëm i transmeton dhe prandaj mund të dënohet kollaj për shpifje. Verifikimin le ta bëjnë mediat që dalin në treg me funksionin e dhënies së informacionit të saktë, kurse individi edhe shpif pa dashje, sepse nuk ka mjete të verifikojë ato që dëgjon.

Por nëse edhe ky argument nuk mjafton, pyesim: Po a është i dobishëm një ndëshkim i sanksionuar me ligj në këtë rast?

Nuk besoj. Sharjet, shpifjet, ofendimet në Internet janë një lloj shfryrje e mllefit popullor që ka arsye të jetë i pakënaqur në të gjithë botën. Kemi të bëjmë me shfrimin e energjisë tanatosiane me anë të fjalës. Më mirë me fjalë sesa me veprën. Por, në qytetërimin tonë shpesh ka disa që edhe fjala iu duket si gur që vret.

Lodhet individi duke sharë në Internet dhe ka mundësi të qetësohet në jetën e vet reale të përditshme. Agresiviteti oral shpesh është një instrument i qetësimit real të energjive njerëzore. Është paradoksale, por nuk është ndryshe.

Dhe së fundi, nëse nuk iu pëlqejnë ato që thuhen për ju në Internet, bëni si AI parlamentari evropian kur “serial killer-at virtualë” e ofendonin. Ai thjesht u ndaloi atyre adresave hyrjen në hapësirën e tij të komunikimit. Është e thjeshtë…

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here