Çështja “Doshi” dhe ajo “Frroku”/ Përplasja me ministrin, Berisha: Tahiri i çoi Shullazin në qeli Bamit, tek Bajraktari shkoi vetë

0
121

Gëzim Saliu

 debati topalli ramaTahiri: Nipi i Berishës ishte drejtor i Interpolit, truproja e çunit qëlloi me armë, se nuk i ndërruan tavllën

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, deklaroi dje në sallën e Parlamentit se ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka qenë i përfshirë si në çështjen “Doshi” ashtu edhe në atë “Frroku”, duke synuar, sipas tij, fshehjen e të dhënave që e lidhnin atë dhe Kryeministrin me kriminelët. Në fjalën e tij në Kuvend, Berisha deklaroi se Tahiri ka dërguar Emiljano Shullazin në qelinë e Durim Bamit për ta kërcënuar me jetën e fëmijëve e ndërsa këto ditë ka shkuar vetë tek ish-shefi i Interpol Tiranës, Artan Bajraktari duke synuar t’i mbyllë gojën. “Arrestuat Artan Bajraktarin, ish-sekretari i PS-së për lagjen nr. 9, mik i ngushtë i Saimir Shullazit, me shpresën se me hekura do t’i mbyllnit gojën. E akuzuat se fshehu kërkesën e Brukselit. Artan Bajraktari u tha se kam njoftuar jo vetëm Didin, por dhe Kryeministrin. Saimir Tahiri i ka shkuar në qeli duke shkelur çdo rregull dhe i është lutur. I ka shkuar para se të shkojë në Gjykatë. Shpëtoi mirë Artan Bajraktari, sepse Durim Bamit i çoi Shullazin, këtij i shkoi vetë. Bajraktari doli më i ftuar”, – tha Berisha. Ndërkaq, ish-kreu i qeverisë duke pohuar se deputeti Frroku është fytyra e vërtetë e Kryeministrit Rama theksoi se detyra kryesore e opozitës do të jetë çmontimi i krimit nga pushteti. “Beteja jonë është për jetë a vdekje me krimin dhe ne s’tërhiqemi, ta dini mirë. Ta dini mirë se pavarësisht nga çmimi ne kurrë nuk do tërhiqemi nga kjo betejë, ne do ta fitojmë këtë betejë. Ne që kemi fituar betejën me hanxharët e Sigurimit të Shtetit dhe të Enver Hoxhës, ne do fitojmë betejën me hanxharët e Shytëve, Shullazëve, Çelëve, që sot kanë marrë pushtetin. Do e fitojmë betejën sepse shqiptarët nuk e kanë në natyrën e tyre krimin”, – tha Berisha.

 

Përgjigjja e Tahirit

Në reagimin e tij në Parlament ndaj deklaratave të ish-kreut të qeverisë, ministri i Brendshëm theksoi se mazhoranca duhet të ndahet nga ajo që ai e cilësoi si vrull i vrerit shtazarak. “Në këta 18 muaj ama, çdo ditë e vetme ka provuar se ato 1 milion vota paskan qenë me të vërtetë 1 milion shuplaka, jo për ju personalisht, por për modelin tuaj që kalëruat mbi modelin e të keqes së ndërtuar në këto 24 vite rrëmuje, informaliteti, paligjshmërie, krimi dhe korrupsioni të ngjitura në nivelet më të larta të pushtetit pa kursyer gjë për të ruajtur karriget tuaja”, – tha ministri. Më tej në fjalën e tij, Tahiri lëshoi një sërë akuzash të rënda ndaj ish-kryeministri duke pohuar: “Në qoftë se nipi i Sali Berishës që drejtonte pikërisht këtë zyrë, jo vetëm informacionin nuk e kursente, por nuk kursente as plumbat në mes të Tiranës për një parkim makine, e nuk i hynte gjemb në këmbë, sot oficerët e Policisë mbajnë përgjegjësi ligjore për çdo shkelje të procedurës, pavarësisht pasojave. Jemi shumë larg modelit të atij polici që ecte në rrugë si Tarzani, rrihte gazetarin apo si modeli i truprojës së çunit të Sali Berishës që qëlloi me armë se nuk i ndërruan tavllën e duhanit. Prokuroria nuk e thirri djalin që të jepte qoftë edhe një shpjegim”, – nënvizoi ministri.

 

Denoncimi/ Berisha: Tahiri urdhëroi formatimin e hardiskut të kompjuterit të Bajraktarit, fshiu të dhënat

Ish-kryeministri Berisha denoncoi dje përmes një mesazhi të ardhur në telefonin e tij nga një punonjës i Ministrisë së Brendshme formatimin, sipas tij, të hardiskut të kompjuterit të Bajraktarit, ish-kreut të Interpol Tiranës. “Ky mesazh i një punonjësi te Ministrisë se Brendshme informon sa vijon: “I nderuar zoti Berisha. Ne këto momente qe po te shkruaj, ne kompjuterin e z. Artan Bajraktari shef i Interpol Tiranes është ulur me urdhër te Saimir Tahirit specialisti i IT dhe po formaton hardiskun e zotit Bajraktari me qellim fshirjen e te gjithë te dhënave dhe korrespodencës qe ky drejtues policie ka mbajtur me titullarët e tij. Njëkohësisht mund te ndërhyhet edhe ne serverin qendror me qellim fshirjen e gjurmëve te krimit te Artan Didit dhe Sajmir Tahirit. Ju lutem denoncoheni sa me pare këtë akt dhe bëjini thirrje prokurorisë për hetim te thelluar te këtij krimi shtetëror. Me respekt. Ju lutem për te tjerët duhet te mbetem për momentin anonim”, – bëri të ditur Berisha mesazhin e punonjësit në rrjetin social “FB”.

 

Debati, akuzat dhe batutat mes Berishës, Ramës,Tahirit, Ristanit dhe Nokës

 Sali Berisha: Ju shpallët moton “qelbësira të të gjitha llojeve bashkohuni për të përmbysur Sali Berishën”, kjo moto e bashkimit të qelbësirave do të shndërrohej në realitetin e tyre.

Taulant Balla i bie tavolinës: Tërhiqe atë që the, tërhiqe aty…

Sali Berisha: S’kam pse e tërheq, është e vërteta. Mark Frroku është fytyra më e vërtetë e Edi Ramës.

Rakip Suli nga vendi: Nuk ka lidhje me PS-në ai.

Sali Berisha: Beteja jonë është për jetë a vdekje me krimin dhe ne s’tërhiqemi, ta dini mirë.

Spartak Braho nga vendi: Revolucion, revolucion.

Sali Berisha: Ta dini mirë se pavarësisht nga çmimi ne kurrë nuk do tërhiqemi nga kjo betejë, ne do ta fitojmë këtë betejë.

Eduard Shalsi: Shih sa jeni tkurrur, atë shiko…

Sali Berisha: Pse nuk e arrestoni Didin? A u provua se u fsheh kërkesa e Interpolit. Po ju se arrestoni se po të shkojë ai brenda do të duhet të shkojë brenda edhe Tahiri, edhe Rama.

Saimir Tahiri: Ne duhet të ndahemi përfundimisht nga ky modeli i vrullit të vrerit shtazarak që derdhet pa asnjë limit.

Jozefina Topalli e revoltuar i bie tavolinës: Ik mer ti ik, jep dorëheqjen.

Saimir Tahiri: Ne sot po e reformojmë një sistem të tërë mekanizmash që nuk mund të lejojnë dot dhe asnjë shans, çdo punonjës policie, që të ketë mundësinë që të mos e respektojë ligjin.

Sali Berisha nga vendi: Për shtetin e kokainës po flet.

Ilir Beqaj: Pusho mor ti tani, boll të dëgjuam ty.

Saimir Tahiri: Qytetarët votuan në 23 qershor për modelin e qeveritarit që shërben me modesti dhe korrektesë.

Flamur Noka: Po pra rilindi shteti i Shullazit.

Bashkim Fino, Nokës: Po pse nuk e dëgjon, unë ty kur fole të dëgjova me qetësi.

Sali Berisha: Silleni Shullazin këtu, kjo ju ka ngel.

Saimir Tahiri: Ne po e luftojmë krimin, ne e korrigjuam vetë gabimin dhe ju tani tundini dokumentet e Ministrisë së Brendshme.

Berisha i drejtohet Ramës: Dil ti aty, ti duhesh aty.

Rama, Berishës: Ti je një copë plak pa lidhje.

Saimir Tahiri: Policia është shndërruar, ne jemi në luftë të hapur me krimin.

Flamur Noka: Po Santon e gjetët kush e vrau…

Saimir Tahiri: Të flasë pak Ristani, që është dënuar në 1994. Çuni yt Sali Berisha ngriti një biznes që vrau 26 persona.

Sali Berisha: Po ti je një kontrabandist.

Edi Rama, Berishës: Ty Sali të kam përcjellë në shpi unë, po mos i merr në qafë edhe këta të tjerët.

Sali Berisha (fjalë për procedurë, përgjigje Tahirit): Ti përgjigjesh Saimir Shullazit, ti ha fjalët qeni.

Arben Ristani: Unë po i përgjigjem këtij… (qesh)… Droga dhe kokaina edhe duke e përdorur vetë nuk do ju bëj më të zgjuar, ta dini këtë.

Flamur Noka: Kam këtu mesazhin e Interpolit, ku në kohën tonë Frroku nuk ka qenë në kërkim, ka pas një dosje, po i është pushuar. Por kur i është nisur dhe hetimi dhe ka ardhur kërkesa tani në kohën tuaj, ju i fshehët kërkesat e Interpolit.

Rama, Berishës: O Sali e sheh na doli në rregull Frroku.

 

21 qershori/ Rama merr maqedonasit, u jep Pustecin. Topi pranon ftesën e PS-së. Do negociojmë për zgjedhjet

Kryeministri Rama lidhi dje një tjetër marrëveshje për zgjedhjet e 21 qershorit, duke u bashkuar me partinë Maqedonase të drejtuar nga Edmond Themelko i cili është dhe kreu aktual i Bashkisë së Pustecit. Themelko vjen në “gjirin” e koalicionit PS – LSI, vetëm pak ditë pasi Rama mbylli marrëveshjen për të bashkëqeverisur dhe për të dalë së bashku në këto zgjedhje edhe me PDIU-në e Shpëtim Idrizit. Ndërkaq, po dje kreu i FRD-së Bamir Topi pranoi ftesën e Kryeministrit për t’u bashkuar në zgjedhjet vendore pas zhvillimit të mbledhjes së asamblesë së kësaj force. “U ra dakord të pranojë ftesën e zotit Rama për të hyrë në negociata. Vlerësojmë një ftesë që është bërë publike. Ky është gjest qytetar, përgjegjësi politike por dhe tregues se FRD është prezente në interesat e shqiptarëve. Duhet të ndahen që negociatat dhe koalicioni është një moment tjetër që i takon kohës ditëve javëve”, – tha ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency