Ekskluzive/ Xhani de Biazi: Ja sekretet e suksesit të Shqipërisë

0
152

Dash Frashëri

 Xhani de Biazi me flamurin shqiptar ne fusheTrajneri italian është më i miri i të gjithë kohërave me kombëtaren: Nuk ka mundur askush në fushë në këto kualifikuese. Dua t’i çoj shqiptarët në finalet e Euro 2016-së.

Xhani de Biazi ende i ka të ngrohta emocionet e fitores ndaj Armenisë, edhe pse nga triumfi 2-1 në “Elbasan Arena” kanë kaluar pesë ditë. Trajneri i kombëtares shqiptare rrëfen në një intervistë ekskluzive për gazetën “Standard” të gjitha sekretet që e kanë shndërruar atë në drejtuesin më të suksesshëm në bankinën kuqezi: me numrin më të madh të pikëve të marra nga katër ndeshjet e para (7) dhe numrin më të madh të fitoreve të regjistruara (11) se çdo homolog të tij gjatë gjithë historisë së kuqezinjve.

 

– Mister, fitorja ndaj Armenisë (2-1) në Elbasan të dielën ishte e dyta në këtë edicion pas asaj ndaj Portugalisë në Aveiro shtatorin e vitit të kaluar. Si e përjetuat?

– Janë që të dyja fitore të rëndësishme në këto katër ndeshje të luajtura deri tani. Ajo ndaj Portugalisë u arrit në transfertë dhe kanë kaluar disa muaj, kurse kjo me Armeninë të dielën e kaluar ishte e para përballë tifozëve tanë. Kjo i dha edhe më shumë bukuri fitores. Të dyja fitoret, së bashku edhe barazimin me Danimarkën, na kanë dhënë pikë të rëndësishme në objektivin tonë.

 

– Tashmë kemi luajtur me të gjithë kundërshtarët tanë në grup. Çfarë do të veçonit?

– Mendoj se është i rëndësishëm është fakti që ne jemi skuadra e vetme në grupin tonë (I), që nuk kemi pësuar asnjë humbje në katër ndeshjet e para të zhvilluara deri tani. Jemi mundur vetëm në gjykatën e UEFA-s, pas vendimit që dha ajo për ndeshjen e ndërprerë me Serbinë në Beograd.

 

– Keni vendosur në Shqipëri një rekord të ri për sa u përket pikëve të grumbulluara në katër ndeshjet e para, me 7 të tilla…

– Nuk e kam parë kurrë detyrën time si trajner për të vendosur apo thyer rekorde personale, por për të arritur objektiva të mëdha që i kam vendosur vetes me kombëtaren shqiptare. Janë ato që kanë peshë. Ajo që është më e rëndësishme për mua, ka të bëjë me faktin se tre vjet më parë filluam një projekt të ri, me lojtarë të rinj dhe tani kemi këto rezultate.

 

– Fitorja ndaj Armenisë ishte e 11-ta në 29 ndeshje të drejtuara prej jush, duke kaluar kështu gjermanin Hans-Peter Brigel me 10 ndeshje. Çfarë do të thotë për ju?

 

– Sigurisht që më jep kënaqësi ky fakt, por për momentin i konsideroj vetëm numra, asgjë më shumë. Një trajner synon gjithmonë ta fitojë çdo takim, pavarësisht kundërshtarit që ka përballë.

 

– Revolucioni “De Biazi” i ka dhënë një fytyrë të re skuadrës, por edhe ambicie të mëdha lojtarëve. Cili është sekreti i punës suaj?

– Është e vërtetë që kemi në grup lojtarë të shkëlqyer që mund të na japë një dorë për të realizuar objektiva të rëndësishëm. Në këto tre vite që e drejtoj kombëtaren shqiptare, besoj se janë 48 lojtarë që kanë pasur mundësinë të thirren, grumbullohen apo të luajnë për Shqipërinë. E rëndësishme është që kemi një grup miks lojtarësh me shumë përvojë, por edhe të rinj që mund të jenë pjesë edhe e eliminatoreve të Kampionatit Botëror 2018. Besoj se, të paktën, për pesë vitet e ardhshme të kemi lojtarë, që po të punojnë mirë, do të jenë ndër skuadrat më të forta në Evropë.

 

– De Biazi, Shqipëria ka shtatë pikë, ndërkohë që dy rivalët direkt për vendin e tretë, Serbia dhe Armenia, kanë vetëm një pikë. Ndeshja e ardhshme është ajo me Danimarkën në Kopenhagen, që ka po shtatë pikë sa ne…

– Po, është një ndeshje vendimtare, tepër e rëndësishme dhe shumë e vështirë. Duhet të dini se në katër ditë do të luajmë kundër Danimarkës në Kopenhagen dhe ndaj Portugalisë në Elbasan e që janë sigurisht dy skuadrat më të forta të grupit tonë dhe këtë e kanë dëshmuar. Duhet të japim më të mirën tonë. Nëse do të marrim rezultate pozitive, pra pikë, mund të them se shanset tona për në finalet e Evropianit rriten maksimalisht, pasi tashmë i kemi shtatë pikë.

 

– Shqipëria është në pritje të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në lidhje me Serbinë. A besoni në drejtësinë e saj?

– Uroj që më 17 prill të marrim edhe fitoren në tavolinë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), për të vendosur drejtësi, pasi mendoj se vendimet e mëparshme nuk ka qenë të drejta për ne. Kemi humbur në tavolinë në mënyrë të padrejtë me Serbinë. Nuk kemi humbur në fushë, por në tavolinë.

 

– Në shtypin e huaj flasin gjithmonë për Shqipërinë e De Biazit si një nga surprizat më befasuese të eliminatoreve të këtij Evropiani. Çfarë kënaqësie të jep?

– Për të qenë i sinqertë, nuk më japin asnjë emocion të veçantë ato që lexoj në media. Emocionet e vërteta i përjetoj gjatë ndeshjeve, së bashku me lojtarët, me tifozët. Kur ata ndihen mirë, edhe unë jam i kënaqur. Kënaqem dhe vuaj së bashku me ta.

 

– Në qershor do të luajmë miqësoren e dytë me Francën, por kësaj radhe në Elbasan. Në Renë barazuam 1-1. A do të provoni sërish të eksperimentoni me skemat?

– Me Francën do të jetë një ndeshje prestigji. Ajo do të luhet pas përfundimit të kampionateve në Evropë dhe lojtarët që do të thërras do të varen nga forma e tyre. Sigurisht, që kam mundësinë të aktivizoj më shumë lojtarë.

 

– Zoti De Biazi, stafi juaj teknik është një miks midis italianëve dhe shqiptarëve. Sa ju ka ndihmuar në arritjen e sukseseve me kombëtaren?

– Stafi im është shumë profesionist për sa i përket nivelit teknik të tyre. Ka bërë një punë të shkëlqyer dhe unë dua t’i falënderoj të gjithë. Ndër bashkëpunëtorët e mi, sigurisht që i pari është Paolo Tramexani, me të cilin bashkëpunoj që nga dita e parë, që kur mora përsipër të drejtoja Shqipërinë. Tramexani po bën një punë të shkëlqyer nga të gjitha këndvështrimet, si në fushën e lojës ashtu edhe në atë të ndjekjes së lojtarëve gjatë ndeshjeve të tyre me skuadrat ku ata luajnë. Trajneri i fitnesit, Alberto Bele, ka bërë një punë të mirë gjithashtu një punë të lavdërueshme me lojtarët. Edhe trajneri i portierëve, Ilir Bozhiqi, po bën një punë të mirë me portierët, si me Etrit Berishën, Alban Hoxhën dhe Orges Shehin. I fundit që ka ardhur në staf është Altin Lala, një njeri që e njeh mirë ambientin e kombëtares dhe më ka ndihmuar shumë, pavarësisht se drejton edhe Shqipërinë U-19.

 

Vrasësi i trajnerëve

Xhani de Biazi është shndërruar një “vrasës” trajnerësh në këtë edicion kualifikues. Paulo Bento u shkarkua pas humbjes 1-0 të Portugalisë në Aveiro, holandezi Dik Advokat pas ndeshjes së ndërprerë në Beograd. Edhe zvicerani Bernard Shaland u shkarkua nga Armenia.

 

Bilanci i De Biazit

29 ndeshje

11 fitore

7 barazime

11 humbje

 

Vendi i 63-të

Kombëtarja shqiptare renditet e 63-ta në ranglistën e FIFA-s për muajin shkurt 2015, por sigurisht në muajin prill pritet të jemi në një vend më të mirë.

 

Dy fushata

Italiani Xhani de Biazi është nga 14 dhjetori i vitit 2011 trajneri i Shqipërisë. Ai është i pari i huaj që e drejton kombëtaren tonë në dy fushata kualifikuese.

 

87 ndeshje në Evropianë

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar 87 ndeshje në eliminatoret e Kampionateve Evropiane. Ajo ka një bilanc negativ: 14 fitore, 22 barazime dhe 51 humbje. Edhe golaverazhi është negativ: 66 gola të shënuar, 156 të shënuar.

 

Poliglot i lindur

Xhani de Biazi dallohet për pasionin e tij për gjuhët e huaja dhe për shfrytëzimin në maksimum kohën e lirë të tij midis impenjimeve të kombëtares dhe punës së opinionistit sportiv të rrjeteve më të mëdha televizive në Itali. Ai flet italisht, anglisht dhe frëngjisht.

 

NDESHJET E SHQIPËRISË NË EURO 206

 

Portugali-Shqipëri   0-1

Shqipëri-Danimarkë            1-1

Serbi-Shqipëri*         3-0

Shqipëri-Armeni 2-1

4 N: 2F, 1B, 1H, 4 pikë

*Rezultat në tavolinë

 

RENDITJA E GRUPIT I

Ekipet            N         F          B         H         F          A         P

Portugalia      4          3          0          1          4          2          9

Danimarka    4          2          1          1          6          4          7

Shqipëria       4          2          1          1          3          4          7

Serbia            4          1          1          2          6          7          1

Armenia         4          0          1          3          3          5          1

Shënim: Serbisë i janë hequr 3 pikë nga UEFA pas incidenteve në ndeshjen Serbi-Shqipëri, 14 tetor 2014.

 

14 fitoret e Shqipërisë në

eliminatoret e Evropianëve

 

Fitorja e parë është ajo me Danimarkën më 30 gusht 1963, e fundit me Armeninë më 29 mars 2015

Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë në eliminatoret e Euro 1964-ës, që nuk kishte formulën e eliminatoreve në grupe, siç e kemi sot, por me eliminim direkt. Në raundin e parë në short na ra Greqia, ndaj së cilësi i morëm të dyja ndeshjet afrofe 3-0, pasi ajo refuzoi të luante kundër Shqipërisë në eliminatoret e Kampionatit Evropian 1964. Kombëtarja jonë ka regjistruar 14 fitore gjatë 87 ndeshjeve eliminatore për Kampionatet Evropiane. Fitorja e parë fitore historike i përket Zyber Konçit në triumfin 1-0 kundër Danimarkës në turin e dytë kualifikues të Euro 1964-ës (30.8.1963) me një gol brenda 180 sekondave të para të realizuar nga Panajot Pano. Fitore të bujshme janë ato me Turqinë (3-0, Euro 1972) kur në bankinë ishte Loro Boriçi: autorët e golave ishin Ilir Përnaska (2) dhe Panajot Pano. Neptun Bajko regjistroi dy fitoret e tij kundër të njëjtit kundërshtar: Moldavisë, 3-0 në Tiranë (Kushta 2, Kaçaj) dhe 3-2 në Kishinau (Kushta, Bellaj, Vata), kjo e fundit e para fitore në transfertë. Trajneri Astrit Hafizi fitoi 2-1 me Gjeorgjinë (Rraklli, Kola) për eliminatoret e Euro 2000. Gjermani Hans-Peter Brigel ishte i pari nga trajnerët e huaj që ka fituar një ndeshje për eliminatoret e Evropianëve, atë me Rusinë (3-1, golat nga Rraklli, Tare, Lala), të pasuar më pas me Gjeorgjinë (3-1: Hasi, Tare, Bushi). Kroati Oto Bariç i shijoi fitoret e tij kundër Luksemburgut: 2-0 në “Qemal Stafa” (Kapllani, Haxhi) dhe 3-0 në Luksemburg (Kapllani 2, Skela), fitorja e dytë në transfertë e Shqipërisë. Holandezi Ari Han fitoren e vetme e regjistroi 3-0 kundër Maltës modeste me golat e Bogdanit, Duros dhe Dallkut. I ndjeri Josip Kuzhe fitoi 1-0 me Luksemburgun (gol i Hamdi Salihit) dhe po 1-0 me Bjellorusinë (Hamdi Salihi), për eliminatoret e Euro 2012-së. Italiani Xhani de Biazi e ka arritur fitoren e parë të tij me Portugalinë (1-0), me golin e Bekim Balajt dhe të dytën me Armeninë (2-1) me golat e Mërgim Mavrajt dhe Shkëlzen Gashit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency