Dosja/ Pasuria e Gjin Gjonit, ja pse u pushua çështja ndaj anëtarit të KLD-së

0
155

Artan Cena

 Gjin GjoniProkuroria e Elbasanit ka pushuar hetimin ndaj gjyqtarit të Apelit. Në vendim thuhet se nëse do të ketë prova të reja, do të rihapet çështjaGjyqtari Gjin Gjoni arrin të mbyllë me procedurë hetimin e nisur ndaj tij për fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë. Një vit pas kallëzimit të bërë nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, Prokuroria e Elbasanit ka pushuar hetimin. Shkak janë bërë vendimet e gjykatave.

 

Duhet pasur parasysh se çështja mund të rihapet, nëse në përgjigje të letër-porosive përfitohen të dhëna që mund të shërbejnë për të rihapur hetimi.

Arsyetimi ligjor:

Veprat penale për të cilat po zhvillohet ky procedim penal janë ato të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose të çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Neni 186 i Kodit Penal parashikon:

“Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga një vit deri në shtatë vjet”.

Neni 257/a i Kodit Penal parashikon:

Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave private të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.

Vepra penale e “Falsifikimit të dokumenteve”, për të tre paragrafët e dispozitës penale në të cilën gjen parashikim ligjor, kryhet objektivisht atëherë kur subjekti i saj, i përgjithshëm ose i posaçëm, realizon veprime që paraqesin të dhëna të rreme në një dokument të caktuar, si mund të jenë dhe ato të pretenduara nga kallëzuesi, ashtu dhe kur e përdor një dokument që paraqet të dhëna të rreme që nuk pasqyrojnë realitetin.

Nga ana subjektive, kjo vepër kryhet vetëm me dashje direkte.

Referuar elementeve të figurës së veprës penale të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal, vërehet se nëpërmjet kësaj vepre cënohen në objekt marrëdhëniet juridike që sigurojnë saktësinë e burimeve të pasurisë së personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë.

Subjekti i këtij krimi është gjithnjë i posaçëm si dhe duhet të ketë mbushur moshën e të jetë i përgjegjshëm para ligjit.

Vepra kryhet objektivisht nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve, sipas formave të përmendura shprehimisht në dispozitën penale. Sipas paragrafit të parë është e nevojshme marrja e masave administrative dhe vetëm pas përfundimit të kësaj procedure, lind përgjegjësia penale e subjektit i cili refuzon ose nuk deklaron pasurinë që zotëron.

Nga ana subjektive, kjo vepër kryhet me dashje.

Nga veprimet e kryera në fazën e hetimeve paraprake nën dritën e parashikimeve ligjore, rezultoi plotësisht se:

Personi nën hetim Gjin Gjoni është subjekt i deklarimit të pasurive dhe interesave private në bazë të dispozitave të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, kurse personi tjetër nën hetim Elona Çaushi është subjekt i këtij ligji për shkak të lidhjes atë-bijë me shtetasin Shpëtim Çaushi dhe më pas edhe të lidhjes bashkëshortore me të hetuarin Gjin Gjoni.

Për deklarimet e bëra përpara institucionit përgjegjës, ILDKPKI, kjo e fundit ka kryer verifikime e gjetur shkelje, fakt për të cilin ka paraqitur kallëzim penal në organin e Prokurorisë.

Për kryerjen e veprimeve hetimore në ngarkim të personit nën hetim Gjin Gjoni, u ngarkua Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, sipas përcaktimeve e rregullave të vendosura në Kodin e Procedurës Penale, neni 78, e për shkak se kallëzimet drejtoheshin kundër të njëjtëve persona e për fakte të lidhur me njëri-tjetrin, procedimet e nisura më pas u bashkuan me procedimin penal nr. 1098 të vitit 2014, sipas kritereve ligjore të përmendura në nenet 79 e 92 të Kodit të Procedurës penale.

Vlen të theksohet se çështja penale është nisur në datë 2.5.2014, kurse emrat e personave nën hetim janë regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale në datë 12.5.2014, datë në të cilën kanë nisur dhe afatet hetimore të përmendura në nenin 323 të Kodit të Procedurës penale.

Organi i Prokurorisë ka disponuar për zgjatjen e afateve hetimore të procedimit penal nr. 1098 të vitit 2014 me vendimet e datave 31.7.2014 dhe 10.11.2014, të cilët janë ankuar në rrugë gjyqësore, (neni 325 i Kodit të Procedurës Penale).

Me vendimin e datës 11.2.2015, organi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan ka disponuar për zgjatjen e afatit të hetimeve për procedimin penal nr. 1098 të vitit 2014 për 3 muaj, me qëllim marrjen e akteve të kërkuara nga letërporositë e drejtuara shteteve të Francës dhe Gjermanisë.

Neni 324 i Kodit të Procedurës Penale përcakton të drejtën e prokurorit që të zgjasë afatin e hetimeve të përmendur në nenin 323/1 të këtij kodi për një kohë deri në tre muaj. Zgjatje të mëtejshme, deri në tre muaj, mund të bëhen nga prokurori në rastet e hetimeve komplekse ose të pamundësisë objektive për t’i përfunduar ato brenda afatit të caktuar. Kodi i lejon prokurorit që të zgjasë afatet hetimore në rastet e hetimeve komplekse apo të pamundësisë objektive për t’i përfunduar ato brenda afatit të caktuar.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në respektim të plotë të dispozitave procedurale penale që rregullojnë veprimtarinë e prokurorit në fazën e hetimeve paraprake, ka kryer veprimet e nevojshme hetimore, në mënyrë të plotë, pa shkëputje, ka administruar e verifikuar akte të ndryshme dhe ka disponuar me vendime të arsyetuara për zgjatjen e afateve ku ka përmendur si veprimet e kryera, ashtu edhe ato të mbetura për t’u përfunduar duke i renditur në mënyrë të hollësishme. Nga aktet e çështjes rezulton më së miri se këto veprime që nuk janë përfunduar brenda afatit kanë të bëjnë me faktorë të tjerë të tjerë që nuk kanë lidhje me veprimtarinë e këtij organi (letërporositë). Nga ana e Prokurorisë në mënyrë të vazhdueshme janë dërguar letër-kujtesa nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë për kërkesat për ndihmë juridike, por nuk është marrë asnjë përgjigje prej autoriteteve kompetente të shteteve të Gjermanisë dhe të Francës.

Vendimi i prokurorit për zgjatjen e afatit të hetimeve mund të bëhet objekt ankimi në gjykatë.

Në fakt, nga ana e personave nën hetim është kundërshtuar vendimi datë 10.11.2014 i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe në përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të saj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me vendimin Nr. 1482, datë 13.2.2015, ndër të tjera ka vendosur:

Pranimin e kërkesës së kërkuesve Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, me objekt “Kundërshtimin e vendimit të prokurorit datë 10.11.2014 për zgjatjen e afatit të hetimit të procedimit penal nr. 1098 të vitit 2014, në ngarkim të personit nën hetim Gjin Gjoni e Elona Çaushi”, duke caktuar si afat përfundimtar të zgjatjes datën 12.2.2015.

Gjykata ka bazuar vendimin e saj në këtë arsyetim:

Organi i Prokurorisë ka kryer hetim të plotë e të gjithanshëm, duke grumbulluar provat që ka parë të arsyeshme dhe janë të gjitha mundësitë që të disponojë në respektim të kërkesave të nenit 323 të Kodit të Procedurës Penale për këtë procedim…

Sa u parashtrua më lart vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve nuk e lejon: Vendimi gjyqësor i formës së prerë nr. 1482, datë 13.2.2015 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, sipas të cilit afati i fundit hetimor ndaj personave nën hetim Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi ka qenë data 12.2.2015; Ky vendim përbën një nga shkaqet e parashikuara me ligj, që nuk lejon vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve ndaj personave nën hetim (neni 328/1, gërma f, i Kodit të Procedurës Penale). Ndaj personave nën hetim, në këtë moment procedural nuk janë caktuar masa sigurimi. Prova materiale të sekuestruara personave nën hetim, në kuadër të këtij procedimi penal, nuk ka. Për këto arsye si dhe duke parë edhe nenet 325/3 e 328/1, gërma f, të Kodit të Procedurës Penale,

VENDOSA

Të pushoj ndjekjen penale, për efekt të procedimit penal nr. 1098 të vitit 2014, në ngarkim të personave nën hetim:

Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, të dyshuar secili për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose të çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency