Debati në Kuvend/ Tensioni në Maqedoni, PS: Duhet ambasadori i ri. PD: Shkupi po “putinizohet”

0
120

Gëzim Saliu

arta dadeDiskutimi me dyer të mbyllura në Komisionin e Jashtëm për përplasjen në Maqedoni dhe akuzat ndaj shqiptarëve

Komisioni i Jashtëm diskutoi dje në një mbledhje të posaçme për situatën e tensionuar politike në Maqedoni si edhe lidhur me sulmin e ndodhur në Goshnicë, për të cilin pati akuza ndaj shqiptarëve, duke e lidhur ngjarjen me situatën në Kosovë dhe thirrjet për “Shqipërinë e Madhe”. Meqenëse kjo çështje e fundit ka sjellë edhe një përplasje të fortë mes Ministrisë shqiptare të Jashtme dhe Ambasadës Ruse në vend lidhur me deklaratat e palëve, Komisioni i Jashtëm vendosi në qendër të axhendës pikërisht këtë diskutim, ku pjesën më të madhe e zhvilloi me dyer të mbyllura për mediat. Kryetarja e këtij Komisioni, Arta Dade, deklaroi se përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme, sekretari i Përgjithshëm, Qirjako Qirko, dhe drejtori për Rajonin, Bashkim Rama, ishin ftuar për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të Komisionit për situatën shqetësuese në vendin fqinj dhe ngërçin e krijuar nga mosdekretimi prej Presidentit Nishani të ambasadorit tonë në Shkup. Sa i përket situatës në Maqedoni dhe faktorit shqiptar atje, Ministria e Jashtme deklaroi se po ndjek hap pas hapi situatën dhe veçanërisht rolin e faktorit shqiptar, që deri më tani ka qenë stabilizues. “E para, opozita social-demokrate nuk i ka njohur zgjedhjet, duke i ka cilësuar ato si të parregullta dhe nuk ka hyrë në Parlament. E dyta, partia shqiptare më e madhe që ishte në opozitë nuk mbështet kandidaturën e Presidentit me argumentin e mungesës së konsensusit. Këtu zë fill, por kriza në Maqedoni montohet në një sfond më të gjerë”, – tha Rama. Në përfundim të mbledhjes, nënkryetari i Komisionit, Aldo Bumçi, dënoi atë që është duke ndodhur aktualisht në Maqedoni, duke thënë se në këtë shtet po ndiqet modeli i Putinit në Rusi. “Është shumë e qartë që kriza në Maqedoni nuk ka shkaqe etnike, por është një krizë e krijuar nga zbatimi i putinizmit. Një sistem autoritar që po zbatohet nga qeveria aktuale dhe Kryeministri, i cili po kontrollon institucionet e pavarura, median, godet opozitën dhe po zbaton modelin e Putinit në Maqedoni. Një shqetësim i ngritur nga Sekretari amerikan i Shtetit dhe zyrtarë të tjerë të lartë perëndimorë për këtë rrezik të dobësimit të demokracisë në Evropën Lindore dhe në Ballkan”, – tha Bumçi.

 

Problemi i ambasadorit

Një tjetër pikë e diskutimit në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Jashtëm ishte edhe konflikti mes mazhorancës dhe Presidencës për emërimin e ambasadorëve. Një ndër këto raste është edhe Fatos Reka, i propozuar prej dy muajsh nga qeveria si ambasador në Maqedoni, i cili nuk po dekretohet nga Presidenti, pasi ky i fundit ka shprehur kritika për ligjin e ri të qeverisë për shërbimin e jashtëm. Sipas shumicës, situata aktuale në Maqedoni, pas skandalit të përgjimeve, e bën emergjent emërimin e ambasadorit. “Republika e Shqipërisë të prezantohet në nivelin më të lartë të ambasadorit me prezencën tonë diplomatike në Ambasadën që kemi në Shkup, e cila do të ndihmonte edhe për një funksionim më të mirë në të gjithë parametrat, duke ditur që Ambasada jonë në Shkup ka një rol për të luajtur jo vetëm me qeverinë e Maqedonisë, por edhe me faktorin shqiptar atje, që është i rëndësishëm”, – tha socialistja Arta Dade. Por nga ana e saj, opozita shprehu mbështetje ndaj vendimmarrjeve të Presidentit në këtë çështje, pasi, sipas demokratëve, ligji i ri i qeverisë për diplomacinë lidhet me përpjekjen e qeverisë për emërime politike në diplomaci. “Siç dimë, Presidenti ka bërë të qartë një qëndrim, ka një shkelje të kuotës, madje ligji i ri nuk ka më kuotë ndryshe nga çdo ligj tjetër në këtë kontinent dhe në traditën 24-vjeçare shqiptare kanë kthyer një sistem politik në Ministrinë e Jashtme që rrënon trupin diplomatik. Tani nuk do të ketë më ambasadorë karriere, do të jenë të gjithë politikë. Presidenti ka bërë qëndrimin e qartë në bazë të këtij propozim”, – tha demokrati Aldo Bumçi.

 

Çfarë ndodhi në Goshnicë të Maqedonisë, pse u fol edhe për inskenim. Përplasja me Rusinë

Pak më shumë se një javë më parë, disa persona sulmuan stacionin e policisë në fshatin Goshincë në veri të Kumanovës, pranë kufirit me Kosovën. Ministria e Brendshme e Maqedonisë deklaroi se Xhevahir Ademi nga Gjilani ishte udhëheqësi i grupit të armatosur të sulmit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 21 prillit. Ndërsa personat e identifikuar si Faruk, Kadri Bajrami ishin pjesëtarë të grupit të armatosur të përbërë, sipas Ministrisë maqedonase të Brendshme, nga dyzet persona me uniforma të UÇK-së, të cilët kanë çarmatosur katër policë në një fshat në afërsi të kufirit me Kosovën. Por tri javë para se kjo ngjarje të ndodhte, kryetari i Partisë Dinjiteti, Stojançe Angellov, e kishte paralajmëruar duke pohuar se pushteti në Shkup po përgatiste skenarë sikur persona nën siglën e UÇK-së, të paguar me 2 milionë euro, do të krijonin përplasje etnike në Maqedoni. “Detyra e tyre ishte të paraqiteshin si UÇK dhe të bënin vrasjen e disa pjesëtarëve të policisë apo të ushtrisë dhe të shkaktonin konfliktit ndëretnik”, – theksoi ai. Ndërkaq, lidhur me këtë ngjarje reagoi pak ditë më parë edhe Ministria e Jashtme ruse, e cila akuzoi kosovarët dhe shqiptarët si nxitës të ngjarjes me shprehjet e tyre për “Shqipërinë e Madhe”. Kjo deklaratë nuk u mirëprit nga Ministria e Jashtme, e cila thirri ambasadorin rus në Tiranë, duke i cilësuar të papranueshme dhe destabilizuese akuzat ndaj dy shteteve sovrane të Shqipërisë dhe Kosovës për ngjarjet në Maqedoni. Reagimi i Ministrisë solli një tjetër përplasje me Ambasadën Ruse në vend, e cila i cilësoi deklaratat pas takimit dypalësh si të shtrembëruara nga ana e MPJ-së.

 

Vizita në Turqi/ PD: Rama, negociata sekrete për hidrocentralin e Skavicës. Kryeministria: Iku koha e sekserëve

Partia Demokratike deklaroi dje se Kryeministri Rama është nisur në Turqi për disa negociata sekrete që kanë të bëjnë me hidrocentralin e Skavicës. “Në një ndër hotelet më luksoze të Stambollit ai sot nuk po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare, por në një negociatë sekrete aspak transparente, private, me një konsorcium turk, i interesuar për koncesionin e hidrocentralit të Skavicës, një ndër veprat më të rëndësishme energjetike në vend me një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike në fushën e energjisë e për pasojë dhe të sigurisë së vendit”, – tha Kreshnik Çollaku. Më tej ai pyeti se pse Ambasada e Republikës Turke në Tiranë është njoftuar për udhëtimin e Kryeministrit vetëm pasi ai ka mbërritur në Stamboll në një formë jashtë çdo protokolli. “Pse ka nevojë Kryeministri të negociojë hoteleve kur ka zyrat e shtetit dhe një administratë të mirëpaguar që mund të zhvillojë detajet e negocimit? Pse ka konflikt mes dy ministrave të qeverisë lidhur me negocimin e konsorciumit? Kush është sekseri i qeverisë, i negociatës sekrete disamujore? Sa është përqindja e sekserit qeveritar?”, – deklaroi PD. Por përmes një reagimi, Kryeministria bëri të ditur se Rama është duke zhvilluar një vizitë njëditore në Stamboll, ku do të marrë pjesë në forumin e njohur publik të organizuar nga think tank “Fikir Sofrasi” (Tryeza e Ideve). “Për të hequr çdo “merak” të Partisë Demokratike vizita e sotme është koordinuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës se Shqipërisë në Stamboll dhe njësoj si në të gjitha rastet e mëparshme do t’i bëhet me dije edhe publikut shqiptar përmes kanaleve të informimit publik. Koha e sekserëve që negocionin në hotelet e botës pasuritë e popullit shqiptar për llogari të pushtetit familjar që shporri vota e popullit shqiptar, ka marrë fund bashkë me atë pushtet në 23 qershor 2013”, – thuhej në reagimin e Kryeministrisë.

 

Ambasada Turke: Deklaratat e PD-së, të pabaza

Ambasada Turke në Tiranë reagoi dje pas deklaratave të PD-së lidhur me vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Turqi. Në deklaratën publike thuhej se pretendimet e PD-së se Rama ka shkuar në Turqi për t’i dhënë një kompanie shfrytëzimin e një hidrocentrali të rëndësishëm në vendin tonë, janë të pabaza. Ambasada theksoi se ajo ishte informuar me kohë për vizitën e Ramës, ndërsa thekson se bëhet fjalë për një vizitë jozyrtare dhe për të ka informacione edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here