Kupa e Shqipërisë/ Laçi dhe Kukësi triumfojnë ndaj Tiranës dhe Skënderbeut, presin biletën për në finale

0
93

skenderbeu kukesiLaçianët kanë mundur 1-0 bardheblutë e Tiranës, duke siguruar kështu kalimin për në finale

 Kuksianët, falë Pero Pejiçit, ka marrë barazim ndaj Skënderbeut, duke siguruar kështu me sukses kalimin për finale e Kupës

Kupa e Shqipërisë njeh dy finalistët e saj. Laçi dhe Kukësi janë dy skuadrat që do të vihen përballë njëra-tjetrës për të rrëmbyer trofeun e Kupës së Shqipërisë. Bardhezinjtë e Laçit arritën të eleminonin Tiranën në një sfidë që u shoqërua me shumë polemika. Skuadra e Maganit u mund 1-0 në transfertën kurbinase ku bardhezinjtë u mjaftuan me një gol të James për të gjetur rrugën e suksesit në një ndeshje ku tifozët vendas kishin mbushur shkallët e stadiumit. Minutat e para kaluan të qeta deri në të 17-ën kur një vendim i arbitrit Bardhyl Pashaji që do të krijojë polemika, la me 10 lojtarë skuadrën e Tiranës. Në një përplasje fizike mes Olsi Teqjas dhe Selemani Ndikumanës, ky i fundit u ndëshkua me të kuq, ndërsa mbrojtësi laçian me karton të verdhë. Pas këtij episodi, Laçi hodhi sytë nga sulmi dhe në të 21-ën James bëri gjithçka mirë por finalizimi i tij nga kufijtë e zonës së rreptësisë gjeti grushtet e portierit Bakaj. Por kur të gjithë besonin te ofensiva e kurbinasve, Tirana u imponua me bindje duke dominuar kundërshtarin në çdo aspekt. Në minutën e 27 Bulku krosoi në zonë por Baklaj nuk arriti të shënjestronte portën, ndërsa 3 minuta më pas sulmuesi i Tiranës stopoi një top në zonën e Laçit, por goditja e tij la për të dëshiruar. Tirana shtoi edhe më shumë karburant në serbator, duke e zhvendosur lojën në gjysmëfushën e vendasve të cilët u tërhoqën për të shtrënguar radhët. 11 minuta nga fundi i kësaj pjese, Curri ishte shumë pranë golit por krosimi i Bulkut nuk u shfrytëzua në mënyrën e duhur nga mbrojtësi i cili gjeti në pozicion gardianin Vujadinovic. Një tjetër goditje me kokë e dhuroi Muça, por edhe qendërmbrojtësi tjetër i bardhebluve nuk arriti të shënonte golin e parë. Në sekondat e fundit të kësaj pjese, Muzaka la fushën e lojës i dëmtuar pas një përplasje me Teqen, duke ia lënë vendin Kalarit. Me fillimin e fraksionit të dytë, James kërcënoi sërish në minutën e 51, por e djathta e tij qethi traversën e Bakajt. James mbeti rreziku kryesor në prapavijën bardheblu duke kërcënuar sërish 7 minuta më pas. Goli ishte në ajër për James dhe ishte pikërisht sulmuesi i Laçit që shfrytëzoi një top të ardhur nga goditja e këndit, duke korrigjuar shënjestër. Minutat e mbetura Tirana u tregua e pafuqishme për të çarë mbrojtjen kurbinase që u rreshtua mirë në prapavijë në mbrojtje të rezultatit, ndërsa nuk arriti të përfitonte me një kundërsulm të udhëhequr nga James ku sulmuesi afrikan shpërdoroi një rast të pastër edhe pse u gjend i vetëm përballë Bakajt. Në krahun tjetër, aktivizimi i Bushiç nuk ndryshoi asgjë në peshoren e ndeshjes ku Laçi arriti një sukses të rëndësishëm duke prerë biletën e finales së dytë gjatë tre sezoneve të fundit në Kupën e Shqipërisë.

 

Kukësi i falet Pero Pejiçit, kalon Skënderbeun

Kukësi është skuadra tjetër që pret biletën për në finale e Kupës së Shqipërisë, falë yllit të saj Pero Pejic, që shënoi golin e barazimit 1-1 në Korçë, duke i treguar rrugën drejt trofeut skuadrës verilindore. Skënderbeu nuk arriti të përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë, duke qenë tashmë në garë vetëm për titullin, me rivalët e tij që përveç finales së Kupës janë njëkohësisht në garë dhe për titullin kampion. Nën një atmosferë të denjë për ndeshje të mëdha, tifozët korçarë bënë të ndihet që në fillim prania e tyre duke karikuar dhe skuadrën në fushë që e nisi mjaft mirë ndeshjen. Që në minutën e 8-të, bardhekuqtë patën mundësin për të zhbllokuar shifrat por Berisha dhe Progni nuk arritën të godasin portën. 2 minuta më pas provoi dhe Latifi por Stazhilla priti, sic bëri dhe pak sekonda më pas ndaj Berishës. Në të 12-ën, korçarët pretenduan dhe për 11-metërsh por Enea Jorgji vazhdoi lojën. Epërsia e korçarëve u bë asfiksuese, dhe traversa e Lilajt ishte konfirmimi. Superioriteti u shfrytëzua më në fund në të 15-ën, kur një top i larguar jo mirë nga Musolli shërbeu për asist për golin e Prognit. Disavantazhi zgjoi Kukësin dhe mbi të gjitha Pero Pejiçin, që në të 24-ën, me një aksion personal fantastik barazoi shifrat duke kaluar madje dhe Shehin. Rezultati 1-1 e bëri më të vështirë kualifikimin për Skënderbeun, që për minuta të tëra e pati të vështirë reagimin, aq sa deri në pushim i vetmi rast për t’u përmendur ishte ai minutës së 44-t, kur Latifi provoi nga distanca. Me rikthimin e skuadrave në fushë, Lushtaku pati mundësinë të mbyllte kualifikimin, por goditja e tij nuk ishte e saktë. Nga ky moment kontrollin e lojës e mori Skënderbeu, që gjeti në më shumë se një rast përballë Stazhillën. Pritjen më të bukur Stazhilla e realizoi në të 74-ën kur priti një top të goditur befasishëm nga Sefa. Kontrolli i lojës nga ana e Skënderbeut nuk i finalizua me gol duke mos i dhënë as dhe shpresën e minutave të fundit korçarëve, që i lënë finalen për herë të dytë në histori Kukësit, pas asaj të humbur një vit më parë me Flamurtarin.

 

Junajtid 30 milionë euro për Humels

Mançester Junajtid nuk ka ndërmend ta ndalë sulmin për mbrojtësin e Borusias së Dortmundit, Mats Hummels. Futbollisti i kombëtares gjermane është prej kohësh në majën e listës së dëshirave të klubit anglez dhe tashmë duket se Junajtid ka dërguar në zyrat e verdhezinjve edhe ofertën e parë zyrtare. Sipas tabloidit të njohur gjerman “Bild”, 20 herë kampionët e Anglisë ofrojnë 30 milionë euro për aftësitë e 26-vjeçarit. Në fakt, Humels po kalon një sezon të vështirë edhe për shkak të disa dëmtimeve, por sigurisht kjo nuk e ka ndaluar aspak klubin e Junajtid të vijojë përpjekjet për djaloshin nga provincat e Këlnit Me sa raporton e përditshmja e njohur gjermane, Van Gal e kërkon me doemos në skuadër sezonin e ardhshëm për të formuar një dyshe defensive të përbërë pikërisht nga Hummels dhe Kris Smolling. Gjithsesi për momentin drejtuesit e Borusias ende nuk e kanë thënë fjalë përfundimtare për këtë transferim të mundshëm, dhe nëse përgjigjja e klubit nga Vestfalen do të jetë pozitive, atëherë të gjitha gjasat janë që kjo lëvizje e programuar prej muajsh të kryhet në ditët e para të merkatos, për t’i dhënë mundësi edhe vetë lojtarit të ambientohet me skuadrën dhe qytetin e ri. Nën radarët e Mançesterit nuk është vetëm Humels, por edhe sulmuesi i Bajernit të Mynihut Tomas Myler, dhe në këtë rast arma më e fortë në dorën e britanikëve është trajneri Van Gal, duke qenë se marrëdhëniet mes 25 vjeçarit dhe teknikut holandez janë të shkëlqyera që nga koha kur Van Gal drejtonte bavarezët.

 

 Çelsi, gati ofertën për Ikardin

Çelsi raportohet se ka filluar kontaktet me Interin për transferimin e sulmuesit Mauro Ikardi gjatë verës. Sipas “ESPN”, udhëheqësit e klubit nga Londra kanë filluar kontaktet me klubin Italian, pasi trajneri i Çelsit, Hoze Murinjo, besohet se e sheh 22-vjeçarin si lojtarin ideal për sulmin e tij. Raportohet se interesimi i ekipit nga “Stamford Bridge” vjen pas sezonit të mirë që arriti të bëjë sulmuesi argjentinas deri më tani. Ai deri tani ka shënuar 16 gola në 29 paraqitje në Serinë A. Përveç një sulmuesi të ri, sipas “ESPN”, Çelsi gjithashtu pritet të transferojë edhe një portier, pasi me largimin e Peter Çeh kjo do të jetë e nevojshme. Lideri i Premier Ligës besohet se po kërkon edhe mbrojtës anësor dhe një mesfushor.

 

 Pike: Nuk frikësohemi nga Bajerni

Mbrojtësi i Barcelonës, Zherard Pike, ka bërë me dije se skuadra e tij nuk i trembet aspak skuadrës gjermane e cila drejtohet nga Pep Guardiola, dikur ish-trajner i Barcelonës. Barcelona dhe Bajerni i Mynihut janë dy ekipet e para që u kualifikuan në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Shorti i gjysmëfinales mund t’i vendosë përballë këto dy skuadra gjigante. “Gjysmëfinalet gjithmonë janë të vështira, por nuk mendoj se është e nevojshme t’i shmangemi Bajernit. Normalisht se kemi nevojë për fat”, – tha Pike, i cili me pas e uroi Bajernin dhe trajnerin Pep Guardiola më kualifikimin në gjysmëfinale të kësaj gare.

 

 Skërtel: Nuk lëviz nga Liverpuli

Martin Skërtel ka përgënjeshtruar njoftimet se do të largohet nga Liverpuli duke thënë se do të nënshkruajë kontratë të re. Qendërmbrojtësi ka kontratë me “redsat” deri në qershorin e vitit 2016, mirëpo është lidhur me një largim nga “Anfield”-i. Volfsburgu dhe Napoli janë klubet e interesuara për shërbimet e tij. “Nuk po shkoj askund. As te Volfsburgu e as te Napoli”, – ka thënë ai për “Liverpool Echo”. Ndërsa agjenti i Skërtelit, Karol Csonto, ka sqaruar se oferta e vetme që ka klienti i tij është nga Liverpuli për vazhdimin e kontratës.

 

 Meha, i pavendosur për të ardhmen

Alban Meha nuk ka vendosur ende se ku do të luajë në sezonin e ardhshëm. Gjatë një prononcimi për prestigjiozen gjermane “Kicker”, fantazisti kuqezi ka lënë gjithçka të hapur sa i përket të ardhmes, në një kohë që shpreh dëshirën për të vazhduar karrierën në Bundesligë. “Gjithçka është e hapur. Po vijnë oferta, edhe nga jashtë Gjermanisë”, deklaroi mesfushori i Kombëtares shqiptare. Një qëndrim të Paderborni, Meha do ta bëjë vetëm nëse skuadra nga Vestafalia Lindore do të qëndrojë në Bundesligë. “Unë do të qëndroja me gjithë qejf në Paderborn, pasi familja ime ndihet mjaft mirë këtu. Por, duhet të shohim sesi do të shkojnë gjërat. Do të më pëlqente më shumë të luaja në Bundesligë”, – tregon Meha. Mesfushori 28-vjeçar u transferua në vitin 2011 nga Eintraht Trier te Padeborni. Këtë sezon në Bundesligë ai ka shënuar tre gola në 18 ndeshje. Kontrata e tij përfundon gjatë kësaj vere dhe, sipas “kicker.de”, Padeborni është gati t’i ofrojë Mehës një kontratë trevjeçare, por me sa duket fantazisti ka plane të tjera. Aktualisht Meha është i dëmtuar në bërryl dhe pret të kryejë një operacion. Sezoni ka përfunduar dhe tashmë mbetet për t’u parë e ardhmja e tij.

 

 Zidan: Më pëlqen Hazardi

Legjenda e Realit të Madridit dhe përfaqësueses së Francës, Zinedin Zidan, ka dhënë mendimin e tij për talentin belg, Eden Hazard. Hazard është njëri nga më meritorët që Çelsi po qëndron në krye të Premier Ligës dhe Zidan e çmon shumë këtë gjë. Francezi ka deklaruar se kënaqet nga aftësitë e Hazardit që i tregon në fushën e lojës. “Futbollistët që jam duke i ndjekur janë sigurisht Mesi e Ronaldo. Ata janë futbollistë fantastik, por më pëlqen edhe Eden Hazard. Kënaqem me gjithçka që bënë në fushë. Më pëlqen mënyra si e udhëheq veten, depërtimet vendimtare dhe fakti se përmirësohet çdo vit. Ai mund të bëhet edhe më i mirë. Mendoj se ai është arsyeja pse Çelsi është në krye të tabelës”, – u shpreh francezi për “FIFA.com”.

 

 Benitez: Nuk kam ofertë nga Siti

Rafael Benitez thotë se nuk ka pasur takime me Mançester Sitin rreth mundësisë për zëvendësimin e Manuel Pelegrinit. Trajneri spanjoll ka kontratë me Napolin deri në fund të sezonit, ndërsa spekulohet se ai mund të largohet nga San Paolo gjatë verës. Pelegrini pritet të shkarkohet pasi do ta përfundojë sezonin pa asnjë trofe dhe Benitez është përmendur si zëvendësues i tij. “Nuk i kam thënë jo rinovimit me Napolin. Nuk kam pasur kurrfarë kontakti me Mançester Sitin. Unë jam profesionist, do të shoh se çfarë do të ndodhë, por fillimisht duhet të bisedoj me Napolin”. “Nuk kam folur me Sitin dhe nuk kam marrë asnjë ofertë prej tyre”, – ka theksuar Benitez para gazetarëve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency