Vrasja në Mullet/ Krim në familje, xhaxhai vret nipin, më pas edhe veten

0
127

Krim në familje, xhaxhai vret nipin, më pas edhe vetenMotivi: Dyshohet konflikti për kufirin e pronave. Familjarë dhe të afërm shprehen se në momentin e krimit xhaxhai ka qenë në gjendje të dehur

 Një tjetër krim në familje tronditi periferinë e Tiranës në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur xhaxhai qëlloi për vdekje me armë gjahu nipin e tij e më pas veten. Burime nga policia e Tiranës kanë bërë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së 31-vjeçarit Hasan Hoxha, i cili u qëllua me çifte nga xhaxhai i tij Besim Hoxha, 62 vjeç, i cili pasi qëlloi nipin për vdekje, nuk ngurroi të vriste edhe veten. Sipas burimeve të policisë, mësohet se 62-vjeçari qëlloi veten në stallën e bagëtive rreth 100 metra larg nga vendi ku qëlloi nipin e tij, si dhe ngjarja mësohet se kishte si motiv konflikte pronësie. Hasan Hoxha fillimisht është dërguar në spitalin e Traumës por nuk ka mundur të mbijetojë. Sipas burimeve nga policia shtetasi Besim Hoxha dhe nipi i tij Hasan Hoxha kanë nisur një sherr verbal dhe më pas nipi është nisur të largohej në drejtim të një lokali të lagjes. Fqinjë të familjes Hoxha, thanë se Besimi herë pas herë konsumonte alkool dhe se dyshohet se ai ka qenë i dehur në momentin e krimit të rëndë. Policia shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale mjetin e krimit një armë gjahu. Trupat e dy viktimave u dërguan në morgun e Tiranës, ku u bënë ekzaminimet përkatëse të tyre.

 

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 9:00 të mëngjesit të djeshëm, ku xhaxhai 62-vjeçar ka qëlluar për vdekje nipin e tij 31-vjeçar. Mësohet se dy familjet kishin konflikte të vazhdueshme me njëri-tjetrin, ku si motiv kryesor mësohet të ketë qenë përcaktimi i një kufiri ndërmjet pronave të dy viktimave. Nga dëshmitë të marra në vendin e ngjarjes, mësohet se 62-vjeçari kishte shkuar në oborrin e banesës së të riut, duke i thënë nipit të tij së pse nuk i fliste, por në duar mbante edhe armën me të cilën kreu krimin. Sipas dëshmitarëve, i riu nuk i ka kushtuar shumë rëndësi fjalëve të xhaxhait të tij duke vazhduar në rrugën e tij, por 62-vjeçari duke parë këtë veprim nuk ka nguruar duke qëlluar pa u menduar dy herë mbi nipin e tij e duke e lënë atë të vdekur. Pasi qëlloi nipin me çifte, Besimi u largua nga vendi ku qëlloi nipin duke shkuar në drejtim të stallës ku ai mbante bagëtinë, dhe pa u menduar shumë ka qëlluar mbi veten e tij duke mbetur i vdekur në vend. Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë me dije se dy familjet kishin konflikte të vazhdueshme për ndarjen e kufirit të pronave të tyre për të cilat nuk binin asnjëherë dakord. Ndërkohë, policia bën me dije se momentin kur ka kryer krimin, 62-vjeçari dyshohet të kenë nën efektin e pijeve alkoolike. Sakaq, mësohet se i riu i cili u qëllua me çifte nga xhaxhai i tij ishte i martuar dhe për pak kohe mësohet se ai do të bëhej edhe babai i një fëmije, por kjo gjë qe e pamundur për të pasi xhaxhi i tij nuk ia mundësoi këtë mundësi. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë efektivët e Policisë së Tiranës të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe dërgimin e trupave në murgun e kryeqytetit. Konflikti për pronat përsëri merr dy jetë njerëzish ditën e djeshme, ndonëse nuk janë të pakta këto raste gjatë kohëve të fundit. Policia e Tiranës bën me dije se lidhur me këtë rast materialet i kaluan prokurorisë për vazhdime të mëtejshme procedurale, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes ku humbën jetën dy persona, xhaxha e nip.

 

Elbasan/ Shkatërrohet baza e prostitucionit, në pranga dy femra

Policia e Elbasanit ka shkatërruar një bazë prostitucioni gjatë ditës së djeshme, ku rekrutoheshin dhe shfrytëzoheshin femra për qëllime përfitimi. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë me dije se Sektori i Narkotikëve dhe Trafiqeve ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Shtegtimi”, ku u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve Engjëllushe Emini, 51 vjeçe dhe Luljeta Dervishi, 42 vjeçe, të cilat akuzohen për veprën penale të prostitucionit dhe procedimin në gjendje të lirë të shtetases me inicialet V. M., 33 vjeçe. Sipas policisë 51-vjeçarja Engjëllushe Emini, banuese në lagjen numër 1, në Elbasan, kishte marrë me qira një lokal në këtë qytet, në të cilin rekrutonte femra te cilat ishin në nevojë dhe i shfrytëzonte në lokalin e saj, për të ushtruar prostitucion me qëllim përfitimi. Të njëjtat burime kanë theksuar se 51-vjeçarja akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja e lokaleve për ushtrim prostitucioni dhe shfrytëzim prostitucioni”.

 

Sarandë/ Prezantohet shefi i ri i komisariatit, 3 vite pa drejtues

Gazmend Shehu ka marrë detyrën e shefit të ri të Komisariatit të Sarandës. Burime nga Policia e Shtetit kanë bërë me dije se Shehu është prezantuar shef komisariati gjatë ditës së djeshme përpara efektivëve të policisë. Në këtë mënyrë, është plotësuar vendi vakant i kreut të Komisariatit të qytetit bregdetar pas 3 vitesh. Kjo pasi Komisariati i Policisë së Sarandës kishte rreth tre vite që nuk kishte një drejtues që pas largimit të ish-drejtorit Arjanit Arapit. Gazmend Shehu ka një karrierë prej 17 vitesh në radhët e forcave të Policisë së Shtetit. Së fundmi Gazmend Shehu kishte mbajtur postin e shefit në Komisariatin e Tepelenës. Që pas ikjes së shef Arjanit Arapi, mësohet se ky komisariat ka funksionuar pa asnjë drejtues të tij. Tashmë nuk do të vazhdojë më e tillë, pasi ditën e djeshme është emëruar shef i Komisariatit të Sarandës Gazmend Shehu me një eksperience të mjaftueshme pune në Policinë e Shtetit.

 

Durrës/ Vetura godet kamionin, në gjendje të rëndë drejtuesi

Një aksident automobilistik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në qytetin bregdetar të Durrësit, ku si pasojë e përplasjes ka mbetur i plagosur rëndë një 31-vjeçar. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, rreth 4:30, në aksin rrugor Durrës Shkozet, tek ura e Dajlanit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se një automjet tip veturë me targë AA 989 GE, me drejtues 31-vjeçarin me iniciale K. K., banues në Durrës, ka goditur nga pas kamionin me targë AA 164 IS, me drejtues 41-vjeçarin me iniciale A. S. Si pasojë e kësaj përplasje, është aksidentuar drejtuesi i veturës, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Durrësit. Menjëherë në vendngjarje shkuan forcat e policisë të cilët nisën menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet i kaluar Prokurorisë së Durrësit për vazhdime të mëtejshme procedurale.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency