Ekzekutimi/ Zbardhet masakra në Vlorë, policia: Morën hakun e shokut të ofenduar në kazino

0
148

Zbardhet masakra në VlorëPolicia e Vlorës jep detaje lidhur me masakrën e së martës ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagos një tjetër pas përplasjes me armë. Shkak, grindja në kazino

Policia e Vlorës ka zbardhur dje në mënyrë të hollësishme gjithë dinamikën e masakrës së shënuar ditën e mërkurë në lagjen “Çole”, në qytetin bregdetar. Policia bën me dije se si pasojë e përplasjes me armë zjarri mes dy grupeve, humbën jetën tre persona dhe u plagos një tjetër. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. Sipas policisë, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, rreth orës 4:00, shtetasi Xhuliano Lutaj ka qenë në shoqërinë e shokut të tij, shtetasit Albi Limaj në një lokal lojërash fati (kazino), në afërsi të portit, kur është konfliktuar me shtetasit Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj, të cilët ishin të pajisur me armë zjarri, kanë ofenduar dhe dhunuar Xhuliano Lutajn. Pas këtij momenti, Xhuliano i rrëfen gjithçka ndodhi shokut të tij Albi Limaj, i cili nuk ndodhej me të gjatë konfliktit. Nëpërmjet shtetasit Albi Limaj, vihet në dijeni të këtij fakti edhe shtetasi Aleksandër Llanaj, i cili kishte shoqëri me shtetasit Xhuliano Lutaj dhe Albi Limaj. Të nesërmen, ai vendosi të sqarohej me shtetasit Ardi Velaj dhe Akil Hasanaj, të cilët ndodheshin në lokalin “Adore”, duke pirë kafe.

 

Sqarimi

Policia e Vlorës bën me dije se disa orë më vonë pasi u larguan nga ambientet e kazinosë, së bashku me shtetasit Aleksandër Llanaj, Albi Limaj, Bertil Alliaj dhe Ani Begaj, i cili drejtonte automjetin tip “BMW X5”, me targa AA 323 AO, shkojnë në afërsi të lokalit “Adore”, për të takuar shtetasit Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj. Nga automjeti tip “BMW”, zbresin Albi Limaj dhe Aleksandër Llanaj, të cilët sapo janë takuar me shtetasit Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj kanë nisur konfliktin, i cili ka degraduar me përdorimin e armëve të zjarrit. Si pasojë kanë mbetur të vdekur shtetasit Akil Hasanaj, Ardi Velaj dhe Albi Limaj, si dhe është plagosur rëndë shtetasi Aleksandër Llanaj, i cili është transportuar për në spitalin rajonal të Vlorës dhe ndodhet nën kujdesin mjekësor. Ndërsa shtetasi Bertil Alliaj, gjatë shkëmbimit të zjarrit, ka zbritur nga automjeti “BMW X5”, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Limaj dhe Llanaj janë futur të parët në lokal ku brenda pak minutave ka filluar shkëmbimi i zjarrit mes të rinjve, ku mbetën të vdekur në vend Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj, ndërsa i riu i grupit kundërshtar Albi Limaj ndërroi jetë në spital. Nga përplasja e armatosur mbeti i plagosur edhe Aleksandër Llanaj i cili ndodhet nën arrest në kujdesin e mjekëve të Spitalit të Vlorës. Në momentin e shkëmbimit të zjarrit nga vendngjarja janë larguar menjëherë Bertil Alliaj dhe Ani Begaj, të cilët u arrestuan më pas nga policia e Vlorës. Ndërsa pas marrjes në pyetje, Xhuliano Lutaj u la i lirë.

 

Arrestimet

Dy persona janë arrestuar nga policia si të përfshirë në ngjarje, ndërsa një i tretë është shoqëruar në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Po ashtu i arrestuar është edhe Aleksandër Llanaj i cili u plagos nga përleshja e armatosur. Ani Begaj, u kap afër spitalit në makinë “BMW X5”, me targa AA 323 AO, i përfshirë në ngjarje dhe Bertil Alliaj, 23 vjec. Xhuliano Lutaj, 21 vjeç u shoqërua dhe u mor në cilësinë e personit i cili ka dijeni rreth ngjarjes. Sakaq, Policia e Vlorës mësohet se gjeti pranë trupit të pajetë të Hasanajt dhe Velajt dy pistoleta, me të cilat të rinjtë iu kundërpërgjigjën të shtënave nga Limaj dhe Llanaj. Ndërsa në vendngjarje mësohet se janë gjetur 13 gëzhoja pistolete të kalibrit 9 mm.

 

7 të rinjtë e përfshirë në masakrën e “Çoles”

  1. Akil Hasanaj, 29 vjeç, banues në Vlorë, i vrarë
  2. Ardi Velaj, 27 vjeç, banues në Vlorë, i vrarë
  3. Albi Arjan Limaj, 21 vjeç, nga Vlora, humbi jetën rrugës për në spital
  4. Aleksandër Llanaj, 23 vjeç, banues në Vlorë, i plagosur
  5. Bertil Alliaj, 23 vjeç, banues në Vlorë, i arrestuar
  6. Xhuliano Lutaj 21 vjeç banues në Vlorë, i lënë i lirë
  7. Ani Begaj, 19 vjeç, banues në Vlorë, i arrestuar

 

Mbajti gradë të pamerituar, Gjykata dënon me 30 mijë lekë gjobë Kristaq Gërvenin

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 30 mijë lekë të reja gjobë ish-atasheun tonë ushtarak në NATO, Kristaq Gërveni. Ndërsa organi i akuzës kishte kërkuar dënimin me 6 muaj burg për Gërvenin, por gjykata vendosi ta dënojë atë me gjobë. Kundëradmiral Gërveni akuzohej për “Pranim të favoreve nga ushtaraku”. Kallëzimi ndaj Kristaq Gërvenit është bërë në qershor të vitit të kaluar nga zyra juridike e Ministrisë së Mbrojtjes, ku sipas informacionit të paraqitur në prokurorinë e Tiranës përdorimi i gradës “Admiral” është zbuluar në rastin e takimit të 170-të të shefave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere të zhvilluar në selinë e Aleancës në Bruksel. Kristaq Gërveni ka qenë edhe një ndër negociatorët e paktit detar me Greqinë, çështje edhe kjo e cila po hetohet nga ana e Prokurorisë. Kundëradmiral, Gristaq Gërveni u lirua nga detyra në prill të vitit të kaluar me dekret të Presidentit Nishani. Burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se 55-vjeçari është titulluar oficer aktiv në FA që prej vitit 1983, ndërsa ka kryer detyra të ndryshme, duke arritur deri në detyrën e zëvendës Shefit të Shtabit, ndërsa ka përfituar gradat në mënyrë hierarkike. Në vitin 2009, në bazë të dekretit të Presidentit, është graduar kundëradmiral dhe me dekretin e vitit 2011 u emërua me detyrë përfaqësues ushtarak në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në Bruksel. Gjatë periudhës që shërbente në NATO, konkretisht me datat 22 janar 2014 dhe 23 janar 2014, në takimin e zhvilluar në Komitetin Ushtarak të NATO-s në Shtabin e NATO-s në Bruksel, takim i cili është zhvilluar në formatin e shefave të shtabeve, ai ka vepruar në kundërshtim me dekretin e Presidentit të Republikës, si dhe me ligjin “Për gradat dhe karrierën ushtarake”. Gjithashtu sipas prokurorisë, ai ka shkelur edhe aktet e tjera ligjore e nënligjore në fuqi për Forcat e Armatosura, duke mbajtur shenjat dalluese të gradës ushtarake “Admiral”, që nuk i takon. Po këtë veprim, kundëradmirali Kristaq Gërveni e ka kryer edhe më datën 22 tetor 2013, në takimin bilateral të zhvilluar në selinë qendrore të NATO-s, ndërmjet sekretarit të përgjithshëm dhe ministrit të Mbrojtjes. Më tej, thuhet se Gërveni me një shkresë të datës 23 qershor 2014 të Ministrisë së Mbrojtjes është kallëzuar për ndjekje penale, për “Pranim të favoreve nga ushtaraku”.

 

Makina përplas motorin, drejtuesi në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në kryeqytet me pasojë plagosjen e një personi. Burime nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se ngjarja e rëndë është shënuar mesditën e djeshme në zonën e njohur si “Pallati me shigjeta”, ku drejtuesi i motorit me targa AH 443, u përplas nga një automjet. Si pasojë e përplasjes së fuqishme, 30-vjeçari mësohet se ka pësuar dëmtime të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e shumta të policisë së kryeqytetit duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. I aksidentuari është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës për të marrë dhe ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia ka ndaluar drejtuesin e makinës që përplasi 30-vjeçarin dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Materialet lidhur me këtë ngjarje iu referuan Prokurorisë së Tiranës për vazhdime të mëtejshme procedurale.

 

 Kurbin, vodhën një makinë dhe grabitën një burrë, policia nis hetimet

Katër persona të maskuar kanë vjedhur një automjet dhe më pas kanë grabitur një burrë në Kurbin. Burime zyrtare nga Policia e Kurbinit kanë bërë me dije se autorët e këtyre ngjarjeve nuk janë identifikuar ende. Të njëjtat burime kanë theksuar se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, rreth orës 2:10, në Sallën e Komandimit të Komisariatit të Policisë Kurbin ka telefonuar B. K., banues në Tiranë, i cili ka kallëzuar se rreth orës 2.00, në superstradën Kurbin – Fushë-Krujë, duke lëvizur me mjetin “Audi” me targë AA 313 HV, bashkë me disa familjarë, i kanë dalë para katër persona të maskuar. Të maskuarit udhëtonin me mjetin tip “Mercedes-Benz” me targë AA 332 LE. Ata kanë grabitur B. K., duke i marrë shumën prej 15.000 lekë të rinj, një orë dore dhe një telefon celular. Në vijim të veprimeve ka rezultuar se mjetin autorët ia kanë grabitur pak minuta më parë drejtuesit A. Sh., banues në Kamëz, Tiranë, tek kryqëzimi i Gjormit, Kurbin.

 

Aksione në Durrës, policia shoqëron 30 persona në komisariate

Policia e Durrësit ka shoqëruar gjatë dy ditëve të fundit rreth 30 persona, pas një aksioni të ndërmarrë nga policia e këtij qyteti nisur nga dita e martë, për të shtuar masat në sigurinë rrugore, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, me anë të shtimit të numrit të pikave të kontrollit në hyrje-daljet e qytetit si edhe përgjatë akseve rrugore. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë me dije se shërbime të përforcuara kanë qenë të përqendruara kryesisht në Shijak dhe Krujë, ku janë shoqëruar 30 persona në komisariate, janë arrestuar në flagrancë 2 persona për përdorim të pijeve alkoolike gjatë drejtimit të mjetit, janë bllokuar 6 mjete për shkak të mungesës së dokumentacionit, si dhe është bllokuar një mjet i blinduar. Të gjitha këto materiale ne ngarkim të këtyre personave, policia thekson se iu kaluan prokurorisë për vazhdime të mëtejshme proceduriale. Policia shprehet se ky aksion do të vazhdojë dhe në ditët në vijim për të luftuar kriminalitetin si edhe për të rritur rendin e sigurinë në qytet.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency