INSTAT: Nuk arrihet objektivi i rritjes së Prodhimit të Brendshëm për 2014-ën

0
129

Ervin Kaduku

 rritje ekonomike–  Qeveria dhe FMN patën shpresuar për rritje ekonomike prej 2.1 për qind për vitin e kaluar, por nuk u arrit as 1.9 për qind

Rritja e prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë u përshpejtua në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, veçanërisht si pasojë e rigjallërimit të sektorit të ndërtimit, por sërish rritja qe e ngadaltë dhe më e ulët se sa shpresohej nga autoritetet shqiptare dhe nga vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

INSTAT-I vlerësoi se rritja vjetore 2014 qe 1.89 për qind, me një përmirësim minimal në krahasim me vitin 2013, kur qe rritur me 1.45 për qind. Qeveria dhe FMN patën shpresuar për rritje ekonomike prej 2.1 për qind për vitin e kaluar, pasi besohej se programi i bollshëm i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisë dhe i investimeve publike të konsiderueshme duhej të mjaftonin për të garantuar një rritje ekonomike më të lartë.

Por sektori i postës dhe telekomunikacionit shënoi një rënie prej mbi 9.5 për qind ndërkohë që bujqësia shënoi rënie prej 2.7 për qind në bazë vjetore për tremujorin e katërt 2014, ndërkohë që programi i investimeve publike duket se nuk eci siç qe parashikuar për shkak të problemeve të krijuara nga institucionet publike në shpenzimin e parave.

Sipas një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kalimi i menaxhimit të portofolit të investimeve nga Ministria e Financave te Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është shoqëruar e dobësi në menaxhimin e investimeve dhe rrjedhimisht, me mosrealizim të tyre.

Për tremujorin e katërt, rritja ekonomike rezultoi 2.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por burimet e kësaj rritjeje ekonomike duket se janë të paqëndrueshme. Ajo është furnizuar para së gjithash nga rritja e volumit të punimeve në sektorin e ndërtimit, ku një peshë jo të vogël duket se kanë patur investimet e qeverisë përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, një program investimesh i prezantuar nga qeveria si “Rilindja e Qyteteve” dhe që përbëhet nga projekte përmirësimi rrugësh dhe fasadash si investime parazgjedhore. INSTAT vlerëson se sektori i ndërtimit dha 1.56 për qind të rritjes prej 2.42% të tremujorit të katërt. Për këtë arsye, ky burim rritjeje ekonomike konsiderohet si i përkohshëm. Sektorët e tjerë pësuan një rritje modeste ndërsa posta dhe telekomunikacioni pësoi një rënie të konsiderueshme krahas sektorit të bujqësisë.

Shqipëria vlerësohet se ka potencial të rritjes ekonomike prej 4 për qind në vit, potencial që shpresohet se do të arrihet në vitin 2018, në rast se reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria përmes programit që ka me Fondin Monetar Ndërkombëtar do të dalin me sukses.

Për këtë vit, ekonomia e Shqipërisë shpresohet të rritet me 3 për qind, shifër që rezulton e vështirë duke parë rritjen më të ngadaltë nga sa pritej të vitit 2014.

 

INSTAT

Sipas njoftimit të Institutit të Statistikave, kontributin kryesor në rritjen 1.89% e kanë dhënë degët e ekonomisë si Ndërtimi me 1.56 pikë për qind, Shërbimet e tjera me 0.95 pikë për qind, Tregti, Hotele dhe Restorante me 0.54 pikë për qind, industria me 0.24 pikë për qind dhe Transporti me 0.09 pikë për qind. Degët që kanë kontribuar negativisht janë Bujqësia, Gjuetia dhe Pyjet me -0.67 pikë për qind dhe Posta dhe Komunikacioni me -0.30 pikë për qind.

Degët kryesore të ekonomisë për tremujorin e katërt të vitit 2014 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013 shfaqen si më poshtë: Aktiviteti Bujqësor në tremujorin e katërt të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë pati një rënie prej 2.66%. Grupi i industrive pati rritje me 1.61% në tremujorin e katërt të vitit 2014 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013. Në këtë grup, industria Përpunuese dha ndikimin pozitiv me një rritje prej 3.39%, ndërsa industria Nxjerrëse ra me 0.47%.

Aktiviteti i Ndërtimit në tremujorin e katërt të vitit 2014 pati rritje prej 10.81% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013. Grupi i degëve Tregti, Hotele dhe Restorante pati një rritje prej 3.26% në tremujorin e katërt të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Në këtë grup, dega e Tregtisë pati një rritje prej 3.56% ndërsa dega Hotele dhe Restorante pati rritje me 1.13%.

Aktiviteti i Transportit ka shënuar një rritje prej 3.01% në tremujorin e katërt të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Grupi i degëve Posta dhe Komunikacioni u shfaq me një rënie prej 9.48% në tremujorin e katërt të vitit 2014 përkundrejt tremujorit të katërt të vitit 2013.

Grupi Shërbime të tjera në tremujorin e katërt të vitit 2014 pati rritje me 3.21% kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2013. Në këtë grup ndikim pozitiv dhanë degët si Aktivitetet Financiare, Aktivitete mbi pasuritë e patundshme, dhënies me qera dhe shërbime për ndërmarrjet, Administrata Publike.

Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Vlerës së Shtuar Bruto vlerësohet me një rritje prej 1.12%. Aktiviteti Bujqësor në tremujorin e katërt të vitit 2014 krahasuar me tremujorin paraardhës u ul me 2.77%.

 

Zhdoganimet e karburanteve, në nivelin më të ulët në 3 vjet

Zhdoganimet e karburanteve njohën nivelin më të ulët që nga viti 2012 gjatë dy mujorit të parë të vitit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave importet e karburanteve shënuan një rënie prej 21 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shkak kryesor për këtë rënie mbetet ulja e konsumit në tregun vendas, kryesisht nga çmimet e larta të hidrokarbureve në vend. Për shkak të barrës së lartë fiskale Shqipëria ka humbur konkurrueshmërinë rajonale me çmimet e naftës, të cilat në vendet fqinjë janë 20 për qind më lirë se, në tregun vendas.

Kjo diferencë në çmime ka bërë që mjetet e tonazhit të rëndë si autobusët, kamionët etj. Të furnizohen në Malin e Zi, Kosovë dhe Maqedoni. Kjo ka ndikuar edhe konsumin e hidrokarbureve në tregun vendas me gati 13 mijë tonë më pak se, në janar –shkurt 2014.

Rënia e xhiros këtë vit është konfirmuar edhe nga pikat e shitjes me pakicë të hidrokarbureve.

Para pak ditësh INSTAT pohoi se, tregtia me pakicë e karburanteve ka shënuar ulje në tremujorin e fundit të vitit 2014 me 0.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të INSTAT mbi ecurinë e tregtisë me pakicë. Ndërsa në krahasim me tremujorin e tretë të 2014-ës ulja ishte edhe më e madhe, 11 për qind.

 

Qiratë e banesave, jemi në vend të dytë për nga shtrenjtësia në rajon

Një qira mesatare prej 240 euro i mjafton një personi për të qenë banor në zemër të kryeqytetit shqiptar. Tirana renditet e dyta, më e shtrenjtë, pas Podgoricës, në çmimet e ofruara mesatare për qiratë, si në qendër të qytetit, ashtu edhe në periferi të saj.

Të dhënat e agjencisë së njohur “Numbeo” bëjnë të ditur se Tirana lë pas Beogradin, Shkupin dhe Sarajevën, për nga çmimet më të larta në qiranë mesatare, për apartamente me 1 apo edhe me 3 dhoma. Gjithashtu, referuar shifrave, vihet re një rritje e ndjeshme në çmime për brenda qytetit, kundrejt në periferi, me një diferencë mesatarisht 79.9 euro.

Edhe për apartamente më të mëdha, me 3 dhoma, Podgorica udhëheq rajonin me çmimin më të lartë për qiranë, prej 500 euro në qendër të qytetit. Tirana qëndron e para në listën e apartamenteve me 3 dhoma në periferi, me 261.81 euro, me një diferencë prej 1.81 euro me Podgoricë.

Indeksi i Qirasë, pas rënies së theksuar që shënoi në tremujorin e tretë të vitit 2014, u rrit me 4.9% në terma realë në TM4 2014. Në këtë periudhë, raporti i indeksit të çmimeve ndaj qerasë regjistroi rënie krahasuar me një tremujor më parë, si dhe me një vit më parë, përkatësisht me 0.2 dhe 0.1 pikë përqindje. Ky tregues vijon të luhatet afër mesatares së gjashtë viteve të fundit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency