Mustafa i tha kryespiun/ Klosi: Isa u fsheh në luftë, frikë nga UÇK. Berisha: Ishe agjent i shërbimeve të huaja

0
140

Gëzim Saliu

mustafa dhe berisha Debati mes Mustafës dhe Klosit për kritikat ndaj Ibrahim Rugovës, ish-kreu i SHISH-it: Kundër filozofisë së tij që e bëri Serbinë ta toleronte si President

Kritikat e ish-shefit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ndaj ish-presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, kanë hapur një debat të fortë mes tij dhe Kryeministrit aktual të këtij shteti, Isa Mustafa. Ky i fundit e cilësoi si kryespiun Klosin që kishte bashkëpunuar me Serbinë, deklaratë e cila u kundërshtua nga ish-kreu i SHISH. Klosi deklaroi dje në një intervistë për “Ora News” se Mustafa ka arsye që lidhen ngushtësisht me interesa politike për të fshehur një tjetër të vërtetë të madhe që është e shkuara e tij. “Është injorante të më quajë mua kryespiun. Unë kam përçarë UÇK-në?! Është absolutisht e kundërta, ata që kanë qenë në UÇK e dinë shumë mirë, ky s’ka qenë ndonjëherë, ky trembej nga UÇK-ja. Ky bën pjesë në atë qeveri në emigracion, që ka qenë jashtë Kosovës. Gjatë gjithë luftës ka qenë jashtë Kosovës”, – tha ai. Më tej, Klosi pohoi: “Këta që nuk luftuan duhet ta justifikojnë pse nuk luftuan dhe fshihen pas filozofisë së Rugovës. Ai duhet të justifikojë veten e vet, është Kryeministër i Kosovës, Kosovë që lindi nga kjo luftë dhe ai nuk ishte pjesë e saj dhe mbron Rugovën për të mbrojtur veten e vet. Ai ishte i fshehur gjatë luftës, asnjeri nuk e dinte se ku ishte dhe çfarë bënte”. Lidhur me akuzat, ish-kreu i SHISH-it tha se ai bashkëpunonte me shumë vende perëndimore, por kurrë me Serbinë dhe vendet e Lindjes. “Ne quanim armikun kryesor të shqiptarëve Serbinë dhe ka qenë në krye të listës. Nuk kishte asnjë shans që të kishim bashkëpunim me serbët në atë kohë”. Në reagimin e tij, Klosi nuk ngurron të ritheksojë kritikën e tij ndaj politikës së ndjekur nga Rugova në kohën kur mbante postin e Presidentit të Kosovës. “Unë nuk isha dakord me filozofinë e Rugovës, meqë e kisha parë se për shumë vite ajo filozofi nuk kishte çuar asgjëkund, gati-gati kisha bindjen se ajo i pëlqente Serbisë. Prandaj, ajo e kishte toleruar. Nuk ishte aq e thjeshtë të toleronte Serbia që paska President Kosova. Rugova këtë thoshte gjithmonë: Mos u ngutni, e kemi qeverinë, ndërkohë që ajo qeveri nuk ishte efektive”.

 

Berisha

Në këtë debat u përfshi dje edhe ish-kryeministri Berisha, i cili nuk ngurroi të deklaronte se Klosi ka qenë agjent i shërbimeve të huaja. “Fatos Klosi ka qene i skeduar, me dosje voluminoze dhe ne ndjekje konstante nga Shërbimi Informativ Kombëtar si njeri me lidhje te caktuara agjenturore, pra si agjent i shërbimeve te huaja. Emërimi i tij pas vitit 1997 ne krye te Shërbimit Informativ Kombëtar, është bere ne kundërshtim flagrant dhe pasi është zhdukur dosja e tij disavjeçare! Për shfrytëzimin nga ana e tij te luftës për çlirimin e Kosovës ekzistojnë raporte te shërbimeve kryesore partnere qe e dëshmojnë si te implikuar ne një seri veprimtarish dhe trafiqesh kriminale”, – shkruante Berisha. Më tej, ish-kreu i qeverisë tha se Klosi ka ndërmarrë, sipas tij, për llogari të padronëve të vjetër sulme të ulëta dhe amorale ndaj arkitektit te Kosovës se pavarur. “Ju bej thirrje autoriteteve te Kosovës te ndërmarrin vet me partneret ndërkombëtar një hetim te plote te veprimtarisë se tij kriminale antikombëtare gjate periudhës se luftës se Kosovës e ne dem te saj! Jam i bindur se një hetim i plote dhe i pavarur do te nxjerre ne pah, do te provoje rolin e tij te dyfishte gjate luftës dhe veprimtarin e tij kriminale!”, – deklaroi ish-kryeministrit Berisha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency