Dosja “Frroku” do të sillet me valixhe diplomatike nga Belgjika

0
108

Artan Cena

 Dosja “Frroku”Ministria belge e Drejtësisë do të nisë drejt Tiranës dosjen me akuzat që rëndojnë ndaj deputetit kristiandemokrat, Mark Frroku

Dosja e Mark Frrokut nga Belgjika do të dërgohet në Shqipëri përmes kanaleve diplomatike.

Kjo rrugë është zgjedhur, pasi garanton që materialet hetimore për vrasjen e ndodhur ne Belgjikë të mbërrijnë më shpejt në Tiranë. Prokuroria e Përgjithshme kërkon transferimin e dosjes dhe përgjigjja e belgëve ka qenë pozitive. Burimet thanë se dosja e deputetit Frroku pritet të niset drejt Shqipërisë, nëpërmjet Ministrisë belge të Drejtësisë. Dosja do të mbërrijë në rrugë diplomatike pranë Ministrisë shqiptare të Drejtësisë, ku do të përkthehet dhe më pas të dorëzohet pranë organit të akuzës për të vazhduar procedimin penal. Në të njëjtën dosje përfshihet edhe procedimi penal për Hilë Jokën, i njohur ndryshe si Arjan Bytyçi. Autoritetet belge mësohet se janë njoftuar për arrestimin e deputetit Frroku, ndërsa për bashkëpunëtorin e tij, Joka, Prokuroria thotë se ka lëshuar një urdhër arresti. Për të dy në Belgjikë ekziston një dënim për 10 vite burg për vrasjen e Aleksandër Kurtit, por Mark Frroku dhe Hilë Joka e apeluan dënimin. Pasi dosja e tyre u kthye për rigjykim në shkallën e parë të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Bruksel dhe pas kësaj u lëshuan urdhër arrestet që në dhjetor të 2014. Kjo dosje ishte parashikuar të niste shqyrtimin gjyqësor në shkurt të këtij viti, por me kërkesë të avokatit të deputetit Frroku mësohet se shqyrtimi është shtyrë për në tetor të këtij viti.

 

Çfarë ka në dosjen belge

Në dosjen që Prokuroria belge ka paraqitur përpara gjykatës në vitin 2009, Mark Frroku ka 4 identitete: Besnik Morina i lindur në 6 tetor 1972, Dritan Frroku, i lindur në 6 tetor 1972, Dritan Frroku lindur në 2 korrik 1969 dhe Pirro Soforani lindur në 2 korrik 1969. Nga dosja belge del në dritë një fakt i panjohur më parë në Shqipëri. Sipas Prokurorisë belge, Mark Frroku rezulton i arrestuar dhe i dënuar në Holandë me 3 vite burg. “Besnik Morina ose Mark Frroku ose Pirro Safrani (Sofrani) është arrestuar në Amsterdam në kuadër të një çështje të shkeljes së ligjit për opiumin. Ai u dënua më datë 4.12.2002 nga Gjykata e Amsterdamit me 3 vjet heqje lirie. Ai u ekstradua në Belgjikë në kuadër të urdhër-arrestit ndërkombëtar të datës 10.1.2000 dhe u arrestua më 6 maj 2004. I marrë në pyetje ai nuk pranon të japë deklarime pa avokatin e tij. Ai deklaron që nuk ka vrarë njeri dhe nuk e njeh viktimën”, – thuhet në dosjen e prokurorisë belge. Pas kësaj, në datë 7 maj 2004 ndaj Frrokut është caktuar masa e arrestit me burg, për t’u lënë i lirë dy muaj më pas. Por si kanë rrjedhur ngjarjet pasditen e 5 marsit 1999 dhe cilat ishin shkaqet që çuan në vrasjen e Aleksandër Kurtit, sipas prokurorisë belge? Më 5 mars 1999, ora 17:45 Policia e Saint-Gilles zbulon ne rrugën në hyrje të stacionit “Gare Du Midi, nr 47” trupin e një të riu në agoni. “Ka hundën komplet me gjak, hematoma të rënda poshtë syve, i plagosur në duar dhe në kraharorin e gjakosur paraqiste tre plagë me thikë. Dy dëshmitarë kanë thënë përpara policisë që në orën 17:30 kanë parë tre persona që vraponin, njëri e kishte dorën të futur poshtë xhaketës dhe më pas hedh një thikë të madhe poshtë kamionit të postës, 100 metra larg vendit të ngjarjes. Viktima u identifikua në bazë të dokumenteve që kishte me vete si Azem Shkreli nga Jugosllavia i lindur me 8 shtator 1980. Karta e identitetit me emrin Azem Shkreli kishte të shënuar një person të kontaktit në raste urgjence: Nikolas Kurti. Gjithashtu u gjet edhe një foto e prerë e një gruaje, pas të cilës shkruhej: “Lume, Ti amo, Je T’aime dhe Te dua 27.1.1999, kujtim për shokun tim Aleksandrin. Pas hetimeve të para rezulton se bëhet fjalë për larje hesapesh në mesin e grupeve të prostitucionit shqiptar”, – shkruhet në aktakuzën belge. Nikolas Kurti, i kontaktuar ka shpjeguar se bëhet fjalë për vëllanë e tij, Aleksandër Kurti, i datëlindjes 13 janar 1975 nga Shqipëria. Sipas tij identiteti i rremë ishte përdorur nga i vëllai për të përfituar azil politik si shtetas kosovar.

 

Dëshmia e vëllait të viktimës

Nikolas Kurti u ka treguar hetuesve belgë më datë 13.12.2000 se është informuar nga vëllai i tij tjetër, George për mbledhjen e baballarëve të zhvilluar më 28 mars 1999 në Shkodër, ku ishin të pranishëm babi i viktimës, vëllai i viktimës, babai i Mark Frrokut, babai i Lekë Bib Djafes dhe babai i Hilë Jokës. Mbledhja e baballarëve konfirmoi se vrasja e Kurtit është bërë për shkak të Lumes. Gjithashtu Nikolas Kurti deklaron se dy ditë përpara vrasjes, Aleksandër Kurti i ka telefonuar motrës së madhe që të paralajmëronte kunatin e tij, Ardjanin që të merrte në telefon këtë numër dhe të kontaktonte me një person me emrin “Beni”. “Nëse kunati nuk e merr në telefon Benin, një person do vdesë brenda 24 orëve”. Sipas Nikolas, vëllai i tij kishte mosmarrëveshje me një person që quhej Beni, që sipas akt-akuzës belge është Arben Frroku, vëllai i madh i tre vëllezërve Frroku, tutor të prostitutave Lume, Mira dhe Zana. Nikolas Kurti deklaron se Arben Frroku është urdhërues i vrasjes së Aleksandër Kurtit dhe urdhri është ekzekutuar nga vëllai i tij, Marku (Besnik Morina). “Gjithmonë sipas deklarimeve të Nikolas, në mbledhjen e baballarëve është thënë që ditën e ngjarjes ka pasur diskutime mes viktimës dhe tre djemve të tyre në stacionin Gare du Midi. Një person i katërt u përfshi në bisedë dhe tonet u acaruan. Ky person, nxori një thikë. Vrasësi është pikërisht ky person. Lidhja mes viktimës dhe Lumes po bëhej më shumë se profesionale dhe mund të vinte në rrezik gjithë organizatën, e cila trafikonte femra shqiptare nga Italia në drejtim të Brukselit e më pas në Londër”, – shkruhet në materialin e Prokurorisë belge.

 

BE: Për Frrokun presim një proces të shpejtë dhe pa asnjë pengesë

Bashkimi Evropian e konsideron forcimin e shtetit ligjor si një nga prioritetet kryesore për Shqipërinë. Deklarata është bërë nga zëdhënësja e komisioneres për Politikën e Jashtme në BE, Maja Koçijançiç. “Ne kemi ndjekur çështjen e deputetit Mark Frroku. Bashkimi Evropian e konsideron forcimin dhe zbatimin e shtetit ligjor pa kompromis si një nga prioritetet kryesore. Lidhur me këtë çështje, ne mbështesim një proces të shpejtë, të plotë dhe pa pengesa për të hedhur dritë mbi këtë çështje. Ne presim që hetimet në vazhdim të trajtohen në mënyrë tërësore dhe të pasohen nga aktet e duhura nga Prokuroria dhe gjykatat”, – ka thënë Koçijançiç, e pyetur nga gazetarët shqiptarë në Bruksel. Duke iu referuar procesit të dekriminalizimit të Parlamentit Shqiptar, zëdhënësja e KE-së e cilësoi të një rëndësie të lartë zbatimin e marrëveshjes së dhjetorit nga autoritetet shqiptare, duke përmendur transparencën, përgjegjësinë dhe efikasitetin e organeve gjyqësore si element kyç në këtë drejtim. Zëdhënësja e Komisionit Evropian u kujtoi edhe një herë autoriteteve shqiptare se bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare për çështje është një element i rëndësishëm në luftën kundër krimit.

 

Dëshmia e njërës prej vajzave: Leka më tregoi kush e bëri vrasjen

 Por veç dëshmisë së vëllait të viktimës, Prokuroria e Belgjikës ka administruar edhe disa dëshmi të tjera, mes tyre dhe të një vajze të prostituuar me inicialet E. U., e cila ka qenë e vetmja dëshmitare që ka pranuar të dëshmojë me emrin e saj. E pyetur nga prokurorët belgë mbi vdekjen e Kurtit ajo deklaron se ka marrë një telefonatë nga tutori i saj Leka, ditën e ngjarjes më 5 mars 1999. “Në këtë telefonatë ai i kërkonte që të shkonte në apartamentin e tij që ndodhet mbrapa stacionit Gare du Midi. Duke qenë se ajo punonte të Charleroi, ajo arriti në Bruksel gjatë mbrëmjes. Kur u takuan, Leka i deklaroi që duhet të ikte nga Belgjika duke qenë se kishte marrë pjesë në një sherr në Midi dhe si pasojë një shqiptar kishte vdekur. Ata folën shumë pak pasi një person erdhi dhe e mori. Disa ditë më vonë vajza me inicialet E. U., merr një tjetër telefonatë nga Leka dhe i shpjegon se çfarë kishte ndodhur. Ishte në shoqërinë e Aleksit (Besnik Vuka) Hilës (Arjan Bytyçi) dhe Markut (Besnik Morina). Por ajo beson gjithashtu që edhe Beni ka qenë me ta. Personi që e ka qëlluar me thikë Kurtin ishte Aleksi. Pas ngjarjes ata u larguan nga Belgjika, njëri iku me tren në Gjermani, ndërsa 3 të tjerë u shoqëruan nga Kola deri në Itali”, – thuhet në raportin e hetuesve belgë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency