PSG-Barcelona/ Enrike i sigurt për suksesin, Blank i druhet Mesit

0
114

luis EnriqueTekniku spanjoll ka thënë se skuadra është në top-formë dhe në momentin më të mirë për të triumfuar në sfidën ndaj francezëve

 Blank është shprehur se është i vetëdijshëm për testin e vështirë që ka para, por ka besim te ekipi i tij që mund të përsërisë historinë me Çelsin

Luis Enrike ka vetëm fjalë mjalti për Paris Sent Zhermenin në prag të çerekfinales së parë të Ligës së Kampioneve. Trajneri i Barcelonës u ndal fillimisht te analiza e ndeshjes, duke theksuar se edhe me skemën 4-3-3 skuadra ndihet e sigurtë, edhe pse me të njëjtin modul ekipi u mund në fazën e grupeve kundër francezëve. “Më duhet të them se në atë periudhë luanim shumë ndryshe, por shpresoj që këtë herë historia të ndryshojë. Nga skuadra ime më pëlqen gjithçka. Jemi në vendin e parë në kampionat, por duhet të përmirësohemi edhe më shumë”. Sipas trajnerit katalanas, Paris Sent Zhermeni ka treguar se është një skuadër e niveleve shumë të larta dhe këtë e bëri në ndeshjen kundër Çelsit. Ai u përqendrua më pas te çështja “Nejmar”, duke vendosur pikat mbi “i”. “Unë nuk e pashë gjestin e tij në Sevilja, por si trajner i kuptoj të gjithë lojtarët që duan të jenë në fushë. Gjithsesi, vendimet i marr unë. Në Paris kam grumbulluar pothuajse gjithë grupin, por nuk kam vendosur ende kush do të luajë”. Në fund, Luis Enrike u shpreh i kënaqur nga efikasiteti i sulmit, ndërsa shtoi se blerja e Matjësë po i jep të drejtë pasi ish-lojtari i Valencias ka arritur të fitojë besimin e klubit dhe tifozëve. Ndërsa nga krahu tjetër, Loran Blank preferon të tregohet i hapur me tifozët e Paris Sent Zhermenit. Sipas trajnerit francez, çerekfinalja e parë me Barcelonën do të jetë një test shumë i vështirë, por sipas tij, ekipi do t’i luajë deri në fund mundësitë që ka. “Barcelona ka në skuadër lojtarë të mëdhenj dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për Lionel Mesin. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje për të mos dështuar. Duhet të jemi të bashkuar dhe të bëjmë lojën tonë. Kur të kemi mundësinë për të shënuar nuk do të hezitojmë siç kemi bërë në fazën e grupeve. E kemi provuar me fakte se mund ta kalojmë këtë kundërshtar”. Një mendim Blank e shkëput edhe për Lionel Mesin. “Për mua ai është një nga lojtarët më të mëdhenj të botës dhe të historisë. Është një sulmues i shkëlqyer, pasi arrin të shënojë, të pasojë dhe të driblojë me shumë lehtësi. Stili i tij dhe ai i Barcelonës janë jetikë për njëri-tjetrin”. Blank shtoi gjithashtu se klubi i tij nuk e ka kontaktuar asnjëherë mbrojtësin Dani Alves, duke u vendosur kapak zërave për një transferim të mundshëm të tij në “Parc De Princes”. Më pas fjalën e mori braziliani Maksuell, i cili e njeh shumë mirë skuadrën katalanase për shkak të së shkuarës së tij në “Camp Nou”. Ai vuri theksin te loja kolektive që duhet të bëjë ekipi parisien, por shtoi se skuadra është krenare dhe nuk i trembet një kundërshtari të madh si Barcelona.

 

Trajneri i Portos: Mund ta eliminojmë Bajernin

Trajneri i Portos, Julen Lopetegui, beson se skuadra e tij mund ta eliminojë Bajernin e Mynihut nga Liga e Kampioneve. Ai thotë se Bajerni ka skuadrën më të mirë në histori të saj, por Portoja është e gatshme ta befasojë duke e eliminuar që në çerekfinale. “Ky është Bajerni më i mirë i historisë dhe ndër klubet më të mira në botë për momentin. Kemi arritur deri në çerekfinale dhe besojmë se mund të vazhdojmë tutje”, – ka thënë Lopetegui.

 

Kapelo: Ronaldo më i miri i Madridit, Mesi i botës

Superylli i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, mund të jetë më i miri, por kjo vlen për qytetin e Madridit, sepse Lionel Mesi është më i miri në të gjithë botën. I këtij mendimi është italiani Fabio Kapelo, i cili qe 3 vite ndodhet në stolin e kombëtares ruse. “Argjentinasi ka krijimtari në fushë, ka fantazi dhe i shkon direkt portës, kualitete që nuk i kanë të gjithë në botë. Nga ana tjetër, qëndron Ronaldo, lojtar me potencë dhe shpejtësi. Portugezi ka goditje të forta, është një goleador i lindur”, – ka thënë fillimisht Kapelo. Ish-trajneri i shumë skuadrave të njohura evropiane thotë se Nejmar ka më shumë imagjinatë se Ronaldo, por që të dy janë larg Mesit. “Është i ri dhe duhet t’i japim kohë. Për mendimin tim, braziliani ka më shumë imagjinatë se Kristiano, por të dy janë mjaft larg nga Mesi, i cili ndodhet në një dimension tjetër”, – ka shtuar italiani.

 

 Kantona: Katalonja e fitoi Botërorin, jo Spanja

Legjenda franceze, Erik Kantona, ka dhënë një deklaratë që nuk u ka pëlqyer aspak spanjollëve. Sipas ish-futbollistit të Mançester Junajtidit, Kampionatin Botëror të vitit 2010 nuk e ka fituar përfaqësuesja e Spanjës, porse ajo e Katalonjës. “Jo, Katalonja e fitoi Kupën e Botës”, – reagoi ai për të korrigjuar gazetarin kur u pyet për formën aktuale të Spanjës pas triumfit në Kampionatin Botëror (2010). “Spanja e fitoi me dhjetë lojtarë të Barcelonës në skuadër. Spanja nuk e fitoi Kampionatin Botëror, atë e fitoi Katalonja. Atë e fitoi Barcelona”, – ka deklaruar Kantona.

 

 Milani në ndjekje të Granit Xhakës

Atletiko e Madridit nuk është skuadra e vetme e interesuar për Granit Xhakën, futbollistin e kombëtares së Zvicrës. Skuadra italiane Milan është duke u interesuar për mesfushorin kosovar të Borusia Mynshengladbahut, Granit Xhaka. Lajmin e ka bërë të ditur uebfaqja italiane “Calciomercato.com”, sipas së cilës, kuqezinjtë që janë duke negociuar edhe për shitjen e aksioneve të klubit, janë duke e vëzhguar me kujdes situatën dhe mund të bëjnë ofertë gjatë verës për Granitin. Borusia Mynshengladbah e vlerëson Xhakën 25 milionë euro dhe kjo shifër për momentin duket e lartë për gjigantin italian, por në rast të shitjes së skuadrës te kinezët, atëherë Xhaka edicionin e ardhshëm mund të luaj te Milani. Granit Xhaka luan me Bazelin dhe me Zvicrën, kurse vëllai i tij Taulant Xhaka është pjesë e kombëtares së Shqipërisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency