Azilantët/ Tahiri dhe Hoffmann në Morin për eksodin: Mos i hyni kësaj aventure

0
140

Artan Cena

 saimir tahiri hofman ne morineMinistri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ambasadori gjerman, Helmut Hoffmann, thirrje për ndalimin e ikjeve nga vendi në drejtim të BE-së

Ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hoffmann, ka deklaruar se nuk do të ketë azil ekonomik për emigrantët e paligjshëm, duke u bërë thirrje shqiptarëve të mos largohen nga Shqipëria. Diplomati gjerman me këtë deklaratë ka shuar shpresat e shtetasve shqiptarëve që kanë emigruar në mënyrë të paligjshme drejt Gjermanisë në katër muajt e fundit. Ambasadori Helmut Hoffmann bashkë me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ishin ditën e djeshme pikën e kalimit kufitar të Morinit për të parë nga afër procedurat e kalimit të personave në këtë pikë kufitare. Ambasadori Hoffmann tha: “Do të përshpejtojmë procedurat për verifikimin sa më të shpejtë të gjithë shtetasve shqiptar dhe ata do të duhen të rikthen sa më shpejt”. Ndërsa ministri Tahiri bëri të ditur se policia shqiptare është e angazhuar totalisht për kontrollimin e të gjitha pikave kufitare për verifikimin e të gjithë personave që kalojnë kufirin.

 

Ambasadori Hoffmann

I ndodhur në pikën e kalimit kufitar të Morinit, ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffmann pranoi faktin se “nga Kukësi janë larguar shumë shtetas shqiptar kohët e fundit”. Në fjalën e tij ai tha “edhe njëherë duke ripërsëritur thirrjen time drejtuar të gjithë qytetarëve shqiptarë për të mos e marrë rrugën drejt Gjermanisë për të aplikuar atje për azil”. “Muajt e fundit kemi konstatuar se pikërisht këtë gjë e kanë bërë shumë qytetarë shqiptarë, më duhet ta ripërsëris edhe njëherë për ata shqiptarë që tentojnë të kërkojnë të lënë Shqipërinë për azil. Pasi për të gjitha rastet do të ndërmerren procedura të ndërlikuara të verifikimit të cilat në rastin më të përgjithshëm zgjasin 2-3 muaj. Jemi duke tentuar t’i shkurtojmë këto procedura, por gjithsesi në pjesën më të madhe, e dërrmuese të tyre, thuajse në të gjitha rastet, të gjithë këta shtetas do të duhet të rikthehen në vend”, – theksoi në fjalën e tij, ambasadori gjerman.

“Në Gjermani nuk ekziston e drejta e azilit ekonomik, – nënvizoi në fjalën e tij Hoffmann, – ndaj edhe njëherë lutja ime, drejtuar të gjithëve, mos u përpiqni të merrni rrugën në drejtim të Gjermanisë. Nuk ia vlen të qëndroni atje vetëm për një periudhë disamujore dhe do t’u duhet të riktheheni sërish këtu për t’ia filluar sërish nga e para”.

 

Ministri Tahiri

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nga Morini i Kukësit tha se “shqiptarët që po largohen janë duke i hyrë një aventure”. “Kemi ardhur këtu me ambasadorin gjerman në përpjekjen tonë të përbashkët me ambasadorin, por edhe me të gjithë partnerët ndërkombëtarë për të ndërgjegjësuar qytetarët shqiptarë që të mos i hyjnë një aventure, duke u larguar nga Shqipëria për të gjetur azil në vendet e Bashkimit Evropian”, tha Tahiri. Sipas tij, “kjo është, në të gjitha rastet, tërësisht e pamundur”. Ai theksoi se policia do të vazhdojë me procedurat e shtuara dhe do të kthejë qytetarë në kufi. “Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të ndjekur ngushtësisht këtë proces, duke aplikuar një proces intervistimi në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Sepse ne besojmë shumë fortë që garantimi i lëvizjes së lirë për qytetarët që duan ta përdorin këtë instrument në mënyrë të ligjshme është domosdoshmëri të kalojë nëpërmjet ndalimit të të gjithë atyre që duan ta përdorin lëvizjen e lirë për qëllime abuzive. “Nga ana tjetër – tha Tahiri – po punojmë me të gjitha agjencitë shtetërore dhe qeveria në tërësi është angazhuar për të shkuar pas të gjithë atyre që abuzojnë me qytetarët shqiptarë, duke u premtuar padrejtësisht dhe në mënyrë kriminale udhëtim me qëllim azil-kërkimi në vendet e BE-së”.

 

Prangoset shoferi, po kalonte në kufi disa romë pa dokumente

 Një 37-vjeçar nga Korça është ndaluar dje në doganën e Kapshticës për akuzën “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Altin Rustemi u kap dhe arrestua në flagrancë teksa shoqëronte me mjetin e tij 4 persona të komunitetit rom, të cilët sipas deklaratave të tyre ishin nisur për në Gjermani për të kërkuar azil. Pasagjerëve romë iu gjetën bileta dhe dokumente të tjera që dokumentonin këtë fakt. Materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës për të zgjeruar hetimin rreth personave që nxisin trafikun e emigrimit ilegal.

 

Prangoset pas 13 vitesh kërkimi anëtari i “Hakmarrjes për drejtësi”

Gentian Çaka, 43 vjeç, i dyshuar si pjesëtar i të ashtuquajturës organizata kriminale “Hakmarrja për drejtësi”, është arrestuar nga forcat speciale RENEA në bashkëpunim me efektivat e Komisariatit të Policisë Pogradec. Çaka, sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, është vënë në pranga pasi Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, e ka dënuar në 2008, Çakën me “Burgim të përjetshëm” për “Rrëmbim personi kryer në bashkëpunim”. Kapja e këtij personi u bë në një vilë dykatëshe në Pogradec ku fshihej prej kohësh. Çaka ka qenë i përfshirë në një pengmarrje të kryer në vitin 2002 ndaj shtetasit Halit Nazifi. Tregtari është rrëmbyer më 29 qershor të vitit 2002, rreth orës 13:30 të drekës, kohë kur Nazifi ka qenë duke udhëtuar me makinë në drejtim të banesës së tij në lagjen Allias. Gjatë rrugës, makina e tij është ndaluar nga pesë persona të veshur me uniforma të policisë dhe është marrë peng me forcë. Pas rrëmbimit dhe strehimit të pengut në një vend të sigurt, autorët kanë kërkuar nga familja e tij të paguanin shumën 1 milionë dollarë, përndryshe ai do të vritej. Dy ditë pas pengmarrjes, më datën 1 korrik 2002, policia ka organizuar operacionin për lirimin e pengut. Në këtë operacion efektivat e policisë janë përplasur me pengmarrësit në bulevardin “Zhan D’Ark” në kryeqytet dhe të dyja palët kanë shkëmbyer zjarr dhe si pasojë është plagosur Gentian Çaka. Mëngjesin e 2 korrikut, pengu Halit Nazifi është lënë i lirë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency