Nuk u zgjodh nga PS-ja si kandidat/ Kryebashkiaku i Sarandës, Çipa: Sondazhi i falsifikuar shkuli me dhunë emrin tim si fitues

0
140

Gëzim Saliu

 

Stefan-Cipa-Kryetar-i-Bashkise-Sarande“Floriana Koka, kandidate fiktive dhe e paracaktuar. U kthyen përmbys punët dhe realizimet e këtyre 4 viteve të fundit”

 

Kryebashkiaku aktual i Bashkisë së Sarandës, socialisti Stefan Çipa, u shpreh dje se gara e brendshme që zgjodhi si fitimtare kandidaten Floriana Koka për të përfaqësuar koalicionin e majtë në 21 qershor, ishte e falsifikuar. Përmes një postimi në rrjetin social “FB”, ku falënderon mbështetësit e tij, Çipa theksoi se falsifikimi i sondazhit bëri të mundur heqjen e emrit të tij si kandidat fitues për Bashkinë e Sarandës. “Ju kam ndjerë kaq pranë këto ditë të zhgënjimit më të madh që mora nga rezultati i përmbysur i garës së zhvilluar brenda PS-së për kandidat të saj për kreun e Bashkisë së Sarandës. Qindra mesazhet dhe qindra telefonatat, që kam marrë prej jush në këto ditë, më kanë ndihmuar për të mos u ligështuar përpara një falsifikimi të madh, që ia doli të shkulte gati me dhunë emrin tim nga vendi fitues i garës që bëra për t’u konfirmuar unë sërish si kandidat për kreun e Bashkisë së Sarandës, nën siglën e PS-së. Ju jam shumë mirënjohës, që ndatë me mua peshën e këtij zhgënjimi dhe falsifikimi të pashembullt për fushata zgjedhore, brenda dhe jashtë llojit të socialistëve”, – shkruante ai.

 

 

Deklarata

Në reagimin e tij në rrjetin social, Çipa tha se mbështetja e qytetarëve të Sarandës ndaj kandidaturës ishte e madhe, por përzgjedhja e një kandidati tjetër nga ana e PS-së në formë të falsifikuar bëri që të përmbyseshin të gjitha rezultatet e arritura në thuajse 4 vite. “Çdo bisedë gojore apo telefonike me ju më ka lartësuar moralisht e psikologjikisht përballë triumfit të së keqes, të atyre që i lexuan duke i kthyer përmbys punët dhe realizimet e këtyre 4 viteve të fundit në krye të Bashkisë së Sarandës. U panë të përmbysura ato, megjithëse çfarë është bërë në 4 vjet për Sarandën tonë të dashur, i gjen në çdo hap e ngado që të hedhësh sytë. E bënë këtë, vetëm e vetëm për t’i shkuar deri në fund “humbjes” sime të paramenduar e të paracaktuar në mendjen e tyre”, – u shpreh Çipa. Më tej, ai tha se puna e tij si kryebashkiak në këto vite do të mbetet si fakt edhe pas ikjes së tij nga drejtimi i Bashkisë së Sarandës. “Unë nuk jam këtu për të hedhur rrënjë, por për të hedhur farën e punës së mirë, të punës me dashuri e përkushtim për qytetin e përbashkët dhe për të merituar të jem kryeshërbëtor i gjithë banorëve. Dhe jam krenar që këtë e bëmë”. Nga ana tjetër, kryebashkiaku e cilësoi kandidaturën e Kokës si të paracaktuar. “E kuptoj se shumë prej jush kjo zgjedhje fiktive dhe e paracaktuar i ka lënë pa fjalë dhe ka zënë në befasi opinionin e shëndetshëm qytetar, i cili priste rikandidimin tim dhe jo spostimin e largimin tim. Ju më ndihmuat dhe më ndihmoni ta kaloj këtë situatë dhe këtë deformim vlerash, që së bashku krijuam dhe bëmë më të dallueshme”, – deklaroi ai. Në fund të deklaratës së tij, Çipa theksoi se do të vazhdojë të punojë me përkushtim deri ditën e fundit të detyrës, duke zbatuar ligjin. “Po aq i rreptë e i prerë do të jem deri në fund, së bashku me stafet e Bashkisë, në zbatim të ligjit e në kontrollin e territorit, duke mos i dhënë asnjë shans asnjë gaforreje të detit apo breshke të tokës, të shkatërrojnë në dy-tre muaj atë që bëmë, me shumë mundim e përkushtim, në 4 vjet qeverisje vendore në shërbim të qytetit dhe të qytetarëve”.

 

 

 

Kreu i LSI-së/ Meta: Qeveria ka nevojë të përmirësohet dhe të jetë e hapur ndaj kritikave

 

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, mblodhi dje Komitetin Drejtues Kombëtar të kësaj partie, ku diskutoi zhvillimet e fundit në vend. Duke folur për largimet e shumta të qytetarëve nga vendi, Meta i ka konsideruar ato si të nxitura nga grupe kriminale. Sipas Metës, kjo situatë është e ngjashme me atë që ndodhi në Kosovë në fillim të këtij viti dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve. Por nga ana tjetër, kreu i Kuvendit ka pranuar se qeveria ka nevojë të përmirësohet dhe të jetë e hapur ndaj kritikave të qytetarëve, duke ndërmarrë përgjegjësi në zonat ku ka më shumë varfëri. “Kjo mazhorancë është duke ecur në rrugën e duhur dhe po kërkon t’i japë fund informalitetit dhe konsolidimit të zbatimit të ligjit. Reformat janë të vështira dhe kërkojnë kohën e tyre për të dhënë efekte. Për shkak të krizës ekonomike në rajon dhe vështirësisë së jetesës, ka tendenca eksodi në drejtim të vendeve më të zhvilluara. Pa diskutim që ky fenomen është manipuluar nga organizata kriminale që duhen goditur, por kjo nuk do të thotë që varfëria nuk ekziston. Është përgjegjësi e qeverisë dhe mazhorancës për të ndërmarrë veprime në ato zona që konsiderohen të pakonsoliduara. Kjo situatë duhet kuptuar drejtë e jo të përdorët për manipulime politike. Qeverisja ka nevojë të përmirësohet dhe të jetë e hapur ndaj kritikave të qytetarëve, por besoj gjithashtu se edhe reforma territoriale do t’i shërbëje zhvillimit të vendit dhe investimeve të huaja”, – tha Meta. Nga ana tjetër, kreu i LSI-së u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve, sepse do të kthehen në Shqipëri edhe më të varfër. “Gjej rastin edhe një herë t’u bëjë thirrje qytetarëve që të mos bien viktimë e këtyre rrjeteve mashtruese që përfitojnë mijëra euro, ashtu siç ndodhi në Kosovë, pasi do të jenë këta qytetarë viktima të tyre, duke u kthyer në Shqipëri edhe më të varfër”, – tha ai.

 

 

 

 Kasaj i “kancerit në grykë” nuk pranohet në zgjedhje si i pavarur, KQZ i rrëzon kërkesën

 

“U bëj thirrje gjithë votuesve që janë 14 fshatra le të më votojnë se nuk humbasin asgjë dhe urimi i keq që po u bëj unë atyre është i daltë kanceri mu në grykë dhe vdekshin të tërë nesër nëse s’më votojnë”. Kjo deklaratë mallkuese ndaj votuesve e dhënë vite më parë në kuadër të zgjedhjeve vendore nga kandidati i pavarur Hazbi Kasaj solli jo pak komente e batuta në atë kohë gjatë fushatës, por edhe pas saj. Ditën e djeshme Kasaj ishte i pranishëm në KQZ për të mundësuar regjistrimin e tij si kandidat i pavarur për Këlcyrën. Hazbi Kasaj iu drejtua institucionit më të lartë zgjedhor me kërkesën për ta regjistruar si kandidat i pavarur në Këlcyrë, pasi ishte refuzuar nga KZAZ e kësaj zone, për shkak të mungesës së dokumentacionit. “Unë them se ata duhej ta kishin votuar atje në KZAZ. Mos më sillni këtu, po kështu po vete kjo punë, ne që dalim të pavarur merremi nëpër këmbë”, – tha ai. Por komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e Hazbi Kasajt si kandidat i pavarur në Këlcyrë, për shkak të mungesës së dokumentacionit të duhur. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi dhe miratoi me 7 vota pro: projektvendimin “Për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr. 1, datë 21.4.2015, të paraqitur nga z. Hasbi Kasaj, me objekt kundërshtinë vendimit nr. 3, datë 18.4.2015 të KZAZ-së nr. 75, “Për mosregjistrimin e Komitetit Nismëtar, për organizimin e punës, për mbledhjen e nënshkrimeve për regjistrimin e z. Hasbi Kasaj si kandidat i propozuar nga zgjedhësit”. KQZ vendosi rrëzimin e kërkesës së z. Hasbi Kasaj”, – thuhej në vendimin e KQZ.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency