Aleatët me “oreks” për 21 qershorin/ Bashkia e Durrësit, “mollë sherri” mes PD-së e PR-së, Mediu: Duka del fitues. Dy emrat e demokratëve

0
116

Gëzim Saliu

 basha duke mediuDy propozimet kryesore të PD-së për Durrësin janë Ardian Muka dhe Arqilea Gorea. Aleatët e PD-së kërkojnë 25 bashki

Partia Demokratike mbylli dje takimet me partitë aleate pas depozitimit nga ana e këtyre të fundit të propozimeve të kandidatëve për zgjedhjet e 21 qershorit. Ajo që vihet re tek aleatët e PD-së është niveli i lartë i kërkesave, ku nga 61 bashki gjithsej do të duhet t’i takojnë thuajse 25 njësi partive të vogla në bazë të pretendimeve të shprehura në letër. Ndonëse PD ka shprehur miratim përnjë pjesë të tyre, demokratët kanë theksuar përmes negociatorëve Eduard Halimi dhe Edmond Spaho se në bashkitë e mëdha kandidatët do të jenë nga forca kryesore politike. Kjo çështje ka krijuar prej kohësh një ngërç me aleatin kryesor të demokratëve, Partinë Republikane, e cila duket e vendosur për propozimin e emrit të Agron Dukës për Bashkinë e Durrësit. Në total, PR ka kërkuar 12 bashki, mes tyre Sarandën, Kukësin,Gjirokastrën, Lushnjën, Devollin, Maliqin, Himarën, Mirditën, Ersekën, Selenicën dhe Librazhdin. Ndërkohë, Partia Demokristiane e Nard Ndokës ka kërkuar të ketë kandidatët e propozuar prej saj në 6 bashki, të cilat janë: Fushë-Arrëzi, Mirdita, Lezha, Kurbini, Saranda dhe Mallakastra. Partia Bashkimi Liberal-Demokrat e Arjan Starovës kërkon Bashkinë e Elbasanit, ndërsa Partia Lëvizja e Legalitetit kërkon Bashkinë e Matit. Partia Balli Kombëtar Demokrat kërkon Bashkinë e Këlcyrës ose Delvinën ndërsa Balli Kombëtar i Adriatik Alimadhit kërkon bashki të nivelit të dytë në qarkun e Vlorës dhe të Korçës.

 

Republikanët

Ndërkaq, Partia Republikane këmbëngul në kandidaturën e Agron Dukës për Bashkinë e Durrësit, duke e cilësuar atë si të vetmen alternativë fituese në këtë qytet përballë kryebashkiakut aktual Vangjush Dako. Ndonëse demokratët kanë bërë të ditur se në këtë Bashki ka edhe dy propozime serioze nga baza e PD-së, PR duket e vendosur t’i qëndrojë deri në fund emrit të Dukës. Në një aktivitet të zhvilluar dje me bazën e PR-së në Durrës, kreu i kësaj force Fatmir Mediu deri më tani PD ka lënë të kuptohet se dëshiron që të shkojë e vetme në zgjedhje. Sipas tij, Duka është personi i duhur për të djathtën. “Propozojmë një emër për të fituar Durrësin, për të fituar zgjedhjet. Dukës i është kërkuar me këmbëngulje që të kandidojë, nuk doli vetë të kandidonte. Nga sondazhet Duka del kandidati më i fortë i së djathtës, por edhe më i fortë se vetë kryetari i aktual i bashkisë. Pas gjithë kësaj mundësie, madje edhe pas një sondazhi edhe të vetë PS që ka nxjerrë sërish Agron Dukën fitues, kemi diskutime të brendshme nga intriga të ulëta deri tek ato të tipi Durrësi na takon ne, por unë them që Durrësi u takon qytetarëve të Durrësit”, – deklaroi Mediu. Ndërkohë vetë Agron Duka ka deklaruar se ka qenë vetë Basha ai që i kërkoi kandidimin më herët, megjithatë u shpreh se do të respektojë vendimin e Partisë Republikane, nëse ai vendim do të jetë për të mbështetur një emër të propozuar nga PD-ja. “Dua të sqaroj për të gjithë durrsakët, që sido që të shkojnë punët, nuk jam grindavec apo aventurier politik. Për mua ishte e rëndësishme të fitohej Bashkia e Durrësit. Kjo garë m’u servir. Të gjejmë konsensus dhe të arrijmë tek një kandidat fitues”, – tha Duka.

 

Dy emrat e PD-së

Në takimin e zhvilluar paradite mes negociatorëve të PD-së dhe përfaqësuesve të PR-së palët nuk kanë arritur dakordësinë lidhur me kandidaturën e Durrësit. Nga ana e saj PD ka theksuar në takim se ekzistojnë dy emra të propozuar nga baza e qytetit bregdetar me mbështetje të fortë nga qytetarët dhe me mundësi për të fituar garën përballë Dakos. Një ndër emrat më të kuotuar të së djathtës në Durrës është ai i Ardian Mukës,i cili ka marrë mbështetje të gjerë nga baza e Durrësit. Po ashtu një tjetër emër është ai i Arqile Goresë, ish-drejtorit të Postës, i cili ka shprehur hapur dëshirën e tij për të qenë kandidat i së djathtës për Bashkinë e Durrësit. Në këto kushte duket se negociatat përfundimtare mes Bashës dhe Mediut do të jenë përcaktuese për emrin e kandidatit të koalicionit të djathtë në Durrës. Nëse ato do të përfundojnë me sukses, gjë e cila deri më tani duket e pamundur, Duka do të jetë kandidati i përbashkët. Nëse kjo nuk ndodh, emri i së djathtës në Bashkinë e Durrësit do të jetë një mes Ardian Mukës dhe Arqile Goresë.

 

Deputetja demokrate/ Albina Deda: PR edhe deputetët që ka në Parlament i ka nga PD-ja

Deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda, ka reaguar dje ndaj kërkesave të aleatëve ndaj PD-së, duke u ndalur përkatësisht tek PR-ja. Sipas saj, forca e Fatmir Mediut duhet t’i tregohet mirënjohëse forcës kryesore të opozitës, pasi edhe deputetët e saj janë bërë pjesë e Parlamentit pasi u përfshinë në listat e PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. “Partia Republikane kërkon 13 bashki, nder to edhe Mirditën. Partia Republikane edhe deputetët që ka në Parlament i ka nga votat e PD-së. Aleate ndër vite e PD, e vogël në struktura dhe numër votash, por me frone të mëdha. Edhe lideri i saj, me gjithë respektin që kam si koleg dhe politikan, sot është me vota të PD-së realisht dhe juridikisht në Parlament”, – shkruante Deda në rrjetin social “FB”.

 

 FRD e Shkodrës kundër marrëveshjes Topi-Rama: Nuk pranojmë Bazhdarin

Pas socialistëve të Rrogozhinës që kundërshtuan marrëveshjen Rama-Idrizi, edhe në Shkodër nuk ka dakordësi në radhët e Frymës së Re Demokratike, sa i përket marrëveshjes Rama-Topi. Kryetarja e FRD-së në Shkodër, Alma Puka, u shpreh dje se është kundër një koalicioni të tillë, pasi, sipas saj, Bamir Topi kishte shpallur kandidatin Fatlum Nurja për Bashkinë e Shkodrës. Por koalicioni i majtë ka paraqitur si kandidaturë të përbashkët Keti Bazhdarin dhe nëse Topi do të bëhet pjesë e këtij koalicioni, do të duhet të mbështesë këtë kandidaturë në 21 qershor. Ndërkaq FRD e kryeqendrës së veriut deklaroi se do të mbështesë Fatlum Nuren në zgjedhjet vendore, duke dalë kështu hapur kundër kreut të partisë Bamir Topi.

 

 Regjistrimi i partive për zgjedhje/ Afati i Kodit Zgjedhor përfundon në fund të javës

Partitë politike kanë kohë deri në fundjavë për t’u regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nëse dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore. Brenda fundjavës, partitë që do të garojnë në takimin elektoral të 21 qershorit 2015, duhet të regjistrohen pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Neni 64 i Kodit Zgjedhor thekson se çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve, ndërsa skadenca për regjistrimin e koalicioneve është 60 përpara zgjedhjeve.

 

Gara e kryeqytetit/ Tirana do të ndahet mes Kosovës, Aliajt, Bogdanit dhe Tabakut

Gara për Bashkinë e Tiranës është drejt finalizimit. Ndër propozimet e mbërritura nga degët e kësaj partie në Tiranë, që gëzojnë edhe mbështetjen e bazës, sipas sondazheve të kryera nga kjo forcë politike, janë kandidatura e ish-ministrit të Shëndetësisë Halim Kosova, këshilltarit në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Besnik Aliaj, si edhe deputetëve Jorida Tabaku dhe Gert Bogdani. Halim Kosova, i cili aktualisht mban mandatin e deputetit, nuk është një emër i panjohur për qytetarët e Tiranës. Në qeverinë “Berisha” ai ka mbajtur postin e ministrit të Shëndetësisë dhe është mjek në profesionin e tij. Po ashtu edhe Besnik Aliaj nuk është një emër i panjohur në Partinë Demokratike. Në fund të vitit 2004, Aliaj u prezantua nga ish-kryeministri Berisha si pjesë e Komitetit të Orientimit të Politikave, e cilësuar si risi asokohe e që më pas risolli demokratët në pushtet. Po ashtu, Jorida Tabaku është e sprovuar si administratore, për shkak të përvojës së saj si nënkryetare e Bashkisë së Tiranës për dy vite. Ndërkaq, Gert Bogdani, deputeti i qarkut të Tiranës ka një mbështetje të gjerë në bazën e PD-së dhe tek qytetarët, gjë e cila është vërtetuar deri më tani edhe përmes sondazheve. Ndër këta katër emra pritet të dalë edhe kandidati përfundimtar i së djathtës për Bashkinë e Tiranës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency