Lufta e Dytë Botërore/ Në shkretëtirë, atje ku erdhi kthesa e luftës

0
143

Histori&Kombe

 Lufta e Dytë BotëroreNuk ishte në lojë vetëm prestigji i perandorisë britanike, që rrezikonte të humbiste një prej zonave tradicionale të influencës. Frika më e madhe ishte se mos realizohej projekti i madh strategjik i imagjinuar nga Hitleri: nga Rusia, përmes Kaukazit dhe nga Afrika e Veriut duke kaluar Sinain, forcat e Aksit duhej të kryenin një manovër gjigante në formë dare, në gjendje të siguronin kontrollin e Lindjes së Mesme dhe të naftës së saj, një burim i domosdoshëm për të fituar luftën. Marshimi i pandalshëm i Rommelit në Afrikë frikësonte Churchillin, si dhe aleatët e tij Stalinin dhe Rooseveltin, se ai skenar makthi shumë shpejt mund të bëhej realitet

 

Mbërritja e Bernard Law Montgomery në 13 gusht 1941 në qendrën e Armatës së Tetë në frontin e El Alameinit u pa me shumë mosbesim nga trupat. Gjenerali i ri, nga familje fisnike, ishte i njohur për sjelljen e ftohtë dhe kryelartë – dhe kjo nuk ndryshonte nga mesatarja e shumë zyrtarëve të lartë anglezë – por shoqërohej edhe nga fama e një puritani të papërkulur. Dy vjet më parë kish bërë të qeshte të gjithë trupën e ekspeditës me një qarkore mbi rrezikun e sëmundjeve veneriane si dhe rëndësinë që ushtarakët të tregoheshin të matur. Nëse mendohet që në shkretëtirën egjiptiane, ku temperatura i kalonte të 40 gradët gjatë ditës, disiplina përfundonte pashmangshmërisht me lirime dhe që zyrtarët që vinin vërdallë ekspeditës ndesheshin me ushtarë të mbuluar vetëm nga shenjat e gradave të vizatuara mbi shpatull, kuptohet lehtë se si ai komandant i ri, maniak i rregullit dhe disiplinës, shihej nga veteranët me frikë dhe mosaprovim.

 

Inercia angleze në Tobruk

Në atë post e kish dashur Winston Churchill vetë, i pakënaqur me inercinë e pashpjegueshme të Gjeneralit Claude Auchinleck, komandant i forcave angleze në Lindjen e Mesme, i cili në qershor kishte asistuar pa reaguar në humbjen e Tobrukut, që u ripushtua nga Afrika Korps të Erwin Rommelit. Në përparimin e ri italo-gjerman, bërë i mundur nga fakti që në muajt e parë të 1942 marina angleze kishte më shumë vështirësi në interceptimin e furnizimeve nga Italia dhe nga fakti që në brigjet afrikanë nafta dhe municionet mbërrinin më në fund në sasi të mjaftueshme, “dhelpra e shkretëtirës” kishte arritur, me anë të manovrave të shpejta dhe të paparashikueshme të kolonave të tij të blinduara, që të prishte kompaktësinë e armikut. Anglezët i kishin lënë në duar plot 30 mijë të burgosur dhe shumë material dhe ishin tërhequr deri në linjën e El Alamein, ledhi i fundit mbrojtës para Aleksandrisë, vetëm disa qindra kilometra larg, dhe delta e pasur e Nilit.

Churchill dyshonte se Auchinleck, në vend që të rimerrte iniciativën siç i kërkonte ai me këmbëngulje, mendonte që të vazhdonte të tërhiqej, duke lënë deltën dhe duke i hapur Rommelit rrugën e Kajros. Nuk ishte në lojë vetëm prestigji i perandorisë britanike, që rrezikonte të humbiste një prej zonave tradicionale të influencës. Frika më e madhe ishte se mos realizohej projekti i madh strategjik i imagjinuar nga Hitleri: nga Rusia, përmes Kaukazit dhe nga Afrika e veriut duke kaluar Sinain, forcat e Aksit duhej të kryenin një manovër gjigante në formë dare në gjendje të siguronin kontrollin e Lindjes së Mesme dhe të naftës së saj, një burim i domosdoshëm për të fituar luftën. Marshimi i pandalshëm i Rommelit në Afrikë frikësonte Churchillin, si dhe aleatët e tij Stalinin dhe Rooseveltin, se ai skenar makthi shumë shpejt mund të bëhej realitet. Për këtë arsye duhej të zëvendësohej Auchinlecku i pavendosur me një komandant më të vendosur, ose të paktën më të prirë të ndiqte direktivat e politikanëve. Pikërisht në këtë situatë, në krye të forcave angleze në Lindjen e Mesme erdhi Harold Alexander, ndërkohë që Bernard Montgomery – që me nofkën Monty shumë shpejt do të shndërrohej në gjeneralin anglez më të dashur në atdhe, i dyti vetëm pas Wellingtonit, fituesit ndaj Napoleonit për nga fama dhe popullariteti – u katapultua në komandën e armatës së tetë në frontin e El Alamein.

Sapo mori komandën Montgomery ribashkoi oficerët e tij dhe u komunikoi atyre se kishte djegur të gjithë planet e tërheqjes nga El Alameini, duke shuar kështu edhe frikërat e Churchillit. Por, nëse kishte gjetur vërtetë një gjeneral më të ndjeshëm ndaj kërkesave të qeverisë, shumë shpejt Churchill do të kuptonte që kish bërë llogaritë gabim. Kur, në shtator, i bëri thirrje komandantit të ri që të përshpejtonte operacionet e sulmit, ky guxoi t’i përgjigjet: “Nëse sulmi fillon në shtator, do të dështojë. Nëse presim deri në tetor, garantoj një sukses të madh me asgjësimin e armatës së Rommelit. Duhet të sulmoj në shtator?” Churchillit, i cili i vlerësonte gjithsesi njerëzit me karakter, nuk i mbeti veç të pranojë.

 

Superioritet në njerëz e mjete

Në të vërtetë, Monty, sqimatar dhe tepër i përpiktë siç ishte, donte të ishte i sigurt që të luante sa më mirë asat që kishte nën mëngë. Që nuk ishin pak. Pikësëpari ishte superioriteti në njerëz dhe në mjete. Raporti mes forcave britanike dhe atyre italo-gjermane ishte 2 me 1: 220 000 vetë kundër 108 000, nga të cilët 55 mijë italianë. I njëjti raport vlente edhe për mjetet: një mijë anglezët kundër më pak se 500 të ushtrisë së aksit. Veç kësaj, ndërkohë që anglezët kishin qindra tanke të rinj dhe të fuqishëm amerikane Sherman dhe Grant, 229 blindat italianë ishin të vjetër dhe të papërshtatshëm. Dallimi në armatim ishte edhe më i dukshëm në mjetet ajrorë 1200 kundër 350 dhe mjetet e artilerisë. Montgomery favorizohej dhe nga linja e kufizuar e frontit: më pak se 40 milje mes bregut mesdhetar dhe kënetës së El Qattara, e pakalueshme nga mjetet e lëvizshëm. Në ata pak dhjetëra kilometra manovrat e rrethimit që i pëlqenin aq shumë Rommelit ishin të pamundura. Sulmi, nga kushdo që të kryhej, nuk mund të ishte veçse frontal dhe superioriteti i armatimeve anglezë do të rezultonte vendimtar. I pakënaqur me kaq, Monty përdori çdo dinakëri për të mashtruar armikun. Për shembull, ndërtoi një naftësjellës fals i drejtuar për nga zona jugore e frontit për të lënë të kuptohet që sulmi do të ndodhte në afërsi të kënetës së El Qattara. Këtu vendosi madje modele tankesh prej gome, ndërkohë që ata të vërtetët ishin grumbulluar në veri dhe të fshehur prapa karvanëve të kamionëve. Trupat që do të kryenin sulmin zhvendoseshin vetëm natën, ndërkohë që gjatë ditës qëndronin në llogore të gjata dhe të ngushta në rërë, me urdhrin për të mos lëvizur për asnjë arsye.

Sa për Rommelin, përparimi që e kishte çuar atë deri në El Alamein ishte ndalur përpara mbrojtjes së anglezëve. Marshalli u gjend i bllokuar nga largësia e bazave të tij dhe nga rrallimi i burimeve që po i ndodhte sërish (mjetet e Afrika Korps kishin ardhur deri aty me karburantin e lënë pas nga anglezët që largoheshin) më shumë se sa nga mbrojtja e britanikëve. Ndërkohë që ishte mbetur i palëvizshëm në atë linjë të nxehtë rëre të paktën njëqind kilometra nga Aleksandria, u godit nga një formë dizenterie dhe hepatiti viral që e detyroi të kthehet në Evropë për t’u kururar. Kështu, natën kur nisi sulmi i Montgomery, ai ndodhej në Austri, ku u zgjua natën prej zyrave qendrore në Berlin. I hipi menjëherë një avioni Fieseler-Storch dhe u kthye me shpejtësi në Afrikë. Gjatë qëndrimit në Romë mori dy lajme të rinj, njëri më i keq se sa tjetri: së pari, rezervat e benzinës në dispozicion të mjeteve të tij garantonin një lëvizje jo më shumë se 300 kilometra; së dyti, zëvendësi i tij, Stumme kishte vdekur nga një krizë kardiake pikërisht ditën e parë të luftimeve, ndërkohë që shkonte inspektonte pararojën.

 

Çelës anglez kundër tankeve

Po italianët? Siç është thënë, ata kishin 55 mijë vetë, pak a shumë sa gjysma e trupave nën urdhrat e Rommelit. Efektivat e tyre ishin përforcuar prej pak kohësh nga parashutistët e Folgore, që kishin treguar tashmë vlerën e tyre në fund të shtatorit, duke iu kundërvënë sulmit të një brigade angleze të këmbësorisë. Nga ana tjetër, vetë armiqtë do të duhej të pranonin se akuza e paaftësisë, apo e frikës shpesh herë e drejtuar nga oficerët dhe ushtarët italianë ishte e padrejtë. Përkundrazi, nëse llogaritet pamjaftueshmëria absolute e mjeteve me të cilët luftonin, italianët do të demonstronin një kurajë spektakolare. Edhe njësi speciale si Folgore ishin shpesh herë të keq pajisura: një oficer, në shenjë proteste lidhi pas fytit një çelës të madh anglez duke thënë: “Do të përdor këtë për të shkatërruar tanket e tyre”.

Plani i Montgomery ishte shumë i thjeshtë: një gjoja sulm nga jugu dhe një sulm i vendosur frontal nga këmbësoria në veri, për t’u hapur një rrugë mjeteve të tij të blinduar në fushat e minuara gjermane. Sulmi filloi në 21:40 të 23 tetorit, një mbrëmje e ftohtë që i paraprinte natës së hënës së plotë. Në atë orë, 1200 topa hapën zjarr në të gjithë gjerësinë e frontit. Në dritën e hënës që ndriçonte fushëbetejën, Montgomery qëndroi gjatë duke vëzhguar sasinë më të madhe të zjarrit që mjetet dhe armët angleze kishin lëshuar që nga 1918. Pastaj, shkoi të flejë në karvanin e tij, duke thënë se ishte qëllimi i tij që “të pushonte sa të mundej, deri kur të ishte e mundur”.

Pavarësisht goditjeve të pandërprera të artilerisë angleze, gjashtë divizionet e këmbësorisë italiane dhe dy gjermanet nuk lëshuan, ndërkohë që divizionet e blinduar, tre gjermane dhe tre italiane kundërsulmonin pa pushim, kundër një mbrojtjeje angleze që do të rezultonte e pakalueshme. Pas dy ditësh betejë, divizioni i 15 anglez mund të mbështetej në vetëm 31 tanke, nga 119 që kishte në fillim. Rommeli do të kish dashur të shkëputej, duke besuar më shumë në luftën e lëvizshme në të cilën ai shkëlqente dhe që do i mundësonte të kompensonte inferioritetin numerik me cilësinë e manovrës. Por që nga Berlini i bënë të ditur se Hitleri nuk donte të dëgjonte për tërheqje, ndërkohë që mungesa e benzinës do ta pengonte gjithsesi që të manovronte sipas dëshirës. Kështu që, mbeti në pozicionet e tij, dhe u detyrua të pranojë betejën siç ia impononte kundërshtari.

 

Në marshim me gajde

Montgomery kishte parashikuar që beteja do të zgjaste të paktën 12 ditë dhe që do të ishte një përplasje e ashpër dhe mizore. Nuk ishte gabuar. Ushtarët e divizionit 51 të Highlands skocezë, që përparonin të shoqëruar nga muzika e gajdeve të tyre, ishin urdhëruar që të mos ndaleshin për të shpëtuar të plagosurit. Dhe ata ecnin përpara pa u ndalur pavarësisht humbjeve të shumta. Kur ranë në kontakt me armikun, një oficer u zemërua përpara një llogoreje me ushtarë italianë, që ishin dorëzuar, për arsye se një granatë kish bërë copë rreshterin e tij. Dhe kështu, nxori pistoletën dhe e zbrazi mbi të burgosurit, pastaj mori një karabinë me bajonetë dhe plagosi për vdekje katër të tjerë, përpara se të shkonte të merrte shkopin e tij. Episode të një mizorie që u bë e zakonshme në një luftë që duhej të ishte në lëvizje dhe që për ditë të gjata dhe të tmerrshme u shndërrua në luftë llogoresh, ashtu si gjatë konfliktit të parë botëror. Montgomery i ndryshoi disa herë planet e tij, duke shtyrë sa nga njëra anë në tjetrën të rreshtimit të armikut, në kërkim të pikave të dobëta të Rommelit dhe në tentativën për të pikasur repartin kundër të cilit duhej të përqendronte me më shumë efikasitet sulmin e tankeve të tij. Në pasigurinë taktike ku ndodhej pas tentativave të para e të kota për zbulimin e madh, mëngjesin e 27 tetorit vendosi që të tërhiqte divizionet e avancuar për t’i riorganizuar përpara një sulmi të ri e më të vendosur.

Manovra kishte të gjithë tiparet e një tërheqjeje. Në Londër, Churchill tashmë ishte tërbuar dhe i shfrynte kreut të gjeneralëve të tij: “Si është e mundur që nuk arrijmë të gjejmë një gjeneral të aftë të fitojë një betejë?” Dhe i dërgoi një kabllogram Aleksandrit ku i kërkonte që të shkarkonte Montgomeryn. Brooke arriti me shumë mund që të siguronte një shtyrje me disa ditë të këtij shkarkimi.

Sulmi i ri anglez nisi në 2 nëntor, në pjesën qendrore të frontit dhe jo ashtu si priste Rommeli, kundër sektorit verior. Ora zero ishte në një të natës. Në fillim përparoi këmbësoria, edhe një herë e shoqëruar nga ata që u binin gajdeve. E pasonte një brigadë blindash me detyrën që të pushtonin një pozicion të ngritur prej ku do të duhej të kalonin divizionet e blinduar. Komandanti i komunikoi Montgomeryt që parashikonte të humbiste 50% të forcave të tij. Gjenerali iu përgjigj se ishte gati të pranonte 100 për qind humbje. Megjithatë, manovra rezultoi e suksesshme. Në dy ditët që pasuan forcat e Rommelit u asgjësuan. Afrika Korps ishte katandisur në vetëm 12 tanke. Divizioni italian Ariete ishte mbrojtur me forcë por tanket e tij L dhe M nuk mund të bënin asgjë kundër tankeve Sherman dhe Grant të anglezëve dhe u shkatërruan të gjithë. “Littorio” u asgjësua ashtu sikurse dhe divizioni i motorizuar “Trieste”: kush kishte një mjet, mori arratinë, të gjithë të tjerët, pa ujë e ushqime u dorëzuan. Ekspedita italiane nuk ekzistonte më si forcë ushtarake. Mëngjesin e 4 nëntorit, duke iu kundërvënë urdhrit të Hitlerit që të qëndronte deri në fund, Rommeli dha urdhër për tërheqje. “Do të përfundoj para gjyqit ushtarak”, tha, “por në rrethanat aktuale kam detyrën të mos bindem”. Forcat e Boshtit lanë në fushëbetejë 20 mijë ushtarë të vrarë dhe plagosur, përveç se 30 mijë të burgosur. Humbjet e anglezëve ishin 13500, të vdekur të plagosur e të humbur.

Churchilli, më në fund i çliruar, mund të shihte tashmë me një optimizëm të rigjetur të ardhmen e luftës. Disa vite më vonë, do të komentonte: “Para El Alameinit, nuk kisha fituar asnjëherë. Pas tij, nuk humbëm më asnjëherë”. Ishte e vërtetë vetëm pjesërisht, por ai më shumë se kushdo kishte kuptuar se sa vendimtare kish qenë ajo fitore në shkretëtirën afrikane./storica/ historia.al/

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency