Luftë rivalësh në Vlorë, vriten tre persona, arrestohen tre të dyshuar

0
137

vrasja ne vloreDyshohet për hakmarrje mes dy grupeve rivale. Ekzekutime të tipit mafioz mes të rinjve. Policia ka dyshime të forta se ngjarja ka ndodhur për shkak të femrave

 Përgjaket qendra e qytetit bregdetar të Vlorës. Një masakër e vërtetë ka ndodhur mesditën e djeshme në qytetin e Vlorës, ku tre persona mbetën të vrarë gjatë përplasjes me armë në lagjen e njohur si “Çole”, ndërsa një i katërt mbeti i plagosur. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës kanë bërë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 në ambientet e jashtme të lokalit “Adore”, kur nga dy makina “BMW X5”, u qëllua me kallashnikov në drejtim të 27-vjeçarit Alfred Velaj dhe 29-vjeçarit Haki Rakipaj, të cilët ndodheshin të ulur në lokal. Sipas policisë mësohet se ka qenë Albi Limaj, i cili ka dalë i pari nga mjetet dhe ka hyrë në lokal për të biseduar me dy personat që ndodheshin brenda në lokal, si dhe pretendohet se kishte njohje. Biseda ka degjeneruar në fyerje dhe më pas, Albi Limaj, ka dalë nga lokali dhe ka qëlluar më armë në drejtim të Rakipit dhe Velajt, ndërsa ndaj këtyre të fundit kanë qëlluar edhe shokët e Albi Limaj. Por dy të rinjtë janë kundërpërgjigjur duke qëlluar me pistoletë kundrejt autorëve, e për pasojë humbën jetën Albi Limaj dhe u plagos Aleksandër Llanaj. Megjithatë, pavarësisht rezistencës, Velaj dhe Rakipaj nuk mundën t’i rezistonin plagëve të marra duke ndërruar jetë. Pas përplasjes me armë, i plagosur Aleksandër Llanaj është dërguar nga bashkëpunëtorët në krim në Spitalin e Vlorës, aty ku policia gjeti dhe dy automjetet e përfshira në vrasjen e trefishtë. Policia arrestoi 2 autorë të dyshuar, Ani Telaj, Ervis Mehmeti dhe të plagosurin Llanaj, ndërsa një person i tretë i cili dyshohej se ndodhej së bashku me ta në makinë është shpallur në kërkim. I plagosuri Aleksandër Llanaj mësohet se ka marrë vetëm një plumb në shpatull dhe se ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Vlorës.

 

Arrestimi

Policia e Vlorës bën me dije se arrestoi shtetasit Aleksandër Llanaj, Ani Delaj dhe Ervis Mehmeti, si autorë të dyshuar të masakrës së ndodhur ditën e djeshme, ndërsa është në kërkim edhe një person i katërt, që është larguar me automjet. Për këtë arsye policia ka nisur një operacion ndjekje dhe kërkimi si dhe janë ngritur postblloqe në disa akse rrugore për të kapur të kërkuarin e identifikuar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy pistoleta dhe janë bllokuar dy automjete “BMW X5”. Policia në vendngjarje ka ngritur grup të posaçëm hetimor me prokurorinë dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Janë marrë në pyetje tre të ndaluarit dhe gjithë dëshmitarët në lokal. Pistat e kësaj ngjarje janë disa, që nga sherri i çastit, te një konflikt i vjetër deri te larje hesapesh për çështje trafiqesh të ndryshme. Sipas policisë pjesa më e madhe e personave të përfshirë në këtë konflikt janë persona me precedentë penale për vepra të ndryshme. Burime nga Policia e Vlorës thanë se tre personat që humbën jetën dje në Vlorë janë me precedentë penale jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Spanjë ku mësohet se janë përfshirë në rrjete prostitucioni. Dy të rinjtë Alfred Velaj, 27 vjeç dhe Haki Rakipaj, 29 vjeç, mësohet se kanë qenë në lokalin “Adore”, në lagjen Çole në Vlorë, ndërsa nga makina kanë qëlluar fillimisht Albi Limaj dhe Aleksandër Llanaj. Një person i tretë dyshohet se është përfshirë në vrasje dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Për këtë arsye policia ka ngritur postblloqe në Vlorë, Fier e Gjirokastër. Ky person dyshohet se ka qenë me autorët që kanë qëlluar nga makina.

 

Viktimat në lokal

  1. Haki Rakipaj, 29 vjeç
  2. Alfred Velaj, 27 vjeç

 

Atentatorët në makinë

  1. Albi Limaj (humbi jetën nga përplasja me armë)
  2. Aleksandër Llanaj (i plagosur dhe i arrestuar)
  3. Ervis Mehmeti (i arrestuar)
  4. Ani Telaj (i arrestuar)

 

Aksidentoi familjen Peka, Uarda Çota dërgohet për gjykim me 2 akuza

Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim Uarda Çotën, si shkaktare të aksidentit me pasojë vdekjen e dalit 11-vjeçar të ish-zv.ministrit të Brendshëm Avenir Peka. Mësohet se që nga koha kur ka ndodhur aksidenti tragjik i familjes Peka ka kaluar rreth tre muaj. Sipas prokurorisë, Çota tejkaloi shpejtësinë, duke shkaktuar aksidentin me pasojë vdekjen dhe është nën akuzë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugorë dhe për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Pas arrestimit e reja që shihni në këtë foto shprehu keqardhje për aksidentin dhe pasojat e tij, pranuar se gjithçka ndodhi në pak sekonda dhe ajo nuk kishte qëllim të përplaste automjetin. Po për këtë ngjarje policia arrestoi dhe drejtuesit e firmës që kryenin punimet në Unazën e Tiranës, pasi nuk kishin vendosur sinjalistikën, por ata u lanë më pas të lirë nga gjykata. Uarda Çota, 26-vjeçarja që mbrëmjen e 29 dhjetorit aksidentoi në kryeqytet familjen e ish-zv.ministrit të Brendshëm Avenir Peka, rrezikon të dënohet vetëm me 5 vjet burg. Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e arrestit burg, ndërsa e marrë në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore, Çota ka shprehur keqardhjen për aksidentin ku humbi jetën 11-vjeçari Rubin Peka. Aktualisht, 26-vjeçarja nga Elbasani, pas vlerësimit si të ligjshëm të arrestit të flagrancë nga ana e Gjykatës së Tiranës, ndodhet në ambientet e burgut 302. Uarda Çota drejtonte mjetin tip “Mercedes-Benz”, me targë EN 07 XNR në gjendje të dehur, në masën 0.88 miligramë për litër, kur goditi mjetin “Chrysler”, me targë AA200AR. Akuza e ngritur nga Prokuroria është ajo e bazuar në nenin 290, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” si dhe në nenin 291, “Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi”. Në bazë të nenit 290, drejtuesja e mjetit, që ka shkaktuar vdekjen ose plagosjen e rëndë e disa personave, rrezikon të dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet. Gjatë marrjes në pyetje ajo është shprehur se për shkak të gjendjes së alkoolizuar dhe errësirës në rrugë nuk ka pasur mundësi të evidentonte mjetin “Chrysler”, të cilin e goditi në segmentin ku po ndërtohet Unaza e Madhe e kryeqytetit.

 

Grabitet gardisti, tre persona i marrin portofolin te Liqeni

Një i Gardës së Republikës ka rënë pre e grabitjes nga tre persona të maskuar. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur më datë 4 prill të këtij viti në vendin e quajtur “Trau i Parkut të Liqenit”, në afërsi të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pre e grabitjes ka rënë gardisti 29-vjeçar me iniciale G. D., banues në kryeqytet. Sipas policisë, 29-vjeçari është grabitur nga tre persona ende të paidentifikuar, të moshës rreth 20 vjeç, të maskuar dhe të armatosur me pistoletë. Mësohet se tre grabitësit e kanë kanosur gardistin e Gardës së Republikës dhe pasi i kanë marrë portofolin që gardisti e mbante me vete, ata e kanë lënë të lirë. Menjëherë është vënë në dijeni policia e kryeqytetit, e cila ka shkuar në vendngjarje duke nisur menjëherë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve që grabitën gardistin. Materialet lidhur me këtë rast iu referuan Prokurorisë së Tiranës për vazhdime të mëtejshme procedurale.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency