Mbledhja e grupit/ PD voton sot pro kërkesës për arrestimin e Frrokut, Basha: Tahiri të dorëhiqet, i lidhur me krimin

0
144

Gëzim Saliu

basha grupi i pd“Letrat për Frrokun nga Belgjika u përdorën për t’i çuar hetimet për dy porositë e vrasjeve të deputetëve në hullinë e paracaktuar nga treshja Rama-Meta-Tahiri”

Grupi parlamentar i PD-së vendosi dje në mbledhjen e tij që të jetë i pranishëm në seancën e sotme parlamentare dhe të votojë pro kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për të arrestuar Mark Frrokun për llogari të drejtësisë belge që e akuzon deputetin për vrasjen e një shqiptari në vitin 1999. Në mbledhjen e djeshme, e cila u drejtuar nga kryedemokrati Basha, u vendos gjithashtu edhe vota pro e demokratëve ai për përfaqësimin me 50% të grave në parlament. Ndërkaq në bazë të porosive të kreut të PD-së, deputetët do të marrin pjesë gjatë diskutimeve për projektligjet e rendit të ditës duke denoncuar në foltore problematikat e qytetarëve. Nga ana tjetër ditën e sotme në vazhdën e protestave të nisur në marrë vendin, PD do të protestojë në Shkodër, ku tubimi do të nisë rreth orës 11:00.

 

Basha në grup

Duke e cilësuar si një mallkim për vendin, kreu i opozitës, Lulzim Basha kërkoi dje dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas kryedemokratit, ministri dhe kreu i qeverisë janë fajtorët e vërtetë të fshehjes së kërkesës së Interpolit për arrestimin e deputetit Mark Frroku. “Nuk ka më nevojë për asnjë provë tjetër për të vërtetuar simbiozën e tij me krimin. Nëse Edi Rama e mban edhe një orë më shumë, thjesht provon se Tahiri është dora e tij e shtrënguar me krimin, ndërsa koka mbetet ai vetë. Askush nuk sheh më tek Ministri i Brendshëm një përfaqësues të interesit publik, por vetëm një çirak të krimit. Barrë e rëndë për vendin, një çiban që duhet shkulur sa më shpejt”, – tha Basha. Më tej, duke u përqendruar tek fshehja e kërkesës së autoriteteve belge, kreu i PD-së pohoi se kjo çështje lidhet me atë të akuzave për vrasjen e dy deputetëve të cilat sipas Doshit u porositën nga Kryeparlamentari Meta. “Mbajtja fshehtë e letrave që inkriminojnë në një vrasje në Belgjikë deputetin Frroku përkon në kohë me periudhën kur shpërtheu përpjekja e treshes Rama-Meta-Tahiri për të diktuar me çdo kusht dhe me çdo mjet manipulimin e hetimeve për vrasjen me pagesë të dy deputetëve të parlamentit shqiptar. Shqiptarët e kanë të qartë se letrat për Frrokun nga Belgjika u përdorën brutalisht, për t’i çuar hetimet në hullinë e paracaktuar nga treshja, duke qenë se Frroku ishte një nga dëshmitarët kyç në këtë aferë kriminale”, – u shpreh Basha. Ndërkaq kreu i PD-së foli edhe lidhur me procesin e dekriminalizimit, ku e cilësoi si sfidë shfaqjen e kryeministrit Rama në Lezhë me Arben Ndokën. “Por ne do të ngulmojmë deri në fund që dekriminalizmin ta realizojmë bashkë me palën kundërshtare duke e nxitur të ngrihet mbi veten, në lartësinë e misionit historik. Ky është shtegu që kemi lënë e duhet të lëmë hapur për të gjithë ata që duan t’i bashkohen këtij misioni. Kjo është gjithëpërfshirja. Në të kundërtën, nëse kryeministri ia del të pengojë, të ngulmojë dhe të mbështesë vetëm me fjalë dhe ta pengojë me veprime dekriminalizimin, ndëshkimi që do të marrë nga qytetarët dhe faktori ndërkombëtar do të jetë shembullor. Ne do ta çojmë përpara këtë betejë. Deri në fitore. Bashkë me qytetarët”, – theksoi kreu i opozitës Lulzim Basha.

 

Negociata deri më 6 prill/ Basha takon aleatët, shkrihen akujt PD-PR: Me kandidatë të përbashkët në 21 qershor

Partia Demokratike dhe aleatët e saj përcaktojnë piketat e bashkëpunimit mes tyre për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Në mbledhjen e zhvilluar dje pasdite në selinë blu, u ra dakord për parimet e bashkëpunimit mes palëve dhe u shpreh vullneti për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhje. “Tryeza e koalicionit opozitar shpreh vullnetin politik që bazuar në parimet e transparencës, kolegjialitetit, proporcionalitetit dhe bashkëqeverisjes, koalicioni të dalë me kandidatë të përbashkët për kryetarë bashkie në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, me objektiv fitoren e këtyre zgjedhjeve. Tryeza e koalicionit të opozitës shqiptare vendosi të zhvillojë negociata deri me datë 6 prill 2015 dhe bazuar në parimet e sipërpërmendura të materializojë marrëveshje dypalëshe të çdo subjekti të koalicionit me Partinë Demokratike”, – thuhej në deklaratën e përbashkët. Ndërkaq kreu i demokratëve mandatoi deputetët Eduard Halimi dhe Edmond Spaho, për të negociuar me aleatët që do të nisin nga e premtja e kësaj jave. Aleatja më e madhe e demokratëve, Partia Republikane u përfaqësua nga nënkryetari Arjan Madhi. Ky i fundit pas takimit foli për një paketë garancish që duhet respektuar, në të kundërt kjo parti merr rriskun për të dalë edhe e vetme në zgjedhje. Ndërkaq PR duket se nuk tërhiqet nga propozimi i tyre për Durrësin, pasi theksoi Madhi, kandidatura e Agron Dukës shihet si fituese edhe nga Lulzim Basha nga sondazhet që PD ka zhvilluar. “PR nuk ka kërkuar asnjëherë dhe nuk do të kërkojë bashki të veçanta, as njerëz preferencialë. PR ka adoptuar dhe ka një qëndrim të përbashkët me PD. Përtej modelit që ka qenë dikur që lëshoheshin zonat e lira për partitë, sot ne do të vlerësojmë se kush kandidat është fitues sipas sondazhit të pranuara nga vetë PD apo atyre që po evoluojnë nga dita në ditë. Basha tha po jemi në punë, kemi disa sondazhe dhe kërkojmë ende sondazhe për të arritur në kandidaturën më të mirë. Ne i qëndrojmë jo këtij propozimi po r garancive tashmë të sonduara që Duka ofron si kandidat fitues. Këto janë garanci që në radhë të parë janë konstatuar nga PD, nga kryetari i saj. Dhe së dyti nuk do kishte kuptim meqë ky qëndrimi i përbashkët, ky bashkëpunim të anashkalohet”- deklaroi ai. Pjesë e takimit të djeshëm me PD-në ishin PR, PDK, LZHK, Balli Kombëtar dhe drejtues të tjerë të partive aleate.

 

 FRD-ja mbledh sot Këshillin: Topi gati të bashkohet me Ramën

Fryma e Re Demokratike do të mbledhë ditën e sotme në orën 11:00 Këshillin Kombëtar të saj, ku do të vendosë për qëndrimin që do të mbajë pas ftesës së bërë nga kreu i koalicionit, Edi Rama, për t’u bashkuar me aleancën e majtë në zgjedhjet lokale. Dy ditë më parë, kreu i qeverisë ftoi hapur për bashkëpunim në qeverisjen lokale, edhe Frymën e Re Demokratike, pas arritjes së një marrëveshjeje paraprake me PDIU-në. Burime pranë së majtës konfirmojnë bashkimin e FRD-së në koalicionin e majtë, gjë kjo që pritet që të zyrtarizohet sot. Brenda së majtës përflitet edhe për një marrëveshje paraprake mes PS-së dhe FRD-së për t’i dhënë kësaj partie të drejtën për të propozuar kandidatin e saj në Bashkinë e Kamzës, ku emri që përflitet është ai i Sali Shehut. Ndërkohë që takimi i fundit që Kryeministri do të zhvillojë sot do të jetë me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, për të mundësuar një marrëveshje zgjedhore, ku pikë ngërçi mes dy partive është Bashkia e Himarës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency