Mungesa e shtetit ligjor, parajsë për kriminelët e politikës dhe biznesit!

0
126

Faik Krasniqi

Faik KrasniqiPa dyshim që peshqit e mëdhenj të politikës janë të lidhur me biznesmenët e papërgjegjshëm që tash e 16 vite bëjnë kontrabandë me grurin, miellin, qumështin pluhur etj! Sepse, është vështirë të merresh me këto gjëra të paligjshme dhe të rrezikshme, nëse nuk qëndrojnë prapa teje njerëz të fuqishëm të politikës, që kanë interesa të përbashkët biznesorë dhe të mbrojnë prapa çdo pisllëku dhe skandali! Normal që me ndihmën e oligarkëve të politikës prej pasluftës këto kompani kanë krijuar monopol në ekonominë e vendit, duke dëmtuar rëndë ekonominë dhe shtetin e Kosovës dhe njëkohësisht duke i dëmtuar rëndë edhe bizneset e ndershme! Me këto gjëra duhet të merret drejtësia, por me që drejtësia tek ne nuk funksionon për njerëzit e fuqishëm të

politikës dhe biznesit, vështirë se do të ndryshojë kjo gjendje edhe për një kohë të gjatë! Kur Kosova të bëhet një shtet i fortë ligjor, atëherë të gjithë keqbërësit e politikës dhe biznesit do të përgjigjen për bëmat e tyre! E derisa të bëhet shteti ligjor, ne të gjithë do të jemi vetëm spektatorë të veprave të tyre të paligjshme, pasurimit të mëtutjeshëm të tyre, pa pasur fuqi që t’i parandalojmë këto krime ekonomike, që e kanë lënë dhe po vazhdojnë ta lënë Kosovën të pazhvilluar ekonomikisht, me papunësi shumë të madhe dhe vendin më të varfër në Evropë!

 

 

Rritja e TVSH-së i dëmton qytetarët!

 

Rritja e TVSH-së do t’i dëmtojë vetëm qytetarët, sepse këtë do ta shfrytëzojnë tregtarët e pandërgjegjshëm dhe do t’i ngritin çmimet akoma më shumë e në bazë të standardit jetësor në Kosovë, çmimet aktuale janë shumëfish më të larta, që nënkupton se shportat e qytetarëve do të jenë edhe më të varfra se ç’kanë qenë deri më tash! Prandaj, rritja e TVSH-së do t’u bëjë nder vetëm bizneseve të pandershme, por në anën tjetër do të sjellë përkeqësim të situatës dhe çdoherë ekziston rreziku për shpërthim të trazirave sociale, për shkak të papunësisë së lartë dhe varfërisë së madhe!

 

 

 Evazioni fiskal dëmton bizneset, ekonominë dhe buxhetin e Kosovës!

 

Evazioni fiskal në Kosovë është në përmasa shumë të mëdha, do të thosha në masa tepër shqetësuese. Që nga paslufta, në Kosovë, ekonomia joformale që llogaritet të jetë deri në 45% apo më shumë, ka dëmtuar konkurrencën e lirë të tregut, e sidomos buxhetin e Republikës së Kosovës! Evazioni fiskal e varfëron buxhetin e Kosovës, për më shumë se 1 miliard në vit! Me mbi 1 miliard euro në vit më shumë në buxhetin e Kosovës dhe me investime të mençura në sektorin e ekonomisë, kryesisht në bujqësi, stimulimin e bizneseve të mesme dhe të vogla, brenda një periudhe 5-vjeçare, do të kishim zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe papunësia do të binte diku tek 20-25%!

 

 

 Pasuria e Kosovës në duart e matrapazëve!

 

Nëse e shikojmë se me çfarë çmimesh qesharake janë shitur ndërmarrjet në Kosovë, nuk ka asnjë dyshim që prapa ndërmarrjeve të privatizuara, qëndrojnë njerëzit e politikës, sepse përmes AKM-së e më vonë AKP-së, ata, përmes njerëzve që i kanë pasur anëtarë të bordeve, e kanë pasur në dorë edhe vënien e çmimeve, por edhe se kujt t’i shiten ndërmarrjet! E, fatkeqësisht, pasuria e Kosovës ra në duart e matrapazëve, që e dëmtuan ekonominë, në vend që ta zhvillojnë.

Lëre që ndërmarrjet në Kosovë u shitën me çmime shumë të lira, por pas privatizimit ngelën pa punë me dhjetëra mijëra punëtorë dhe shumica e tyre, edhe pse kanë qenë ndërmarrje prodhuese, sot shërbejnë për gjëra të tjera! Tokat e kooperativave bujqësore, në vend që të shërbenin për mbjellje, u shndërruan në hekur e beton, në të cilat u bënë ndërtime banimi dhe pika karburanti! Me një fjalë, privatizimi është bërë për biznes, e jo për ta rimëkëmbur ekonominë e Kosovës! Prandaj, privatizimi i ndërmarrjeve në Kosovë duhet të rishikohet nga fillimi: se me çfarë çmimi janë blerë, kush është pronari i vërtetë, a i është ndërruar destinacioni dhe pronari a i ka përmbushur detyrimet për investimet që i ka pasur si kusht dhe për rritjen e numrit të punëtorëve, në periudhën e caktuar me ligj!

 

 

Tregu i përbashkët Kosovë-Shqipëri është domosdoshmëri!

 

Kosova dhe Shqipëria e quajnë njëri-tjetrin vëllezër, e në anën tjetër bëjnë tregti me Serbinë, Maqedoninë, Greqinë, Italinë etj. e më së paku mes veti! Por ky mosbashkëpunim tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë është e qëllimshëm, sepse kompanitë që kanë monopol në mallrat e Serbisë, e pengojnë një gjë të tillë! Gjysma e mallit edhe kontrabandohet nga Serbia, përmes këtyre kompanive dhe që e dëmtojnë rëndë buxhetin e Kosovës, që do të thotë se buxheti i Kosovës, shkaku i kontrabandës, është më i varfër për 1 miliard euro në vit! Çfarë të mirash i sjell Kosovës dhe Shqipërisë, nëse shkëmbejnë mallra mes vete ose, më mirë të themi, ta bëjmë një

treg të përbashkët! Shqipëria dhe Kosova, formalisht dhe joformalisht, importojnë mallra nga vende të tjera, diku në vlerën 10-12 miliardë euro në vit! Nëse do të bëhej një treg i përbashkët, atëherë importi do të binte përgjysmë, që do të thotë se 5-6 miliardë euro do të mbeteshin në dy shtetet shqiptare. Me këto 5-6 miliardë euro shtesë investime në vit, do të kishim një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe një zbutje të ndjeshme të papunësisë! Por, siç thashë edhe më lart, për shkak të interesave të këtyre kompanive që kanë krijuar monopol në të dyja anët e kufirit e që importojnë mallra nga Serbia, Greqia, Maqedonia, Italia, Turqia etj., dhe pa dyshim që njerëzit e fuqishëm të politikës qëndrojnë prapa këtyre kompanive, pasi nuk po e bëjnë një gjë të tillë për ta hequr monopolin e krijuar nga këto kompani mafioze e që është në të mirën e të dyja vendeve, sepse do të kishim një zhvillim të hovshëm ekonomik, një treg i përbashkët Kosovë-Shqipëri, është shumë vështirë të realizohet! Për shkak të mungesës së një shteti të fortë ligjor, pengesë e zhvillimit ekonomik si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri, është trekëndëshi kriminal politikë-biznes-mafie!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency