Politika e divergjencës ekonomike

0
1563

Politika e divergjencës ekonomikeBota karakterizohet gjithnjë e më shumë prej divergjencës – në performancën ekonomike, politikat monetare, e pra në tregjet financiarë. Divergjenca globale ka kontribuar tashmë në luhatshmërinë e bursave, në rëniet e paprecedenta të interesave të bonove në ekonomitë e përparuara, si dhe në lëvizjet shumë të mëdha të valutave. Dhe tendenca nuk po zvogëlohet, duke vendosur kështu gjithnjë e më shumë trysni mbi sistemet politikë që edhe kështu janë tejet të tendosur. Ekonomitë e rëndësishme të botës mund të vendosen në katër kategori. Grupi i parë përfshin vende si India dhe SHBA, ku rimëkëmbja ekonomike sa vjen e zgjerohet, gjë që u mundëson të kapërcejnë çekuilibrat financiarë. Grupi i dytë mishërohet nga Kina, e cila po ulet butë-butë drejt një shtegu rritjeje ekonomike që, ndërsa ka qenë më i ulët në vitet fundit, mbetet gjithësesi i mjaftueshëm për të mbështetur progresin e vazhdueshëm drejt një statusi me të ardhura të larta dhe një stabiliteti financiar. Grupi i tretë përfshin ekonomi – si Brazili, disa vende të eurozonës dhe Japonia – të cilat nuk po rriten aq shpejt sa duhet dhe përballen me rreziqe rënieje të fortë. Dhe në fund, grupi i katërt përbëhet nga ekonomitë si Greqia dhe Rusia – vende që mund t’ia dalin mbanë në rikthimin e rritjes ekonomike dhe stabilitetit financiar, por që nga ana tjetër mund edhe të shpërthejnë, duke shkaktuar valë tronditjeje në të gjithë Europën dhe përtej saj. Kjo divergjencë është po aq një fenomen politik, sa është edhe ekonomik dhe financiar. Kapërcimi i saj – dhe sigurimi i një rritjeje ekonomike globale financiarisht të qëndrueshme – do të kërkojë politikëbërje të përgjegjshme në nivel kombëtar si dhe një koordinim shumëpalësh. Fatkeqësisht, mjediset politikë të rrëmujshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë sot, e kanë penguar deri më tani një qasje të tillë. Megjithëkëtë, politikat monetare eksperimentale në ekonomitë e përparuara – si blerjet në shkallë të gjerë të aseteve që u nisën këtë muaj prej Bankës Qendrore Europiane – e kanë ngadalësuar rrethin vicioz të performancës ekonomike nën nivelin mesatar, si dhe politikën kaotike. Por nuk është aspak e qartë që kjo do të vazhdojë, sidomos duke parë largimin gradual të bankës qendrore amerikane nga politika të tilla, gjë që e vendos Amerikën në një rrugë të ndryshme nga ajo e ekonomive të tjera të përparuara.

 

Forcat e tregut

Po kështu, forcat e tregut kanë fituar një rol gjithnjë e më të madh në bashkërendimin e divergjencës ekonomike globale, duke shkaktuar ndryshime dramatikë të normave të këmbimit të valutës. Lista e lëvizjeve të tilla – që deri tani kanë përfshirë rënien me 25% të Euros kundrejt dollarit, një ulje në nivele rekord të pesetës meksikane, si dhe zhvlerësimet e parregullt të realit brazilian si dhe monedha të tjera të ekonomive në zhvillim – sa vjen e zgjatet. Edhe ekonomitë e shëndetshme si Koreja e Jugut janë të prira të dobësojnë monedhat e tyre, duke e lënë SHBA të vetme në gatishmërinë e saj për të toleruar një vlerësim domethënës të monedhës. Të vetëm, tregjet e valutës nuk do të sjellin riekuilibrimin ekonomik global që nevojitet për të sjellë rritje ekonomike. Politika më të mira në nivel kombëtar, rajonal dhe global janë gjithashtu thelbësore – dhe kjo kërkon një politikë më të mirë. Shumë udhëheqës politikë përreth botës mbeten të paaftë – ose jo të gatshëm – që të përmbushin përgjegjësitë e tyre të qeverisjes ekonomike. Kjo është për të ardhur keq, duke parë se ekziston një konsensus i gjerë në lidhje me komponentët teknikë të politikave që kërkohen: reforma strukturore për të rigjallëruar motorët e rritjes ekonomike, përpjekje për të riekuilibruar kërkesën agregate, dhe eliminimi i barrëve të borxhit. Ai që mungon është implementimi. Por nuk duket se qeveritë do ta kapërcejnë këtë keqfunksionim së afërmi. Në SHBA, Kongresi dhe dega e ekzekutivit janë mbërthyer në një qorrsokak. Sistemet politikë të Evropës po tronditen prej rritjes së partive populiste, shumë prej të cilave po fitojnë mbështetje me një platformë antievropiane. Në botën në zhvillim, qeveria e Brazilit është përballur me disa skandale korrupsioni. Dhe udhëheqja e Rusisë mbetet e angazhuar në aventurat e saj rajonale, pavarësisht impaktit shkatërrimtar që ato kanë mbi ekonominë e saj. Në shumicën e këtyre rasteve – në mos në të gjithë – ne shohim shembuj të një fenomeni më të gjerë: ai që mund të quhet qeverisje për inerci – një mentalitet “nuk mundem, nuk do ta bëj dhe nuk duhet ta bëj”, për të perifrazuar ekonomistin Mark Blyth, që bllokon politikëbërjen e efektshme. Teksa inercia në politika zgjat në kohë rritjen e ulët ekonomike dhe pengon krijimin e vendeve të punës, ajo bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u braktisur. Duke parë se sa e vështirë është për qeveritë që të iniciojnë një zhvendosje drejt një modeli të ri të politikëbërjes, trysnia sa do të vijë e do të rritet nga jashtë. Në një demokraci, kjo gjë ka prirjen të ndodhë përmes fragmentimit të partive tradicionale dhe shfaqjes së partive jotradicionale – disa prej të cilave ofrojnë alternativa të mira, ndërkohë që të tjera mbështeten tek frika dhe paragjykimet. Ekonomia globale është në një moment kritik. Shumica e ekonomistëve bien dakord për atë që duhet bërë për të shmangur një tjetër raund të humbjes së shanseve për rritjen ekonomike, punësim të pamjaftueshëm, paqëndrueshmëri financiare dhe përkeqësim të pabarazisë Bankat qendrore dhe tregjet nuk mund ta arrijnë të vetme një riekuilibrim të rregullt global. Sa do e vështirë që të jetë, politikanët duhet të ndjekin politika gjithëpërfshirëse. Sa më shumë që vonohen, aq më pak të efektshme do të jenë përpjekjet e tyre. Teksa politika e keqe bllokon shanset ekonomikë, besimi publik tek qeveritë do të vazhdojë të gërryhet – me pasoja të rënda politike për sistemet politikë, si dhe ekonomitë që ata administrojnë, në mbarë botën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency