Vala e re e emigracionit, qeveria nuk e ndal dot më

0
159

Ervin Kaduku

 emigracioni–  Sipas INSTAT-it, më 2014 emigracioni neto shënoi -18.046 persona në vitin 2013, ky tregues ishte -16.414 persona vitin që shkoi, por pritet të thellohet edhe më shumë këtë vit pas ikjeve masive sidomos nga qarqet e veriut

Ndërkohë që shumë shqiptarë duan të shkojnë drejt Perëndimit për të kërkuar azil, qeveria, në panik e sipër, për të mos lejuar këtë fluks, po bllokon edhe ata qytetarë që nuk kanë synim marrjen e azilit. Raportohet se disa dhjetëra shqiptarë nuk janë lejuar natën e kaluar të kalojnë kufirin nga porti detar i Durrësit drejt zonës Shengen me tragetet e linjave detare.

Fluksi i madh i largimeve nga vendi me qëllim kërkimin e azilit në vendet e BE-së ka shtuar ndjeshëm kontrollin ndaj udhëtarëve në këtë vendkalim kufitar.

Autoritetet e kufirit kërkojnë plotësimin e kërkesave për çdo udhëtar që do të lëvizë drejt zonës Shengen. Natën e kaluar, shumë prej tyre u refuzuan për mungesë të mjeteve monetare, apo ftesave zyrtare nga i afërmi pritës që jeton në vendet e BE-së. Në rastet kur dyshohet për qëllimin e udhëtimit, nuk pranohen ftesat e dërguara në rrugë elektronike.

“Nuk më lejuan sepse nuk kisha garancinë. Do të shkoja te daja në Bari. Nesër pres të ma sjellë garancinë dhe do iki. Kam udhëtuar edhe herë të tjera, kurrë nuk kam pasur probleme. Tani i ka kapur fiksimi”, thotë një person i kthyer.

Mes të refuzuarve ka edhe familjarë me fëmijë të vegjël apo persona të cilëve më parë u është refuzuar hyrja në vendet e BE-së.

Kontrollorët e kufirit kërkojnë nga udhëtarët që të tregojnë ftesat zyrtare nga pritësit, mjetet monetare (jo më pak se 50 euro për ditë qëndrimi) si dhe të specifikojnë vendin e qëndrimit në zonën Shengen, përmes rezervimit të hotelit apo adresës ku do të qëndrojnë.

Gjithashtu, mungesa e veshjeve të mjaftueshme për të përballuar një udhëtim disaditor, në jo pak raste është bërë shkak për refuzimin e kalimit të kufirit shqiptar ditët e fundit.

 

INSTAT: Largimet janë në rritje

Që nga 2014 trendi i emigrimit jashtë vendit është thelluar. Të ikurit në raport me të kthyerit janë 2 mijë më shumë se, ne vitin 2013. Sipas INSTAT më 2014 emigracioni neto shënoi -18046 persona në vitin 2013, ky tregues ishte -16414 persona vitin që shkoi, por që pritet të thellohet edhe më shumë këtë vit pas ikjeve masive sidomos nga qarqet e veriut.

Gjatë tremujorit të parë kanë kërkuar azil ekonomik në Gjermani rreth 5 mijë persona dhe ikjet vijojnë në përmasa jo të zakonshme.

Emigracioni ka vazhduar të jetë një nga arsyet kryesore të rënies së numrit të popullsisë në Shqipëri gjatë periudhës midis dy censuseve të fundit 2001 dhe 2011.

Emigrimi në Shqipëri ka qenë fenomen i zakonshëm, i cili është ndërmarrë në shumicën e rasteve më shumë nga meshkujt sidomos në periudhën 1989-2001. Megjithatë dallimet gjinore në periudhën e ndërmjet dy censuseve të fundit 2001-2011 nuk janë shumë të theksuara. Sipas vlerësimeve indirekte të INSTAT gjatë kësaj periudhe rreth 481.000 shqiptarë kanë emigruar.

Censusi i fundit 2011, evidentoi edhe një fenomen të ri atë të migracionit të kthimit, i cili ndikoi në rritjen e migracionit neto dhe si rrjedhim uljen e ritmit të zvogëlimit të popullsisë. Sipas studimit të bërë nga INSTAT “Migracioni i kthimit dhe ri-integrimi në Shqipëri, 2013”, rezulton se gjatë viteve 2009-2013, numri i emigrantëve të kthyer është 133.544 persona. Ritmi i kthimeve është përshpejtuar pas vitit 2011 me rreth 1,5 herë për shkak të krizës ekonomike në Eurozonë dhe kryesisht në Greqi. Tek të kthyerit, janë meshkujt ata që dominojnë krahasuar me femrat.

Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të Evropës, ka përjetuar një tranzicion demografik të vonë por intensiv (rënia e vazhdueshme e lindshmërisë dhe vdekshmërisë). Vdekshmëria filloi rënien e saj që nga vitet 1930, ndërsa lindshmëria qëndroi e lartë deri në vitet 1960.

Prandaj vendi përjetoi një ndër normat më të larta të rritjes së popullsisë në Evropën e pas luftës (mbi 2% në vit), duke sjellë një rritje të popullsisë nga 1,218 milionë në vitin 1950 në një maksimum prej 3,182 milionë në vitin 1989. Megjithatë pavarësisht strukturës së re moshore, popullsia pësoi rënie deri në 3,069 milionë në vitin 2001 dhe më pas në 2,097 milionë në vitin 2011, çka korrespondon me një rënie vjetore respektivisht prej 0,3% dhe 0,8%. Emigrimi dhe normat e ulëta të lindshmërisë janë faktorët kryesorë të kësaj rënie.

Që nga 1950 deri në 1990, popullsia e Shqipërisë ka përjetuar dekada të një rritjeje të shpejtë të popullsisë, edhe pse shpejtësia e kësaj lëvizje është ulur në mënyrë progresive. Lindshmëria ka qenë shumë më e lartë se në çdo vend tjetër të Evropës, edhe pse në rënie, ndërsa vdekshmëria pësoi një rënie të lehtë duke mbetur pothuaj në nivelet 16-17 mijë në vit; shkëmbimet me vendet e huaja me anë të migracionit ishin pothuaj zero dhe lëvizjet nga një rajon te tjetri në vend ishin shumë të kufizuara, karakteristike për një popullsi të mbyllur.

Ndryshimet në lindshmëri dhe emigracion kanë ndikuar shumë strukturën moshore dhe gjinore të popullsisë së Shqipërisë.

 

Rritet mosshfrytëzimi i kapaciteteve të biznesit

Hendeku i prodhimit (mosshfrytëzimi i plotë kapaciteteve prodhuese) ka pësuar rënie tjetër për të gjitha degët ekonomisë në tremujorin e parë të vitit sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Që kur kriza ekonomike e vitit 2008 përfshiu edhe ekonominë tonë hendeku i prodhimit ra në një mesatare 70 për qind të kapaciteteve të instaluara, por treguesi duket se, është përkeqësuar edhe me tej në këtë fillim vit.

Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se, thellimi i hendekut të prodhimit është një tregues që të sinjalizon se, rritja ekonomike në të ardhmen do të jetë e rrezikuar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri rezultoi në nivelin 67.7% në tremujorin e parë, rreth 4 pikë përqindje më e ulët se, norma historike. Çmimet e prodhimit janë vlerësuar me një rritje të lehtë gjatë tremujorit të parë.

Gjithashtu norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim është 57 %, 3.6 pikë përqindje më pak se një tremujor më parë. Në masën më të madhe (67%), bizneset raportojnë se do t’i përballojnë kufizimet financiare me kredi bankare dhe një pjesë (19%) me porosi me parapagim.

Situata e përgjithshme ekonomike e vlerësuar nga bizneset e shërbimeve është përmirësuar dhe çmimet e shërbimeve vlerësohen të kenë rënë lehtë në tremujorin e parë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi 73%, në rënie me 4.4 pikë përqindje nga tremujori i kaluar. Niveli i saj qëndron mbi mesataren historike të serisë.

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti në tremujorin e parë shënoi 75.8%, normë kjo rreth 3.3 pikë përqindje më e ulët se ajo e shënuar në tremujorin e kaluar dhe 3.4 pikë përqindje më e ulët se mesatarja e katër viteve të fundit.

 

Ku janë krijuar më shumë biznese

Qarku i Lezhës ka përqindjen më të lartë të hapjes së bizneseve të reja në Shqipëri. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë rezultate interesante për sa i takon nismës për sipërmarrje të reja. Në rast se qarqet e Tiranës, Durrësit, Fierit apo Vlorës kanë më shumë biznese në vlerë absolute, hapja e ndërmarrjeve të reja në raport me numrin ekzistues të bizneseve, ose shkalla e lindshmërisë së ndërmarrjeve të reja, është më e lartë në qarqet të tjerë të vendit. Në qarkun e Lezhës për vitin 2014 janë hapur 25.6 biznese të reja për çdo 100 biznese aktive ekzituese. Në vend të dytë vijon qarku i Kukësit, ku shkalla e lindshmërisë së bizneseve të reja është 22.8%. Në qarkun e Shkodrës, vitin e kaluar, u hapën 21 biznese të reja për çdo 100 biznese aktive ekzistuese. Në fund të renditjes për sa i takon shkallës së lindshmërisë së bizneseve të reja, është Elbasani, me 12%. Sipas Instat, vitin e kaluar në Shqipëri u regjistruan mbi 17 mijë biznese të reja. Numri më i madh i bizneseve u regjistrua në qarkun e Tiranës, me mbi 7 mijë të tilla, ndërsa vijon Durrësi me rreth 1 800 dhe Fieri me rreth 1 600. Gjithnjë sipas INSTAT, në fund të vitit 2014 në Shqipëri rezultonin afro 113 mijë ndërmarrje tregtare aktive.

 

Tatimet: Rregullat e reja për dorëzimin e bilanceve

Të gjitha bizneset që realizojnë një xhiro vjetore mbi 8 milionë lekë duhet të dorëzojnë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) bilancin e vitit 2014, jo më vonë se, data 31 korrik.

Në një njoftim të posaçëm për QKR sqaron se, subjektet duhet të depozitojnë pranë QKR-së:

– Pasqyrat financiare vjetore të skanuara në format PDF,

-Raporti i auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë (kur mbajtja e tyre është e detyrueshme) dhe vendimi për miratimin e pasqyrave financiare (sipas kërkesës ligjore).

Ky shërbim ofrohet vetëm nëpërmjet aplikimit online në portalin qeveritar e-albania (www.e-albania.al) dhe shërbimi ofrohet pa pagesë.

–  Formati elektronik i ruajtjes së pasqyrave financiare, duhet të jetë në PDF.

– individi, i cili do të kryejë aplikimin, duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti ose pasaportë biometrike, për të vërtetuar të dhënat e tij personale.

– Logimi në portalin qeveritar e-albania.al duke ndjekur të gjitha hallkat e procedurës për kryerjen e aplikimit.

Deri me 31 mars bizneset kanë përfunduar dorëzimin e bilanceve në tatime nëpërmjet sistemit të ri online.

 

Rimbursimi i TVSH

Rimbursimi i TVSH nga administrata fiskale ka qënë prej vitesh një ndër problematikat e ngritura nga biznesi vendas dhe i huaj. TVSH­-ja është taksa me të cilat administrata fiskale ka një nivel të konsiderueshëm të të ardhurave. Por deri para pak vitesh një problem i trashëguar ishte rimbursimi i kësaj takse, një nga arsyet që solli dhe detyrime të prapambetura për biznesin. Në fillim të këtij viti hyri në fuqi ligji i ri i TVSH. Sipas udhëzimit që pasoi këtë ligj, rimbursimi i TVSH-­së kryhet nga sistemi i Thesarit. Afatet e përcaktuara për rimbursimin e TVSH-së sipas kategorive të personave të tatueshëm fillojnë nga data e protokollimit të kërkesës për rimbursim të TVSH-­së, në një regjistër të veçantë elektronik, në Drejtorinë Rajonale Tatimore.

Vlera e detyrimeve të prapambetura për rimbursim të TVSH kishte arritur në shumën e 7.4 miliardë lekëve.

 

Rreth 1 mijë fermerë përfitojnë nga grantet

Rreth 1 mijë fermerë në 6 qarqe të Shqipërisë, do të përfitojnë mbështetje me grante në vlerën e 6.5 milion euro të akorduara nga qeveria e Danimarkës dhe Gjermanisë për të mbështetur zhvillimin e sektorit agroushqimor. Konkretisht bëhet fjalë për qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan, Berat dhe Korçës dhe projekti do të zbatohet për një periudhë 3-­vjeçare, ndërsa aplikimet do të nisin javën e ardhshme. Ambasadorët e dy qeverive donatore vlerësuan se këto grante do të kenë ndikim të madh në rritjen e mirëqenies së banorëve të zonave rurale. “Nëpërmjet këtyre granteve do tentojmë të rrisim ekonominë e këtyre zonave, pasi janë shumë elementë që na bëjnë të besojmë se ato kanë potenciale të reja ekonomike. Koncepti ynë është i qartë, të ngrejmë të ardhurat dhe standardet”­ tha Mads Sandau Jensen, Ambasador i Danimarkës në Shqipëri. “Zhvillimi i agrokulturës është çelsi për zhvillimin e ekonomisë së Shqipërisë në përgjithësi. Zhvillimi i bujqësisë, sidomos në zonat e varfra ka rëndësi thelbësore për ti dhënë këtyre njerëzve shpresë se dicka pozitive po ndodh si dhe është sfidë edhe për integrimin në BE”­ theksoi Helut Hofmann, Ambasador i Gjermanisë në Tiranë. Aplikimet e fermerëve do të bëhen në zyrat që GIZ do të ngrejë në këto qarqe. Aplikanti duhet të plotësojë një formular ku të specifikojë investimin që do të bëjë dhe të dorëzojë një plan biznesi. Para kontraktimit, GIZ dhe Ministria e Bujqësisë bëjnë verifikime në terren dhe pas lidhjes së kontratës dhe përfundimit të investimit sipas saj, do të bëhet pagesa.

 

Ulen humbjet e energjisë në rrjet

Në tremujorin e parë të vitit 2015 humbjet e energjisë të mesatarizuara sipas muajve arritën në 33 %, nga 35.7 për qind që ishte niveli i tyre në fund të vitit 2014. Humbjet janë ulur 2.7 për qind, ndërsa targeti është për ta çuar këtë nivel në 31 për qind këtë vit.

Nga fundi i vitit 2013 humbjet e energjisë janë reduktuar më rreth 13 për qind si rezultat i aksionit masiv ku u përfshi edhe policia e shtetit për shkëputjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë.

Sipas të dhënave të OSHE humbjet e energjisë arritën në muajin janar në 36,68%, në shkurt u ulën në 31.8% dhe muaji mars u mbyll me 32.89%.

Sipas bilancit të sektorit të energjisë elektrike për vitin 2014 u vu re një reduktim të humbjeve jo teknike me 42 % (vjedhjet) në një kohë që humbjet teknike (amortizimi i rrjetit) u rriten me 32 për qind.

Në krahasim me vitin 2013, humbjet në rrjet përgjatë 2014 ishin sa 35,7 për qind të sasisë së energjisë të disponueshme për konsum. Humbjet në shpërndarje përbëjnë 94,2 për qind të humbjeve në rrjet, të cilat rezultuan me rënie 15,3 për qind.

Por duket se, OSHE është duke rikuperuar ndjeshëm humbjet e krijuara nga vjedhjet e viteve të kaluara. Vlera e akt-marrëveshje të lidhura për borxhin e prapambetur që klientët nga ndaj OSHE kap vlerën e 50.4 miliardë lekë, ndërsa janë paguar deri tani 6.5 miliardë lekë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency