Dështon miratimi i ligjit, tërhiqet qeveria

0

edi-rama-45Qeveria dështoi të miratonte projektligjin për “sektorin e energjisë elektrike” në Parlament, pas kundërshtimit të opozitës dhe pakënaqësisë së shprehur nga disa deputetë të mazhorancës. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta hapi votimin, por u detyrua ta lërë atë në mes, pasi disa deputetë të majtë kërkuan shpjegime shtesë mbi masat kundër debitorëve të energjisë.

Loading...

Debati mes përfaqësuesve të qeverisë dhe deputetëve të Partisë Demokratike u përqendrua tek katër nene të projektligjit për energjinë, të cilat parashikojnë vendosjen e barrës hipotekore mbi debitorët e energjisë elektrike.

Në nenin 90 të projektligjit parashikohet që në rastet kur klienti nuk e paguan detyrimin e energjisë elektrike, furnizuesi nis procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm për faturat e papaguara. Por paralelisht me këtë masë, projektligji i jep të drejtën Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të vendosë barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme të klientit debitor.

Në pikën e) të nenit 90 të projektligjit përcaktohet se OSHEE ka të drejtë të vendosë barrë hipotekore mbi familjet që kanë 150 mijë lekë detyrime të papaguara dhe mbi bizneset që kanë 2 milionë lekë detyrime të papaguara.

Nenet 90-93 të projektligjit për “sektorin e energjisë elektrike” u kundërshtuan ashpër nga deputetë të Partisë Demokratike. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se përmes këtij projektligji po vinte kazmën mbi themelet e shtëpisë së çdo shqiptari.

“Sot mbulove aktin më të paprecedentë, mbulove ligjin me të cilin ti i lejon vetes dhe një bande në OSHEE që t’u rrëmbesh pronën dhe banesën shqiptarëve,” tha Berisha në Parlament.

“Kjo është shkalla më e lartë e pasigurisë, asnjë qytetar nuk ka më të sigurt strehën e tij, nuk e ka më të sigurt banesën që ka ndërtuar,” shtoi më tej Berisha.

Kryeministri Edi Rama u mbrojt me krizën ku Partia Demokratike e zhyti sipas tij sistemin energjetik dhe premtoi se reformat për ringjalljen e sistemit do të vazhdojnë. Rama than ë Kuvend se niveli i humbjeve vjetore është ulur në 31 për qind, ndërsa niveli i arkëtimeve është rritur me 100 milionë dollarë falë reformave të ndërmarra.

“Sikur të mos kishit lënë asnjë borxh, mund të vinit të na thonit pse nuk bëtë më shumë. Por kur na latë kaq shumë borxhe, nuk duhet të keni gojë të na kërkoni asgjë,” replikoi Rama me Berishën.

Megjithatë, vendosja e barrës hipotekore mbi familjarët debitorë të energjisë ka shqetësuar përveç demokratëve, edhe socialistët. Deputeti i Shkodrës, Paulin Stërkaj kërkoi shpjegime nga propozuesit e projektligjit, nëse kjo masë e ashpër do të aplikohej edhe mbi debitorët e viteve të shkuara. Ndërsa një tjetër përfaqësues i mazhorancës propozoi një amendament, sipas së cilit barra hipotekore mund të aplikohej mbi familjet që kanë më shumë se 300 mijë lekë detyrime ndaj OSHEE.

Pakënaqësitë për katër nenet e diskutuara të projektligjit “për sektorin e energjisë elektrike”  nxitën deputetin Taulant Balla të kërkonte shtyrjen e votimit. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mbylli me kaq seancën plenare, duke shtyrë për të enjten e ardhshme të gjitha projektligjet e planifikuara për votim.

Loading...