Kodi i Punës/ Ndryshimet, sa shtesa në pagë do të marrin punonjësit

0
157

Kodi i Punës“Nëse punëmarrësi punon më shumë se 9 orë të vazhdueshme në ditë, i jepet një tjetër pushim, prej jo më pak se 20 minutash”

Projektligji për ndryshimet në Kodin e Punës, është dorëzuar në Parlament dhe do të kalojë për diskutim në komisionet parlamentare. Me projektligjin e ri janë ndryshuar disa nene, duke përfshirë edhe mënyrën si do lidhen kontratat e punës. Kontrata e punës lidhet në formë të shkruar. Ajo mund të ndryshohet me shkrim, nëse palët bien dakord për ta bërë këtë. Kontrata e punës quhet e lidhur kur punëmarrësi pranon kryerjen e një pune ose shërbimi, për një periudhë kohe të caktuar ose të pacaktuar, brenda kuadrit të organizimit dhe sipas urdhrave të punëdhënësit dhe që, në bazë të këtyre rrethanave, kryhet vetëm kundrejt pagesës. Kontrata e punës duhet sidomos të përmbajë: identitetin e palëve,vendin e punës,përshkrimin e përgjithshëm të punës,datën e fillimit të punës,kohëzgjatjen, kur palët lidhin kontratë me afat të caktuar,kohëzgjatjen e pushimeve të paguara,afatin e njoftimit për zgjidhjen e kontratës,elementet përbërëse të pagës dhe datën e dhënies së saj,kohën normale javore të punës,referenca në kontratën kolektive në fuqi,periudhën e provës,llojet dhe procedurat e masave disiplinore.

Për raste të veçanta, të justifikueshme, nëse kontrata nuk është lidhur si më sipër, punëdhënësi është i detyruar ta lidhë atë brenda 7 ditëve kalendarike, që nga momenti i punësimit. Kur punëmarrësit i kërkohet të punojë jashtë Shqipërisë, për një periudhë më shumë se një muaj, punëdhënësi, pasi merr edhe pëlqimin e punëmarrësit, duhet t`i japë atij një dokument me shkrim. Kur punëmarrësi punon më shumë se 6 orë në ditë pa ndërprerje, duhet të parashikohet një pushim, pa pagesë, jo më pak se 20 minuta, i cili duhet të jepet pas tri orësh dhe jo më vonë se pas 6 orësh pune të vazhdueshme. Nëse punëmarrësi punon më shumë se 9 orë të vazhdueshme në ditë, i jepet një tjetër pushim, prej jo më pak se 20 minutash. Kohëzgjatja dhe koha e dhënies së këtij pushimi mund të përcaktohen me kontratën individuale ose kontratën kolektive të punës. Puna e kryer në ditën e pushimit javor kompensohet me një shtesë page, jo më pak se 25 për qind, ose me një pushim të pagueshëm, të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer plus një pushim shtesë, jo më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj pune. Puna e kryer në ditët e festave zyrtare, kur ato bien në ditë pune, kompensohet me një shtesë mbi pagë, jo më pak se 125 për qind, ose me një pushim të pagueshëm, të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer plus një shtesë, jo më pak se 125 për qind, të kohëzgjatjes së kësaj pune. Pushimi merret një javë para ose pas kryerjes së punës. Mënyra dhe masa e kompensimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, kontratë kolektive ose kontratë individuale.

 

Punësim i përkohshëm

Agjencia e punësimit të përkohshëm nënkupton punëdhënësin, i cili, në bazë të një kontrate pune, punëson një punëmarrës për të punuar përkohësisht në një subjekt pritës dhe që ushtron të drejtat e detyrimet e punëdhënësit bashkërisht me subjektin pritës. Subjekt pritës është çdo punëdhënës, i cili punëson përkohësisht një punëmarrës, të vendosur nga Agjencia, dhe ushtron të drejtat e detyrimet e punëdhënësit bashkërisht me Agjencinë. Punësim i përkohshëm nga Agjencia do të konsiderohet periudha kur një punëmarrës kontraktohet nga Agjencia për t’u punësuar përkohësisht nga një subjekt pritës, me kusht që midis Agjencisë dhe punëmarrësit të ketë një marrëdhënie kontraktore punësimi. Kohëzgjatja e së njëjtës punë, e kryer nga punëmarrësi i kontraktuar nga Agjencia, për të njëjtin subjekt pritës, është jo më shumë se 2 vjet. Ndalohet përdorimi i punës së përkohshme të Agjencisë në disa raste, sektorë apo për disa kategori të caktuara punonjësish, në rast se cenohet interesi i përgjithshëm, që lidhet, posaçërisht, me mbrojtjen e punonjësve të përkohshëm të agjencisë, kushtet e shëndetit dhe sigurisë në punë, ose kur kjo kërkohet për të siguruar funksionimin e duhur të tregut të punës apo për të parandaluar abuzimet. Rastet e ndaluara të punësimit të përkohshëm përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Kushtet bazë të punës dhe punësimit të punëmarrësve të Agjencisë, gjatë kohës kur ata punojnë në subjektin pritës, janë, të paktën, ato që zbatohen në rast se punëmarrësit do të ishin rekrutuar drejtpërdrejt nga subjekti pritës për të njëjtin vend pune. Kushtet bazë të punës dhe punësimit mbulojnë:

– kohëzgjatjen e punës, orët shtesë të punës, pushimet ditore si dhe kohën e marrjes së këtyre pushimeve, punën gjatë natës, pushimet me dhe pa pagesë si dhe festat zyrtare;

-të gjitha elementet e pagës

-mbrojtjen e grave shtatzëna, grave që sapo kanë lindur, nënave me fëmijë në gji dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve

-rregullat e parimit të trajtimit të barabartë.

Punëmarrësit e Agjencisë përfitojnë nga shërbimet dhe mjediset kolektive në subjektin pritës, mjediset për kujdesin e fëmijëve dhe shërbimet e transportit, në kushte të njëjta me punonjësit e punësuar drejtpërdrejt nga ndërmarrja e përdoruesit, përveçse kur dallimi në trajtim justifikohet nga arsye objektive. Në rast se punëmarrësi është punësuar për një kohëzgjatje të pacaktuar, gjatë periudhës që nuk është i punësuar në subjektin pritës paguhet, të paktën, 50% të pagës së tij/saj bazë, nëse ka, të paktën, 4 muaj punë pa ndërprerje tek Agjencia, ose 4 muaj gjithsej, brenda 6 muajve nga fillimi i punësimit. Punëmarrës që punojnë gjatë natës janë të gjithë punëmarrësit që punojnë, të paktën 3 orë të kohës së përditshme të punës së tyre, si rrjedhë normale, gjatë natës, ose që kanë të ngjarë të kryejnë një pjesë të caktuar të kohës vjetore të punës së tyre gjatë natës, siç përcaktohet në marrëveshjet individuale apo kolektive.

 

Telepuna

Me kontratën e punës në shtëpi punëmarrësi kryen punën e tij në shtëpi apo në ndonjë vend tjetër të përcaktuar në marrëveshje me punëdhënësin, sipas kushteve të rëna dakord midis tyre në kontratën e punës. Me kontratën e telepunës punëmarrësi kryen punën e tij në shtëpi apo në një vend tjetër, të përcaktuar në marrëveshje me punëdhënësin, duke përdorur teknologjinë e informacionit, brenda kohës së punës të përcaktuar nga punëmarrësi, sipas kushteve të rëna dakord midis tyre në kontratën e punës.

Kushtet e punës për punonjësit që punojnë në shtëpi apo në telepunë, nuk mund të jenë më pak të favorshme, në krahasim me punëmarrësit e tjerë, të cilët kryejnë punë të njëjtë ose të krahasueshme. Për këtë arsye, punëdhënësi duhet të marrë masa për:

-të lehtësuar telepunën, duke vënë në dispozicion, instaluar e mirëmbajtur pajisjet e nevojshme kompjuterike për kryerjen e saj, përveç rasteve kur punëmarrësi, që kryen telepunën, përdor pajisje personale,

-të parandaluar izolimin e punëmarrësit, duke i krijuar kushte për t’u takuar me punëmarrësit e tjerë. Nuk do të konsiderohet se punëmarrësi kryen “punë në shtëpi” ose “telepunë” nëse ai punon, rastësisht, në një vend tjetër pune nga ai i rënë dakord në marrëveshjen me punëdhënësin ose, në rrethana të veçanta, me pëlqimin e tij, apo sipas një marrëveshjeje me të, kryen një lloj tjetër pune, të parashikuar në kontratë”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency