Policia: Ja lista e më të kërkuarve, mes tyre autorët e sulmit ndaj familjes së ministrit

0
120

drejtoria e policiseShpallet lista e 15 personave më të kërkuar, 2 prej tyre akuzohen për shpërthimin e tritolit në farmacinë e babait të Tahirit

Policia e Tiranës shpalli gjatë ditës së djeshme listën e 15 personave më të kërkuar. Në këtë listë janë edhe dy personat që dyshohen se janë përgjegjës për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sakaq, Policia e Tiranës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë për gjetjen e këtyre personave. Sipas policisë, këta 15 persona të shpallur në kërkim kanë kryer vepra të rënda penale si vrasje, trafikim të të miturve apo të kenë kryer sulme terroriste. Në krye të listës të 15 personave si më të kërkuar nga Policia e Tiranës, janë Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka, dy personat që akuzohen për vënien e tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit, babai i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Këta persona të moshave nga 20 deri në 63 vjeç, sipas Policisë së Tiranës përbëjnë rrezik për shoqërinë, ndaj ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve. Drejtoria e policisë së kryeqytetit garanton qytetarët se do të ruhet konfidencialiteti për ata që japin informacione. Megjithatë, 8 nga 15 të kërkuarit nuk u është publikuar fotoja, duke e bërë edhe më të vështirë identifikim e tyre. Ajo që vihet re në këtë listë është se pjesa më e madhe e këtyre personave janë të dënuar mbi 16 vjet burg ose me burgim të përjetshëm në procese gjyqësore të zhvilluar në mungesë. Policia e Tiranës bën me dije se të gjithë këta persona të shpallur në kërkim akuzohen për kryerjen e disa veprave të rënda kriminale.

 

15 të kërkuarit

Në listën në fjalë gjenden persona të dënuar nga 16 vite burg deri në burgim të përjetshëm, për vepra nga më të rëndat penale. Nga ana e saj Policia e Tiranës fton të gjithë qytetarët të cilët kanë dijeni për vendndodhjen e këtyre të kërkuarve që të telefonojnë në numrin 129 të Policisë së Shtetit. Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Policisë Tiranë lista me 15 personat të shpallur në kërkim kryesohet nga dy personat që akuzohen për vënien e tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit Vladimir Gjuta, alias Elton Doçi, 35 vjeç, i kërkuar për vepra penale me qëllime terroriste dhe Baftjar Qemal Bruka, 24 vjeç, i kërkuar për vepra penale me qëllime terroriste. Po ashtu janë shpallur në kërkim edhe Ervin Sinella, 32 vjeç, i dënuar me 16 vjet burg për vrasje me dashje; Fation Muharremi, 29 vjeç, i dënuar me 11 vjet burg për vrasje me dashje; Kujtim Demiri, 49 vjeç, i dënuar me 15 vjet burg për trafikim të të miturve; Anton Villa, 38 vjeç, i dënuar me 20 vjet burg për vrasje me dashje dhe vrasje të mbetur në tentativë; Arben (Artan) Muça, 45 vjeç, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje me paramendim; Ervin Shahini (Shabani), 39 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm për vjedhje me dhunë me pasojë vdekjen; Fatmir Rama, 46 vjeç, i dënuar me 20 vjet burg për vjedhje me dhunë me pasojë vdekjen; Gentian Tako, 38 vjeç, i dënuar me 20 vjet burg për vrasje me paramendim; Jashar Begani (Begami), 63 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje; Kujtim Riza Qordja, 38 vjeç, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje me paramendim dhe Lutfi Hida, 50 vjeç, i dënuar me 20 vjet burg për vrasje. Të gjithë këta persona sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës akuzohen për vepra të rënda kriminale.

 

Fëmijët romë nga Shqipëria abuzohen seksualisht në Greqi, MPB: S’ka prova

Mediat greke kanë publikuar shkrime duke bërë të ditur se fëmijët romë shqiptar abuzohen seksualisht nga meshkuj grekë, madje edhe priftërinj. E përditshmja “Espresso”, citon kryetarin e shoqatës greke “Buzëqeshja e fëmijë”, i cili denoncon këtë rast. Sipas mediave greke, kryetari i shoqatës së fëmijëve thekson se në qytetin e Selanikut djem të moshës 12 dhe 17 vjeç nga Shqipëria, Bullgaria por edhe grekë, gjenden çdo natë në rrugë duke dhënë trupin e tyre për pedofilët. Ai thotë se fëmijët e mitur vijnë çdo ditë me autobus nga pikat kufitare e shpesh të pashoqëruar nga prindërit e tyre. Ndërkohë, menjëherë pas publikimit të këtij lajmi ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Brendshme në rastin e abuzimit seksual të personave pedofilë me fëmijët romë shqiptarë. Sipas MB nuk ka asnjë provë që lajmi i botuar në mediat greke të jetë i vërtetë. Për më tepër theksohet në reagimin e MB, nuk ka asnjë kallëzim për abuzim seksual të të miturve shqiptarë. Megjithatë, Ministria e Brendshme bën me dije se hetimet për këtë çështje vazhdojnë. “Pas interesimit të Koordinatorit Kombëtar Antitrafik, autoritetet greke kanë informuar se kanë nisur procedimin penal me qëllim hetimin e plotë të vërtetësisë së informacionit të publikuar në gazetën greke “Esspreso”. Nga hetimet e kryera deri më tani, si nga Prokuroria por edhe nga Policia e Selanikut nuk ekzistojnë prova apo dëshmi që ky informacion të jetë i vërtetë. Aktualisht nuk ka asnjë kallëzim konkret për abuzim seksual të shtetasve të mitur shqiptarë apo bullgarë, siç pretendohet në shkrimin e gazetës, e megjithatë hetimi vazhdon. Sipas procedurave ligjore, një i mitur i pashoqëruar nga të dy prindërit ose vetëm njëri prej tyre, mund të largohet nga territori shqiptar vetëm kundrejt paraqitjes së një deklarate noteriale të lëshuar nga prindërit ose njëri prej tyre në mungesë”, – thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.

 

Gjykata zbardh vendimin për Arben Frrokun, ia dorëzon Prokurorisë

Vetëm 5 ditë pasi i dha pafajësinë biznesmenit Arben Frroku, Gjykata e Shkallës së parë për Krimet e Rënda i ka dorëzuar dje prokurorisë vendimin e zbardhur dhe CD e regjistrimit të seancës gjyqësore. Me njohjen e argumenteve të gjykatës, mbi të cilat e mbështet vendimin për shpalljen e pafajshëm të Arben Frrokut, organi i akuzës pritet ti drejtohet Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda për të kundërshtuar vendimin e shkallës së parë për pafajësinë e biznesmenit. Kërkesa për apelimin e vendimit është e bazuar në dy dëshmi të rëndësishme që sipas prokurorisë vërtetojnë akuzën e ngritur ndaj Arben Frrokut. Dëshmitari i mbrojtur së bashku me bashkëshorten pretendon se ka parë vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, të cilat janë provat që paraqet akuza, mbi bazën e të cilave Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon dënimin me “Burg përjetë”, për Arben Frrokun që la pak ditë më parë qelitë e paraburgimit. Një zhvillim tjetër i rëndësishëm në këtë çështje është dhe “zhdukja” e një nga dëshmitarëve të akuzës, ish-gardisti Ylli Memia.

 

Laç, digjen regjistrat e një shkolle 9-vjeçare, policia nis hetimet

Digjen në mënyrë të mistershme regjistrat e shkollës 9-vjeçare në Laç. Burime zyrtare nga policia lokale në Laç kanë bërë me dije se persona ende të paidentifikuar kanë djegur katër regjistrat e një shkolle 9-vjeçare në Laç. Të njëjtat burime saktësojnë se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, në lagjen numër 3, në Laç, ku autorët e krimit kanë thyer derën për tu futur në godinë. Me të njëjtën formë ata janë futur në sallën ku mbaheshin regjistrat e shkollës dhe i kanë djegur. Ende nuk dihet arsyeja e këtij veprimi, por policia dyshon se autorët mund të jenë nxënës të shkollës, të cilët kanë pasur probleme me ndjekjen e saj. Grupi hetimor po punon intensivisht për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Policia ka shoqëruar disa persona, por deri më tani nuk ka arrestuar asnjë. Materialet lidhur me këtë rast iu referuan Prokurorisë së Kurbinit për vazhdime të mëtejshme procedurale, ndërsa policia bën me dije se po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

 

Gramsh, digjen nga flakët dy banesa, rrezikohen dy të tjera

Dy banesa janë përfshirë nga flakët mesditën e djeshme në fshatin Gletas të Komunës Skëndërbegas në Gramsh në rrethana ende të paqarta. Burime zyrtare nga Policia e Gramshit kanë bërë me dije se shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërkohë që flakët kanë vënë në rrezik dy banesa të tjera të cilat ndodheshin shumë pranë banesave të tjera të cilat u përfshinë nga flakët e fuqishme të zjarrit. Menjëherë pas raportimit të kësaj ngjarje, zjarrfikëset dhe policia janë nisur në vendngjarje, ndërsa mësohet se fshati ndodhet rreth dy orë larg nga qyteti i Gramshit. Burime nga vendngjarja kanë bërë me dije se ishin banorët e fshatit ishin ata që ndërhynë menjëherë për të vënë nën kontroll flakët e zjarrit. Sipas të njëjtave burime mësohet se flakët që përfshinë banesat kanë shkaktuar dëme të shumta materiale, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe nisi menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency