Nga parahistoria te jashtëtokësorët

0
169

Claude Levi‐StraussHistoria mahnitëse e studimeve mbi gjuhën na tregon të kaluarën, por edhe mënyrën se si mendojmë dhe reagojmë. “Gjuha është një formë e arsyes njerëzore, me një logjikë shumë të thellë, që njerëzit as nuk e imagjinojnë dhe as nuk e njohin”, – thoshte antropologu i famshëm francez, Claude Levi‐Strauss. Dhe kishte të drejtë, sepse që në lashtësi, njeriu përdorte gjuhën në forma të ndryshme (fjalë, shkrim, gjeste) për të komunikuar. Por vetëm kohët e fundit, njeriu ka filluar të pyesë se si funksionon, si ka lindur dhe si ka evoluar kjo aftësi e jona universale dhe sa koherente është në planin logjik.

 

 Krijimi

“Në parim ishte fjala”, – thotë Ungjilli i Gjonit, pikërisht në fillim, për të nënvijëzuar rëndësinë e fjalës (në këtë rast, fjala hyjnore, që ka fuqi të krijojë realitetin). Në fakt është pikërisht fjala dhe përdorimi që bëjmë për të komunikuar, ajo që na diferencon nga kafshët dhe speciet e tjera. Në fillim ekzistonte vetëm gjuha verbale, përveç asaj të gjesteve. Pastaj njeriu filloi të shprehej përmes vizatimeve, simboleve dhe në fund letrave e numrave. Popujt e vjetër filluan të zhvillonin edhe “një lloj gjuhe”, për numërimin e parave, katalogimin e volumeve dhe ndarjen e terreneve, që është matematika. Egjiptianët dhe babilonasit ishin të aftë të bënin llogaritje dhe matje, por grekët ishin të parët që zhvilluan konceptin e shfaqjes matematike, të bazuar në argumentimet objektive dhe të pangatërrueshme. Janë dashur shumë shekuj, por sot matematika ka një gjuhë universale, të përdorur nga shkencëtarët e së gjithë botës, pavarësisht gjuhës së tyre dhe kulturës. Një gjuhë e cila është një përzierje simbolesh që vijnë nga kultura të ndryshme: Zero u shpik në Indi, numrat dhjetorë u sollën nga arabët në Evropë në Mesjetë, simbolet e ndryshme si Π (Pi, raporti mes perimetrit dhe diametrit të një rrethi), u përhap nga matematicieni zviceran Leonhard Eulero në vitin 1700 dhe kështu me radhë. Deri para pak kohësh, shkenca dhe filozofia nuk shqetësoheshin shumë për të studiuar natyrën dhe zhvillimin e gjuhës: e përdornin dhe kjo u mjaftonte. Aristoteli, babai i logjikës, e konsideronte gjuhën si një pasojë të dukshme të faktit që njeriu është për natyrën një kafshë politike dhe sociale, gjithsesi e aftë të komunikojë. “Shën Agustini (355‐430) ishte i pari që reflektoi se si përmes fjalëve mund të përshkruheshin gjërat”, – thotë një docent i filozofisë teorike në Universitetin e Milanos dhe autor i librit “Të shkruash në heshtje: Wittgenstein dhe problemi i gjuhës”. Para tij kishte triumfuar perspektiva e grekëve, sipas të cilëve gjuha “është diçka natyrale”; por ishte Shën Agustini ai që përhapi idenë se gjuha mund të ishte fryt i një lloj bashkëbisedimi social mes njerëzve. Gjuha e folur Filozofi që e vuri gjuhën për herë të parë në qendër të debatit ishte austriaku Ludwig Wittgenstein (1889‐1951). “Për të, gjithçka mund të jetë gjuhë dhe këtu përfshihet jo vetëm zëri që flet dhe frazat e shkruara me një penë, por çdo mishërim i cili ka një kuptim, që ka aftësinë të pasqyrojë diçka tjetër dhe të të shtyjë te një i panjohur”, shpjegon docenti. Këtu përfshihet edhe një simbol, një vepër arti dhe një frazë muzikore. Mendimi i Wittgenstein ndahet në dy faza. E para është ajo e “Tractatus logico‐philosophicus” (1918) e shkruar në moshën 19‐vjeçare. “Në këtë vepër, ai shtron problemin se si të përshkruajë në mënyrën e duhur botën, subjektin që percepton dhe gjuhën e përdorur nga subjekti për të përshkruar veten dhe botën”, – shpjegon dekani. “Wittgenstein kishte si qëllim të ndërtonte për të parën herë një fjalim logjik, të thjeshtë dhe transparent, duke e veçuar atë që mund të thuhet nga ajo që s’mund të thuhet”. Dhe me ç’përfundim? “Që një gjuhë e tillë… ‘nuk mund të thuhet’”, – shpjegon docenti. Me pak fjalë ishte një dështim, sepse Wittgenstein nuk arriti të krijonte “gjuhën perfekte” që ëndërronte. Por gjithashtu ishte dhe një sukses, sepse konkluzioni ishte i qartë dhe i pangatërrueshëm, në përputhje me atë që ai vetë kishte propozuar të ndiqte. Ishte “dështimi” i “Tractatus” pikënisja e një hetimi pasues. “Në fazën e dytë të aktivitetit të tij, Wittgenstein arriti në përfundimin se njeriu e përshkruan botën me një larmishmëri fjalësh, që ai i quante ‘lojëra linguistike’”, – shpjegon ai. “Për shembull është gjuha me të cilën përshkruajnë perceptimet tona të ndjesisë (‘Kam parë, kam dëgjuar’ etj.) dhe gjuhët e ndryshme të shkencës: fizika ka të sajën, kimia gjithashtu, biologjia, psikologjia etj.”. Gjithsesi është e pamundur të krijosh një gjuhë të përsosur, e aftë që të përshkruajë gjithçka në mënyrë unike, por duhet të kënaqemi me diçka të ngjashme. Në gjysmën e dytë të viteve 1900, debati shkencor mbi gjuhën është zhvilluar nga studimet e amerikanit Noam Chomsky, sipas të cilit njerëzit lindin me “një gramatikë universale”, që formon një lloj matrice për mësimin e mëvonshëm të formave të ndryshme të komunikimit. “Termi është përdorur për të treguar përbërësin gjenetik të fakultetit të gjuhës”, – shpjegon Chomsky. “Ka shumë teori të ‘paralizuara’: unë kam mendimet e mia, ashtu sikurse të tjerët kanë mendimet e tyre, për një argument i cili është në zhvillim. Megjithatë ekziston një gramatikë universale, kjo nuk ka dyshim, përndryshe do të ishte shumë e vështirë të shpjegoje aftësitë e mrekullueshme të të sapolindurve të lidhen, në mënyrë instiktive, me objektet dhe fjalët, aftësi kjo që na diferencon nga të gjitha kafshët e tjera”. Mendimet e Chomsky‐t kanë kontribuar që të turbullojnë bindjen e përhapur gjatë gjysmës së parë të shekullit, ajo e një lëvizjeje të mendimit të quajtur “bihejviorizëm”: sipas këtij mendimi, në shkencat humane nuk kishte kuptim të tentoje që të ndërtoje se çfarë ndodh brenda mendjes, por duhej të studioje vetëm sjelljen. Sot, shkencëtarët shohin brenda trurit, përmes teknikave të ndryshme, për të zbuluar se si hapësirat cerebrale aktivizohen në vijim të asaj që bëjmë. Madje ka edhe nga ata që përpiqen të krijojnë një kontakt me qytetërimet e tjera jashtëtokësore, që mund të jenë zhvilluar kudo në univers. Përveç tentativës për t’u lëshuar mesazhe jashtëtokësorëve, ka edhe nga ata që kërkojnë gjurmë të komunikimeve të tyre në kozmos. Njëri nga ata është Seth Shostak, astronaut i “Seti”‐t, Instituti në SHBA që kërkon nëpër qiejt e botës sinjalet radiomarrëse nga qytetërimet e ndryshme të jashtëtokësorëve, të cilët dëshirojnë të komunikojnë me ne… Por si mund ta njohim një mesazh të tillë?. “Është e vështirë ta thuash, por ka shumë gjasa që ta identifikojmë si gjuhë dhe jo si fenomen natyror, sepse do të kishte një strukturë të ndërlikuar dhe me një gamë tonesh që mund të jenë të dallueshme për veshët tanë”, – thotë Shostak. “Megjithatë të kuptosh se çfarë nënkupton një mesazh i tillë, do të ishte shumë e vështirë. Shpresoj vërtet që jashtëtokësorët, të na dërgojnë edhe një fjalor tingujsh, me vizatimet e një ylli, një planeti dhe të vetvetes, me fjalët të prononcuara në mënyrë të atillë që të mund t’i deshifrojmë mesazhet dhe pastaj të fillojmë një bashkëbisedim”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency