Kupa e Shqipërisë/ Kukësi mposht Skënderbeun, Tirana dhe Laçi ndahen në paqe

0
123

Tirana-LaçiPero Pejiç ka qenë ai që ka ndëshkuar korçarët, duket shkuar me një këmbë kështu drejt finales

 Bardheblutë dhe laçianët janë ndarë në një barazim pa gola, duke lënë kështu gjithçka të hapur për sfidën tjetër

Janë mbyllur dje ndeshjet e para të vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Sfida emocionuese me pak diferenca midis skuadrave dhe që prodhuan vetëm një gol. Sulmuesi kroat, Pero Pejiç, rezultoi vendimtar edhe në takimin e parë gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut, pasi shënoi golin e vetëm të takimit, që e bën skuadrën verilindore favorite për të prekur finalen. Në një impiant të boshatisur, për shkak të pezullimit të fushës, Skënderbeu nuk arriti ta shmangte humbjen, që ia vështirëson edhe më shumë çështjen e kualifikimit. Në kampin kuksian, Shaqiri kishte luksin të aktivizonte formacionin më të mirë të mundshëm, ku në vijën u parë Pejiç mbështetej nga treshja Pit-Zeqiri-Lushtaku. Që në minutën e 4-t, korçarët u shfaqën të rrezikshëm në zonën e Kukësit, ku Martins ftoi në gjuajtje Sabien Lilajn, por topi i goditur që prek mesfushorin u ndal nga shtylla. Në vijim të aksionit provoi edhe Abazi, por finalizimi i tij la për të dëshiruar. Kundërpërgjigjja e Skënderbeut ishte e menjëhershme. Pero Pejiç, pasi stopoi saktësisht një top të ardhur nga thellësia, la pas bashkëkombasin e tij Radas dhe Jashanicën me një lëvizje të bukur dhe përballë Shehit e dërgoi topin në rrjetë ngjitur me shtyllën e djathtë. Në minutën e 28-të, braziliani Pit provoi me një diagonale të fortë nga e majta e sulmit kuksian, por topi si në rastin e Lilajt u ndal nga shtylla. Pjesa e parë u mbyll me një depërtim të bukur të Radas në qendër të zonës së Kukësit, por goditja e tij përfundoi mbi tra. Pjesa e dytë nisi me një moment të vështirë në portën e Skënderbeut, por Lushtaku pas një sllallomi që nga mesfusha nuk e shënjestroi si duhet portën e korçarëve. Pak çaste më vonë provoi edhe Dushku, por Shehi i mohoi golin. Me kalimin e minutave Josa hodhi në fushë dy sulmuesit Stojkov dhe Sefa, për të rritur forcën goditëse, por formacioni i Artim Shaqirit, u mbrojt mirë, duke mos lejuar prekjen e rrjetës, edhe pse në minutat shtesë u desh ndërhyrja vendimtare e Halilajt për të shmangur një gol të sigurt pas goditjes me kokë të Stojkov. Pavarësisht kësaj humbjeje, Skënderbeu ka shanse të mira për t’u kualifikuar në finale, por duhet të fitojë me dy gola diferencë në sfidën e kthimit që do të luhet pas dy javësh në Korçë.

 

Tirana-Laçi

Tirana dhe Laçi do të duhen të lajnë hesapet në ndeshjen tjetër, atë në Laç. Kjo, pasi sfida përfundoi në barazim pa gola dhe gjithçka ngelet e hapur për sfidën e dytë, por që nuk është një lajm i mirë për Tiranën që do të jetë në pozitat e miqve. Në “Qemal Stafa”, Magani hodhi në fushë Muzakën dhe Ndikumanën në krahët e Bushic në repartin e sulmit, ndërsa Cungu i jepte hapësirë mes shtyllave Mockës në 4-2-3-1 e Lacit me Nimanin, Cetkovic dhe Meton në mbështetje të James. Sinjali i parë nga bardheblutë, në minutën e 7-të krosim i Ndikumanës nga e majta dhe me daljen e pasigurt të Mockës, Curri ka në kokë një top të artë që e dërgon në shtyllë. Në gjithë sezonin, është vetëm ndeshja e 5-të që bardheblutë luajnë para tifozëve të tyre në shtëpi e mrekullueshme tribuna, ndërsa në fushë Laci e luan me kokën lart. Në të 13 Argjend Mustafa vë në provë me një goditje potente por qëndrore Edvan Bakajn. Tirana superiore në kontrollin e topit gjithsesi nuk arrin të krijojë raste të pastra ndërsa Laci kërkon befasinë me anë të kundërsulmit, në përfundim të një kundërzbritjeje të kurbinasve, Nimani provon nga brenda zonës pa gjetur kuadratin, irriton si Maganin që shqetësohet për mbrojtjen, ashtu dhe Cungun që qan rastin e humbur. Në minutën e 40 rrezikojnë autogolin futbollistët e Lacit në një krosim të Bulkut nga këndi, ndërsa në shtesën e pjesës së parë është Muzaka që provon me një goditje nga distanca që e devijuar shkon jashtë portës së Mockës që ndjek deri në fund topin. Magani e nis pjesën e dytë duke futur në lojë Sefën në vend të Argjend Malajt, por problemi i Tiranës mbetet i njëjti, bardheblutë pozicionohen në gjysmëfushën kundërshtare qarkullojnë mirë deri në 3/4 e fushës ku ju mungon pasimi i fundit, dhe rasti i parë i rrezikshëm i fraksionit të dytë vjen në minutën e 62 kur Taku shërben bukur në zonë për Ndikumanën që mund të kishte goditur më mirë me kokë. Në minutën e 67 veprim i bukur i Kahatas. I futur në lojë vetëm pak minuta më parë në vend të Kërcikut, keniani lëshon një goditje fluturimthi në kufirin e zonës me Mockën që bën shpëtimtarin duke devijuar një gol të sigurt sipër traversës. Futja e Kahataës i jep impulsin e duhur lojës së Tiranës, që vuan finalizimin, Muzaka në minutën e 72 pretendon një 11 metërsh në zonë por nuk është i të njëjtin mendim Kridens Meta. Ndeshja perfundon ne minuten e 75 për James që i lë vendin Aldo Mitrajt. Magani nga ana e tij ngel ne klase Ndikumenan qe del mes kontestimit të tifozëve në minutën e 80 për t’i bërë vend Hyshmerit. Me minutat që kalojnë Tirana intensifikon përpjekjet por ka më shumë tym sesa zjarr edhe pse kombinimet e bukura nuk mungojnë. Në minutën e 86 një krosim i bukur i Kahatas krijon mundesinë e goditjes nga qendra e zonës për Bulkun që nuk gjen dot instiktin e goleadorit. Ne fakt nuk arrin ta gjeje edhe Bushic që për zanat duhet ta kete ne gjak, dhe as minutat e shtesës nuk sollën asnjë ndryshim dhe vërshëllima e fundit sanksionoi rezultatin 0-0 për kënaqësinë e Cungut që e luajti edhe barazimin. Gjithcka vendoset në 22 Prill. Më këtë sezon Tirana nuk ka fituar asnjë herë ndaj kurbinasve në Laç i ka humbur të dyja ndeshjet, 2-0 dhe 3-0, për të kaluar në finale, bardheblutë duket se kanë një mal të lartë për të ngjitur.

 

Pero Pejiç fiton betejën ligjore ndaj Skënderbeut

Pero Pejiç sezonin e shkuar ishte gjerdani i skuadrës së Skënderbeut, duke qenë një nga njerëzit thelbësor të kësaj skuadre në triumfin e arritur në kampionat, por tashmë kroati është plotësisht i vendosur kundër ish-klubit ët tij dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për çështje sportive, ku aktualisht 32-vjeçari është pjesë e rivalëve të Kukësit, por edhe përsa u përket çështjeve ligjore. Sulmuesi ka fituar pjesërisht gjyqin në FIFA e klubin korçar dhe tashmë Skënderbeu është i detyruar ti paguajë Pero Pejiçit një pjesë të pagave të prapambetura të cilat nuk u shlyen në kohën kur kroati aktivizohej me fanellën bardhekuqe ose më saktë 14 mijë e 700 euro. Në shkresën që FIFA ka depozituar në zyrat e klubit jug-lindor shkruhet: “Kërkesa e paditësit Pero Pejiç, është pranuar pjesërisht, pala e paditur FK Skënderbeu është e detyruar t’i paguajë paditësit brenda një afati kohor prej 30 ditësh 14 mijë euro plus interesat. Në rast se shuma e përmendur së bashku me interesat nuk shlyhet brenda afatit të caktuar, atëherë çështja i kalon komisionit disiplinor të FIFA-s. Pra e përkthyer më qartë nëse Skënderbeu nuk i paguan detyrimin e caktuar Pero Pejiçit brenda 30 ditëve rrezikon të humbasë 3 pikë në tavolinë. Dhe sigurisht kjo do të ishte një goditje mjaft e rëndë për korçarët, në një moment kur po luftojnë për titullin e 5-ët radhazi, dhe sigurisht do të favorizonte skuadrën ku Pejiç kontribuon Kukësin. Në fakt çështjet ligjore të sulmuesit kroat nuk janë të lidhura vetëm me Skënderbeun, pasi sulmuesi është në një betejë të hapur edhe me Tiranën, ku pretendon që klubi kryeqytetas i detyrohet 33 mijë euro, ndërsa drejtuesit bardheblu pranojnë se duhet ti shlyejnë jo më shumë se 27 mijë euro, gjithsesi gjasat janë që edhe këtë betejë ta fitojë sërish Pero Pejiç, i suksesshëm jo vetëm në fushë por edhe në gjykatën e qeverisë botërore të futbollit.

 

Granit Xhaka nën vëzhgim nga Bajerni dhe Atletikoja e Madridit

Forma e Granit Xhakës këtë sezon me fanellën e Borusia Mynshenglabahut ka tërhequr vëmendjen e shumë specialistëve dhe klubeve nëpër Evropë. Pas spekulimeve në lidhje me një lëvizje të mundshme të 22-vjeçarit drejt Bajernit të Mynihut, e përditshmja gjermane “Bild” raporton për një tjetër interesim, por që vjen nga Spanja, dhe pikërisht nga kampionët në fuqi të La Ligës Atletikoja e Madridit. Mësohet se klubi kryeqytetas ka dërguar emisarë të tij për ta ndjekur nga afër Granit Xhakën në takimin e Ligës së Evropës mes Seviljes dhe Gladbahut, dhe po ashtu ata kanë qenë prezent edhe në përballjen mes Zvicrës dhe Estonisë ku mesfushori gjeti edhe rrugën e rrjetës, diçka që dëshmon se nuk bëhet fjalë vetëm për një sondazh por për një objektiv konkret. Diego Pablo Simeone sheh tek djaloshi kosovar pasuesin ideal të kapitenit Gabit, i cili po i drejtohet epilogut të karrierës dhe për këtë mund të jetë i gatshëm të plotësojë dëshirat e klubit gjerman, i cili kërkon për kartonin e Xhakës plot 25 milion euro, megjithëse për momentin madrilenët kërkojnë të ulin disi pretendimet e Borusias duke përgatitur një ofertë e cila kap shifrën e 18 milionë eurove. Gjithsesi interesi nga të dyja palët për të startuar dhe konkluduar një tratativë të mundshme ekziston, dhe pa diskutim që edhe vetë 22 vjeçari nuk do ti kundërvihej një transferimi të tillë, ku do të kishte mundësinë që me shumë gjasa sezonin e ardhshëm të merrte pjesë edhe në Ligën e Kampionëve, për më shumë që nën kujdesin e një tekniku si Simeone rritja e tij profesionale do të ndërmerrte hapa gjigant, megjithatë duhet pritur merkato verore, për të kaluar nga fjalët tek faktet konkrete.

 

 Drejtuesit e Vllaznisë, premio për ndeshjen ndaj Tiranës

Vllaznia, pasi ka siguruar praktikisht mbijetesën në Superiore, nuk ka më asnjë objektiv për të arritur, por ky nuk mund të jetë argument që lojtarët kuqeblu të mos impenjohen në takimet e mbetura apo, më keq, të mos i zbatojnë detyrat e trajnerit Luan Zmijani, i cili sipas burime pranë klubit ka kërkuar ndëshkimin me gjobë për tre lojtarë, Ndriçim Shtubinën, Gilman Likën dhe Olsi Gocajn. I pari për kartonin e verdhë që mori ndaj Teutës, pas një debati me gjyqtarin, ndërsa dy lojtarët e tjerë për shkak se nuk zbatuan udhëzimet e trajnerit në rastin e 11-metërshit të humbur nga Gilman Liga, sepse Zmijani kishte kërkuar që goditjen nga pika e bardhë ta ekzekutonte Gocaj. Në javën e 30-të të Superiore, Vllaznia do të luajë në transfertë me Tiranën dhe për këtë ndeshje, drejtuesit e klubit kanë vendosur një premio prej 1 milionë Lekësh të rinj në rast fitoreje dhe gjysmën e kësaj shumë për barazimin. Pavarësisht rezultatit që do të prodhojë fusha e blertë pozicioni i kuqebluve në renditje nuk është se ka një vlerë përveçse statistikore, megjithatë drejtuesit e klubit kërkojnë t’i mbajnë të karikuar lojtarët për të respektuar kampionatin dhe për të vijuar me lojërat e mirë në kuadër të ndërtimit të një grupi pretendent për sezonin e ardhshëm.

 

 Zidan: Ronaldo dëshiron të përmirësohet

“Dëshira e Kristiano Ronaldos që të përmirësohet vazhdimisht është jetike për suksesin e Realit”, – thotë Zinedin Zidan. Portugezi ka qenë në formë shumë të mirë këtë sezon, duke shënuar 36 gola në 26 paraqitje në La Liga. Pavarësisht gjithë sukseseve, 30-vjeçari vazhdon të japë gjithçka që të përmirësohet dhe për këtë Zidan e respekton shumë. “Është dëshira e tij e madhe që të përmirësohet gjithmonë ajo që më befason. Në të njëjtën kohë, nuk habitem”, – deklaroi fillimisht francezi. “Gjëja e mrekullueshme për mua është se ai gjithnjë tenton të përmirësohet. Edhe nëse fiton trofe e shënon shumë gola gjatë një sezoni, synimi i tij është që të vazhdojë të përmirësohet”, – shtoi ai. “Ai gjithnjë dëshiron të tregojë, edhe në seanca stërvitore, se ai dëshiron të fitojë. Është e mrekullueshme. Kjo gjë e bën që të qëndrojë në maje të suksesit – ambicia që të jetë më i miri”, – tha mes tjerash Zidan.

 

 Laporta konfirmon kandidimin për president të Barcelonës

Joan Laporta është gati që të kandidojë për postin e presidentit të Barcelonës, pasi ka plotësuar kushtin për garanci financiare prej 76 milionë eurosh, të nevojshëm për të garuar për atë pozitë. “Liga de Futbol Profesional” (LFP) që është përgjegjëse për të dyja ligat profesionale në Spanjë, kërkon garanci prej 15 për qind të shpenzimeve të klubit nga kandidatët, para se t’u lejojë konkurrimin. Laporta akoma nuk e ka konfirmuar publikisht nëse do të jetë në garë për presidencën e “blaugranëve”, por tashmë ka mbledhur mbështetjen financiare të nevojshme për ta bërë këtë. Pritet vetëm njoftimi formal i kandidimit të tij në javët e ardhshme. 52-vjeçari ka qenë president i Barçës gjatë viteve 2003-2010. Në vitin 2008, ai e angazhoi Pep Guardiolën në postin e trajnerit dhe gjatë asaj kohe klubi shënoi periudhën më të suksesshme në histori.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency