Armiq të vyer/ Arabë e evropianë, takimi i 2 botëve

0
157

Arabë e evropianëDominimi arab përcaktoi në Spanjë, në Sicili dhe në Italinë e Jugut, një rilindje urbanistike, ekonomike dhe kulturore. Ndonëse prodhoi konflikte të forta, takimi mes botës evropiane dhe botës arabo-saraçene stimuloi një pasurim që, mbi të gjitha, në kohën e Frederikut II (që shpesh quhet edhe “Rilindja frederikiane”) hodhi, sipas shumë historianëve, themelet kulturorë për të ardhmen e Rilindjes italiane

“La ilaha illa Allah…” “Nuk ka Perëndi tjetër jashtë Allahut…” Ishte kjo thirrja e betejës që u paraprinte veprimeve të tyre, ndërkohë që perceptimi që të krishterët kishin për ta, ishte ai i një “rreziku të zi që vjen nga deti”. “Rrezik” që merrte herë pas here emrin e “arabëve”, “morëve” apo “saraçenëve”, emra të ndryshëm që janë përdorur për të gjithë ata individë të fesë islamike që, të ardhur nga Afrika Veriore apo nga tokat e Lindjes, zbarkonin në Mesdhe në kohën e Mesjetës, duke sjellë dëme (si bastisjet dhe shkatërrimet e shumtë) por edhe të mira (mjafton të mendosh për trashëgiminë e madhe kulturore saraçene në të gjithë hapësirën e Mesdheut dhe mbi të gjitha në tokat spanjolle dhe një pjesë të atyre italiane).

 

Ekspansionizëm

Në fillimin e shekullit VII, kur profeti i Islamit, Muhamedi, ishte ende gjallë, pas unifikimit të Arabisë saraçenët u zgjeruan në territoret afrikano-veriore, duke pushtuar edhe porte strategjikë si Aleksandria e Egjiptit, një vend me një traditë shekullore detare. “Duke filluar nga gjysma e shekullit VIII kjo hapësirë shumë e madhe u qeveris nga një kalifat, institucioni më i lartë politik islamik. Në qendër ishte Bagdadi, “qyteti i paqes”, pavarësisht tendencave separatiste që u vërejtën shumë shpejt në shumë prej emirateve, territore të drejtuar nga një emir (nga arabishtja “amir” që do të thotë komandant)”, rrëfen studiuesi i Islamit dhe Lindjes së Mesme, Vincenzo La Salandra. “Pushtuesit e Lindjes – të mësuar të lëviznin mbi të gjitha përmes tokës – shfrytëzuan pushtimin e veriut të Afrikës për të kryer “shkollën e velave”. Fituan kështu të gjithë dijet detare, njerëzit dhe mjetet e popujve të nënshtruar, duke sjellë madje përmirësime që i bënë shumë shpejt të kalonin nga roli i nxënësit tek ai i mësuesit, duke vënë nën zgjedhë në fillim Spanjën dhe më pas duke iu sulur pjesës tjetër të Mesdheut”.

Për murët, zgjerimi në Evropë ishte më i lehtë: pas fundit të perandorisë romake (476), kontinenti evropian ishte politikisht i paqëndrueshëm, ndërkohë që në lindje Perandoria bizantine – me kryeqytet në Kostandinopojë dhe me kontrollin e një pjese të gadishullit italian – nuk dukej se kishte në dispozicion forca të mjaftueshme për të frenuar sulmet e piratëve saraçenë, gjatë të cilëve plaçkitej gjithçka që mund të plaçkitej si dhe rrëmbeheshin njerëz për t’u shndërruar në skllevër. “Veprime të tillë nisën fillimisht në Adriatik, ku penetrimi rezultoi më i ngadaltë, dhe më pas Spanjë: këtu në vitin 929 u themelua një kalifat (rival i Bagdadit), me kryeqytet në Kordoba, një qytet madhështor me gjysmë milioni banorë”, = thotë La Salandra. Por nëse kjo arritje në Gadishullin Iberik ishte apogjeu i ekspansionizmit arab, jo më pak e rëndësishme ishte ajo që ndodhi mes shekujve IX dhe X përgjatë deteve të Italisë.

 

Ishull strategjik

Në vitin 827 arabët pushtuan Portin Mazara del Vallo, në bregdetin perëndimor sicilian, dhe prej aty vazhduan për të pushtuar të gjithë ishullin, i cili në vitin 948 u shndërrua tërësisht në një emirat. Por dominimi i tyre nuk ishte aspak shkatërrimtar. Padronët e rinj ishin relativisht tolerantë kundrejt kristianëve: nuk i persekutuan, u kufizuan thjeshtë në pengimin e tyre për të ndërtuar vende të rinj kulti. Në fusha të tjerë, prania e saraçenëve ishte madje për t’u vlerësuar: i dhanë shtytje bujqësisë duke futur metoda të reja ujitjeje (të huazuar prej atyre që përdoreshin në Gjysmëhënën pjellore) si dhe duke importuar kultura të reja si ato të agrumeve, të kallamit të sheqerit dhe të mëndafshit; stimuluan artizanatin (nga qeramika, tek veshjet) dhe modifikuan arkitekturën dhe urbanistikën, duke ndërtuar shtëpi të “stilit muresk”, kopshte si dhe ujësjellës. Në fund, futën edhe dinarin, një monedhë që u përhap më pas edhe në pjesën tjetër të jugut. “Qendra e emiratit ishte Palermo, kryeqytet politik, artistik dhe shkencor, i mbushur me shkolla në të cilat mësohej astronomia dhe poezia”, – vazhdon La Salandra. “Me 300 000 banorët e vet dhe 300 xhamitë, qyteti u bë më i populluari i Italisë, një udhëkryq kulturor i trafikut tregtar në Mesdhe”.

 

Nga Pulia në Sardenjë

Jo gjithmonë këta të ardhur kishin veshjen e pushtuesit dhe shpeshherë ata u shfrytëzuan edhe prej princërve italianë në cilësinë e mercenarëve. Në vitin 838, ndodhi për shembull që qyteti i Napolit, pasi kishte marrë ndihmat e çmuara ushtarake, u dhanë saraçenëve dritën jeshile për të sulmuar Brindizin në Pulia. Prej këtu pushtuesit lëvizën në drejtim të Tarantos (tashmë një kryqëzim i tregtisë së skllevërve) dhe më pas Bari, ku (respektivisht në vitet 840 dhe 847) themeluan dy emirate që i mbajtën territoret puliezë deri në 871, kur bizantinët nisën të rimarrin kontrollin. Bastisjet saraçene vazhduan pa u ndaluar duke synuar Sicilinë dhe më pas Sardenjën. Këtu fitoi famë luftëtari al-Muvafaqq (960-1044), i ripagëzuar me emrin Mugeto nga gjenovezët. I nisur nga Spanja në drejtimin e një ekspedite shumë të madhe, ky pushtoi zonën e Torresit në pjesën veriperëndimore të ishullit, dhe më pas u nis për Korsikë, ku pushtoi Bonifacion. U përpoq që të zgjerohet në gadishull, por plani iu prish prej ndërhyrjes së përbashkët të republikave detare të Gjenovës dhe Pizës, të vendosura në vitin 1016 që t’i jepnin fund veprimtarive pirateske të Mugetit të tmerrshëm.

Me kalimin e dekadave, për të pikasur anijet arabe, u ngritën kudo kulla vrojtimi (që edhe sot njihen me emrin “kulla saraçene”), nevoja për të cilat u kufizua pjesërisht prej mbërritjes së normanëve, të cilët në vitin 1061 nisën pushtimin e Siçilisë, duke e përfunduar në 1091. Pasi u shndërrua në konte normane, ishulli në vitin 1130 u transformua praktikisht në një mbretëri.

“Ndërkohë, kishte nisur procesi i dhunshëm historik i kryqëzatave, të cilat për dy shekuj do të përgjaknin Tokën e Shenjtë. Por pavarësisht kësaj, në Siçili marrëdhënia mes të krishterëve dhe myslimanëve mbeti e dalluar për një farë tolerance, aq sa në disa poste të qeverisjes u vendosën funksionarë arabë”, rrëfen eksperti. “Kampion i një fryme të tillë kozmopolite ishte Frederiku II, perandor i perandorisë së shenjtë romake dhe mbret i Sicilisë nga viti 1198 deri në 1250, i cili megjithatë, në vitin 1220 transferoi shumë saraçenë armiqësorë në zonën pulieze të Luceras, ku ngritën një vendbanim aktiv deri në fillimin e shekullit XIV”.

 

Një fuqi e re

Në po të njëjtën periudhë, dominimi i arabëve në dete u fut në krizë prej fuqisë turko-otomane. Otomanët arritën gjithnjë e më shumë suksese falë edhe bëmave të piratëve si Khayr al-Din “Barbarossa” (1466-1546) dhe Dragut “shpata hakmarrëse e Islamit” (1485-1565). “Sa për murët, ndonëse gradualisht të lënë në hije prej republikave detare dhe turqve, ata ruajtën disa prej pozicioneve në Mesdhe deri në fillimin e kolonializmit evropian në shekullin XVIII”, – thotë La Salandra.

 

Trashëgimi e pasur

Duke lënë mënjanë bastisjet, saraçenët kishin pa dyshim meritën e “sjelljes” në Perëndim shumë dije të botës klasike, të harruara gjatë “shekujve të errët” të Mesjetës evropiane, por të përthithura dhe të pasuruara nga vetë arabët: pikërisht kështu lulëzuan studimet e astronomisë, botanikës, gjeografisë, gjeometrisë, matematikës, mjekësisë, filozofisë dhe poezisë. “Autorët arabë morën për shembull dijet e Aristotelit dhe, falë mendimtarëve të shquar si Averroe (1126-1198), i rishpërndanë në Evropë”, – thotë eksperti. “Veç të tjerave, saraçenët ofruan një kontribut të drejtpërdrejtë për të famshmen “Shkollë mjekësore salernitane”, mes mësuesve të së cilës ishte dhe mjeku arab Konstandin Afrikani. Dhe shumë e rëndësishme ishte edhe vepra e Avicennas (980-1037), i njohur për shkrimet e tij të shumtë për mjekësinë”.

Një proces i tillë i “stimulimit kulturor” rezultoi veçanërisht intensiv në Spanjë dhe në Sicilinë e Frederikut II, i cili, si një njeri me një kulturë të gjerë dhe praktikisht poliglot, u rrethua nga poetë dhe shkencëtarë lindorë, duke favorizuar, nëpërmjet edhe kontributit të tyre, lindjen e shumë shkollave të reja: që nga shkolla e retorikës në Capua, në Campania, deri tek shkolla e parë poetike italiane, “Siciliania”.

Përveç kësaj, u regjistruan edhe shumë prurje linguistike”, thotë më tej La Salandra. “Sheqeri, zucchero italisht, sugar anglisht (quhej ndryshe kripa arabe) e ka prejardhjen nga termi Sukkar, kafeja, caffe italisht, coffee anglisht (një tjetër “zbulim” lindor) nga arabishtja Qahva, algjebra nga Al-giabr dhe tarifa nga Tar’if, për të përmendur disa raste”. Së fundi, saraçenët pasuruan aparatin monumental të shumë qyteteve, duke lënë si trashëgimi kryevepra të tilla si Mezquita e Kordobës apo Alhambra e Granadës. Ndonëse prodhoi konflikte të fortë, takimi mes botës evropiane dhe botës arabo-saraçene stimuloi një pasurim që, mbi të gjitha në kohën e Frederikut II (që shpesh quhet edhe “Rilindja frederikiane”) hodhi, sipas shumë historianëve, themelet kulturorë për të ardhmen e Rilindjes italiane.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here