Katastrofa e parashikueshme

0
112

Barbara Wesel

 Barbara WeselGjithnjë e më shumë refugjatë duan të vijnë në Evropë, thuhet në Bruksel. Kjo së paku është e sinqertë, por shtetet anëtare të BE-së mbyllin sytë, se nuk duan t’i pranojnë njerëzit, mendon Barbara Wesel.

Është pranverë dhe përsëri fillon sezoni i refugjatëve. Lajmet dhe pamjet e këtyre ditëve për shpëtimin e refugjatëve në Mesdhe përputhen pikërisht me atë, nga e cila kishin frikë evropianët vitin e kaluar. Vetëm se numrat rriten vazhdimisht. Nëse në vitin 2014 arritën rreth 230.000 refugjatë me varka nëpër detin Mesdhe, organizatat e refugjatëve që nga fillimi i këtij viti vërejnë një rritje prej 60 për qind. Duke mos llogaritur njoftimet fatale për ato njerëz, nga të cilët nuk mbetet më shumë se një varkë e përmbysur mbi valë dhe dëshmia e disa të mbijetuarve, si tani së fundi para brigjeve të Libisë.

 

Përgjigja e BE-së është e vështirë

Po aq e parashikueshme si ngjarja, janë edhe reagimet në Bruksel. Personat përgjegjës shprehin pikëllim dhe indinjatë dhe flasin për bandat e kontrabandistëve, që bëjnë bizneset e tyre të fëlliqura me jetën e njerëzve të pafajshëm. Komisioneri i BE-së për Refugjatët, Dimitris Avramopoulos, shpjegon thjesht se fluksi i madh është norma e re, me të cilën duhet të përballemi. Ai do të paraqesë muajin e ardhshëm planin për politikën e re për refugjatët. Ajo do të jetë përsëri e pamjaftueshme, kaq është ndërkohë e qartë. Dhe së dyti do të kalojnë vite, derisa vendet anëtare ta miratojnë atë në një formë të limituar. Sepse pushteti politik, kur bëhet fjalë për migracionin dhe refugjatët, nuk është në Bruksel, por në kryeqytetet evropiane. Dhe ato mbyllin veshët e sytë për këtë çështje.

 

Problemi nuk është misioni i shpëtimit në det

Organizatat humanitare dhe disa deputetë evropianë kërkojnë sërish një aksion për shpëtimin nga mbytja në Mesdhe, të financuar nga BE-ja. Ato u ankuan vitin e kaluar për përfundimin e aksionit italian “Mare Nostrum”, që kishte si qëllim shpëtimin e refugjatëve në det. Ky mision i kushtonte Romës çdo muaj nëntë milionë euro, para, të cilat Brukseli mund t’ua kishte dhënë italianëve, si të thuash nga arka e tij e vogël. Por kjo nuk ndodhi, për arsye se vendet anëtare, si Britania e Madhe apo Gjermania e konsideronin të dëmshëm “Mare Nostrum”. Misioni u krijon iluzionin e rremë refugjatëve duke besuar se do t’i shpëtojnë e kësisoj ata nisen për në Evropë, gjithashtu kjo shkon në favor të biznesit të kontrabandistëve. Ministri i Brendshëm gjerman de Maizière foli atëherë madje për “ndihmë”.

Është mit të besosh se problemi kryesor qëndron tek mungesa e vullnetit për të shpëtuar nga mbytja në det. Italianët e kanë përfunduar “Mare Nostrum” për arsye të politikës së brendshme. Ato nuk mund t’u shpjegojnë më qytetarëve të tyre, se si sillnin në tokë gjithnjë e më shumë refugjatë, pa marrë ndihmë nga Evropa. Por edhe gjatë aksionit të tyre humbën jetën 3000 vetë. Edhe misioni shumë i kritikuar i BE-së, Triton, ndihmon për shpëtimin e atyre, që janë në rrezik në det. Dhe roja bregdetare kufitare italiane patrullon si dhe më parë sidomos para brigjeve të Libisë, siç kemi parë edhe ditët e fundit. Natyrisht me një mision të gjerë, të financuar nga evropianët, mund të nxirreshin në tokë edhe më shumë njerëz,.Por atëherë duhet të vendosnin praktikisht një shërbim javor trageti në portet e Libisë. Kjo të paktën do t’u prishte biznesin trafikantëve dhe do t’u ofronte me të vërtetë siguri refugjatëve.

 

Debati evropian për refugjatët është hipokrizi

Problemi me krizën e refugjatëve në Evropën është se askush nuk thotë të vërtetën. Njerëzit nga Siria, Eritrea, Mali, Nigeria dhe së fundi Jemeni ikin nga lufta civile, vdekja, shtypja çnjerëzore dhe persekutimi fetar. Përballë tyre qëndrojnë vendet evropiane, që nuk janë të gatshme t’i pranojnë këto refugjatë. Këtu qeveria gjermane është relativisht shembullore. Ajo i ka rritur në heshtje numrat dhe është tani në krye të vendeve pritëse në Evropë. Por grupet e djathta ekstremiste po e shfrytëzojnë këtë gjithnjë e më tepër për t’i nxitur njerëzit kundër tyre, siç dëshmojnë vëniet e zjarrit në fundjavë. Por qeveritë e tjera, sidomos në Londër dhe Paris, e largojnë vëmendjen tërësisht. Ato kanë frikë nga ndikimi i populistëve të tyre të djathtë dhe kanë frikë t’u tregojnë qytetarëve të tyre, se duhet të pranojnë për hir të humanizmit më shumë refugjatë. Dhe vendet, aty ku mbërrijnë refugjatët, Italia dhe Greqia, e ndihmojnë vetë veten në mënyrën e tyre. Ato lenë çdo muaj mijëra vetë të kalojnë lirisht për në Veri, ku i pret një jetë në ilegalitet

 

Përse të mos ketë kampe për refugjatë në Evropë?

Në kushtet politike, që mbizotërojnë, nuk ka zgjidhje për problemin. Edhe fjalët për më shumë ndihmë evropiane fshehin vetëm se Libia është një shtet i dështuar jashtë kontrolli, që mund të izolohej me një bllokadë detare. Por edhe atëherë refugjatët do të kërkonin rrugë të reja, si përmes Egjiptit, apo Tunizisë. Edhe qeveria turke nuk është e gatshme të bashkëpunojë me BE-në për t’i luftuar bandat e kontrabandistëve në portet e saj. Pra, kur ata që duan të ikin nuk i ndal dot, dhe vendet evropiane nuk duan t’i pranojnë, duhet folur sinqerisht për zgjidhje të tjera.

Evropianët mund të ngrinin për shembull kampe në kufijtë në jug të Evropës Jugore dhe t’i paguanin nga arkat e BE-së. Atje mund të shqyrtonin aplikimet për azil, t’i shpërndanin në vende të tjera refugjatët e luftës dhe të refuzuarit të prisnin atje për t’u kthyer në atdhe. Sepse planet e paqarta për të bërë diçka të tillë diku në Afrikën e Veriut, nuk janë gjë tjetër veçse fjalë boshe. Vendet fqinje të Sirisë kanë pranuar miliona refugjatë, të cilët presin atje të përfundojë lufta. Bashkimi Evropian gjithashtu mund ta bënte një gjë të tillë. Por për çdo lehtësim të problemit të refugjatëve në Evropë përgjigja deri tani ka qenë: mungon vullneti politik. Ndoshta duhet të vendosim në kufijtë tanë tabela: qëndroni ju lutem jashtë dhe vdisni diku tjetër!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency