Në Gjirokastër/ Basha prezanton Kokalarin: 21 qershori, dita e gjykimit me votë e keqqeverisjes Rama-Meta

0
90

Gëzim Saliu

basha me kandidatin “Kërkojnë votën tuaj për të zhbërë me duart tuaja pushtetin vendor, që vendimet për Gjirokastrën të mos merren në Gjirokastër, por në Gjirin e Lalzit”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prezantoi dje në qytetin e Gjirokastrës kandidatin për kryetar Bashkie të opozitës, Igli Kokalari. Duke theksuar se shqiptarët po e presin si asnjëherë më parë ditën e votimit, kryedemokrati theksoi se në 21 qershor do të jetë dita e ndëshkimit me votë të keqqeverisjes Rama-Meta. “Pse po vërshojnë qytetarët, pse po vërshojnë njerëzit në mënyrë plebishitare, popullore, në takimet tona paraprake të prezantimit të kandidatëve tanë? Ç’është ky vërshim si në kohët e përmbysjes së regjimit të tollonave e arratisë? Ç’është ky entuziazëm në mes të kësaj gjendjeje të tmerrshme ekonomike që ka kapluar vendin?! Jua them unë, se e ndiej në shpirt. Njerëzit po presin me padurim ditën e votimit, ka një padurim për të votuar, për t’u dhënë një mësim që ta mbajnë mend, për t’u dhënë ndëshkimin e merituar. 21 qershori është dita e gjykimit politik, është dita e llogarisë para shqiptarëve, dita e gjykimit me votë të keqqeverisjes Rama-Meta”, – tha Basha.

 

Kandidatura e Gjirokastrës

Ndërsa u njoh me problemet e mëdha të qytetarëve, Basha theksoi dje në Gjirokastër se qeveria u ka vënë qytetarëve lakun në fyt me mashtrimet, arbitraritetin, me rritjen pa kufi të taksave, me rritjen e çmimit të energjisë si edhe me rritjen e çmimit të naftës. “Për çfarë vijnë të kërkojnë votën këta? Për çfarë e kërkon votën qeveria? E kërkojnë si miratim për gënjeshtrat e mashtrimet e tyre, për gjoja 300 mijë vende të reja pune apo shëndetësinë falas, rendin e sigurinë, uljen e taksave për të gjithë shqiptarët apo uljen e çmimit të energjisë?! Të gjitha gënjeshtra. E kërkojnë votën tuaj për të miratuar politikën e lakut në fyt dhe vota juaj do ta miratojë këtë politikë të lakut në fyt ose do ta heqë lakun nga fyti i shqiptarëve”, – deklaroi. Në këtë kontekst, kreu i PD-së tha se gjirokastritët nuk do të pranojnë të qeverisen nga Gjiri i Lalzit, por do t’i besojnë votën Igli Kokalarit. “Kërkojnë votën tuaj për të zhbërë me votën tuaj, me duart tuaja pushtetin vendor, që vendimet për Gjirokastrën të mos merren në Gjirokastër, por në Gjirin e Lalzit. Bashkisë së re të Gjirokastrës, qytetarëve të rinj e të vjetër të këtij qyteti e çdo komune, një njeri i sprovuar në shërbimin ndaj tyre, një njeri që urdhrat nuk do t’i marrë as nga Tirana e as nga Gjiri i Lalzit, por do t’i marrë nga gjirokastritët dhe ky është Igli Kokalari”, – deklaroi Basha. Ndërkohë, dy ditë më parë, kreu i opozitës ishte në Berat për të prezantuar kandidatin për kryetar të Bashkisë, Kasem Mahmutaj. Në takimet me qytetarët, të cilët shprehën shqetësimet e tyre që nga emigrimi tek taksat e rritura, Basha u shpreh se për Ramën dhe Metën populli nuk ka dinjitet dhe e konsiderojnë atë si mall që blihet dhe pasi i marrin votën u vënë lakun në fyt. Ndërsa në Kuçovë Basha ka prezantuat kandidatin për kryetar Bashkie Myslym Haxhi e në Urën Vajgurore Bujar Hoxha, ku në takimet me banorët e këtyre zonave, Basha theksoi se dëshpërimi ka kapluar çdo shtëpi ndërsa pushtetarët po pasurohen çdo ditë.

 

Kreu i PD: Rama, kryeministri turist i popullit refugjat

Kryedemokrati Basha prezantoi dje kandidatët për kryetar bashkie në Delvinë, Konispol, Sarandë, Libohovë. Situata e rëndë ekonomike ishte në qendër të shqetësimeve që banorët i shprehën kreut demokrat, ndërsa ky i fundit theksoi se,: “Edi Rama është kryeministri turist i një populli refugjat për te cilin as nuk do t’ia dijë. Si mendoni ju se do të hapin vende pune , duke ju rritur taksat e duke blerë palma, duke ju rritur çmimin e energjisë e duke ndërtuar kulla korrupsioni, duke ju shembur të pamundurve djersën dhe gjakun e duke i lartësuar sarajet e tyre nga Surreli në Qiparo”.

 

Basha si kryebashkiak/ PS: Në 21 qershor do të marrë mesazhin. PD: I dha Tiranës vizionin modern, ku është Rama?

Detyra si kryebashkiak i Tiranës e kreut të opozitës Lulzim Basha ka sjellë përplasjen e radhës mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Forca më e madhe politike në vend deklaroi dje përmes deputetit Ervin Bushati se në 4 vite Basha nuk mbajti asnjë premtim. “Prandaj zgjodhi të fshihej pas një kandidati si Halimi për t’i shpëtuar përballjes me votë në 21 qershor; prandaj i shmanget qytetarëve të Tiranës tamam si një frikacak, ashtu siç i është shmangur si frikacak çdo përballje me dështimet dhe abuzimet e tij. Vota e 21 qershorit do të jetë një mesazh i qartë për Lulin dhe Partinë Demokratike se qytetarët dinë t’i dallojnë mire mashtruesit. Në 21 qershor qytetarët do të bëjnë zgjedhjen e drejtë për ta çuar Tiranën dhe mbarë Shqipërinë në drejtimin e duhur”, – tha Bushati. Por përmes koordinatores Reila Bozdo, PD theksoi se ishte pikërisht kryebashkiaku Basha që i dha Tiranës vizionin e një kryeqyteti modern. “Sot nuk ka qytetar të Tiranës apo shqiptar që nuk e di se Lulzim Basha i ka dhënë Tiranës vizionin e një qyteti modern dhe evropian me bulevard të ri, terminal multimodal, transport modern pasagjerësh me tram, 200 projekte të realizuara në infrastrukturë, kopshte, shkolla e çerdhe, 25 mijë vende të reja pune etj.”, – tha ajo. Më tej, Bozdo tha se shqiptarët pyesin sot ku është Kryeministri Rama. “Pse nuk ballafaqohet me popullin e tij? Pse fshihet pas papagajve të tij? Pse fshihet nëpër salla të errëta ku prezanton kandidatët larg syve të qytetarëve?”

 

Në Shishtavec, Kukës/ Presidenti: Të ardhmen ta ndërtojmë në vendin tonë, zyrtarët të dalin nga zyrat

Presidenti Bujar Nishani deklaroi dje gjatë një takimi me banorët e Komunës Shishtavec në Kukës se e ardhmja e qytetarëve duhet të ndërtohet në vendin e tyre. Duke u bërë thirrje njerëzve të mos largohen nga Shqipëria drejt vendeve perëndimore, kreu i shtetit u tregua ishte i ashpër edhe me zyrtarët, ndërsa theksoi se ata duhet të dalin nga zyrat e tyre e të takojnë banorët. “Duhet të flasim me qytetarët, t’i bindim ata ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre. Ne të gjithë, përfaqësues shteti apo edhe politikanë, duhet t’u japim garanci shqiptarëve për një jetë më të mirë në të ardhmen e tyre”, – tha ai.

 

 Për Blushin, Majkon e Braçen/ Halimi: Problemet e Rilindjes s’janë as poetike, as lidhen me drejtësinë dhe as me luleshtrydhen

Deputeti demokrat Eduard Halimi reagoi dje lidhur me qeverisjen e vendit, ku tha se në dy vite çdo gjë është përkeqësuar. Sipas ligjvënësit të PD-së, prej dy vitesh në Kuvend kanë hyrë deputetë të inkriminuar, për të cilët nuk dihet ende se kur do të largohen prej aty. Duke komentuar analizën e Blushit për “funeralin e Rilindjes” si edhe deklaratat e deputetit Majko për problemet me sistemin e drejtësisë, Halimi deklaron në rrjetin social “FB” se ka ardhur koha që të ndërpritet kontrata politike me krimin dhe se kjo është emergjencë. “Problemet e Rilindjes nuk jane aq siperfaqesore dhe poetike sa thote Blushi, problemi i Rilindjes eshte kontrata me krimin. Dy vjet pas dites se lidhjes se kontrates me krimin, Parlamenti nuk ka nje perberje aq poetike e siperfaqesore sa e parqet Blushi me krenariste e kanabiste. As nostalgjia dhe perpjekja naive per te fajesuar drejtesine sic ben ndonje sehirist, dhe as ikja nga problemi duke takuar luleshtrydh rrites nuk e zhbejne bejne realitetim qe kemi ne mes. Luanin ne mes te dhomes. Krimin ne parlamet. Largimi i ketij lloji, dekriminalizimi i parlamentit dhe administrates duhet te jete detyra e parlamentit dhe po ashtu perjashtimi i ketij lloji nga zgjedhjet e 21 qershorit”, – shkruante Halimi. Reagimet e deputetit demokrat vijnë pas analizës së Blushit dhe komenteve të deputetëve socialistë ndaj saj. Në seancën parlamentare, Majko, duke përdorur termat e kolegut Blushi për krenaristë e kanabistë  cilësoi PD-në si seheriste, ndërsa deputeti tjetër socialist Erjon Braçe, duke paraqitur zhvillimin e luleshtrydhes në zonë e tij tha: “Une nuk jam as “krenarist” e as “kanabist”! Jam socialist, deputet dhe duhet te bej punen time”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency