Bankers, e përkëdhelura e shtetit shqiptar

0
159

Ervin Kaduku

 shperthimet ne marinze–  Njerëzit shtrohen në spital, kompania e huaj shumëfishon fitimet, organizatat e të drejtave të njeriut shprehin shqetësimin. Vetëm shteti… hesht!

Dëme të mëdha në mjedis janë shkaktuar së fundi nga shpërthimet e puseve horizontale në Marinëz, por në përgjithësi zona naftëmbajtëse përreth është kërcënuar vazhdimisht nga mënyra se si punon kompania Bankers Petroleum prej shumë vitesh.

Aty uji nuk mund të pihet më, rezulton të jetë 7-8 herë më i kripur se uji i detit. Toka është shumë e ndotur dhe nuk mund të mbillet. Produktet bujqësore të zonës janë të ndotura dhe nuk gjejnë më treg shitjeje, se nuk i preferon askush, sapo blerësit kuptojnë se vijnë nga toka e Marinzës.

Gjithë sipërfaqja e zonës së Marinzës aktualisht paraqet një mjedis rrëmuje, katrahure, ngjan me një fushë beteje. Kudo ka makineri që punojnë e që nuk punojnë, kontejnerë të mëdhenj, pompa naftënxjerrëse, kulla pusesh, mbetje të shumta metalike, dhera të hedhura kudo në territor, gropa e kanale me naftë, rrugë të pashtruara me asfalt dhe makina që lëvizin duke e mbajtur në mënyrë konstante atmosferën aty të ngarkuar me pluhur me grimca deri në shumë të imta.

Gazrat që dalin janë nervo-paralizues, shkaktojnë dëmtime të trurit dhe zemrës. Elemente të hidrokarbureve janë gjetur në trupin e një shumice banorësh të fshatit Marinëz, ku dy prej tyre janë shtruar në spital vetëm ditët e fundit. Bagëtia kullot dhe ha ushqime të kontaminuara me naftë e gaz.

Kompania duket se nuk bën kujdes për banorët dhe jetën e tyre, mendon vetëm si të shfrytëzojë në mënyrë barbare naftën, duke përdorur metoda “shtrydhëse”, nëpërmjet injektimit me presion të lëndëve dhe ujit në shtresat naftëmbajtëse me tepri, si dhe duke bërë vazhdimisht plasje në thellësi për të grumbulluar naftën atje ku mund ta tërheqë me pompa naftëthithëse.

Sipas specialistëve të naftës, shpërthimet në shtresa shkaktojnë çarje të shtresave më lart dhe u japin mundësi kapsulave të gazit të çahen dhe gazi të gjejë rrugë për të dalë në sipërfaqe në mënyrë shpërthyese, për shkak se gjendet nën presion të lartë. Kjo favorizohet nga injektimi i lëndëve të ndryshme dhe ujit nga sipërfaqja përmes kolonave të pusit dhe për këto arsye ndodhën edhe shpërthimet e fundit.

Aktualisht janë të panumërueshme vendet ku gazi e ujëra me llum dalin në sipërfaqe të tokës, kudo nëpër ara, kopshte, oborre, rrëzë mureve të shtëpive, në rrugët e fshatit, etj. Më parë, kur kjo fushë naftëmbajtëse shfrytëzohej nga shteti dhe marrja e naftës ishte në rrugë natyrale, sipas presionit që kishte vetë shtresa, nafta mblidhej në pellgun, nga tërhiqej me pompa drejt sipërfaqes.

Sipas të dhënave të ekspertëve të naftës, fusha naftëmbajtëse e Patos-Marinzës ka aq naftë, sa mund të shfrytëzohet për afro 100 vjet, por kompania Bankers Petroleum po e shfrytëzon në mënyrë tejet barbare, kërkon ta shfrytëzojë intensivisht dhe të marrë për 10-15 vjet aq naftë, sa duhet të merret normalisht për dhjetëra vjet dhe pastaj të largohet, duke lënë pas një territor të shkatërruar.

Për dëmet që kanë pësuar prej kohësh, e që po të pësojnë në vazhdimësi, banorët duhet të bëjnë denoncim në Prokurori dhe të kërkojnë dëmshpërblimet që kompania u detyrohet.

Jo vetëm sikur të vepronte në Kanada, nga ka ardhur, por në asnjë vend tjetër të botës nuk mund të vepronte kështu, as kjo kompani dhe asnjë tjetër, kurrsesi nuk mund të sillej kështu me banorët e Marinzës, duke u rrezikuar dhe kërcënuar sigurinë e jetës.

Por, pyetja e madhe që shtrohet mbetet: Çfarë po bën shteti ynë për të mbrojtur qytetarët e vet?

Kompania Bankers Petroleum hesht dhe nuk është treguar transparente për operacionin e ndërmarrë në atë pus që shpërtheu, teknologjinë e përdorur, materialet e përdorura e lëndët e injektuara në pus, presionin me të cilin është punuar në të, arsyen teknike të shpërthimit, përbërjen e lëndëve të shpërndara prej atij pusi në një zonë të gjerë, dëmtimet në shtresa nëntokësore ardhur nga operacionet pas të cilave ndodhi shpërthimi, qëndrueshmërinë e tokës pas shpërthimit në atë zonë dhe mungesën e një plani rehabilitimi, përfshirë rehabilitimin mjedisor.

Madje, Bankers rezulton se njoftimin e fundit për ngjarjen në Marinëz e ka të datës 1 prill, ditës së shpërthimit dhe i referohet aktivizimit të planit të evakuimit!

Por më shumë se sa ai i Bankers-it, shqetësuese është heshtja e ministrisë përgjegjëse.

 

Kompania

Bankers Petroleum ka pozicionin kryesues aktualisht ndër koncesionarët e naftës dhe gazit – ai është operatori i vetëm në Patos-Marinzë, duke prodhuar 1.06 milionë tonë naftë në vitin 2013, sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës, nga 1.2 milionë tonë, që ishte prodhimi gjithsej po atë vit. Kompania ka shënuar rritje të shpejtë të aktivitetit të saj në vite, duke u bërë aktualisht sipërmarrja më e madhe në vend për sa i përket qarkullimit vjetor. Në vitin 2013, xhiroja e kompanisë (Të ardhurat e rakorduara me deklarimet tatimore PDF për efekt të TVSH-së), arriti një nivel rekord prej rreth 68 miliardë lekësh (484 milionë euro), me një rritje prej 28% me bazë vjetore, sipas bilancit të saj të vitit 2013.

Kompania rezulton me një tatim fitimi kontabël të shtyrë prej 8.2 miliardë lekësh në 2013 (rreth 60 milionë euro), nga 6.5 miliardë lekë në 2012-n. Por, sipas shpjegimit në bilancin e saj të vitit 2013, “rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ por, bazuar në marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers (në atë kohë i quajtur me emrin tregtar Saxon International Energy) që është aprovuar me VKM 77, datë 16.07.2004. Në këtë marrëveshje neni 13 (1) përcaktohet që kontraktori (Saxon) është përgjegjës që të llogarisë dhe të paguajë tatimin mbi fitimin në përputhje me ligjin 7811, datë 12.04.1994 ‘Për aprovimin e dekretit 782, datë 22.02.2004 ‘Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve’. Sipas nenit 2 të këtij ligji, për periudhën e kërkimit dhe zhvillimit, rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative dhe kapitale të bëra nga nënkontraktori. Po kështu, në këtë legjislacion paraqitet dhe mënyra e llogaritjes së tarifës dhe të tatimit mbi fitimin, të cilën e grumbullon për llogari të shtetit shqiptar Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve (aktualisht Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore). Në Marrëveshjen e Hidrokarbureve, përcaktohet në aneksin B dhe procedura e llogaritjes së kostove dhe të ardhurave nga ana e Bankës për llogaritjen e fitimit. Kjo është dhe baza e përdorur për llogaritjen e rezultatit të shoqërisë Bankers Petroleum Albania Ltd për vitin 2013. Aplikimi i tatimit në masën 50% dhe jo në masën 10% i njohur sipas legjislacionit tatimor shqiptar është bërë pasi ka marrë në konsideratë marrëveshjen koncesionare, ku në dallim nga legjislacioni aktual shqiptar njihen si shpenzime të njohura për efekte tatimore, përveç shpenzimeve të periudhës të cilat sjellin të ardhurat në po atë periudhë dhe vlera të tilla si: Kosto të ndërtimit të aktiveve afatgjatë; Kosto e inventarëve që përdoren në procesin e ndërtimit të aktiveve afatgjatë dhe prodhimit; Kosto e përmirësimit të aktiveve afatgjata materiale; Komisionet bankare; Diferencat nga këmbimi të njohura sipas legjislacionit shqiptar fiskal etj.”, thuhet në raportin vjetor të kompanisë për vitin 2013.

 

Tatim fitimi aktual

“Në vijim të Marrëveshjes së Hidrokarbureve e lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers, për periudhën e kërkimit dhe zhvillimit, rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat zbriten të gjitha shpenzimet operative dhe kapitale të bëra nga nënkontraktori. Po kështu, në këtë legjislacion paraqitet dhe mënyra e llogaritjes së tarifës dhe të tatimit mbi fitimin, të cilën e grumbullon për llogari të shtetit shqiptar Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve (aktualisht Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, AKBN). Në vijim të sa më sipër, Bankers Petroleum Ltd komunikon çdo vit me AKBN deklarimin e humbjes së periudhës si dhe humbjen e mbartur deri në datën e raportimit. Ky deklarim, sipas marrëveshjes së mësipërme, quhet përfundimtar në rast se nuk ka në përgjigje negative prej AKBN brenda 3 viteve nga data e përgatitjes së PF dhe e llogarive”, thuhet në raportin vjetor të Bankers.

Humbja e tatueshme, e deklaruar nga Bankers për vitin 2013, është 142 milionë euro, sipas bilancit të saj dorëzuar tek autoritetet shqiptare. Ndërsa në raportin vjetor publikuar në faqen e saj të internetit dhe deklarohet në Bursën e Torontos, kompania deklaron të ardhura neto për vitin prej 61.7 milionë dollarësh dhe fitim për aksion prej 0.24 dollarësh.

Në gjashtë vjet (nga 2008-a, kur Bankers figuron për herë të parë në listën e kompanive më të mëdha në vend deri në 2013-n), kompania ka siguruar të ardhura nga shitja e naftës shqiptare në vlerën e 1.4 miliardë eurove, rreth 14% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të një viti. Nga ana tjetër, ndikimi në ekonomi ka qenë disa herë më i ulët, si në drejtim të krijimit të vendeve të reja të punës, (kompania kishte 522 punonjës direkt në fund të vitit 2013, sipas bilancit të saj) ashtu dhe të ardhurave në buxhet. Sipas bilancit vjetor 2013, e drejta minerare e paguar prej saj ishte 60 milionë euro në 2012-n dhe 70 milionë euro në 2013-n.

Deri në fund të vitit 2013, kompanitë e hidrokarbureve ishin të përjashtuara nga TVSH si në fazën e kërkimit ashtu dhe atë të prodhimit (shfrytëzimit), ndërsa nga 1 janari 2014 ato përjashtohen vetëm për fazën e kërkimit.

 

Marrëveshja koncesionare e Bankers

Bankers Petroleum është degë e kompanisë kanadeze me të njëjtin emër. Sipas burimeve nga vetë kompania, dega është e angazhuar në kërkimin për zhvillimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit natyror në Shqipëri, objekti kryesor i degës së saj në Shqipëri është kryerja e operacioneve hidrokarbure të naftës në zonat e miratuara nga marrëveshja e hidrokarbureve, prodhimi dhe shitja e naftës dhe kryerja e çdo marrëveshjeje dhe aktiviteti në lidhje me hidrokarburet. Ajo e kryen aktualisht aktivitetin në Shqipëri në përputhje me licencë-marrëveshjen e lidhur me Albpetrol sh.a., më datën 19.6.2004.

Dega operon në Patos, në fushën e naftës në Marinzë në vijim të një marrëveshjeje me Albpetrol sh.a., kompania shtetërore e naftës, nën licencën ekzistuese të Albpetrol-it me Agjencinë Kombëtare për Burimet Natyrore (AKBN). Licenca ka një afat 25 vjet me opsionin për të zgjatur marrëveshjen me kompaninë e zgjedhur dhe për 5 vite të tjera. Në përputhje me Marrëveshjen Hidrokarbure dhe Licencë-Marrëveshjes, shoqëria gjatë fazës së kërkimit dhe zhvillimit do të mbulojë të gjitha shpenzimet e veta si për investimet, ashtu dhe ato operative, me të ardhurat e mundshme nga shitja e produktit të nxjerrë. Kompania ka gjithashtu të drejta ekskluzive për të eksploruar në bllokun “F” sipas marrëveshjes përkatëse.

 

Komiteti i të Drejtave të Njeriut

Zëri i banorëve të Marinzës të shqetësuar për situatën e vështirë nga shpërthimet e gazit, u përcoll edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Përmes një deklarate për mediat, Komiteti kërkon nga institucionet që të arrin masat e nevojshme për të normalizuar situatën dhe dëmshpërblimin e të dëmtuarve.

Komiteti thekson se, në tetor të vitit të kaluar, dërgoi në Marinzë një grup vëzhguesish për të analizuar situatën.

Personeli mjekësor i Qendrës Shëndetësore Zharrës (pranë Marinzës), ka informuar Grupin e KSHH në lidhje me problemet që shkaktojnë gazrat, në shëndetin e njerëzve të kësaj zone.

Po ashtu grupi i KSHH është njohur edhe me pakënaqësitë e banorëve të kësaj zone për problemet që u kanë ardhur nga puna në puset e naftës, shqetësime të cilat ata i kanë ngritur disa herë, por që nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Sipas banorëve, ndotja që shkakton Bankers Petroleum shihet edhe në ndotjen e madhe të ajrit në këtë zonë.

Të gjitha këto shqetësime Komiteti Shqiptar i Helsinkit ia adreson zyrtarisht të gjitha institucioneve përkatëse.

Sipas KSHH-së fillimi i çështjes penale për kompaninë Bankers Petroleum është i vonuar, pasi organet e ndjekjes penale duhet të kishin nisur hetimin kohë më parë.

 

Konfuzion me shifrat zyrtare të punësimit

Shifrat e dhëna nga institucione të ndryshme përgjegjëse mbi nivelin e papunësisë në vend, shpesh nuk rakordojnë me njëra­tjetrën, duke shkaktuar konfuzion dhe duke ngritur pikëpyetje mbi numrin e vërtetët të të papunëve. Kështu, Instituti i Statistikave raporton të dhënat më të fundit për papunësinë, të cilat i përkasin tre mujorit të katërt 2014, ku shifra arrin në rreth 227. 8 mijë, një shifër kjo që në fakt rezulton në rritje nga një tre mujor në tjetrin, edhe pse numri i kontribuuesve është rritur me 93 mijë persona gjatë vitit që lamë pas. Nga ana tjetër, referuar Shërbimit Kombëtar të Punësimit po për vitin që lamë pas, numri i papunësisë është rreth 145 mijë persona, statistikisht të papunë, por që nuk kërkojnë punë në mënyrë aktive. Po cila nga këto shifra janë të sakta? Të dhënat e INSTAT dalin në bazë të anketimeve që bëhen tek qytetarët, Anketa e Forcës së Punës, dhe ka një shtrirje në të gjithë territorin e vendit. Ndërsa Shërbimi Kombëtar i Punësimit bën llogaritje në bazë të individëve që vetëdeklarohen në zyrat e punës si të papunë,që nuk janë të vetëpunësuar, dhe gjithashtu që janë në kërkim të punës. Por nga ana tjetër, ka edhe nga ata individë që nuk kanë informacionin e duhur apo zgjedhin të mos regjistrohen në zyrat e punës, duke mos u bërë kështu pjesë e statistikave të papunësisë. Kështu, shifrat e INSTAT janë më pranë realitetit, çka do të thotë se niveli i papunësisë vijon të jetë alarmant.

 

Sektori i ndërtimit, surprizë pozitive në fund të 2014-ës

 Sektori i ndërtimit regjistroi një rritje surprizë në tremujorin e fundit 2014. Sipas të dhënave nga INSTAT-i, prodhimi i sektorit u rrit me 10.8% krahasuar me një vit më parë, duke qenë kontribuuesi kryesor i rritjes ekonomike për këtë tremujor. Përmirësimi i gjendjes së këtij sektori konfirmohet edhe nga treguesit e volumit të punës, shifrës së afarizmit, punësimit dhe pagave. Gjithmonë mbështetur në të dhënat e INSTAT, shifra e afarizmit u rrit me 19.3%, ndërsa volumi i ndërtimit me 21.1% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Numri i të punësuarve me pagesë u rrit me 24.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa fondi i pagave u rrit me 16.3%. Rritja e sektorit të ndërtimit besohet se lidhet me rritjen e investimeve publike, që ngelen faktor përcaktues për ecurinë e këtij sektori. Në tremujorin e fundit të vitit, u vërejt një rritje e ndjeshme e fluksit të investimeve, që gjatë nëntë muajve të parë të vitit kishin shfaqur një ecuri të ngadaltë dhe shkallë të ulët realizimi. Rritja e volumit në punimet inxhinierike ka sjellë edhe një përmirësim të ndjeshëm të gjendjes së këtij sektori.

Përsa i takon segmentit të ndërtimeve rezidenciale dhe tregtare, të destinuara për tregun privat, nuk besohet që edhe tremujori i fundit të ketë sjellë zhvillime të rëndësishme. Tregu ngelet i plogësht dhe kërkesa e dobët, ndërsa numri i lejeve të reja të ndërtimit paraqitet i ulët. Vitin e kaluar u dhanë gjithsej 270 leje ndërtimi në të gjithë vendin.

 

Kafshët në treg me origjinë të rreme do të asgjësohen

Kafshët që zbulohen ne treg me origjinë të rremë, do të konfiskohen dhe asgjësohen ndërsa subjekti tregtues do të përballet me penalitete. Urdhri është dhënë nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili ka iniciuar edhe një aksion për mbikqyrjen e tregjeve të kafshëve. Ky aksion i Ministrisë së Bujqësisë, synon të mbikqyrë tregjet e bagëtisë për të verifikuar origjinën e kafshëve dhe certifikatat shoqëruese veterinare. Mbikqyrja mbështetet në sistemin e gjurmueshmërisë me anë të verifikimit të matrikujve, të cilët lidhin identitetin e gjedhëve dhe të imtave me subjektin dhe fermën ku ato mbarështohen. Përveç prodhuesve vendas, Ministria e Bujqësisë u ka kërkuar edhe të gjithë vendeve nga ku kryhet import i kafshëve, dhe shpendëve të gjallë, që të informojnë autoritetet shqiptare saktësisht për vendndodhjen e fermave prodhuese, teknologjinë e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve si dhe gjendjen shëndetësore të tyre. Sipas Ministrit Panariti, kafshët pa matrikuj ose me matrikuj të falsifikuar do të bllokohen dhe asgjësohen. Gjurmimi i origjinës së kafshëve dhe shpendëve për prodhim mishi, qumështi, vezëve është garanci për sigurinë ushqimore të konsumatorit. Ministri Panariti, ka kërkuar gjithashtu që krahas verifikimit me numër matrikulli të zbatohet edhe gjurmimi dixhital i prejardhjes së kafshëve dhe shpendëve për mish, qumësht, vezë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency