Vendimi/ Mjekët, deri në 30 prill duhet të plotësojnë kreditet

0
159

MjekëtMjekët, stomatologët dhe farmacistët kanë afat deri në 30 prill për dorëzimin e të gjitha dokumentave që vërtetojnë kreditet që kanë arritur të grumbullojnë që prej një janarit të 2010. Pas mbledhjes së bordit në Ministrinë e Shëndetësisë, Entela Shehu, drejtorja e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim bën me dije vendimet që janë marrë. Ajo shprehet se personelit shëndetësor i është dhënë një shans i dytë për të vërtetuar kreditet që ata kanë, ndërkohë që deri tani nga të dhënat që janë grumbulluar stomatologët në vend paraqiten problematikë në grumbullimin e krediteve të kualifikimit. “U vendos që t’u jepet një afat kohor deri në datë 30 prill të dorëzojnë pranë Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, të gjithë dokumentet që vërtetojnë kryerjen e aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm nga ana e tyre për periudhën kohore 1 janar 2010-21 dhjetor 2014. Pra, u është dhënë një mundësi tjetër profesionistëve që të vërtetojnë kryerjen e aktiviteteve nga ana e tyre”, – tha Entela Shehu, drejtore e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim. Deri në datën 10 maj, do të bëhen publik të gjithë emrat e personelit shëndetësor që kanë përmbushur detyrimet, si dhe ata që do ti nënshtrohen provimit të ricertifikimit. Ndërsa mjekët, stomatologët apo farmacistët që kanë zero kredite, automatikisht do të duhet të lënë vendin e punës. “Për profesionistët që rezultojnë me një numër zero kreditesh është parashikuar që do të shpallen vendet e punës vakante për ata që punojnë në sektor publik. Gjithsesi besoj që me këtë mundësi të dytë që u është dhënë profesionistëve tani për të dorëzuar dokumentacion shtesë, besoj që numri i tyre do të jetë minimal. Ai mjek që ka marr disa kredite po jo numrin e mjaftueshëm do të japë provimin e ricertifikimit, për të kompensuar atë mangësi që ka në edukimin e vet të vazhdueshëm”, – tha Shehu. Provimi i ricertifikimit është parashikuar të zhvillohet gjatë muajit tetor. Autoritetet e shëndetësisë në ditët në vijim do të bëjnë publikë edhe programet orientuese për profesionistët që do ti nënshtrohen testimit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency