Qëndrimi/ Rama: Operacion si ai i energjisë me naftën. Bankers do të dëmshpërblejë 100% banorët

0
115

Gëzim Saliu

 rama per naftenShpërthimet në Marinzë, Rama: Audit ndërkombëtar për të marrë rezultatin e problematikave që ka kompania me kontratën, me shtetin dhe me qytetarët shqiptarë

Kryeministri Rama paralajmëroi dje nisjen e një aksion të ri për kontrollimin e cilësisë së naftës të ngjashëm me atë të ndërmarrë për energjinë elektrike. Në analizën e OSHEE-së, kreu i qeverisë deklaroi dje se kush shet naftë që nuk përmbush standardet, ka vetëm pak javë kohë për t’u kthyer brenda kornizës së ligjit. “Kush u shet shqiptarëve naftë që nuk përmbush standardet e parashikuara të cilësisë, ka vetëm pak javë kohë për t’u kthyer brenda kornizës së ligjit. Operacioni antikrim në sektorin e naftës do të shtrihet në çdo pike nxjerrjeje nafte, në çdo pikë shitjeje dhe në dogana. Do të jetë një operacion që nuk do të tolerojë askënd”, – tha Rama. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë bëri të ditur se ashtu si për energjinë do të merren masa për ndryshimin e ligjit, gjë e cila do të çojë me dënim me burg për ta që shkelin normat e cilësisë së naftës. “Ky është paralajmërimi im! I siguroj të gjithë ata, të cilët kanë lidhje me këtë paralajmërim, se nëse nuk do ta marrin seriozisht dhe nëse nuk do të kuptojnë edhe në këto pak javë që kanë mbetur përpara fillimit të operacionit, se historia edhe në këtë sektor do të ndryshojë një herë e përgjithmonë, do të duhet të paguajnë një çmim shumë të lartë. Ne do të ndryshojmë edhe legjislacionin, siç e ndryshuam për energjinë”, – deklaroi ai.

 

Bankers Petroleum

Në fjalimin e tij, Kryeministri diskutoi edhe lidhur me shpërthimet në Marinzë, duke deklaruar se Bankers Petroleum do të dëmshpërblejë 100% banorët e dëmtuar pas shpërthimit të dy fontanave të gazit. “Lidhur me atë që ndodhi në Marinzë përgjegjësia është 100% e kompanisë dhe kompania duhet të dëmshpërblejë 100% të gjithë të dëmtuarit dhe do ta bëjë një orë e më parë dhe sipas standardeve ndërkombëtare, sepse pavarësisht se si mund ti dukemi ne njërit apo disave që nuk flasin shqip në vendin tonë ne jemi po kaq ndërkombëtar sa ndërkombëtarët. Jo vetëm meritojmë por do sigurojmë që çdo lloj ndërkombëtari sado i pasur të jetë nëse bën biznes në Shqipëri të mos guxojë të trajtojë asnjë shqiptar si një qenie e dorës së dytë”, – tha ai. Më tej, kreu i qeverisë bëri të ditur se për këtë çështje do të angazhohet edhe një audit ndërkombëtar. “Nuk diskutohet dëmshpërblimi, nuk diskutohet as që kompania do të duhet të na vërë në dispozicion një orë e më parë dhe sa më shpejt aq më mirë për kompaninë, planin afatmesëm të rehabilitimit të zonës. Por, do të kërkojmë një audit të specializuar ndërkombëtar dhe bazuar tek ai ne do të marrim falë ekspertizës më të mirë ndërkombëtare, edhe rezultatin e të gjithë problematikave që ka kompania me kontratën, me shtetin dhe me qytetarët shqiptar dhe për çdo problematikë që do të rezultojë si një problem mes kompanisë dhe shtetit, kompania do të vihet para përgjegjësisë, njësoj siç vihet para përgjegjësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Francë, në Gjermani apo kudo qoftë”, – deklaroi Rama. Lidhur me aksionin për energjinë elektrike, Kryeministri tha se arritjet më të mëdha janë rritja e arkëtimeve nga pagesa e faturave të energjisë dhe ulja e humbjeve të energjisë. “Vlera totale financiare e aktmarrëveshjeve është 50.5 miliardë lekë, shifër premtuese pikërisht për objektivin tonë strategjik që brenda 3 viteve të ardhshme ky sektor të mos jetë më një gropë që thith para që mund të shkojnë gjetkë, por të jetë një sektor që ecën me këmbët e veta dhe prodhon fitime”, –  deklaroi Rama.

 

 “Atelier Albania”/ Shkarkohet arkitekti në qeverinë belge për tenderin e lidhur në Shqipëri me nismën e Kryeministrit

Arkitekti i Qeverisë Flamane në Belgjikë, Peter Swinnen, u shkarkua nga detyra për shkak të një tenderi lidhur me nismën e Edi Ramës “Atelier Albania”. Në qendër të kritikave janë dy arkitektë belgë: Peter Swinnen, personi që shpalli tenderin dhe Patrick Janssens, fituesi i tenderit. Më datë 27 shkurt 2014, Peter Swinnen, drejtues i Qendrës së Arkitektëve Flamanë që këshillon Qeverinë Flamane, shpalli tenderin lidhur me një studim fizibiliteti për realizimin e projekteve në Shqipëri. Tre ishin kompanitë që konkurruan për këtë studim: 1) AWB, 2) B-ild Architecten dhe 3) Centrum voor Stadsontwikkeling CVBA. Kompania e fundit është ajo e Patrick Janssens, i cili së bashku me ortakët e tij fituar kontratën prej €31.097 eurosh. Por një raport i Qendrës së Auditimit Financiar të Qeverisë Flamane, nxori në pah se informacioni paraprak që shpallësi i tenderit, Peter Swinnen i ka dhënë fituesit të tenderit Patrick Janssen ka krijuar një garë të pandershme. Si rrjedhim fituesi ka qenë i favorizuar në mënyrë të padrejtë. Për këtë arsye, Peter Swinnen është shkarkuar nga detyra dhe sipas shtypit belg, ndaj tij dhe mund te fillojë një hetim penal. “Vendimi për të shkarkuar Swinnen është marrë në bazë të një raporti nga Qendra e Auditimit të Qeverisë Flamane”, – tha zëvendëskryeministrja e Qeverisë Flamane, Liesbeth Homans. Raporti i Auditimit provoi, se për tenderimin kishte konflikt interesi, pasi ishte Swinnen ai që hodhi idenë, nëse kompania e Qendrës së Arkitektëve Flamane mund të realizonte projekte edhe në Shqipëri, gjë që u kundërshtua nga anëtarë të tjerë të saj. Sipas gazetës prestigjioze belge “De Morgen”, në një artikull të titulluar “afera në Shqipëri shporr arkitektin belg”, thuhet se zgjedhja e Shqipërisë nuk ishte e rastësishme. “Kompania 51N4E, e bashkë-themeluar nga arkitekti Peter Swinnen, shpallësi i tenderit, ka lidhje te forta me Qeverinë Shqiptare” thuhej në artikullin e kësaj gazete. Kompania 51N4E, e bashkëthemeluar nga Peter Swinnen, shpallësi i tenderit për nismën “Atelier Albania”, ka qene një nga kompanitë arkitekturore më të rëndësishme të kreut të qeverisë. Kjo kompani ka bere projektin për sheshin “Skënderbej”, që zgjati për 4 vite me radhë. Po ashtu, fituesi i tenderit të projektit të “Lungo Mares” në Vlorë u shpall në 21 shkurt 2014 Xaveer de Geyter me studion “XDGA”. Vetëm disa muaj më pas, në korrik të 2014, u evidentua, se projekti kishte probleme. Xaveer de Geyter ka qenë pjesë e komisionit vlerësues për projektin e sheshit “Skënderbej” dhe i njohur i Peter Swinnen. Xaveer de Geyter rezulton gjithashtu se ka redaktuar manualin për kompaninë 51N4E.

 

Gara për kryeqytetin/ Veliaj “mënjanon” Klosin dhe “zyrtarizon” kandidaturën, në stadium për të parë Tiranën

Edhe pse nuk njihet si një tifoz i zjarrtë, ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ishte i pranishëm dje në stadium për të parë ndeshjen Tirana-Laçi, që u zhvillua për Kupën e Shqipërisë. Kjo “vizitë” e Veliajt në stadium, ku shoqërohej nga deputeti Taulant Balla dhe drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Genc Kojdheli, më shumë se dashamirësi ndaj sportit ishte një mesazh i ministrit se ai do të jetë kandidati i së majtës në garën për Bashkinë e Tiranës. Ndërkaq, brenda PS-së, dilema për Tiranën nuk ka marrë ende zgjidhje, edhe pse gara mes Klosit dhe Veliajt po paraqet më shumë si të favorizuar këtë të fundit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency