Standard.al

BSH: Individët janë stepur për të blerë shtëpi, “bumi” deri në vitin 2008

Ervin Kaduku

 banka e shqiperise–  Nga kërkesa e lartë, çmimet e banesave kanë paraqitur rritje të ndjeshme gjatë periudhës 2000-2007, mesatarisht 15% në vit

–  Norma e rritjes së portofolit të kredisë bankare për banesa është zvogëluar dukshëm, duke shënuar edhe vlera negative në dy vitet e fundit

Çmimet e banesave kanë shfaqur rritje të ndjeshme gjatë periudhës 2000-2007. Gjatë kësaj periudhe, çmimet e banesave janë rritur mesatarisht me rreth 15% në vit. Por, zhvillimet gjatë periudhës 2008-2013 flasin, në të kundërt, për një ngërç në tregun e pasurive të paluajtshme, ku çmimet kanë shfaqur edhe tkurrje të herëpashershme.

Në mungesë të të dhënave gjithëpërfshirëse për tregun e banesave në Shqipëri, analiza e tregut të banesave bazohet në indeksin e çmimeve të banesave për Tiranën. Në qytetin e Tiranës, ndër faktorët e parë që kanë sjellë rritje të kërkesës për ndërtime të reja, që prej fillimit të viteve ’90, kanë qenë mungesa e hapësirave të mjaftueshme për strehim, cilësia e dobët e banesave ekzistuese, ndryshimi i sjelljes së individëve për të jetuar në familje më të vogla, si dhe ndryshimi i hartës demografike e nxitur nga faktorë ekonomikë dhe socialë. Një burim tjetër kryesor i kërkesës për blerje të apartamenteve të reja ishte edhe kërkesa nga emigrantët, e cila ka ardhur në rritje deri në fund të vitit 20072. Ndërkohë, me fillimin e krizës, kërkesa nga emigrantët ka pësuar rënie, në përgjigje të përkeqësimit të kushteve të tregut të punës në vendet ku jetojnë.

Një faktor tjetër i rëndësishëm në rritjen e çmimeve të banesave në vite ka qenë rritja e të ardhurave të disponueshme të popullsisë. Rritja e të ardhurave duket të ketë mbështetur kërkesën për banesa dhe rritjen e çmimeve në tregun e banesave deri në fillim të vitit 2008. Më pas, me ngadalësimin e të ardhurave, vihet re një stepje e individëve si për të blerë banesa, si edhe për të kërkuar kredi. Këtij faktori i bashkëngjitet dhe pasiguria për të ardhurat në të ardhmen, ku rritja e papunësisë dhe në tërësi pasiguritë në tregun e punës, janë reflektuar në një tkurrje të kërkesës së individëve për banesa.

Konsolidimi dhe rritja e fleksibilitetit të sistemit bankar për të kredituar individët dhe firmat e ndërtimit, përbën një faktor tjetër që ka ndikuar si në rritjen e kërkesës, ashtu edhe të ofertës në tregun e banesave. Financimi me kredi nga sektori bankar, gjatë periudhës 2002-2007, ka përbërë një burim të rëndësishëm financimi për individët. Çmimet e larta të ndërtesave bënin të mundur që ata të zotëronin kolateral të mjaftueshëm për të marrë kredi të re dhe për të zgjeruar kërkesën për banesa. Mbas vitit 2008, norma e rritjes së portofolit të kredisë për banesa është zvogëluar dukshëm, duke shënuar edhe vlera negative në dy vitet e fundit.

Një tjetër komponent i kërkesës për banesa në Shqipëri, është edhe blerja e saj për qëllime investimi. Përdorimi i banesës për qiradhënie rrit mundësinë e fitimit nga investimi i kursimeve/ i pasurisë në banesa. Qiraja përfaqëson fitimin e pritshëm nga kapitali dhe përngjason me fitimin e marrë nga investimet në letrat me vlerë.

Kursi i këmbimit është një faktor i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Monedha euro në tregun e pasurive të paluajtshme është gjerësisht e përdorur, ku fillimisht kuotimi i banesave në euro është diktuar nga ndërtuesit. Gjithashtu, përzgjedhja e përdorimit të monedhës së fortë lidhet me faktin se, banesa konsiderohet si një mjet investimi dhe kursimi afatgjatë. Si e tillë, për t’u mbrojtur nga luhatjet e vlerës së monedhës vendase apo nga mundësia e një inflacioni të lartë, agjentët ekonomikë kanë preferuar që kuotimet dhe transaksionet të kryhen në monedhë të huaj. Në këtë këndvështrim, në kushtet e një pasigurie të shtuar në tregjet financiare, pritet që individët të zhvendosin kursimet e tyre në tregun e banesave, duke ndikuar kështu në rritjen e kërkesës për banesa e për pasojë edhe të çmimeve.

Sipas analizës së BSH, në periudhën afatgjatë çmimet e banesave kanë një lidhje kointegruese me raportin e kredisë ndaj PBB-së, me interesin 12-mujor të bonove të thesarit dhe me luhatshmërinë e kursit të këmbimit. Një rritje me 1 pikë përqindje e raportit të kredisë ndaj PBB-së do të shoqërohet me një rritje të çmimeve të banesave prej 0.31% në periudhën afatgjatë.

Për më tepër, lidhje pozitive është gjetur edhe me luhatshmërinë e kursit të këmbimit. Kështu, një rritje me 1 devijim standard i luhatshmërisë së kursit të këmbimit do të çonte në një rritje me 0.06% në çmimet e banesave në periudhën afatgjatë.

 

Shtetet e huaja, ja si menaxhojnë situata të ngjashme me ato të Marinzës

Prej vitesh banorët e Zharrëzës e fshatrave përreth akuzojnë për tërmetet në zonën e tyre industrinë e naftës. Duke ju referuar mungesës së informacionit, është prezumuar se këto tërmete nuk shkaktohen nga operacionet naftënxjerrëse. E ngjashme ka qenë situata dhe në vendet e tjera të botës ku ka tërmete të shkaktuara nga nxjerrja e naftës e gazit. Shtetet kanë qëndruar inaktive, në mes të amullisë së shkakut të tërmeteve e dëmeve ekonomike që do të shkaktoheshin nëse aktivitetet naftënxjerrëse do të prekeshin. Por me sa duket situata po ndryshon. Dy lajme që vijnë së fundmi nga Holanda dhe Kanadaja japin shpresa se qeveritë do të trajtojnë më me përgjegjshmëri tërmetet e shkaktuara nga nafta. Qeveria holandeze kërkoi ndjesë publike së fundmi për injorimin e tërmeteve të shkaktuara nga nxjerrja e naftës në provincën veriore të Groningenit.

Ndjesa publike vjen pas një raporti në 18 shkurt të Bordit të Sigurisë, një organ i pavarur. Sipas raportit qeveria, së bashku me kompaninë Shell e Exxon, kishte vendosur fitimet përmbi sigurinë, gjatë shfrytëzimit të fushës gazmbajtëse të Groningenit, më e madhja në Evropë. “Më vjen shumë keq që interesi i groningenianëve për siguri nuk u trajtua me kujdesin që meritonte. Por në të ardhmen siguria do të ketë prioritet”, – deklaroi ministri i Ekonomisë, Henk Kamp.

Në shkurt, u vendos pakësimi i prodhimit në fushën e Groningenit me 16%. Gjithë partitë politike në Hollandë po kërkojnë që kjo fushë të mos prodhojë më gaz në nivelet e mëparshme. 30,000 ndërtesa u dëmtuan nga tërmetet në këtë zonë. Shell dhe Exxon kanë lënë 1,2 miliard euro fond për kompensimin e dëmeve.

Lajmi tjetër vjen nga Alberta, Kanadaja. Industria e naftës argjilore është urdhëruar nga autoritetet e Albertës që të monitorojë dhe parandalojë tërmetet, pasi këto të fundit vunë re se një sërë tërmetesh po shkaktoheshin nga frakturimi hidraulik. Nëse tërmetet janë mbi 2 ballë, nxjerrësit e naftës duhet të marrin masa për pakësimin e aktivitetit. Nëse tërmetet janë mbi 4 ballë nxjerrësit e naftës duhet të ndërpresin menjëherë aktivitetin e nxjerrjes dhe nuk mund ta rifillojnë derisa të marrin aprovim nga autoritetet.

 

Pakësohen më tej fondet kufi për shpenzimet kapitale të kryera nga buxheti i shtetit

Qeveria do të programojë për një periudhë afatgjatë limitet e fondeve publike për investimet publike. Ky detyrim që rrjedh nga marrëveshja me FMN dhe nga Strategjia e Re e Menaxhimit Financiar do të duhet të adaptohet qysh këtë vit.

Burimet nga Ministria e Financave pohuan limitet e angazhimeve shumëvjeçare për projektet e investimeve dhe marrëveshjeve të tjera afatgjata kontraktuale do të prezantohen në programin buxhetor afatmesëm 2016-2018.

Më pas këto kufizime do të miratohen nga Parlament dhe do të shoqërohen me një sërë masash të tjera legjislative, që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren për të garantuar një kuadër fiskal të qëndrueshëm.

Projektet e hapura të infrastrukturës rrugore tejkalojnë aftësinë paguese të qeverisë për periudhën afatmesme. Për të minimizuar rreziqet, FMN ka sugjeruar një plan për prioritizimin e të gjitha projekteve të infrastrukturës, të cilat përbëjnë shumicën dërrmuese të projekteve të pafinancuara, duke përdorur kritere transparente me qëllim anulimin apo shtyrjen e projekteve më prioritet më ulët.

Si hap i parë duhet kryhet një studim paraprak të të gjitha këtyre projekteve. Pastaj renditja e këtyre projekteve duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe të publikohen në faqen e internetit të Ministrisë së Financave dhe të asaj të Ekonomisë.

Ministria e Financave gjithashtu do të zbatojë një modul specifik që do të rrisë ndjekjen dhe monitorimin e projekteve të investimeve për të siguruar që të ardhurat e punës së shkruar në kontratë kanë në përputhje me angazhimet buxhetore.

 

Skema e re, OSHEE fiton 3.4 milionë euro në blerje energjie

 Marrëveshja e arritur në muajin shkurt 2015 mes KESH dhe OSHEE për shitjen e tepricave të energjisë së KESH për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes kundrejt çmimit mesatar të bursës Hungareze të periudhës, vetëm për periudhën mars-prill 2015 gjeneroi afro 5.2 milionë euro likuiditete shtesë për sistemin elektroenergjetik (3.68 milionë euro më pak shpenzime për OSHEE-në dhe 1.47 milionë euro të ardhura shtesë për KESH sh.a.), bënë të ditur burimet në Ministrinë e Energjetikës.

Në vijim të një marrëveshjeje të arritur në muajin shkurt 2015, tepricat e energjisë i shiten shoqërisë OSHEE sh.a. për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes kundrejt çmimit mesatar të Bursës Hungareze të periudhës kur kryhet lëvrimi i energjisë (për muajt mars e prill 2015 janë përkatësisht 35.66 euro/MWh dhe rreth 36 euro/MWh, i pritshëm).

Për 10-ditëshin e parë të këtyre dy muajve (mars dhe prill 2015), OSHEE sh.a. bleu energji elektrike për mbulimin e humbjeve nga tregu i importit me çmimet mesatare respektive 50.72 euro/MWh dhe 52.13 euro/MWh.

Për pjesën tjetër të këtyre dy muajve, OSHEE sh.a. e siguroi energjinë për mbulimin e humbjeve nga KESH sh.a. përkundrejt çmimit të bursës, i cili përgjithësisht është rreth 15 euro/MWh më i lirë se çmimi i tregut të parregulluar – importit, duke reduktuar shpenzimet e veta për blerje energjie me rreth 2.03 milionë euro për marsin 2015 (rreth 135.810 MWh X 15 euro/Mwh më lirë) dhe rreth 1.65 milionë euro për prillin 2015 (110.400 MWh X 15 euro/MWh më lirë).

Si rezultat i detyrimit kryesor që KESH sh.a. si kompani publike ka në bazë të akteve ligjore e nënligjore në fuqi për sektorin e energjisë elektrike, KESH sh.a. është i detyruar të eksportojë energji elektrike vetëm në profilin e natës (orët 22:00-06:00), kohë kur konsumi i vendit është në nivelet më të ulëta dhe agregatet e HEC-eve të Kaskadës së Lumit Drin mund të ngarkohen maksimalisht për eksport të energjisë, për të shmangur derdhjen e ujit pa prodhim të energjisë elektrike dhe pa cenuar nevojat e klientëve tariforë.

 

Skema

Në këtë mënyrë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka ndryshuar skemën e eksportit të energjisë elektrike. Prej dy ditësh, Korporata po eksporton energji në 24 orë dhe jo si më parë, kur energjia eksportohej vetëm në orët e pikut dhe në bazë të kontratave të lidhura me furnitorët e ndryshëm. KESH raporton se ka rimodeluar regjimin e prodhimit energjetik në mënyrë të tillë që, niveli dhe shfrytëzimi i prurjeve të mënjanojë plotësisht nevojat për shkarkime pa prodhim energjie. Zbatimi i procedurës së re parashikon nxjerrjen e prodhimit në një treg të parregulluar, duke u bazuar te çmimi aktual në bursën e energjisë dhe duke shmangur detyrime të tjera kontraktuale. Vetëm në datën 15 prill KESH ka shitur energji brenda 24 orëve në një sasi prej 40.320 megavatorësh me një çmim prej 31.13 eurosh për megavator. Në të njëjtën kohë, çmimi i energjisë në bursën e Budapestit gjatë këtij afati kohor ka qenë 32.02 euro për megavator, apo rreth 0.89 euro për megavator më i lartë se çmimi mesatar i kontraktuar nga Korporata. Vlera e arkëtuar nga Korporata arrin në rreth 1 milion e 250 mijë euro, vetëm duke menaxhuar tepricat e saj të prurjeve ujore. Ndërkohë që në njoftimin e Korporatës thuhet se e gjithë kjo situatë pozitive vjen për shkak të prurjeve ujore, që kanë ardhur në basenin e lumit Drin gjatë kësaj kohe.

Nxjerrja e energjisë elektrike në treg gjatë 24 orëve është një praktikë e re për KESH-in, që nuk është përdorur më parë për shkak se Korporata ka qenë gjithnjë e detyruar, me rregulloren e vjetër, të shiste energji sipas kontratave të lidhura me çmim të paracaktuar, ku një pjesë e mirë e kësaj sasie shkonte për të mbuluar humbjet e shpërndarjes.

 

Nënshkruhet kontrata me gjermanët për hekurudhat

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto firmosi dje me kompaninë “JV RAILCON” kontratën për projektin e detajuar të linjës hekurudhore Durrës–Tiranë dhe vlerësimin financiar/ekonomik të të gjithë rrjetit hekurudhor në Shqipëri. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është rigjallërimi i hekurudhave shqiptare dhe zhvillimi i transportit hekurudhor, duke përmirësuar infrastrukturën hekurudhore. Ky projekt është pjesë e parashikimeve buxhetore të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për periudhën 2015-2017 në programin “Transporti Hekurudhor”.

Në ditët e sotme, rrjetit hekurudhor shqiptar i mungon sinjalistika dhe komunikimi i duhur si dhe përfshin katër linja kryesore hekurudhore Durrës -Tiranë, Shkozet-Vlorë, Vorë – Hani i Hotit dhe Rrogozhinë -Pogradec (Guri i Kuq).

Përveç kësaj, ka një degë të linjave hekurudhore nga Fieri në Rafinerinë e Ballshit. Gjithashtu, ekzistojnë tri linja në Budull në Fushë-Krujë, në Elbasan, si dhe në Shkozet në Portin e Durrësit. Në total, ky rrjet është 423 km i gjatë dhe ka dy aksese, në Detin Adriatik në Portin e Durrësit (port për ngarkesë) dhe në portin e Vlorës (port për anijet), si dhe vetëm një lidhje në brendësi të rrjeteve hekurudhore në vende të tjera për trafik ndërkombëtar, rrjet hekurudhor ky i vendosur në veri të Malit të Zi në Hanin e Hotit.

Zbatimi i projektit do të bëhet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave sh.a.

 

Gjermania: Greqia rrezikon seriozisht falimentin

Ministri i Financave i Gjermanisë deklaroi se nuk ekziston asnjë perspektivë që Eurozona të arrijë një marrëveshje me Athinën javën e ardhshme mbi reformat ekonomike, që do të zhbllokonin fondet e ndihmës, duke e rrezikuar potencialisht Greqinë që së shpejti të ‘mbetet trokë’. Si qeveria greke, ashtu dhe kreditorët e saj, kanë deklaruar se ata kanë nevojë të arrijnë të paktën një marrëveshje kuadër në takimin e 24 prillit me ministrat e Financave të zonës së euros në kryeqytetin e Letonisë, Riga.

Por Athina, e cila ka sinjalizuar se gjason të mbetet pa kesh-in e mjaftueshëm për të shlyer pagesat ndaj kreditorëve ndërkombëtarë në muajin maj, nuk ka krijuar ende një program të pranueshëm reformash.

Ministri gjerman i Financave, Volfgang Schauble, tha për Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë në Nju Jork se askush nuk pret një marrëveshje në takimin e Rigës apo në javët e ardhshme.

Ministri veteran konservator duket se sugjeron që zona e euros ka të ngjarë të përballet me falimentin e ekonomisë greke, ndërsa deklaroi se tregjet kishin ‘vlerësuar’ të gjitha pasojat e mundshme për problemet e borxhit të Greqisë dhe se nuk kishte rezultuar asnjë mundësi që situata të ishte ‘ngjitëse’ për huamarrësit e tjerë kombëtarë në eurozonë.

 

 

Comments are closed.