Qeveria Rama antisociale, persekuton të varfërit

0

albana vokshi

Nga Albana Vokshi

Mendja dhe logjika e donte që deputeti Kokëdhima, nëse ishte i qetë në pastërtinë dhe ndershmërinë e tij, ti kërkonte vetë kryeministrit dhe kolegëve të tij deputetë, që ta çonin çështjen në Gjykatën Kushtetuese, që drejtësia të thoshte fjalën e saj.

Por, ‎historia vëllazërore me grupin 2K u ligjërua 15 vite më parë në Bashkinë e Ramës dhe tani është aksioneri, që ka vënë nën sekuestro të gjithë Shqipërinë. Parlamentin, sigurisht e ka nën kontroll për të grisur Kushtetutën.

Në fakt, ju e përdorët edhe një herë mizorisht Parlamentin për të mbrojtur krimin, antiligjin, antikushtetutën, shfrytëzimin e pasurive kombëtare nga pushteti, konfliktin e interesave, dhunimin e praktiva parlamentare. Pra, me një fjalë ju u larguat edhe më shumë në kauzën e dekriminalizimit me farsën e rradhës në Këshillin e Mandateve dhe sot në seancë.

Por, ne si opozitë nuk do ju lejojmë që të pushkatoni ligjet dhe demokracinë sikurse vepruan etërit dhe parardhësit tuaj politikë, 45 vjet në këtë sallë.

Të nderuar kolegë deputetë,

Sot, në axhendën plenare kemi votimin e  një projektligji,  i cili na vjen në vazhdën e një sërë praktikave korruptive me burimet energjetike kombëtare të cilat tashmë shfrytëzohen nga klanet qeverisëse në kurriz të natyrës e më shumë të xhepave të shqiptarëve. Këto projektligje, bazuar në mendimin e ekspertëve të njohur të fushës na shpalosen abuzive për nga mungesa e informacionit, interpretimit, ekspertizës dhe pasojave ose përfitimeve, ndërkohë që “gjoba” financiare e favoreve “në natyrë” u faturohet shqiptarëve, njësoj si ndodhi me historinë abuzive të rimbursimit të “CEZ-it”

Në fakt, kur po shfletoja project-ligjin mu sollën ndërmend kohët kur ju keni zhvilluar për vite të tëra një gjueti të ethshme shtrigash për koncesionet, marrëveshjet, kontratat që ka bërë qeveria e mëparshme në fushën e energjitikës të cilat përkundër asaj që ju dëshironit, hapën një kapitull të ndriçuar, 24 orë drita në çdo vatër shqiptare, në çdo skutë të këtij vendi.

Seancën e shkuar, ju kishit një shans historik për tu treguar se jeni për një reformë sociale energjetike në mënyrë që energjia, shërbimi bazë i një shoqërie, të mos mbesë mollë e ndaluar për mijëra familje, që energjia me faturat e saj aforfe të papërballueshme të mos bëhet shkak për drama të rënda sociale e familjare. Që të mos përsëriten më raste famëkeqe si ai i :

–       26 vjeçarit SK nga Mëzez-i, i cili humbi jetën duke tentuar që bashkë më të jatin të rilidhin energjinë elektrike, për të gatuar një vakt për mysafirët, në shprehje të traditës së mikpritjes e të bujarisë shqiptare,

–       apo rasti i z. Sula, nga Lezha, i cili u çua në burg vetëm pse lidhi energjine kur i nisën krizat djalit të tij të sëmurë me epilepsi,

–      apo rasti i 56 vjeçarit nga Novosela e Vlorës (Llazi Naso) që u vetëvar në kasollen e lopës pasi kishte kaluar në gjendje depresioni për shkak faturave të 10 fishuara të energjisë elektrike të cilat ai nuk mund t’i paguante

–      apo 52 vjeçari (Gjovalin Lazri) nga Tale i Lezhës, babai i 4 fëmijëve, invalid prej 10 vitesh që i dha fund jetës duke pirë fotoksinë, pasi fatura e energjisë elektrike së bashku me debitë dhe kamatvonesat e akumulauara ndër vite, i kishin ardhur 7milionë lekë, dhe ishte e pamundur t’i shlyente.

Të nderuar qytetarë,

Sot, Qeveria po “kullot” në pasuri kombëtare dhe ju u dorëzuat në mjerim dhe po lini gjithçka dhe po ikni nga Shqipëria.

Kuvendi në fakt sot duhet të kishte në axhendën e diskutimeve këtë eksod të dytë të shqiptarëve, ku autoritetet gjermane raportuan se vetëm në këto dy muaj mbi 3 mijë familje shqiptare kërkuan azil ekonomik. Ndërsa në raportet zyrtare mbi 50 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria në 2014.

Papunësi, spastrim politik të administratës, përndjekje politike e mësuesve, mjekëve, infermierëve. Përndjekje politike e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, përndjekje politike edhe në raportet shëndetësore për personat me aftësi të kufizuar, mbushja e burgjeve me të varfër që nuk kishin subvencion nga shteti për të paguar energjinë. Të gjitha këto veprime ç’njerëzore janë sjellje tipike të regjimeve totalitare, ku populli zhvatet dhe udhëheqja bën jetë luksi.

Fjalimet e stërgjata, pa rrjedhë logjike, e aq më pak saktësi terminologjike apo numerike, nuk i kanë qetësuar dot shqiptarët që po paguajnë 2 ose 3 herë më shumë për faturat e dritave. Dhe matematika e kryeministrit atyre nuk u del.

Sot, qytetarët kërkojnë të dinë nga Kryeministri i tyre se pse u duhet të paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike, ndërkohë që ai vazhdon tu thotë që ata paguajnë më pak?

Shqiptarët pyesin pse u janë pakësuar të ardhurat?

Pensionistët pyesin, çfarë po ndodh me fëmijët e tyre, pse janë pa punë?

Kriza, mjerimi po shkakton një ekzil të dytë për shqiptarët.

Mijëra prej tyre, shumica të rinj po emigrojnë nga Shqipëria pasi ëndërrat e tyre janë shuar e po kërkojnë një jetë më të mirë diku tjetër.

Shkoni fare pak kilometra larg kësaj salle dhe do përballeni me një realitet mesjetar të mizerjes ekonomike. Po flas për dhjetra familje tek Jordan Misja; apo të ish-shkolla e Partisë (se kështu mund ta kuptoni më mirë adresën ju), në kombinat e me qindra geto periferike apo dhe në qendër të qyteteve e komunave të Shqipërisë. Ata s’kane vakte normale ushqimi dhe ju u nisni fatura me qindra mijë ose mln lekë pagesë energjie. Ata s’kanë soba me korrent, as lavatrice, as kondicionerë, dhe ju prapë i postoni atyre fatura që nxijnë nga mllefi juaj antisocial.

Më pas vijnë prangat dhe dhomat e paraburgimit. Fiks si në situatën e revolucionit të Tetorit kur babai i ideologjise suaj Lenini shprehej ndër të tjera se *diktatura duhet të ushtrojë sovranitetin e saj nëpërmjet mbajtjes së popullit në gjendje të uritur.*

Dhe sot, terrori juaj po ushtrohet përmes skamjes, taksave marramendëse, tritolit, rruspave dhe korrupsionit galopant të shtetit të inkriminuar.

Dhe është kaq cinike të mendosh se Rilindja i urrejnë kaq fort të varfërit, mbase sepse ata janë larg shijes së Kryeministrit, i prishin pamjen, i prishin ngjyrat me të cilat ai do të pikturojë mjedisin e tij imagjinar ku sigurisht mbizotëron ngjyra mavi.

Ndaj, kjo qeveri nuk i ka në fokus të punës (aq më pak në axhendën politike të ministrit mjaftist) pensionistët, kryefamiljarët, fshatarët që kanë tokë, tetra dhe paraplegjikët, të papunët, romët, egjiptianët me të cilët po talleni në mënyrë edhe më cinike me kompensimin e premtuar të energjisë elektrike të cilët po e jepni jo si një e drejtë, por si një lëmoshë.

Po e filloj nga ata që janë përjashtruar me pa të drejtë, mbase harresë? Apo paaftësi??

Keni përjashtuar kategorinë e të papunëve në pagesë papunësie. Imagjinoni një familje që kryefamiljari është i papunë dhe me pagesë papunësie jo më shumë se 80 mijë lekë/muaj nuk kompensohet dhe një familje tjetër që ka rrogë 300 mijë lekë kompensohet. Me këtë rast ne ju propozojmë që të bëni amendim i ligjit ku të përfshihet edhe kjo kategori,

Por edhe ata që janë të përfshirë,

1 – duhet të plotësojnë një formular, dhe dorëzuar disa dokumenta, që pensionistët po i bën të shkojnë cep më cep të Shqipërisë në sorollatje pa fund dhe invalidët apo personat me aftësi të kufizuar (PAK) të qëndrojnë orë e orë të tëra para zyrave të ISSH-së. Jam e sigurt që tani ata kujtojnë me nostalgji kohën e Saliut kur kompensimi për kategoritë e përcaktuara u shkonte direkt në llogarinë e tyre dhe ata e merrnin atë pa asnjë mundim.

2 – edhe sikur të plotësojnë formularin dhe dokumentat, një pensionist apo PAK, s’duhet të jetë fshatar. Kur je në fshat, ke tokë. Kush ka tokë që mund ta ketë përfituar me 7501, nuk meriton kompensim, edhe sikur të jesh mbi 70 apo 80 vjeç e nuk mundesh ta punosh dot atë tokë.

3 – por edhe sikur të plotësosh kriteret 1 dhe 2, duhet ta kesh shtëpinë në emrin tënd, ose ta bësh në emrin tënd s’duhet të jetosh me qera. Dhe duhet, pavarësisht se je me qera, apo banon te fëmijët, të kesh faturën e dritave në emrin tënd pra, këto kushte, përjashtojnë shumicën e pensionistëve të cilët nuk po arrijnë ta marrin kompensimin e famshëm për të cilin dëgjojnë çdo ditë nga Kryeministri apo Ministri i Mirëqenies.

4 – por edhe sikur ti plotësosh kriteret nga 1 te 3 duhet urgjentisht të ndahesh nga gruaja, edhe në moshat e thyera, pasi duhet të jetosh vetem që të përfitosh një copë kompensim, që ju siguroj nuk vlen aq sa për të shkatërruar familje.

Pra absurditeti juaj s’ka kufi pasi përveç efekteve të tejskajshmë ekonomike, ju po shkaktoni edhe efekte negative sociale në shoqërinë shqiptare, po detyroni të prishni familjet, të ndani burrin nga gruaja edhe në pleqëri, prindi nga fëmija për të marrë një kompesim qesharak.

Sipas shoqatave të Personave me Aftësi të Kufizuar, ju nuk keni bërë një verifikim të plotë dhe të saktë, as në numrin e personave përfitues dhe as në shumën e lekëve që i takon një familje të shtresave në nevojë në lidhje me kompensimin e nergjisë elektrike. Në mbi 70 mijë invalid, vetëm 20% e tyre e kanë përfituar deri tani, pjesa tjetër të ngrohet në diell thotë Qeveria.

Kryeministri ka deklaruar që të gjitha familjet e PAK dhe familjet me ndihmë ekonomike, debitore ndaj OSSHE-së, do të paguajnë vetëm 1 mijë lekë në muaj. Në fakt kjo gjë, nuk ka ndodhur me PAK.  Ata paguajnë si të gjithë qytetarët e tjerë 2 mijë e 500 lekë në muaj energjine e prapambetur duke vështirësuar në maksimum gjendjen e tyre sociale në familje. Pra ndryshe deklarohet dhe ndryshe veprohet. Kryeministri ose nuk di se çfarë ndodh në qeverinë e tij, ose nuk do të dijë. Duke mos besuar të dytën, do ti lutesha të verifikonte e të realizonte premtimin e bërë ndaj këtyre shtresave më në nevojë të shoqërisë shqiptare.

Të nderuar kolegë,

Sot Shqipëria ka vetëm diellin e Zotit që ngroh. Sepse mijëra familje janë pa ushqim, pa të ardhura, pa ilaçe, pa kurim, pa strehim, pa ndihmë ekonomike, mundësi shkollimi e punësimi për fëmijët. Ku janë këto kategori dërrmuese të  shoqërisë sonë në këtë vendimarrje parlamentare, në ekzekutiv, në institucione? Asgjëkundi!!! Ata rrinë atje të heshtur, në vetminë e mjerimit, braktisjes së shtetit por janë ata që vrasin ndërgjegjen e politikës me pushtetin e madh, atë të heshtjes.

Dhe siç thotë poeti Fatos Arapi: “Lavdi guximit të heshtjes!”

Ata janë sot heronjtë e ndërgjegjes dhe vetëdijes së lirë, që ju i keni zprapsur me mjerim,  por kurrë nuk mund ti gjunjëzoni. Ata kanë aleat lirinë dhe vlerat e saj. Ndërsa ju korrupsionin, krimin dhe interesat tij. Për historinë e kombit ata janë heronjtë e vegjël.

Uragani i shqiptarëve të varfër, revolta e tyre brenda dhe jashtë vetes, do të jetë apokalipsi i pushtetit dhe politikës  suaj  të krimit.

 

Fjala në Kuvend e deputetes së PD, Albana Vokshi. 16 Prill 2015