Prezantimi i kandidatit/ Alibeaj: T’i kthejmë Fierit dinjitetin. Basha: Njeriu me vlera që flet troç, edhe kur s’i pëlqen kryetarit

0
122

Gëzim Saliu

 basha me alibeajEnkelejd Alibeaj prezantohet zyrtarisht si kandidat i koalicionit të djathtë për Bashkinë e Fierit, kreu i PD-së: Oferta jonë më e mirë për të shpëtuar Fierin nga mjerimi dhe arroganca e pushtetit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prezantoi dje në sheshin qendror të qytetit kandidatin e koalicionit të djathtë për Bashkinë e Fierit, Enkelejd Alibeaj. Për shkak se njoftimi i prezantimit të tij ishte bërë publik që një ditë më parë, në prezantimin e djeshëm ishin të pranishëm qindra qytetarë pjesëmarrës, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për kandidaturën e Alibeajt. Në fjalën e tij, kryedemokrati Basha, duke shprehur vlerësimet më të larta për ish-ministrin e Drejtësisë, nuk ngurroi të thekonte se shpeshherë ai ka thënë mendimin e tij në PD në mënyrë të qartë, edhe kur ky opinion ka qenë në kundërshtim me kreun e forcës më të madhe opozitare. Sipas Bashës, këta njerëz me vlera të mëdha janë të domosdoshëm në drejtimin dhe menaxhimin e një Bashkie, e cila, siç theksoi ai, ka nevojë të patjetërsueshme për ndryshim. “Një mësim i veçantë është bashkimi në diversitet. Ky është Fieri i fierakëve denbabaden, i fierakëve që ndërtuan tabanin e këtij qytetit, por është po kështu dhe Fieri i mallakastriotëve, i kosovarëve, i çamëve, i lebërve, i myzeqarëve, pa dallim, pra bashkimi i diversitetit. Sot kam në krahun tim një mik të vjetër, ndonëse një djalë të ri, i cili kurrë nuk ka hezituar ta thotë mendimin e tij, troç dhe pa dorashka, edhe kur nuk i pëlqente kryetarit të partisë. E ka thënë këtë mendim dhe i ka ngritur çështjet e tij si pakkush, shkurt, saktë, bindshëm dhe me elokuencë, ashtu si dinë të bëjnë banorët e kësaj treve. Sot ky djalë, ky prind, ky jurist i shkëlqyer, ky anëtar i ekzekutivit që ka shkëlqyer me luftën pa kompromis kundër korrupsionit, vjen në krahun tim. Në fakt, vij unë dhe e gjej në mesin tuaj si propozimin më të natyrshëm për të përfaqësuar vlerën tuaj. Si kandidatin e Partisë Demokratike dhe opozitës, si ofertën tonë për të shpëtuar Fierin nga kthetrat e mjerimit, skamjes, arrogancës përbuzëse të pushtetit”, – tha Basha. Më tej, kreu i PD-së tha se vota e 21 qershorit do të shkojë për ofertën e re të demokratëve, për njeriun me integritet, pasi, sipas tij, shumica dërrmuese e fierakëve do të votojnë jo për kandidatin e mazhorancës, por për kandidatin e qytetarëve. “Po a ka arsye më të bukur për t’i thënë jo mjerimit varfërisë dhe krimit, për t’i thënë jo kandidaturës së Edi Ramës dhe Ilir Metës, sesa të votoni për Enkelejd Alibeajn, për njeriun e vlerës, për projektin e vlerës, për projektin e shpëtimit, për projektin e shpresës”, – deklaroi kreu i opozitës.

 

Kandidati Alibeaj

Ndërkaq, në fjalën e tij para qytetarëve të shumtë që ishin mbledhur në sheshin qendror të qytetit në prezantimin e tij, Alibeaj theksoi se Fieri ka potencial të madh, por i duhet kthyer dinjiteti, qeverisja e ndershme dhe e përgjegjshme.“Në qoftë se është kërkuar drejtësi, në qoftë se është kërkuar që ky vend të ecë përpara për aq sa potencialin e ka, kjo buron se qytetaria e këtij vendi, qytetaria e fierakëve meriton shumë më tepër sesa ç’mund t’i ofrojmë. Në qoftë se marr përsipër me kënaqësinë më të madhe dhe me detyrimin më të madh që të gjithë së bashku ta udhëheqim gjithë Fierin drejt një historie të re, kjo ka brenda brengën e çamëve, dhimbjen e madhe të kosovarëve”, – theksoi ai. Sipas Alibeajt, qytetit duhet nxjerrë nga errësira ku është përfshirë në shumë vite. “Është sfidë e të gjithëve e duke qenë e tillë e duke parë të gjithë fytyrat e këtyre njerëzve do duhet t’i kthejmë vetëm një gjë, dinjitetin. Ky vend ka nevojë për dinjitet prandaj kjo do të jetë emblema jonë, emblema e të gjithë fierakëve që në 21 qershor të dalin të nderuar”, – pohoi kandidati i koalicionit të djathtë për Bashkinë e Fierit, Enkelejd Alibeaj.

 

Zbardhen sms-të/ Gara për Tiranën, mesazhe urimi mes Kosovës dhe Veliajt

Edhe pse kundërshtarë, duket se dy kandidatët e palëve politike në vend për Bashkinë e Tiranës do të zhvillojnë një fushatë pozitiviste. Një ditë pas zyrtarizimit të emrave, Veliaj dhe Kosova kanë shkëmbyer mesazhe telefonike me njëri-tjetrin. Ka qenë kandidati i mazhorancës, Erion Veliaj, i cili i ka shkruar sms i pari mjekut Halim Kosova, ku i shkruante: “Jemi gati për një fushatë pozitive dhe ju uroj suksese!” Nuk ka vonuar përgjigjja e kandidatit të djathtë, i cili i ktheu përgjigje duke pohuar: “Ju falënderoj dhe suksese gjithashtu!” Më tej i pyetur për këto shkëmbime mesazhesh, kandidati i së djathtës, Kosova, theksoi: “Mesazhet e urimit janë normale”.

 

 Dita e parë e Halim Kosovës si kandidat për Bashkinë e Tiranës

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, nisi dje zyrtarisht fushatën zgjedhore, ku ditën e parë e nisi me takimin në selinë e PD-së me kryetarin e kësaj force, Lulzim Basha. Por ardhja e Halim Kosovës në selinë e PD-së u shoqërua me takime e urime nga mbështetësit e PD-së, të cilët qëndruan në oborrin e selisë më të madhe të opozitës, duke pritur takimin me kandidatin e opozitës për Bashkinë e kryeqytetit. Në deklaratën e tij, Kosova deklaroi se dita e parë e fushatës ka qenë e ngjeshur me takime, ku ndërkohë burimet pranë PD-së bënë të ditur se fushata do të fillon pikërisht nga takimet me anëtaret e PD-së. Zyrtarizmi i kandidaturës se Kosovës ka vënë në lëvizje edhe strukturat e PD-së, të cilat po përgatiten për takimet që kandidati i opozitës do të zhvillojë në të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës. Kështu, deri në fundin e javës tjetër fushata e Halim Kosovës do të përqendrohet tek takimet me strukturat e partisë. Më pas, me fillimin zyrtar të fushatës elektorale do të nisë takimi me qytetarët e kryeqytetit dhe të gjithë zonat e përfshirë në Bashkinë e Tiranës.

 

 PDK e Ndokës ndahet nga PD-ja, kandidon me Salvador Kaçajn në Lezhë

Partia Demokristiane del nga koalicioni i djathtë, për shkak të mosmarrëveshjeve me PD-në lidhur me kandidatët për bashkitë. Ndoka ka akuzuar lidershipin e PD-së se nuk është serioz me aleatët, ndërsa kreu i Komunës Shëngjin, Salvador Kaçaj, pas një takimi që zhvilloi me Bashën në selinë blu tha se ai do të garojë për Bashkinë Lezhë në siglën e PDK-së. Në takimin për thuajse 60 minuta, Kaçaj nuk ka arritur të bindë Bashën për të ndryshuar kandidaturën e shpallur të Fran Frrokut për Bashkinë Lezhë. “Dimensioni i mendimeve është krejtësisht i kundërt. Kjo ka lidhje dhe me PDK ku 74 mijë votat e PDK-së nuk janë pyetur. Pasi të bëjmë me një konsultë me zotin Ndoka dhe strukturat po shikojmë të dalim vetëm dhe po përgatitemi të fitoj Lezhën siç kam fituar Shëngjinin 4 vjet më parë”, – tha ai. Ndërkaq, Ndoka nuk ka ngurruar të theksojë se mund të ketë një rikthim të PDK-së tek koalicioni i majtë. “Është një zgjidhje e domosdoshme e sforcuar në realitetin ku ndodhemi, por jo e pamundur për faktin se nuk shoh ndonjë pengesë reale. E kemi prekur këtë bashkëpunim dhe bashkëpunim për zgjedhjet lokale me PS-në ka qenë shumë dobiprurës”, – theksoi ai.

 

 Meta: Gara për Tiranën, interesante, vlerësim për Kosovën. Veliaj do të udhëheqë më 21 qershor

Kryetari i Kuvendit, njëkohësisht kreu i LSI-së, Ilir Meta, komentoi dje garën për Bashkinë e Tiranës pas shpalljes së emrave zyrtarë nga ana e dy koalicioneve. Duke shprehur vlerësime edhe për kandidaturën e Halim Kosovës, Meta tha se që prej publikimit të emrit Veliaj ka udhëhequr dhe do ta vazhdojë këtë gjë deri më 21 qershor. “Kandidatura e z. Veliaj është një kandidaturë mjaft e spikatur dhe meriton të gjithë mbështetjen tonë. Kam konsideratën më të mirë edhe për z. Kosova. Në fund të fundit është një garë mjaft interesante po të kemi në konsideratë se kemi edhe kandidatë të tjerë të cilët nuk duhen nënvlerësuar. Pra, është një garë mjaft demokratike, mjaft interesante, por unë besoj se kandidati ynë, z. Veliaj e fillon garën nga dita djeshme, pra që nga mbrëmja ka nisur duke udhëhequr dhe besoj se do të vazhdojë ta udhëheqë deri në 21 qershor”, – tha Meta.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency