Kush kë po e heton në Kosovë

0
111

Augustin Palokaj  

Augustin PalokajEULEX-i ka ardhur në Kosovë me mandat ekzekutiv që të mund të hetojë edhe rastet e korrupsionit dhe të krimit të organizuar në nivelin më të lartë në institucionet e Kosovës. Tash ka ardhur në situatë, në të cilën ndaj EULEX-it po zhvillohen hetime për raste të korrupsionit dhe, mes të tjerash, hetime kundër EULEX-it po zhvillojnë edhe autoritetet e Kosovës. Se të dyshuarit për korrupsion në radhët e EULEX-it, nëse vërtetohet përgjegjësia e tyre, do të përgjigjen para drejtësisë kosovare sipas ligjeve të Kosovës, është një porosi, e cila ka bërë shumë njerëz të qeshin me ironi si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj. BE-ja dhe EULEX-i janë dhe vazhdojnë të jenë në Kosovë pikërisht për shkak se gjyqësorit vendor nuk i besohet dhe ai konsiderohet si i paefektshëm

Javën që shkoi EULEX-i dhe BE-ja u ndien paksa të lehtësuar me raportin e hetimeve që një ekspert i pavarur dhe i jashtëm juridik ka bërë lidhur me procedurat që janë ndjekur në këtë mision pas paraqitjes së dyshimeve për korrupsion në nivelin më të lartë të tij. Edhe pse ka të tillë që vënë në dyshim se sa “i pavarur” dhe “i jashtëm” ishte eksperti Jean Paul Jacque për të kryer këtë punë, duke marrë parasysh se ai ka punuar para se të pensionohej në drejtorinë ligjore të Këshillit të BE-së, raporti i tij megjithatë është përshëndetur edhe nga ata të cilët janë e edhe nga ata të cilët nuk janë të kënaqur me gjetjet e tij.

Vërtet një lexim me vëmendje i raportit lë përshtypje se ai është më shumë një raport i brendshëm sesa i jashtëm. Në pjesën më të madhe për shumë dyshime konfirmon atë që në reagimet e tyre kishin thënë përfaqësuesit e EULEX-it dhe të BE-së. Edhe aty ku gjen disa lëshime në procedura konstaton se ato nuk janë bërë me qëllim. Konstaton se nuk ka pasur qëllim të mbulimit të gjurmëve. Atë që përpiluesi nuk e sqaron mirë është se kur thirret në disa dëshmitarë dhe të intervistuar, nuk e sqaron se ata janë ende të punësuar në EULEX, që dëshminë e tyre e bënë në një mënyrë të njëanshme, sidomos nëse ata kanë ndryshuar deklaratat e tyre nga ato të mëparshmet.

Edhe ashtu nga ky raport nuk është pritur shumë, nuk është pritur që ai të sqarojë se a ka pasur apo jo korrupsion në radhët e EULEX-it. Është pritur që të merret me procedurat dhe mandatin. Aty ku ka gjetur disa lëshime janë në komunikim dhe menaxhim. Dhe ka dhënë sugjerime që ky mision të reformohet, sepse, si i tillë, nuk ka kuptim të mbetet më në Kosovë. Për habi ai kritikat për perceptimin e dështimit të misionit i drejton nga ata të cilët kanë krijuar pritje të mëdha nga ky mision, sidomos ata që kanë folur për “kapjen e peshqve të mëdhenj”. Pra del, sipas raportit, se nga misioni më i madh, më i shtrenjtë, më i rëndësishëm dhe më ambicioz i BE-së nuk është dashur të ketë pasur pritje të mëdha.

Për EULEX-in dhe BE-në nuk është e lehtë të përballet me faktin se edhe ky raport e paraqet këtë mision si të dështuar. Por më lehtë është të përballen me konstatimet për dështimin e EULEX-it sesa me ato për përfshirjen e personelit, në nivelin më të lartë, në korrupsion dhe krim të organizuar. Nëse dëshmohet se ka pasur gjëra të tilla, atëherë duhet të ketë pasoja, dikush duhet të përfundojë në burg me dënime të mëdha. Dhe do të mbetej në histori se ky mision, i cili ka shkuar për të ndihmuar vendosjen e rendit dhe ligjit në një vend ku rend dhe ligj nuk ka pasur, është udhëhequr nga njerëz të cilët vetë janë përfshirë në krime të tilla. Sa u përket kritikave për dështim të misionit ato gjithmonë mund të luftohen me statistika të ndryshme duke numëruar rastet që janë ndjekur, ndërsa për mungesë të dënimeve duke ua lënë fajin ose dëshmitarëve ose, atë që shpesh bëjnë disa ndërkombëtarë në Kosovë, duke fajësuar “shoqërinë e korruptuar kosovare” dhe duke thënë se “një EULEX nuk mund ta ndryshojë këtë Qeveri”. Kështu bëri BE-ja dhe EULEX-i edhe kur kishte dalë raporti i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, i cili para disa vitesh kishte konstatuar dështimin e këtij misioni. Atëherë ishte thënë se ndërkohë situata ka ndryshuar” dhe se “do të merren parasysh porositë e këtij raporti”. Por më vonë jo që nuk u përmirësua performanca, por dolën dyshime edhe për korrupsion në mision dhe për tentime të përdorimit të gjyqësorit të EULEX-it për qëllime të ndikimit në proceset politike në Kosovë.

Raporti i ekspertit Jacques është rezultat i vetëm një hetimi. Por, siç pranoi vetë një zyrtarë i lartë i BE-së në Bruksel, raporti i tij “në as një mënyrë nuk hedh poshtë pohimet se ka pasur korrupsion në EULEX”. Ndaj EULEX-it po bën hetime edhe Zyra për mashtrime e BE-së, OLAF, ka bërë edhe Ombudspersoni Evropian, ndërsa edhe Parlamenti Evropian nuk e përjashton ende mundësinë që të krijojë një komision të vetin hetues për këto dyshime. Një veprim i tillë i Parlamentit do të ishte i logjikshëm duke pasur parasysh madhësinë dhe shpenzimet e misionit e sidomos rëndësinë që ka pikërisht sundimi i ligjit në qasjen e BE-së ndaj vendeve të rajonit. Për shkak të EULEX-it, BE-ja është gjetur në pozitë të shihet se nuk bën vetë atë që kërkon nga shtetet e rajonit.

Dhe, ajo që ka shkaktuar më së shumti huti, është se për korrupsion në EULEX është duke hetuar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës. Pikërisht ajo prokurori, e cila është fajësuar edhe nga vetë zyrtarë të BE-së, se nuk ka bërë pothuajse asgjë për të hetuar rastet e korrupsionit në nivelin e lartë në Kosovë.

EULEX-i ka ardhur në Kosovë me mandat ekzekutiv që të mund të hetojë edhe rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelin më të lartë në institucionet e Kosovës. Tash ka ardhur në situatë në të cilën ndaj EULEX-it po zhvillohen hetime për raste të korrupsionit dhe, mes tjerash, hetime kundër EULEX-it po zhvillojnë edhe autoritetet e Kosovës. Se të dyshuarit për korrupsion në radhët e EULEX-it, nëse vërtetohet përgjegjësia e tyre, do të përgjigjen para drejtësisë kosovare, sipas ligjeve të Kosovës, është një porosi e cila ka bërë shumë njerëz të qeshin me ironi si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj. BE-ja dhe EULEX-i janë dhe vazhdojnë të jenë në Kosovë pikërisht për shkak se gjyqësorit vendor nuk i besohet dhe ai konsiderohet si i paefektshëm.

Ky mosbesim vazhdon të përmendet si arsyeja kryesore pse duhet të ndryshohen edhe ligjet dhe Kushtetuta për të mundësuar formimin e dhomave speciale të gjykatave që do të zhvillonin procese kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së jashtë territorit të Kosovës.

Tashmë ka pak kohë, e edhe më pak besim, që EULEX-i të përmirësohet dhe të japë rezultate konkrete në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Edhe nëse Prokuroria e Kosovës, “e asistuar nga EULEX-i” vërtet dëshiron të çojë deri në fund hetimet, është vështirë për të besuar se shtetet anëtare të BE-së do të ekstradonin në Kosovë ndonjë qytetar të tyre që ai të përgjigjet para gjykatave kosovare, sipas ligjeve të Kosovës, për akuza të tilla. Pos shumë paqartësive në Kosovë, të cilat nuk janë sqaruar as pas tetë vjetësh pavarësi, tash është bërë e paqartë edhe kush kë po e heton në këtë vend. Paksa duket bizare që përfaqësuesit e EULEX-it t’u thonë kolegëve kosovarë, “ne ju ndihmojmë që ju të na hetoni”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency