Parlamentarë “të fortë”? Reflektim juridik

0
199

Brikena Bogdo

Brikena BogdoKa ardhur koha për një debat kombëtar. Kush e mbron cilësinë e ligjit dhe të Parlamentarit në Shqipëri? Cilët janë filtrat e ligjit dhe parlamentarit?

Çështja “Doshi-Frroku” ka hapur një diskutim shumë serioz mbi cilësinë e ligjit, të hartuar nga parlamentarët. Bota e zhvilluar perëndimore filtrin kryesor ka ekzistencën e dy dhomave, që mbron cilësisht ligjin. Leximi i tekstit të ligjit në të dyja dhomat e Parlamentit lejon përmirësimin e tekstit, duke korrigjuar çështje të përmbajtjes dhe teknikalitete ose duke propozuar shtesa nëpërmjet amendamenteve. Senati, për nga natyra e punës, është gati-gati një gjykatë, pasi është filtrues i cilësisë së ligjit. Franca është tejet specifike në hartimin e një ligji cilësor. Nëse teksti ka modifikime në njërën prej dhomave, rifillon procedura nga fillimi. Në teori, kjo mund të vazhdojë pafundësisht, por në praktikë, qeveria e ndërpret këtë proces perpetuo dhe ngre menjëherë një komision miks, të barabartë, të kompozuar nga shtatë parlamentarë të të dyja dhomave, që provon të ngrejë një tekst kompromisi. Nëse nuk arrihet miratimi i tekstit, fjala e fundit, sipas Kushtetutës Franceze, i mbetet Asamblesë Nacionale. Faktikisht, asaj i është dashur, shumë rrallë, të ushtrojë këtë pushtet. Garantues të cilësisë së ligjit Franca parashikon edhe pjesëmarrjen qytetare. Së pari, ata kalojnë ligjin në një debat publik, i konsideruar një garanci për transparencë. Francezët mund të asistojnë në pallatin Bourbon, në karriget e Asamblesë Nacionale ose në Pallatin e Luksemburgut, në karriget e senatit. Ndërkohë i japin kohë edhe medias, që ta mediatizojë, në mënyrë që populli francez, të jetë në dijeni të përmbajtjes së ligjit. Debatet transmetohen në TV, në “La chaîne parlamentaire” (kanalin parlamentar). Që në 1500, një nga mbretëritë e Italisë lejoi pjesëmarrjen në parlamentin e kohës, të shoqërisë civile.

Po kaq rëndësi, në vendet e zhvilluara demokratike, i jepet figurës së deputetit që harton ligjin. Në raport me popullsinë, ne kemi numerikisht një parlament të fryrë. Nëse një shtet si Italia, apo Anglia, kanë popullsi mbi 60 milionë banorë, në të dy dhomat së bashku, ata nuk kalojnë një numër më të madh sesa 600 deputetësh dhe senatorësh. Ne kemi 140 deputetë për katër milionë banorë. Teorikisht duhen 100 deputetë për popullsi 3-4 milionëshe. Në fillimet e parlamentarizmit shqiptar, disa juristë me emër hodhën idenë e një parlamenti me 120 deputetë. Në fakt, koha ka treguar që sasia nuk sjell cilësinë (teori komuniste). Pikë e fortë, për një cilësi parlamentarësh është sistemi zgjedhor. Në zgjedhjet e para, ishte praktikuar sistemi, 100 deputetë që zgjidheshin me sistemin mazhoritar dhe 40 deputetë, me sistemin proporcional. Epërsia e sistemit mazhoritar është shumë evidente, po të krahasojmë cilësinë e parlamentit të parë shqiptar, me nivelin e parlamentarëve të sotëm, zgjedhur me sistemin proporcional rajonal, kopjuar nga sistemi spanjoll. Dje, monizëm, ku një kryetar partie zgjidhte përfaqësuesit e popullit, sot biizëm, dy kryetarë partish, që hartojnë një listë militantësh. Të tjerët, më pak të preferuarit e “komandantit”, vegjetojnë me frikë, nëse do iu hidhet ndonjë kockë.

Në ç’mënyrë e mbron cilësinë e ligjit bota e zhvilluar perëndimore? Një nga mbrojtëset e ligjit është kushtetuta. Gjykata Kushtetuese, që është dhe garantuesja e kushtetutshmërisë së ligjeve, në Shqipëri, reagon vetëm kur ka ankimime. Ndërkohë, që ka vende të fuqishme ekonomikisht dhe ligjërisht, ku Gjykata Kushtetuese vepron kryesisht. Në Bavari, landi më i fuqishëm i Gjermanisë, ku dhe kultura e ligjit është shumë e lartë, stimulojnë gjithkënd inxhinierë, avokatë, qytetarë të thjeshtë, të ankohen për çfarëdo pasaktësie, paqartësie të ligjit dhe Gjykata Kushtetuese ka të drejtë, të fillojë punën e saj kryesisht.

Një tjetër formë, për të ruajtur cilësinë e ligjeve, është asistenca juridike e deputetit, i cili vjen nga profesione të ndryshme. Në Amerikë, i vënë çdo deputeti nga një ndihmës jurist. Kjo është një praktikë edhe e vende të tjera evropiane.

Në Shqipëri, ligji nuk ka kurrfarë kontrolli dhe filtri. Vendet e tjera evropiane e realizojnë, ose me ekzistencën e dy dhomave, ose me një përzgjedhje shumë të kujdesshme të parlamentarëve (Anglia ka edhe dy dhomat, por edhe mazhoritarin e pastër, që tashmë dihet që favorizon individin e fortë). Edhe institucioni i presidentit është inefiçent në kontrollin e ligjeve, pasi ai ka të drejtë, ta kthejë ligjin dy herë dhe në herën e tretë, automatikisht ligji kalon nga parlamenti.

Një nga efektet negative të mungesës së filtrimit të parlamentarëve dhe të ligjeve që ata hartojnë, është hartimi i ligjeve për interesat e një grupimi politik-ekonomik. Për të kuptuar se, cilat janë ligjet për interesa të pushtetit, shikojmë ligjet që kanë ndyshuar më shpesh përgjatë ndryshimit të pushteteve dhe qeverive, ku përmendim ligjin për legalizimin, ligjin për kompensimin dhe kthimin e pronave etj.

Tjetër efekt negativ i ligjeve të pafiltruara, apo të hartuara keq, është mbizotërimi i tyre nga aktet nënligjore. Shtrojmë pyetjen: “A ka tendencë për supremaci të ekzekutivit, apo ligjet nuk janë të saktë, apo të hartuara cilësisht”? Është një pyetje e tipit ekzistencialist: “Pula vezën apo veza pulën”? Sipas teoricienëve, shtetet e përparuara kanë më tepër ligje të plota dhe më pak akte nënligjore. Vendet e pazhvilluara kanë shumë akte nënligjore, administrative dhe urdhëresa. Aktualisht, armata e ekonomistëve, e arsimtarëve, apo specialistët e të gjitha fushave të tjera janë të mbytur nga urdhëresat dhe aktet nënligjore të Ministrisë së Financës, të Arsimit, apo të ministrive të tjera. Shpesh, avokatët ankohen se, janë pikërisht këto akte nënligjore, që janë në kundërshtim të ligjit dhe në shkelje të ligjit, duke u bërë shkaktarë të shumë çështjeve gjyqësore. Dhe këtu, të gjithë juristët i kanë duart e lidhura. Sot ministritë nxjerrin, si pa të keq, deri 40 akte nënligjore dhe urdhëresa, në vit. Në një shtet të konsoliduar demokratik, mund të dalë ndonjë urdhëresë, në vit. Duke dalë më shumë akte nënligjore se, sa ligje, është tejkaluar ligji dhe forca e tij, duke i rritur, në të njëjtën kohë, pushtetin ministrit dhe ministrive. Kjo është dhe reminishencë e sistemit komunist, ku Komiteti Qendror dominonte, dhe shteti funksiononte, kryesisht me urdhëresat e tij. Dëmi që i solli kjo praktikë monizmit, ishte se rriti deri në kufijtë e dështimit të atij sistemi, pikërisht burokracinë. Duke dominuar akti nënligjor, apo urdhëresa, forcohet burokracia. Ende vendet e lindjes janë të mbytura pikërisht nga burokracia, ashtu si në Shqipëri.

Gjithsesi është kjo e qëllimtë, apo pjesë e natyrshme e një tranzicioni të tejzgjatur, tashmë nuk është se ka ndonjë rëndësi, apo ndryshon diçka, sepse jemi përpara këtij fakti. Ndërkohë, edhe qeveria aktuale, e ka rritur kabinetin qeveritar në 33%, në krahasim me qeverinë e mëparshme. Ekzekutivi shqiptar, nga 14 ministri që kishte dy vite më pare, sot është me 19 ministri, duke e çuar Shqipërinë, në këtë drejtim, në nënkampione të Evropës. Kjo tregon një tendencë për forcimin e qeverisë dhe pushtetit të saj, në një kohë që në themelet e një shteti demokratik qëndron balancimi i të tre pushteteve, atij legjislativ, ekzekutiv dhe ligjor.

E rëndësishme është që, procesi të fillojë në themel, në hartimin e ligjeve të sakta dhe cilësore, jo për interesa të një grupi klanor, politik, ekonomik. Ligjet e hartuara saktë nuk do të krijonin konfuzionin, që krijoi çështja “Doshi-Frroku”. Prokurori i Përgjithshëm, shumë i suksesshëm i Kroacisë, i cili arriti të burgosë një sërë politikanësh në vendin e tij, renditi shumë pika, të gjitha shumë të rëndësishme për sistemin që e bëri efiçent luftën kundër korrupsionit. Por në krye të listës, ai vuri kuadrin ligjor dhe rirregullimin e tij. Ai vuri, po aq të rëndësishëm, bashkërendimin e të gjitha institucioneve, por jo mbështetur në vullnetet politike, por të mirëpërcaktuar juridikisht (akses i plotë i prokurorisë, i detyruar ligjërisht, në të gjitha institucionet, tatimet, polici etj).

Ndërsa, në Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme bën show politik. Sipas Kodit të Procedurës Penale, është e përcaktuar saktë, se kur jepet masa e arrestit: “Arrest në burg, për rrezikshmëri të lartë të veprës dhe të të pandehurit”. Mënyra se si ju vunë prangat deputetëve Doshi, Frroku, apo ish-guvernatorit Fullani, ishte shpërdorim i detyrës. Nuk e di prokuroria këtë ligj? Relacioni i prokurorisë ishte i paargumentuar. Ndërkohë ligji nuk mund të jetë dubël standard. Gjykata e Lartë, me çështjen Doshi tregoi që ecën me dy standarde. Për të fortët, Doshi dhe Frroku, ndryshoi masën e sigurisë, me arrest shtëpie, ndërsa për “peshkun e vogël”, Bami, nuk e ndryshoi masën e sigurisë, duke e lënë atë në burg. Për të njëjtën vepër penale u dhanë dy vendime të ndryshme. Kjo tregoi katërcipërsisht, që në Shqipëri, nuk ecet me ligjin e “ligjit”, por me ligjin e të “fortëve”.

Shprehja popullore “i forti i lagjes, i fshatit, i qytetit që bën ligjin”, është shndërruar në të “fortin e shtetit që bën ligjin”. Kjo shprehje është aktualizuar kohët e fundit, madje institucionalizuar. Parlamenti aktual shqiptar është më i përfoluri për këta të fortë që po bëjnë ligjin. Nëse shteti ligjor, ka në themel ligjin dhe ti e kalon këtë ligj, nga stomakut i të fortëve, atëherë ke hapur orekse pushtetesh të paligjshëm. Shtetin e fortë nuk e bëjnë të fortët, përkundrazi këta të fortë, nëse çaktivizojnë kodin “ligj”, kanë kapur themelet e këtij shteti. Mbas çështjes “Doshi”, ambasada Amerikane nxitoi të deklaronte shumë shkurt: “Askush nuk mund të dalë mbi ligjin”, ku përfshihet thelbi i të gjithë fatkeqësive, dhe tejzgjatjes së tranzicionit, të mosefikasitetit të luftës kundër korrupsionit. Shtete të forta, qeveri të forta, individ të fortë, jo gjithmonë kanë ecur paralelisht dhe jo detyrimisht tregojnë forcën e një shteti ligjor. Në kuadrin e forcimit të shtetit dhe të punëve të shtetit, janë rritur numrat e ministrive, numër i fryrë i parlamentarëve, numër super i fryrë i administratës, i drejtorive në varësi të ministrive. Kokën e administratës, qeverisë dhe parlamentit, e kanë kapur të fortët, bazën e administratës e kanë mbushur militantët.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency