Skicë/ Ja ku u martuam

0
188

Aziz Nesin

Aziz Nesin– Aq u ngazëlleva që ma pranove propozimin sa… Ke për të parë, duart e mia do të bëjnë të pamundurën që të të kënaqin. As mos e vër në dyshim! Në udhëtime kemi për ta kaluar muajin e mjaltit! Jo një, po tre muaj. Nga viset që do të vizitojmë, miqve do t’u dërgojmë kartoline. Çdo gjë do të rrjedhë ashtu siç dëshiron ti. Vetëm hap gojën. Në fillim do t’i biem kryqetërthor Evropës: Romë, Venecie, Milano, Nisë, Paris, Berlin…

Por dëgjo, e dashur, diç dua të të them. A nuk të duket se tre muaj endjesh

janë ca si shumë? Ti e di se, me ato të holla, mund të zinim një shtëpi me qira. Hë, si thua?

-…

– Domethënë qenke në një mendje me mua… Ç’na duhet të dalim jashtë vendit?… Muajin e mjaltit mund ta kalojmë këtu… Se ku ta gjejmë valutën? Më parë do të lundrojmë në Detin e Zi, pastaj në Mesdhe… Apo s’është bukur të bredhësh me vapor?

-…

– Ti je engjëll, e shtrenjta ime. Madje, e dija që do të ma pranoje këtë propozim. Tani a të të them edhe nja dy fjalë? Në atë periudhë nuk udhëtohet lehtë. Le anijet që do të jenë dëng me njerëz, por edhe deti do të tërbohet nga dallgët. E mira e të mirave: hajde këtu në Bursë të rrimë ndonjë javë. S’e kam drejt? Këtej edhe bukur është, edhe lirë na del…Ah, ti e ke zemrën flori e shkuar floririt!

-…

– E dashur, ç’thua sikur të rehatohemi ca net nëpër hotele?…Atje do të të blej edhe një varëse të shtrenjtë. Nuk t’u dukka me vend mendimi im? Vërtet? Epo, ti e ke në dorë. Zaten ti je vajza më e mençur në botë…

-…

– Prit, se m’u kujtua edhe diçka tjetër. Meqë hoqe dorë nga varësja, me ato të holla do ta bëjmë dasmën tonë. Ah sa mirë do t’ia kalojmë!

-…

– Pra, të pëlqeu mendimi im… Ti je femra më e zgjuar që njeh globi. A të të çuçuris në veshin e bukur edhe dyzë fjalë? Me të hollat që kam, do të të blej fustanin më të hijshëm të nusërisë. Një herë martohet njeriu. Apo, më mirë, në vend të fustanit të blejmë dy-tri gjëra për shtëpinë e ardhshme?

-…

– Plot me tru e paske kokën. Mirë thua: të heqim dorë fare nga shpenzimet e dasmës… Marrim një apartament me qira dhe një fustan të thjeshtë për ty.

-…

– Dëgjomë edhe një minutë… Tani apartamentet janë tejet të shtrenjtë… Kështu pra, le ta ngremë folenë në ndonjë banesë përdhese në periferi. Po, po, edhe vetëm një dhomë sikur të jetë… Se, tani për tani, s’jemi kallaballëk. Si?… Dashke të bëjmë celebrimin? Natyrisht, shpirt i vogël. Atë ditë do të ftojmë edhe miq e shokë. Pa dale, dale pak… Ç’na hyn në qese celebrimi? E ç’është ai, në fund të fundit: një copë letër. As që duhet të çajmë kokë për të. Me ato të holla që kërkon avokati, unë ta sjell fustanin në dorë. E ç’fustan se! Pa le që do të ta qep tek një mjeshtër i klasit të parë! Sa më shpejt!…

-…

– E dashur, siç e sheh, vera po afron. Tani s’mbahen dot veshjet e trasha. Pa hidh një sy në këto beze… Sa të bukura! Ngjyra-ngjyra… Lule-lule… Ja, nga kjo do të marrim plot katër metra… Behar është… Dielli të përvëlon si saç… Fustani duhet pa mëngë, pa jakë… Sa më i shkurtër… Një metër beze del e tepron…

-…

– Ah, ti qenke vajza më e virtytshme që ka bota…Një mendje paskemi. E kur dy zemra rrahin njësh, edhe rruga shesh me lule t’u shtroka! Shtëpi nuk marrim, se s’kemi me se. Apo s’e kam mirë? Edhe bezja nuk është e domosdoshme. Barku sikur po të ankohet. Prit se do të të ble një sandviç. Edhe një çamçakiz që të eglendisesh. Tani eja të të puth.

Pllaq, plluq, fap, fup. Oooh!

… Ja, edhe kjo mbaroi, e dashur: u martuam! S’qenka ndonjë punë kushedi se sa e rëndë. Ah, thashë unë: ti qenke vajza më e mirë në botë… Ndryshe, si do të martoheshe me mua? Nuk më beson? Për kokën tënde, u martuam!

Përktheu: Ardian Kyçyku

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency