Reshjet e shiut dhe dëborës /Përmbytje në disa qytete, në zonat malore rekomandohet përdorimi i zinxhirëve

0
151

permbytje-300x225Reshjet e shiut në disa qarqe të vendit kanë shkaktuar probleme jo vetëm në qarkullimin e mjeteve në rrugë, por edhe përmbytje në disa zona të vendit. Lumi Gjanica ka dalë nga shtrati për të katërtën herë brenda 3 muajve, duke rikthyer përmbytjet në disa lagje në Fier. Ndonëse Shtabi i Emergjencave u mblodh herët në mëngjes, situata vijon të jetë shqetësuese për banorët që kanë shtëpitë pranë lumit Gjanicë. Zonat e përmbytura pas daljes së Gjanicës ndodhen pas godinës së Prefekturës së qarkut, tek ura me shkallë  në lagjen “Kongresi i Përmetit” dhe një pjesë e vogël e lagjes “1 Maji”. Disa orë shi i furishëm në kryeqytet kanë rikthyer përmbytjet në rrugë, duke paralizuar qarkullimin në pothuajse të gjithë Tiranën. Situatë më problematike është shënuar në qendër të qytetit, e cila për orë me rradhë u bë pothuajse e pakalueshme. Motit të keq nuk i shpëtoi as Durrësi, ku gjatë pasdites së djeshme shumë zona u përmbytën. Kështu qarkullimi u paralizua në qendër të qytetit, pranë stacionit të trenit, por edhe në disa lagje. Ndërsa hidrovoret ishin të gjitha në punë. E njëjta situatë me reshje shiu e breshëri të furishëm u regjistrua të dielën edhe në Lezhë, ku 10 fshatra të dy komunave Zejmen dhe Kolsh kanë  mbetur prej orësh pa energji elektrike, pasi moti i keq dhe erërat e forta kanë dëmtuar fidrat. Edhe në Elbasan reshjet e vazhdueshme përgjatë të gjithë ditës kanë shkaktuar përmbytje dhe probleme në rrugët e lagjet kryesore të qytetit, ndërsa janë raportuar probleme për furnizimin me energji elektrike. Probleme të tilla janë raportuar edhe në Librazhd. Situata më e vështirë është paraqitur në zonat malore ku janë shfaqur vështirësi në lëvizjen e mjeteve, por nuk pati raportime për zona të bllokuara. Në qarkun e Kukësit rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në rrugët e komunave të thella si Kalis, Grykë Çajë, Zapod e Shishtavec. Ndërkohë në Rrugën e Kombit po punohet në vazhdimësi nga mjetet borëpastruese, për largimin e borës. Në Dibër trashësia e dëborës shkon mbi 10 cm. Raportohet se në komunat Ostren, Trebisht, Martanesh dhe Zerqan, qarkullimi i mjeteve bëhet vetëm me goma dimërore. Ndërkohë në qarkun e Korçës, ndonëse temperaturat janë ulur shumë nuk ka pasur reshje bore, por shi të dendur.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency