La Liga/ Reali, fitore tenistike ndaj Granadës, Valencia barazon ndaj Vilarealit

0
118

Jurges Veizaj

 Reali, fitore GranadësGalaktikët kanë fituar ndaj Granadës me rezultatin 9-1, ndërsa Valencia është mjaftuar vetëm me një barazim pa gola ndaj Vilarealit

La Liga ka dhuruar spektakël ditën e djeshme. Ditë golash dhe rekordesh për Realin e Madridit, që regjistroi fitoren më të thellë sezonale ndaj Granadës me një 9-1 që lë pak vend për kritika, pas javësh të tëra tensioni, jo vetëm për skuadrën, por edhe për Kristiano Ronaldon, i cili u përgjigj me pesë gola, rekord personal, tre prej të cilëve të realizuar që në pjesën e parë. Madje, ylli portugez, në pjesën e dytë, kaq shumë e dëshironte një tjetër gol, sa vajti dhe u përplas me shtyllën për të dërguar topin në rrjetë duke rrezikuar edhe dëmtimin. Por përpara se Ronaldo të niste “shfaqjen” personale ishte Bejl që hapi siparin e golave, pas një aksioni personal, në minutën e 25-të. Ronaldo pasoi përpara pushimit me 3 gola, ndërsa në të dytën u ngjit në skenë dhe Karim Benzema, që shënoi dy herë. Granada, nga ana e saj, u përpoq ta zbuste paksa këtë humbje me golin e Ibanezit, por Mainz në të 83-ën gaboi duke e dërguar topin në rrjetën e tij për golin e tetë të madrilenëve. Ndërkohë që përveç Realit nuk mungoi në takimin me rekordin dhe Ronaldo që në çastet e fundit shënoi dhe golin e nëntë të ndeshjes dhe të pestin personal. 9-1, një sukses i fortë për Realin, që me këtë fitore u dha jo vetëm një goditje kritikave, por gjithashtu tregoi se BBC mbetet një treshe sulmuese e frikshme, teksa shënoi 8 nga 9 golat e kësaj sfide, edhe pse i nënti ishte në fakt një prodhim po i Bejlit. Fitorja 9-1 ndaj Granadës nuk kishte se si të mos linte të kënaqur trajnerin e Realit të Madridit, Karlo Ançeloti. Në konferencën për shtyp në përfundim të sfidës, numri 1 i stolit të “Los Blancos” theksoi se ky rezultat do t’i japë shtysën e duhur skuadrës për ta mbyllur në mënyrën më të mirë sezonin, edhe pse italiani e pranoi sa do ndërronte këtë fitore me diçka tjetër. “Po, do ta ndërroja këtë rezultat me 9 fitore nga 1-0 në 9 sfidat e mbetura të La Ligës, pasi vetëm nëse triumfojmë në të gjitha ndeshjet mund të synojmë suksesin në kampionat. E rëndësishme në këtë sfidë ishte fitorja dhe e arritëm, rezultati i thellë është vetëm një plus që i ngre moralin skuadrës. Pauza e kombëtareve na ka ndihmuar shumë pasi kemi riaftësuar elementë të rëndësishëm dhe disa lojtarë kanë arritur gjendjen e tyre më të mirë fizike”. Kristiano Ronaldo dhe Xhejms Rodriguez ishin dy nga shumë notat pozitive të Realit në përballjen ndaj Granadës. Portugezi arriti të realizonte plot 5 gola duke u ngjitur në kuotën e 36 finalizimeve në kampionat, ndërsa mesfushori kolumbian zhvilloi një paraqitje të mirë, edhe pse vinte në këtë sfidë pas një dëmtimi të gjatë. Një mendim i Ançelotit shkoi pikërisht për këta dy futbollistë. “Kristiano është përmirësuar ashtu siç është përmirësuar edhe i gjithë ekipi. Çfarë mund të them më tepër për Ronaldon? Kjo ishte hera e parë që ai realizon 5 gola në një ndeshje me Realin dhe jam i lumtur për të. Xhejms? Ai zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. Nuk u vu aspak re që kishte dy muaj pa luajtur”.

 

Valencia-Vilareal

Skuadra e Valencias nuk arriti të rifitonte vendin e tretë në Primera Division, pasi nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 në “Mestalla” ndaj Vilarealit. Formacioni i Nunjo Espirito Santos pavarësisht se krijoi volum të madh loje e kishte të pamundur për ta dërguar topin në rrjetë, falë edhe organizimit shumë të mirë në mbrojtje të “nëndetëses së verdhë”. Pjesa e parë ishte krejtësisht e ekuilibruar, me dyluftime të ashpra në mesfushë, por pa raste ta pastra shënimi në portat përkatëse. Në fraksionin e dytë Valencia ishte më pranë fitores, por i mungoi kthjelltësia në përmbylljen e aksioneve. Në minutën e 71-të Rodrigo përfitoi nga një top i mbetur në zonë, por portieri Asenjo nuk lejoi prekjen e rrjetës. Dy minuta nga përfundimi kohës së rregullt Daniel Parejo ekzekutoi një goditje dënimi 18 metra larg portës, por topi përfundoi mbi tra. As Negredo që u hodh në fushë në minutën e 78-të nuk mundi ta ndryshonte rezultatin e këtij derbi Vvalencian, që i shkoi përshtat Atletikos së Madridit, me formacionin e Simeones që mbetet në vendin e tretë me një pikë më shumë se Valencia.

 

 Ibrahimoviç, kërkesë për vizë amerikane

Sulmuesi i Paris Sent-Zhermenit, Zllatan Ibrahimoviç, ka aplikuar për vizë migruese për në SHBA. Lajmi është bërë i ditur nga mediat franceze dhe suedeze. Sipas njoftimeve të bazuara në burimet e shtypit suedez, më 19 mars 33-vjeçari ka qëndruar 40 minuta në Ambasadën Amerikane në Paris, ku ka bërë kërkesën për vizë. Ibra edhe në të kaluarën ka shprehur dëshirë të luajë në MLS-në amerikane, por ishte zotuar që ta përfundonte kontratën me PSG-në deri në verën e vitit 2016. Mirëpo, presioni i shumtë që i bëhet në Francë në javët e fundit për shkak të komenteve të tij, mund ta detyrojë sulmuesin që të largohet më herët.

 

 Turqia nën terror, sulmohet autobusi i Fenerbaçes

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Turqi, e cila ka përfshirë të gjithë stafin e klubit të njohur Fenerbaçe. Një grup i armatosur ka sulmuar autobusin e kësaj skuadre, ndërkohë që ekipi kthehej nga qyteti i Trabzonit ku kishte triumfuar 5-1 ndaj Rizasporit. Një grup njerëzish kanë goditur me armë zjarri në drejtim të autobusit duke plagosur shoferin, gjendja e të cilit, sipas raportimeve të para, është mjaft e rëndë. Momente paniku dhe ankthi tek të gjithë pjesëtarët e kësaj skuadre, të cilat kanë përfunduar me mbërritjen e forcave të policisë. Akoma nuk dihen shkaqet e këtij sulmi, por hipotezat e para flasin se ata që e kanë kryer këtë akt kanë qenë një grup tifozësh të Trabzonsporit, pasi dihet rivaliteti i madh mes tyre dhe tifozëve të Fenerbaçes. A”ta donin të na vrisnin, ishte një sulm makabër, jemi të gjithë të tronditur”, – deklaroi zv.presidenti i Feberbaçes Mahmud Uslu.

 

 Legjionarët shqiptarë triumfojnë me gola në Evropë

Suksesi i Armenisë duket se po i përndjek për mirë, nga Italia në Kroaci, duke kaluar nëpërmjet Zvicrës, futbollistët kuqezi ishin protagonistë absolutë në skuadrat e tyre. Andi Lila po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një nga afrimet më të goditura të klubit të Parmës, pavarësisht nga problemet kolosale që ky klub ka. 29-vjeçari u dhuroi barazimin emilianëve përballë Interit, duke realizuar me kokë në një stadium mitik si San Siro, pas avantazhit fillestar të zikaltërve me autor Guarinin. Megjithëse u zëvendësua për shkak dëmtimi, Lila i meritoi të gjitha vlerësimet pozitive të mediave italiane, e nëse për kavajasin shënimi i golave është një risi për Shkëlzen Gashin është kthyer në një rutinë. 26-vjeçari realizoi një dopietë në fitoren e thellë të Bazelit 6-0 ndaj Araut skuadër që mban vendin e fundit në Superligën Zvicerane. Pas dy golave fillestar të realizuar nga Delgado dhe Streler, Gashi u shfaq i vetëm me portierin duke mos e mëshiruar këtë të fundit. Në pjesën e dytë kur rezultati ishte 5-0 për skuadrën e Sosës, djaloshi i lindur në Zyrih realizoi një perlë të vërtetë, ku pas daljes së portierit Mall e dërgoi topin në rrjetë nga një distancë e largët. Një supergol i denjë për manualet e futbollit, lojtari më i mirë i vitit 2014, po tregon se e meriton rikonfirmimin. Në Kroaci ka qenë dita e shqiptarëve. Sokol Cikalleshi i dhuroi fitoren në transfertë skuadrës së tij RNk Spilitit në derbin me Hajdukun. Kavajasi ktheu në gol një 11 m në min e 84 kur rezultati ishte bllokuar në shifrat 1-1 pas golave të Milevskit për Hajdukun dhe Marko Rogut për miqtë. Ndërkohë që Bekim Balaj kaloi në epërsi skuadrën e tij Rijeka lundër një emri të madh si Dinamo e Zagredit. 25 vjeçari nuk e pati të vështirë të dërgonte në rrjetë një top të mbetur vakant në zonë. Në fund sfida u mbyll me shifrat e barabarta 2-2.

 

 Reali i Madridit, 43.5 milionë euro për Falkaon

Reali i Madridit po interesohet për transferimin e sulmuesit Radamel Falkao, i cili iu bashkua Mançester Junajtidit nga Monakoja verën që shkoi si huazim. “Daily Express” raporton së drejtuesit e Realit të Madridit janë të gatshëm të paguajnë 43.5 milionë euro për sulmuesin kolumbian. Falkao ka luajtur edhe në të kaluarën në Spanjë për skuadrën e Atletikos së Madridit. Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, e dëshiron sulmuesin Radamel Falkao në vend të sulmuesit Havier Hernandez. Ky i fundit dështoi të dëshmohet te Reali dhe në verë do të rikthehet të skuadra e tij, Mançester Junajtid.

 

 Arsenali në kërkim të Kabajesë

Arsenali është në kërkim për të nënshkruar në verë me Johan Kabaje me një marrëveshje prej rreth 10 milionë paund. Kabaje ka dështuar të sigurojë një vend në formacionin nisës tek klubi francez Paris Sent-Zhermen. Arsenali ishte përpjekur të transferonte atë edhe dy herë me parë gjatë kohës sa ai ishte tek Njukastëll, por tani, sipas zërave të fundit, thuhet se Arsen Venger do të provojë edhe njëherë gjatë verës. Besohet se Kabaje është lodhur nga hapësira e vogël tek ekipi francez dhe kështu edhe ai dëshiron të rikthehet në Premier Ligë. PSG kishte paguar 15.5 milionë funte për lojtarin francez dhe tani Arsenali pritet të ofrojë 10 milionë funte, ofertë që klubi anglez e vlerëson si të kënaqshme për të dy palët.

 

 Hart: Siti, në garë për titull

Portieri i Mançester Sitit, Xho Hart, ka paralajmëruar skuadrën e Çelsit se nuk do ta ketë të lehtë që të fitojë titullin e kampionit në Premier Ligë. Siti momentalisht gjendet në pozitën e katërt, me një ndeshje më pak që e zhvillon nesër, ku me fitore eventuale kthehet në pozitën e dytë me 6 pikë më pak se Çelsi. “Nuk do të dorëzohemi. Kështu jemi ne. Na pëlqen që t’i bëjmë gjërat ndryshe”, – deklaroi fillimisht Hart. “Ndoshta nuk kemi qenë në nivelin tonë në disa nga ndeshjet e fundit, por kjo është e bukura e futbollit, gjithmonë ke një mundësi të re dhe ne do të mundohemi ta shfrytëzojmë mundësinë tonë të hënën”, – shtoi portieri i “qytetarëse”. “Janë edhe tetë ndeshje në lojë dhe ne do japim maksimumin”, – tha mes të tjerash Hart.

 

 Nejmar: Ndaj PSG-së, spektakël

Braziliani Nejmar beson se ndeshja mes skuadrës së tij dhe francezëve të PSG-së do të jetë një spektakël i vërtetë. Katalanasit dhe parisienët tejkaluan dy skuadrat angleze, përkatësisht Mançester Sitin dhe Çelsin, për t’u takuar mes tyre, pas shortit për fazën çerekfinale. “Do të jetë një ndeshje e madhe me dy skuadra që kanë lojtarë të mrekullueshëm. Kjo do të thotë që do të kemi një spektakël të vërtetë”, – deklaroi fillimisht braziliani. “PSG është një skuadër e madhe me lojtarë të shumtë që kanë aftësi individuale. E dimë se do të jetë një shfaqje e vërtetë futbolli”, – shtoi ai.

 

 Lila, në qiellin e shtatë pas golit ndaj Interit

Andi Lila është në qiellin e shtatë pas golit të shënuar në “Giuzzeppe Meazza” ndaj Interit. Mesfushori i kombëtares së Shqipërisë ishte më meritori në barazimin e Parmës 1-1 ndaj Interit, falë golit me kokë që i shënoi Samir Handanoviçit. Goli i tij ishte si hakmarrje për Samir Handanoviçin, i cili bënte pritje të pabesueshme në ndeshjen Slloveni-Shqipëri në eliminatoret e kaluara. “Nuk i harroj pritjet që Handanoviç i bëri kundër kombëtares sonë në ndeshjen që e zhvilluam në Slloveni. San Siro? Kur isha për herë të parë në këtë stadium, u luta që të luaja këtu një ditë, e tani që shënova është një ndjenjë e jashtëzakonshme”, – deklaroi Lila.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency