Debati/ Veliaj: Mamaja më rriti me ndihmë ekonomike. PD: Si kurseu që të bëri dy dasma luksoze?!

0
106

Gëzim Saliu

 Veliaj ]Ministri: PD ua jepte ndihmën ekonomike abuzuesve partiakë. Bozdo: Ua hoqe 20 mijë familjeve

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në daljen e fundit si ministër, pasi do të jetë i përfshirë në fushatën elektorale për garën e kryeqytetit, Erion Veliaj, tha dje se në dy vite të punës së tij janë ndërmarrë reforma të rëndësishme, si rritja e ndihmës ekonomike. Sipas tij, nga skema e ndihmës ekonomike u hoqën abuzuesit dhe ajo u rrit për familjet që kishin nevojë. Për domosdoshmërinë e kësaj mbështetjeje financiare, ministri mori edhe një shembull personal. “Edhe unë jam dikush që është rritur me ndihmë ekonomike dhe me një mama që duhet të rriste dy djem të vegjël. Dolëm në konkluzionin që një fëmijë duhet të vazhdonte shkollën. Ndihma ekonomike për ata që janë marrë me këtë proces ka pasur një maksimum prej 45 mijë lekësh, sot maksimumi i ndihmës ekonomike është 86 mijë lekë. Ndaj, ajo që bëmë është që militantët e partive, këta me dyqan mermeri, dyqan mishi, lokal, u thamë udha e mbarë se ju nuk jeni për këtë punë dhe paratë që kursyem nga këta njerëz ua shtuam atyre që janë realisht nevojtarë”, – tha Veliaj. Duke u marrë me fëmijët e rrugëve, ministri tha se në vitin 2014 ishin rreth 107 fëmijë të cilët janë kthyer në shtëpitë e tyre. “Në 2014, ishin rreth 107 fëmijë të cilët u kthyen në familjet e tyre biologjike. Dhe kjo është gjëja e duhur, madje sot ka shumë punonjës socialë që i ndjekin këta fëmijë edhe në familjet e tyre. Ambicia jonë nuk është që shtëpia e fëmijës të jetë me kapacitet të plotë, por ajo të mbylle dhe sa më shumë fëmijë të kalojnë në kujdesin familjar, sepse përveç të tjerave familjet ofrojnë më të mirat për këto fëmijë”, – pohoi ai.

 

Reagimi i PD-së

Por, sipas Partisë Demokratike, ka qenë pikërisht ministri Veliaj ai që u hoqi ndihmën ekonomike 20 mijë familjeve. Koordinatorja e PD-së, Reila Bozdo, duke iu referuar deklaratës së ministrit se ka qenë përfitues i skemës së përfitimit, tha se ishte e çuditshme se si mamaja e tij me pensionin e saj bëri të mundur dy dasma. “Sot ministri tha se ka qenë pjesë e skemës së përfitimit të ndihmës ekonomike, por është shumë i çuditshëm fakti se si mamaja e tij arriti të kursente aq shumë nga ndihma ekonomike, sa të bënte dy dasma luksoze, ndërsa familjet e tjera në ndihmë ekonomike nuk sigurojnë dot as bukën e gojës. Sot, ndryshe nga dje, pranoi që ndihma ekonomike jepet me firmën e tij dhe që është ai përgjegjës i drejtpërdrejtë për heqjen e 20 mijë familjeve nga ndihma ekonomike dhe futjen në skemë të miqve e familjarëve të tyre. Ministri i mirëqenies personale është po ashtu përgjegjës për reduktimin e shumë se parave që marrin familjet në ndihmë ekonomike”, – u shpreh ajo. Më tej, Bozdo, duke theksuar se ministri kërkon që çdo përgjegjësi të vetën t’ua kalojë të tjerëve, pyeti Veliajn se pse me urdhër të Kryeministrit banesat sociale mbahen të bllokuara nga këshilltarët e majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. “Sot po i bëjmë thirrje publikisht t’i japë urdhër këshilltarëve të tij të miratojnë listën prej afro 200 familjesh që plotësojnë kriteret dhe që janë peng i papërgjegjshmërisë së mazhorancës. Në 11 vjet kryebashkiak, Edi Rama nuk e kishte farë në axhendën e tij zhvillimin ekonomik dhe punësimin, madje të gjithë e mbajnë mend deklaratën e tij se ç’punë ka bashkia me punësimin”, – deklaroi Bozdo, duke shtuar se për herë parë vizioni për zhvillimin ekonomik dhe punësimin u fut në prioritetet e Bashkisë nga Basha përmes uljes së taksave për bizneset e vogla, krijimit të fondit të garancive, nxitjes së sipërmarrjes së grave, hapjen e bizneseve nga të rinjtë, si edhe ndërmjetësimit mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve.

 

 Me gratë kryefamiljare/ Kosova: Shoqëria të kthejë vëmendjen ndaj këtij kontigjenti me nevoja të jashtëzakonshme

Kandidati për kryetar i Bashkisë së Tiranës, Halim Kosova, bashkëbisedoi dje me gratë kryefamiljare dhe ato me urdhër mbrojtjeje si rezultat i dhunës së ushtruar nga bashkëshortët. Kushtet e vështira ku jetojnë, heqja nga skema e ndihmës ekonomike, mosmiratimi i banesave sociale në Këshillin Bashkiak ku disa janë përfituese, ishin disa prej shqetësimeve që iu shprehen Kosovës nga gratë. “Unë jam nënë me fëmijë jetim dhe këto mbrapa janë shoqet e mia i kishin fëmijët me problem, fëmijë të sëmurë dhe ne ia parashtruam këtë doktorit që kur të vijë si kryetar Bashkie të shohë pak nga ne, nga shtresa jonë nga hallet e problemet që i kemi të cilat janë të shumta”, – u shpreh një prej kryefamiljareve. Nga ana e tij, Kosova theksoi se shoqëria duhet të kthejë vëmendjen ndaj këtij kontigjenti i cili sipas tij ka probleme të mëdha. “Në qoftë se problemet do ti vëmë mbi tavolinë, e ti bëjmë të dukshme, atëherë se s’bën do gjendet zgjidhja. Problemet janë kaq të panumërta sa ishte e paimagjinueshme kjo gjë. Unë vërtetë po largohem nga kjo qendër por gjithë ditën ndoshta dhe më gjatë do më ngele ajo çka dëgjova nga këto gra. Shoqëria duhet t’i kthejë sytë karshi këtij kontigjenti me vëmendje të jashtëzakonshme. Unë kam qenë edhe ministër Shëndetësie dhe tani vërtet është fatkeqësi e jashtëzakonshme kur familja “gëzohej” që kishte një fëmijë me të meta mendore, sepse nëpërmjet tij mund të merrte një asistencë”, – tha ai.

 

 Basha përuron lulishten te parku i autobusëve: Rama na bllokoi, por sot po befasohet

Kryebashkiaku Lulzim Basha përuroi dje punimet në lulishten pranë parkut të autobusëve në Tiranë. Ai tha se ky ishte një projekt i rëndësishëm i mandatit të tij dhe se ishte një projekt që ishte lënë pas dore nga ish-kryetari i Bashkisë, Edi Rama. “Janë 20 mijë metra kub inerte të hequra. Dikush nuk i duron dot veprat e mëdha, teksa kalon nga Kryeministria në Surrel nuk ia zënë sytë malin me plehra që ka 10 vjet. Ia dolëm ta mposhtnim pengesën dhe bllokimin nga qeveria. Projekti i Tiranës evropiane do të vazhdojë nga njerëz që në 40 vite kanë treguar se janë menaxherë të zotë, njeriu të cilit ju do t’i besoni vazhdimin e Tiranës evropiane është Halim Kosova”, – deklaroi Basha, duke theksuar se Bashkia duhet të vazhdojë të jetë nën drejtimin e të djathtëve.

 

Komentet fyese në mediat online/ Përplasja, Goxhaj: Majlinda sjell nenin e agjitacion-propagandës. Bregu: Pallavrat ke faqja jote

Projektligji që synon të sanksionojë me ligj fshirjen e komenteve fyese në median online i propozuar nga deputetja Majlinda Bregu ka sjellë debate dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku ishin të ftuar përfaqësues të shoqërisë civile, grupe të interesit dhe deputetë të Komisionit të Medias. Sipas ligjvënëses demokrate, është e domosdoshme ndërhyrja në këtë pjesë, pasi nuk mund të lejohet çdokush të fyejë me fjalor të papërshtatshëm në faqet online. Por anëtarë të shoqërisë civile e kanë cilësuar propozimin si agjitacion-propagandë. “Ky është neni 55 për agjitacion dhe propagandë, i kërkuar nga zonja Majlinda Bregu në mungesë totale transparence. Ai ka një qëllim të qartë, të mbrojë pushtetarët nga urrejtja e popullit. Ky ligj është për të mbrojtur ata lart nga ata poshtë”, – tha Altin Goxhaj. Në kundërpërgjigje, deputetja Bregu pohoi: “Në rast se ti mendon se në një lajm për mua, për Vasilikën, për Fredin, por edhe për ty nesër, duhet të dalin komente që fillojnë dhe mbarojnë me fjalët e fjalorit dhe librin e shtëpisë, kjo nuk është liri mediesh, kjo është abuzim. Kjo është të cenosh dinjitetin dhe figurën e tjetrit. Pastaj këto pallavrat që flet ti për agjitacion dhe propagandë dhe të marrëdhënies së opozitës me pushtetin mbaji tek ajo faqja jote”, – u shpreh Bregu. Ndërkaq, një rol i veçantë i mbivendoset edhe AKEP-it, si autoriteti që duhet të marrë masa për të mos lejuar aksesin publik në portalin elektronik, nëse nuk janë publikuar të dhënat e plota të administratorit të portalit dhe mënyrat e komunikimit me të. Detyrim ky që përfaqësuesit e hodhën poshtë, duke deklaruar se ata nuk janë kompetentë për përmbajtjen e komenteve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency