Evropa ka nevojë për një politikë të re për refugjatët

0
117

Johannes Beck

 imagesPara brigjeve të Libisë, natën duke gdhirë e diela (19.4), u mbyt një anije me refugjatë. Mendohet që rreth 700 vetë janë mbytur në Mesdhe. BE më në fund duhet të reagojë ndaj dramave të refugjatëve, mendon Johannes Beck.

Çfarë duhet të ndodhë më shumë se kaq, që Bashkimi Evropian të ndryshojë politikën e vet të emigracionit dhe refugjatëve? Sa njerëz duhet të vazhdojnë të mbyten në Mesdhe, që politikanët evropianë të vihen në lëvizje? Edhe sa ceremoni të përmortshme duhet të zhvillohen, derisa Brukseli më në fund të reagojë?

Pikërisht Italia e zhytur në borxhe pas fatkeqësisë së anijes në Lampeduza në tetor 2013 tregoi se si duhet të reagojë Evropa në raste katastrofash të tilla: anije të marinës italiane mbikëqyrnin në kuadër të misionit të ashtuquajtur “Mare Nostrum” të gjithë rrugën detare mes Afrikës së Veriut dhe Evropës Jugore. Megjithatë, edhe pse Italia mundi të shpëtonte nga mbytja mijëra njerëz, shtete të tjera evropiane nuk donin të merrnin pjesë në mbulimin e kostove të misionit prej 108 milionë eurosh në vit.

Në vend të kësaj, nëntorin e kaluar mori përsipër detyrën për të shpëtuar refugjatët agjencia evropiane e sigurimit të kufijve “Frontex”. Ky mision me emrin me emrin “Triton” duhej të kushtonte më pak. E kësisoj misioni i ri përqendrohet tek shpëtimi në afërsi të brigjeve evropiane. Ai nuk ndihmon në rastin e fatkeqësive në largësi si tani përpara brigjeve të Afrikës. Në këtë mënyrë me pakujdesi merret parasysh edhe vdekja e mijërave njerëzve.

 

Jo më fjalime të përmortshme

Tani pas tragjedisë së re në Mesdhe unë nuk dua të dëgjoj më deklarata ngushëllimi të politikanëve evropianë! Kush nuk do të marrë pjesë në misione shpëtimi si “Mare Nostrum”, sepse ai është shumë i kushtueshëm, të paktën duhet të jetë aq i ndershëm sa të pranojë hapur, që për të s’ka shumë vlerë jeta e refugjatëve nga Eritrea, Etiopia apo Siria.

Se sa cinik ishte diskutimi për financimin e “Mare Nostrum”, e tregon vetëm një vështrim në politikën evropiane agrare: me rreth 50 miliardë euro BE-ja subvencionon çdo vit bujqit e saj. Në këtë mënyrë evropianët japin në ditë më shumë subvencione agrare, se sa do të kushtonte shpëtimi i refugjatëve gjatë gjithë vitit në Mesdhe me një mision të llojit “Mare Nostrum“.

 

Tri kërkesa

Nismat për një politikë të re për refugjatët dhe emigracionin prej vitesh janë në tryezë:

Së pari – parë në plan afatshkurtër – shpëtimi i emergjencës në det sërish duhet të shtrihet në gjithë Mesdheun, natyrisht i financuar si një detyrë e përbashkët e të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Italia nuk duhet të lihet në baltë si në rastin e “Mare Nostrum”.

Së dyti – parë në plan afatmesëm – duhet të reformohet politika evropiane e emigracionit. Krahas së drejtës së azilit për shkak të përndjekjes politike dhe mbrojtjes së refugjatëve nga zonat e luftës si Siria, duhet të njihet edhe emigracioni për arsye ekonomike. Evropa ndërkohë prej vitesh de facto është një kontinent emigracioni. Shumë vende përballen me plakjen e popullsisë dhe në të ardhmen kanë nevojë për imigrantë. Me ndihmën e kuotave të migracionit dhe të një procesi të rregulluar me pikë imigracioni duhet të bëhet legalisht dhe transparent. Kjo do ta pakësonte fluksin e shumë migrantëve ekonomikë drejt anijeve të kontrabandistëve në Mesdhe.

Së treti – parë në plan afatgjatë – BE-ja duhet t’i ketë më shumë në fokus shkaqet e arratisë dhe emigracionit. Kush i shkatërron strukturat shtetërore me aksion ushtarak në Libi, nuk duhet që paskëtaj të tërhiqet tërësisht dhe të bëj sehir se si vendi zhytet në kaos. BE-ja duhet të këmbëngulë më energjikisht për respektimin e të drejtave të njeriut. Kjo vlen p.sh. për Eritrenë, vendi i origjinës së pjesës më të madhe të refugjatëve të Mesdheut. Në këtë vend BE dhe vendet anëtare të saj, edhe Gjermania, për kohë shumë të gjatë kanë qëndruar indiferentë dhe madje në fillim e kanë mbështetur regjimin diktatorial me paratë e ndihmave të zhvillimit.

Ka ardhur koha për të vepruar – koha për të folur e për t’u ankuar ka qenë tepër e gjatë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency