Bashkëbisedimi me gazetarët/ Berisha: Rama ktheu pas 24 vitesh eksodet. Tirana, Durrësi, Elbasani e Shkodra fitohen nga PD

0
134

Gëzim Saliu

 berisha me gishtIsh-kryeministri: FMN dhe BB të rishikojnë marrëveshjet, të mos e mbështesin skenarin grek të qeverisë “Rama”

 “Rama i bënte skenarin Veliajt të MJAFT-it, bashkëpunoi me PD-në kundër socialistëve të Nanos”

 Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, deklaroi dje se Kryeministri Rama është përgjegjës për kthimin pas 24 vitesh të eksodeve masive në Shqipëri. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Berisha renditi disa faktorë si shkaktarët kryesorë që shqiptarët po i drejtohen Evropës. “Qeveria e Edvin Kristaq Ramës ia doli, në 18 muaj qeverisje, të rilindë pas 24 vitesh eksodet, të cilat përbëjnë për çdo komb fatkeqësi të mëdha kombëtare. Shkaku themelor i tyre ishte mjerimi masiv ekstrem i qytetarëve. Eksodet rilindën, sepse sot shqiptarët janë njerëzit më të mashtruar por dhe të poshtëruar, jo vetëm të Evropës, por ndofta dhe mbarë botës. Eksodet rilindën dhe gjithçka u zhvillua, si në një film horror, kur Edi Rama, njeriu që betonoi Tiranën dhe e zhyti atë në shkallën më të lartë të ndërtimit informal, shkatërroi para syve tanë qindra e qindra shtëpi banimi. Eksodet rilindën kur Edi Rama, njeriu që premtoi uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe heqjen e TVSH për energjinë rriti. Eksodet rilindën, sepse Edi Rama, njeriu që u zotua për luftë me zero tolerancë kundër krimit, riktheu në pushtet bandat e Partisë, tritolin, maskat, atentatet, pritat, pengmarrjet dhe aktet e tjera të tyre. Eksodet rilindën dhe gjithçka zhvillohet, si në një film horror, para syve tanë në të cilin, kryetari i Parlamentit akuzohet si në asnjë vend tjetër të botës nga miku i tij i ngushtë se ka porositur vrasjen e dy deputetëve dhe, ai me Ramën, të implikuar direkt në skenar, fshehin së bashku akuzën për 6 muaj”, – listoi Berisha arsyet. Por në këtë kontekst, ai nuk nguroi ti bënte thirrje qytetarëve që të mos largoheshin nga vendi pasi sipas tij, shanset e tyre për të fituar azil politik janë inekzistente. “Me largimin nga Shqipëria, ju vetëm sa i shtoni një traumë të re gjëndjes suaj – atë të kthimit mbrapsht, të sigurt dhe të mundimshëm. Por, përveç kësaj, me këtë largim dhe kërkesë për azil politik, ju vini në rrezik real, serioz, arritjen madhore të jetës tuaj, heqjen e vizave. Ndaj ju ftoj të qëndroni dhe bashkërisht të bëjmë gjithçka për të larguar Edi Ramën dhe qeverinë e tij të eksodeve, gjenerator çdo ditë papunësie, mjerimit, terrori, pasigurie me politikat dhe qëndrimet e saj”, – deklaroi Berisha.

 

Kandidatët

Një pjesë kryesore e bashkëbisedimit të ish-kryeministrit me gazetarët ishte edhe ajo që lidhej me përzgjedhjen e kandidatëve të opozitës si edhe garës me mazhorancën në 21 qershor. Duke bërë një analizë të kandidatëve të përzgjedhur, Berisha shprehu vlerësimet më të larta për kandidatin e Tiranës, Halim Kosova, duke theksuar: “Në bindjen më të thellë një kandidat të shkëlqyer për ata që kërkojnë vlerat, e vlerësoj si një kandidat të fitores. Halim Kosova është një mjek i shquar me reputacion të gjithanshëm, të pakontestuar. Një njeri që ka dhuntinë dhe kulturën e shërbimit, ai ka brenda vizionin më të qartë se si tu sjellë qytetarëve të tij shërbimet më të mira. Unë personalisht e gjykoj atë kandidat të fitores për dy arsye. Së pari për vetitë e tij, vlerat e tij si personalitet. Së dyti, mëkatet e mëdha të qeverisë, edhe ato janë, lista e pafundme e dështimeve nga mashtrimet tek eksodi. Inkarnimi i të gjitha këtyre pa përjashtim është rivali tij, nga Griselda tek me radhë, rivali tij është nëse bëhet fjalë për mashtrimet e këto, është i gatuar me të gjitha”, – tha ai. Po ashtu ai shprehu vlerësime për kandidaturën e Voltana Ademit në Shkodër ku theksoi nga ana tjetër se kryetari aktual i Bashkisë ka bërë punën më të shkëlqyer në përpjekjen për ta rikthyer Shkodrën në identitet. “Dhe vërtet, e ka ndryshuar për mirë më shumë se në çdo qytet tjetër. Voltana ka qenë bashkautorë në këto ndryshime, në të gjithë procesin dhe tani e merr dhe e çon përpara këtë proces”. Në të njëjtën linjë, Berisha e cilësoi si fituese të padiskutueshme Grida Dumën në Durrës përballë kryetarit aktual Vangjush Dako. “Grida ka përballë Vangjush betonin. Jam i sigurt që Grida kompani të vetën nuk do ketë, do vendosë qytetarin në epiqendër dhe do kujdeset si Gjushi, që të vetmet meritë ka që i çon shtrajcën Edi Ramës”, – u shpreh ish-kreu i qeverisë. Një tjetër bashki që do të arrijë një rezultat mjaft të mirë për demokratët do të jetë sipas Berishës edhe ajo e Elbasanit ku sipas tij kandidatura e Ardian Turkut do të arrijë të triumfojë mbi atë të Qazim Sejdinit. “Një njeri që sa qe kryetar bashkie bëri shumë për qytetin, për qarkun dhe tani shkon kërkon votën me projekte konkrete. Jo si Qazimi që kujdeset për vete, që të merrni vetëm Elbasan Arenën, ai duhet të quhet Elbasan Aroma, aroma jo e mirë, se çfarë korrupsioni është bërë në atë stadium vetëm shkallët e tij e dinë”, – theksoi ai.

 

FMN dhe BB

Duke analizuar situatën e vështirë ekonomike në vend dhe duke bërë përgjegjëse qeverisjen për këtë fakt, ish-kryeministri i bëri thirrje dy institucioneve financiare, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore të rishikojnë marrëveshjet me qeverinë shqiptare. “Unë e kuptoj që Fondi e ka të vështirë të pranojë gabimet. Por historia e Fondit është sukses edhe gabime. Kjo është e vërteta. Por eksodin nuk mund të mos e pranojnë atë si rezultante, si një shprehje të një krize sociale që sollën politikat ekonomike që u zbatuan në radhë të parë. Fondi nuk mund të pranojë mashtrimet e një qeverie të mirëfillta për rritjen ekonomike kur ajo rrëzohej nga çdo analizë e thjeshtë. Nuk mund të bazohej Fondi në statistikat mashtruese të Gjergjit të Edi Ramës, parashikimet për rritje ekonomike që nuk i dalin çdo vit”, – u shpreh ai. Ndërkaq sipas Berishës Banka Botërore nga 820 milionë USD borxh, në mënyrën më të papranueshme mbi 420 milionë i ka mbështetje buxheti dhe jo projekte për qytetarët shqiptarë. “Pra, janë projekte që jepen për të mbajtur në këmbë një regjim kleptokratik. Një logjikë e paimagjinueshme. Në tetë vjet mund të kemi marrë nga Banka Botërore jo më shumë se 30 milionë për mbështetje buxheti ose fare. BB është larguar në Shqipëri tërësisht nga parimi i luftës kundër varfërisë. Përkundrazi këto politika që ndihen, thellojnë varfërinë. Nëse ti pranon ti japësh një vendi rreth 1 milionë dollarë, ai është borxh nuk është falas. Është borxh dhe me interesa jo të buta. Jo, se Shqipëria nuk është në grupin e vendeve që merr me interesa të buta kredi”, – deklaroi Berisha.

 

Kritika për Bashën, Berisha: Duhet kujdes me sjelljen ndaj aleatëve

I pyetur lidhur me ndasitë e shumta të këtyre zgjedhjeve mes PD-së dhe aleatëve të saj, ish-kreu i demokratëve nuk nguroi të shprehte një kritikë ndaj kryedemokratit Basha duke kërkuar një sjellje më të butë. “Aleatët duhet të trajtohen me shumë kujdes. Mendoj që eksperienca e krijuar në këto zgjedhje zotit Basha do t’i shërbejë shumë për një platformë më soft në negociatat me aleatët, të cilët kanë një dhunti, sa më të vegjël të jenë, janë më të ashpër janë. Partisë Demokratike i takon që aleatët tradicionalë të saj ti ketë, ti respektoje, që ti përfillë edhe të punojë. Është një histori e tërë bashkëpunimi me ta”. Ndërkaq, lidhur me zgjedhjen e kandidatëve, Berisha tha se ndryshe nga ai, Basha kishte përdorur si kriter kryesor për përzgjedhjen e tyre, exit-pollet. “Kryetari i PD këtë radhë ka përdorur një metodë kurrë të përdorur më parë nga unë, kjo metodë ishte e bazuar në polle në bashkitë më kryesore. Tani, pollet, këto 15 vitet e fundit janë futur si një shtyllë e demokracisë në qeverisje. Veçanërisht në SHBA por tani po përhapen gjithnjë e më shumë. Kështu që, është një formë demokratike kjo pak më sengjine se ajo që bënim ne më përpara, se pollet kërkojnë shpenzime. Në dijeninë time ai ka respektuar pollet rigorozisht”, – pohoi ish-kryeministri.

 

“Topi, i vetmi që thotë jemi në koalicion me PS-në, po jemi në opozitë. Si e shoh Rilindjen e vdekur të Blushit”

Për ish-kryeministrin e vendit një ndër deklaratat me të çuditshme në jetën politike të vendit ka enë ajo e ish-presidentit të vendit, kreut të FRD-së, Bamir Topi, pas takimit ku mbylli negociatat me Ramën. Duke komentuar koalicionin e majtë dhe numrin e madh të partive pjesëmarrëse, Berisha deklaroi se në qendër të lidhjes së tyre qëndron interesi për të zhvatur vendin. “A e dëgjuat? Tha se hyjmë në koalicion, por jemi dhe në opozitë. Tani ju them unë juve, asnjë i ndjerë në vitet `90 nuk e bëri ndonjëherë këtë deklaratë. Kurrë s’kisha dëgjuar. Ja ky është koalicioni i tyre, që hyjnë në koalicion, por jemi në opozitë. Ç’koalicion është ky? Ajo është një aleancë interesash totalisht për të zhvatur me pushtet këtë vend. Ky i ka vlerat? Tipike ishte kjo që tha, unë tha në koalicion jam por mbetem në opozitë”. Ndërkaq, i pyetur nga gazeta “Standard se cili ishte komenti i tij për analizën e Ben Blushit, i cili pohonte se Rilindja kishte vdekur, Berisha tha: “Ka vdekur në mendjen e Blushit, i cili e ka besuar se unë s’e kam besuar kurrë Rilindjen”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency