Zbardhet vendimi për KLD-në/ Arsyet pse ishte antikushtetues neni që shkarkoi Çefën e Lelçajn, nënkryetari nga të zgjedhurit e Kuvendit

0
110

Gëzim Saliu

 cefa lulcajKushtetuesja rrëzoi ankimimin e Presidentit: Nuk është antikushtetues zgjedhja e nënkryetarit të KLD-së vetëm nga tre anëtarët që janë zgjedhur nga Kuvendi

Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin e dhënë mbi ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili u miratua nga mazhoranca në seancën e 31 korrikut të vitit të shkuar. Në vendimin dërguar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kushtetuesja argumentoi se përse vendosi ta shpallte si antikushtetues nenin 4 që parashikon shkarkimin e anëtarit të Këshillit. “Neni 4 është evaziv dhe i përgjithshëm. Ai parashikon si shkaqe për shkarkimin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të njëjtat shkaqe që janë listuar në nenin 7 si arsye të mbarimit të mandatit, ndaj Gjykata vlerëson se rastet e mbarimit të mandateve dhe ato të shkarkimit duhet të jenë të dallueshme nga njëra-tjetra. Në përfundim, Gjykata vlerëson se shkaqet e parashikuara në nenin 4 të ligjit për shkarkimin e anëtarëve të KLD-së nuk janë të qarta dhe nuk garantojnë procesin e rregullt ligjor gjatë procedurës për shkarkimin e tyre. Në këto kushte, kjo dispozitë nuk është në pajtim me parimin e sigurisë juridike, për sa i takon qartësisë së normës juridike në përmbajtje, dhe si e tillë është antikushtetuese dhe duhet shfuqizuar”, – thuhej në vendimin e Gjykatës. Me këtë nen mazhoranca shkarkoi me votat në Parlament dy anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të emëruar nga Parlamenti, Elvis Çefën dhe Lulzim Lelçajn. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve dhe eksperti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaroi dje se me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, Çefa e Lelçaj duhet të kthehen në detyrë, duke iu referuar në këtë rast ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkaq, vendimin e Parlamentit dy ish-anëtarët e shkarkuar të KLD-së e kanë dërguar në Gjykatën Administrative dhe çështja është ende në gjykim. Çefa dhe Lelçaj u zëvendësuan me dy anëtarë të rinj nga mazhoranca, Albana Shtylla dhe Vangjel Kosta, të cilët u zgjodhën sipas ndryshimeve ligjore të 31 korrikut që e bënë të mundur këtë procedurë. Ndërkaq, vendimi i Gjykatës Kushtetuese merr fuqi ligjore vetëm pasi të botohet në “Fletoren zyrtare”, gjë që, sipas ligjit, ndodh 15 ditë nga dita e publikimit.

 

Rrëzohet kërkesa e Presidentit

Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankimimin e Partisë Demokratike dhe të Presidentit të Republikës Bujar Nishani lidhur me nenin 7 të ligjit për KLD-në. Sipas Gjykatës, nuk do të interpretohet si antikushtetues zgjedhja e nënkryetarit të KLD-së vetëm nga tre anëtarët që janë zgjedhur nga Kuvendi. Kreu i shtetit dhe PD kishin kërkuar shfuqizimin e këtij neni, pasi sipas tyre kufizohej e drejta e kushtetuese e Presidentit si kryetar i KLD-së për të zgjedhur zv.kryetarin edhe nga radhët e 9 gjyqtarëve që Konferenca e Gjyqësorit zgjedh për në KLD. Lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të KLD-së, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. i kërkoi Presidentit të Republikës qe ta fusë atë pak ditë më parë ne rend të ditës në mbledhjen e radhës. Pas shkarkimit të Çefës dhe Lelçajt, mazhoranca votoi Albana Shtyllën dhe Vangjel Kostën si anëtarë të KLD-së dhe pikërisht mes tyre, me ligjin e ri, duhet të zgjidhet edhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por vendimi i dhënë nga Gjykata që e cilësoi si antikushtetues nenin që shkarkoi dy anëtarët e KLD-së, ka ndikim direkt edhe tek procedura për zgjedhjen e nënkryetarit të këtij institucioni, pasi ishte Elvis Çefa që e mbante më parë këtë post.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency