Qëlloi për gjakmarrje drejtorin e Sigurimeve, kërkohen 35 vite burg

0

Artan Cena

Loading...

 gjykata e krimeve te rendaProkuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënimin për Redon Ukën, i akuzuar për plagosjen e rëndë të ndodhur në datën 20 dhjetor 2013

Tentativa e vrasjes së drejtorit të Sigurimeve të Peshkopisë mund t’i kushtojë 35 vite burg të riut Redon Uka. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar këtë dënim gjatë pretencës së dhënë në Gjykatën e Krimeve. Uka është i akuzuar për “Vrasjen për gjakmarrje”, e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Sipas prokurorisë i riu akuzohet se në datë 20 dhjetor 2013 ka tentuar për të vrarë Gafurr Kadriun, i cili në atë kohë kishte detyrën e drejtorit të Sigurimeve në Peshkopi. E kjo ngjarje duket se e kishte zanafillën dy vite më parë. Nga hetimet është zbardhur se në vitin 2011, djali i Kadriut i kishte plagosur rëndë vëllanë e të pandehurit, Redon Uka i njohur edhe si Sulë Uka. Edhe pse Uka kishte qëlluar tre herë mbi drejtorin e sigurimeve, nuk ka arritur që ti marrë jetën por e ka plagosur rëndë.

 

Atentati ndaj Kadriut

Atentati ndaj kreut të Sigurimeve Shoqërore, Gafurr Kadriu, ka ndodhur në orën 13:30 të datës 20 dhjetor 2013 në afërsi të ndërtesës së Drejtorisë së Policisë, përkatësisht mes ish-Shkollës Bujqësore dhe gjimnazit të qytetit. Mësohet se, një orë më parë, i plagosuri dhe i akuzuari ishin zënë ashpër me fjalë me njëri-tjetrin. Më pas, 32-vjeçari Uka është larguar, për t’i zënë pritë 55-vjeçarit e për ta ekzekutuar atë me armë. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë dëshmuar për policinë se “55-vjeçari është goditur nga afër me tre plumba pistolete, nga gjoksi e poshtë”. Pas atentatit, 32-vjeçari është larguar për t’u shpëtuar prangave por është arrestuar pak kohë më pas. Ai ishte në gjendje të rëndë dhe ka ndenjur disa javë në Spitalin e Traumës në Tiranës për të dalë më pas. Në dëshminë e tij, ai kishte thënë se ishte përballur rastësisht me autorin e dyshuar i cili kishte filluar ta ofendonte. Nga hetimet është mësuar se i riu e kishte parapërgatitur atentatin e tij.

 

Plagosja për gjakmarrje

Nga hetimet e policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda si pistë e atentatit dhe më pas edhe si akuzë e ngritur ishte gjakmarrja. “Në vitin 2011 djali i 55-vjeçarit, pas një sherri në një kazino, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri, dy vëllezërit e 32-vjeçarit Uka, i arrestuar për atentatin me armë. Ky është dhe moment që krijoi hasmërinë mes palëve”,- kanë bërë të ditur burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërkohë, nuk mësohen debatit mes autorit e viktimës, në përballjen e tyre një orë më parë se të ndodhte ngjarja. Në ditën e ngjarjes banorët e shumtë janë terrorizuar nga ajo që panë. “Për qytetin tonë, skena të tilla janë të pa pranueshme. Jeta është e pa sigurt. Po terrorizohemi. Policia, shteti të na siguroj jetën, të na siguroj qetësinë”, – dëshmoi një i moshuar nga qyteti i Peshkopisë.

 

 Përdhunon të miturën, arrestohet i riu në Vlorë

 Akuzohet se kreu marrëdhënie seksuale me një të mitur, Policia e Vlorës arreston Daniel Çulanajn, 25 vjeç. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e 15-vjeçares në qytetin e Vlorës. Burime nga policia bëjnë me dije se Çulanaj pasi ka hyrë në banesën e vajzës, për disa minuta ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Më pas ai e ka përdhunuar dhe kur ka përfunduar aktin e dhunshëm seksual, i riu është larguar nga banesa e presë së tij, për t’i shpëtuar policisë. Pavarësisht kësaj, gjatë ditës së djeshme grupi hetimor bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e Çulanajt. Ndaj të riut rëndon akuza e marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me dhunë dhe me të mitur të moshës 14-18 vjeç.

 

Përplasen dy makina, pesë persona të plagosur në Lezhë

 Një aksident pranë kryqëzimit të Shëngjinit ka ndodhur mëngjesin e djeshëm dhe për pasojë pesë persona u plagosën. Sipas policisë, të dëmtuarit janë Drita Deda, 43 vjeçe, dhe dy fëmijët e saj, të cilët po udhëtonin me mjetin tip “Ford”, që drejtohej nga gruaja, si dhe dy të plagosur të tjerë, që po udhëtonin me një mjet tip “Fiat”. Dy makinat u përplasën në dalje të Lezhës, në një kohë që po dilnin nga rruga dytësore. Në pranga ka përfunduar 26-vjeçari Frederik Marku dhe po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Aksidenti, procedim penal drejtorit të spitalit e mjekëve

 Drejtori i spitalit të Lezhës, Nevruz Bare, është proceduar penalisht për aksidentin e së shtunës. Bare akuzohet se nuk ka vënë në dispozicion ambulancë për transportimin e viktimës Gëzim Suli, ndërkohë që ky transport drejt morgut është bërë me kamionçinë. Policia ka nisur në të njëjtën kohë ndjekje penale edhe për dy mjekë ligjorë të spitalit të Lezhës, të akuzuar për shpërdorim detyre. Dy ditë më parë menjëherë pas ngjarjes tre punonjës policie u pezulluan nga detyra sepse transportin e viktimës e bënë me kamionçinë.

 

Prej 8 muajsh e vrarë, trupi i një femre gjendet e dekompozuar në Librazhd

Trupi i pajetë i një femre është gjetur në një fshat të Librazhdit. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Elbasanit, të cilët kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet. Siç bëhet e ditur, fillimisht trupin e pajetë e kanë zbuluar qentë dhe më pas banorët kanë njoftuar policinë. Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar oficerët e Krimeve të Policisë së Librazhdit. Nga këqyrjet paraprake ekspertët thanë se trupi i pajetë i përket një femre dhe është i dekompozuar. Dyshohet se gruaja duhet të jetë vrarë afërsisht tetë muaj më parë. Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes dhe identiteti i kufomës. Policia që ka nisur hetimet është duke kontrolluar në listat e personave të zhdukur dhe nëse viktima është denoncuar si e zhdukur apo jo. Policia ka marrë në pyetje edhe banorët e zonës ku është gjetur trupi i pajetë, nëse ndonjë grua mund të jetë zhdukur por që nuk është denoncuar në polici. Vendi ku është gjetur trupi i pajetë është jashtë fshatit dhe pista tjetër e hetimit është edhe se ajo mund të jetë vrarë në ndonjë zonë tjetër dhe është sjellë aty për të humbur gjurmët nga autorët e këtij krimi. Nuk duhet se si është vrarë. Megjithatë pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar saktësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.

 

Loading...