Kemi barrën më të rëndë të taksave, por evazioni është 1 miliard USD

0
135

Ervin Kaduku

paying taxes–  Bizneset e gjejnë veten në një konkurrencë të pabarabartë me ato biznese që gjejnë rrugë dhe forma për t’iu shmangur barrës tatimore që u takon sipas të njëjtit ligj

Shqipëria paraqitet në vitin 2014 si vendi me normat më të larta tatimore në rajon, por edhe me rezultatin më të ulët të grumbullimit të taksave. Krahasimi është bërë nga Al-Tax dhe nxjerr në pah qartë se Shqipëria renditet e treta për nga taksat e larta ndër 8 vende të rajonit, por në të njëjtën kohë është e dyta për nga dobësia e grumbullimit të tyre.

Në një analizë të barrës tatimore duke llogaritur të gjitha normat tatimore së bashku, Al-Tax nxjerr në pah se barrën më të lartë tatimore e mbajnë Greqia, Serbia dhe Shqipëria. Barrën më të ulët sipas normave tatimore së bashku e mbajnë Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina. Në llogaritjen e barrës tatimore sipas normës tatimore nuk përfshihen skemat e përjashtimeve tatimore, si dhe politikat e përkohshme të taksimit (brenda vitit fiskal), thuhet në studimin e Al-Tax.

 

Evazioni

Por, njëkohësisht Shqipëria vuan një humbje të ardhurash tatimore të përllogaritur, te 1 miliard euro në vit nga evazioni dhe shmangia tatimore. Një goditje tjetër pëson edhe efektiviteti dhe drejtësia në shpërndarjen e barrës tatimore mbi tatimpaguesit. Sipas AL-Tax, disa biznese e gjejnë veten në një konkurrencë të pabarabartë me ato biznese që gjejnë rrugë dhe forma për t’ju shmangur barrës tatimore që ju takon sipas të njëjtit ligj. Evazioni tatimor na ndikon të gjithëve edhe pse mund të jetë me burim brenda vendit apo vjen i importuar nga jashtë tij. Është barra tatimore ajo që duhet të bjerë në vëmendjen e të gjithë shoqërisë, qoftë sektor publik, por edhe sektori privat nxitjen që të ndryshojnë qasjen duke kërkuar një shpërndarje më të barabartë, ku të gjithë të ndihen kontribuuese dhe më pas përfituese.

 

Barra fiskale

Me peshën që mban Shqipëria (2% e PBB-së së Ballkanit), apo peshën që mban Kosova (1.1% të PBB-së së Ballkanit) hyjnë te vendet nga fundi në barrën tatimore në Ballkan. Por edhe pse barra tatimore në Shqipëri është nga më të ulëtat e rajonit të Ballkanit ka një rritje të barrës në 2014 krahasuar me 2013. Ky fakt shpjegohet, si prej rritjes së disa normave tatimore, po ashtu edhe me rritjen e procesit të administrimit fiskal. Ky fakt, sipas Al-Tax, duket te indeksi i Ditës së lirisë Fiskale që në Shqipëri në vitin 2015 nuk vjen më herët se në çdo shtet tjetër ballkanik, ashtu si rezultoi në vitin e kaluar. Nëse shikohen investimet e Huaja Direkte neto Shqipëria është në vend të parë në Ballkan për peshën e tyre në raport me PBB-në për periudhën 2014 duke treguar se, efekti i barrës tatimore dhe normave të ulëta nuk është ndikuesi primar në tërheqjen e investimeve. Al-Tax shpjegon se, treguesi i iHD neto na tregon se, nëse harmonizohen me sukses normat tatimore me rritjen e kapaciteteve të administrimit dhe forcimin e kapaciteteve rregullatore dhe uljes së korrupsionit do të rezultojë një efekt me nxitje dhe rritje të flukseve të investimeve të huaja në vend.

 

Rajonet

Sipas rajoneve, nga raporti midis detyrimeve tatimore të paguara në vitin 2014 me prodhimin e brendshëm rajonal të vitit 2014, rezulton se barra tatimore më e lartë është në rajonin e Tiranës me 29.3%. Pas këtij qarku barrën më të lartë e mban rajoni i Durrësit me 29% dhe më pas qarku i Gjirokastrës me 27.6%.

Të 6 rajonet dhe bashkitë e tyre me barrën tatimore më të lartë janë me përhapje gjeografike në Shqipërinë e mesme, jug dhe juglindje.

 

Opozita: Të ulen taksat!

Komisioni i Ekonomisë diskutoi dje propozimin e Partisë Demokratike për ndryshimin e projektligjit për taksat kombëtare. Sipas deputetes së PD Jorida Tabaku, në Shqipëri nuk u reflektua ulja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare si pasojë e rritjes së nivelit të taksave. “Rritja e taksës së qarkullimit në 27 lekë për litër për këtë vit ka ndikuar ndjeshëm në çmimet e naftës, që janë edhe më të lartat në rajon”, theksoi Tabaku, duke kërkuar në të njëjtën kohë edhe uljen e taksës së qarkullimit në nivelin e mëparshëm.

Ndërkohë gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ekonomisë ministri Cani u shpreh se ky është një propozim politik nga ana e opozitës. “Kjo kërkesë ka ndikim në buxhet me rreth 12 miliardë lekë, e për këtë arsye duhet të sillnit edhe ndryshimet përkatëse në buxhet sepse nuk mund të rrisim akoma borxhin”, – theksoi ministri Cani gjatë diskutimit me opozitën për ndryshimin e projektligjit për taksat kombëtare.

Por, në reagimin e tij, edhe Ridvan Bode deputet dhe ish-ministër Finance i PD, tha se këto politika fiskale të ndërmarra nga qeveria janë politike, duke rritur nivelin e taksave për të rritur të ardhurat. Ndërkohë, çmimi i karburantit në Shqipëri mbetet më i larti në rajon.

 

Paketë e re fiskale

Komuniteti i biznesit duhej që deri në fund të muajit mars të paraqiste pranë dikasterit të Financave propozimet dhe kërkesat e veta për paketën fiskale, që do të shoqërojë buxhetin e vitit 2016. Ka qenë vetë ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i cili i ka bërë thirrje gjithë komunitetit të dhomave të tregtisë, shoqatave të biznesit, por dhe gjithë grupeve të interesuara, që të paraqesin propozimet për ndryshimet ligjore apo kërkesat e tyre për lehtësitë fiskale.

Edhe pse ky dikaster, që nga data 26 janar, iu ka dërguar një shkresë zyrtare të gjitha shoqatave të biznesit për këtë qëllim, sipas burimeve nga Financat nuk ka ardhur asnjë propozim konkret. Prej vitesh komuniteti i biznesit vendas, por edhe ai i huaj që ushtron aktivitetin ekonomik në vendin tonë, kanë kërkuar më shumë kohë për diskutimin e ndryshimeve në legjislacion. Vërejtjet e fundit kanë qenë ato për nxjerrjen me vonesë të udhëzimit të ligjit për TVSH-në.

 

Dështimi i politikave energjetike, rrezikojmë të mbetemi importues

Nëse nuk merren masa për të rritur efikasitetin e energjisë dhe për të zvogëluar kërkesën, Shqipëria ka gjasa të mbetet një importues neto i energjisë elektrike të paktën deri 2024.

Ky është rezultat i raportit të lëshuar nga një organizatë jo qeveritare CEE Bankwatch dhe qendra mjedisore EDEN.

Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka gjasa të ketë një tepricë të energjisë elektrike për qëllime të eksportit, pavarësisht nga planet për të eksportuar energji elektrike në Itali përmes një kabllo nënujore.

Ky studim u mundësua nga CEE Bankwatch, nga Universiteti i Gronigen Irlandë. Raporti analizon furnizimin me energji elektrike dhe modelet e kërkesës për vendet e Ballkanit Perëndimor për dhjetë vitet e ardhshme dhe shqyrton mundësitë e tyre për të eksportuar energji elektrike.

Rezultatet e raportit tregojnë se n.q.s. shtetet realizojnë shtrirjen e planifikuar të kapaciteteve të tyre, rajoni si tërësi do të ketë një suficit prej 56% të furnizimit me energji elektrike në 2024, me Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë si eksportuesit më të rëndësishëm.

Megjithatë, analiza e eksportit tregon se do të ketë konkurrencë jo vetëm brenda Ballkanit Perëndimor, por edhe nga konkurrentët e tjerë si Bullgaria, Rumania dhe pjesa tjetër e vendeve të BE.

Duke pasur parasysh një furnizim të tepërt në Evropë, rritja e konkurrencës mund të ushtrojë presion mbi çmimet e eksportit dhe të rrisë rrezikun për termocentralet, që të bëhen joefikas për të operuar në treg.

Shqipëria duket se do përbëjë një përjashtim nga rajoni, si i vetmi me skenarin e ulët të kërkesës për furnizim me energji, edhe nëse ajo ndërton të gjithë infrastrukturën e duhur-vendi do të jetë në gjendje të eksportojë deri në 2 000 Gwh në 2024 (rreth 16% të kërkesës së brendshme), ndërsa në të gjitha skenarët e tjera, ajo do të ketë nevojë për import. Në skenarin e kërkesës së lartë, Shqipëria mund të përfundojë importimin deri në 8000 Gwh në 2024, thuhet në raport.

Sipas studimit, Shqipëria nuk ka gjasa të jetë në gjendje të përmbushë kërkesat e saj dhe sugjeron se nevojiten hapa të tjerë shtesë të tilla si: ruajtja e energjisë, përmirësimi i infrastrukturës së rrjetit dhe lidhjes, si dhe diversifikimi i burimeve të energjisë, e cila duhet të shqyrtohet më tepër.

Duke pasur parasysh se vendi ka një humbje të përgjithshme për transmetimin dhe shpërndarjen mbi 45% (23 210 Gwh në transmision dhe 3218 Gwh në shpërndarjen gjatë 2013) përmirësimet e rrjetit dhe masat e efiçiencës së energjisë mund të çojnë në kursimin e furnizimit me energji elektrike dhe për të ndihmuar të përmirësojë pozicionin neto të vendit.

“Shumat e mëdha të energjisë kanë qenë të shpërdorura në Shqipëri dhe si pasojë, reduktimi i humbjeve dhe rritja e efikasitetit, si dhe zhvillimi e forcimi i lidhjeve me vendet fqinje për të përmirësuar stabilitetin e rrjetit duhet të jetë prioriteti numër një”, thotë Pippa Galop, koordinator i kërkimeve në rrjet në CEE Bankwatch.

Lira Hakani nga EDEN Center shton: “Nëse edhe pas reduktimit të abuzimit me energjinë elektrike, është ende e nevojshme të ketë kapacitete të reja për të mbuluar kërkesat e vendit, atëherë duhen burime të ndryshme të ripërtëritshme të furnizimit me energji elektrike, në mënyrë që të shmangen problemet e varësisë nga burimet hidrike. Ndërtimi i kapaciteteve të reja të furnizimit me energji elektrike nuk duhet të ndodhin në zonat e mbrojtura natyrore.

 

Bizneset mbyllin kursimet në banka, individët i tërheqin

Ndryshe nga kredia, që shënoi rënie për të tretin muaj radhazi në shkurt të këtij viti, depozitat janë rritur në muajin në fjalë.

Sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave në sistem arriti në 974 miliardë lekë në fund të muajit shkurt, duke shënuar një rritje prej 0.2% me bazë mujore. Megjithatë, pas rënies së janarit, kursimet në banka nuk kanë arritur ende në nivelin e fundit të vitit të kaluar (në dhjetor tradicionalisht konstatohet një rritje e depozitave, për shkak të prurjeve të emigrantëve). Rritja në shkurt ka ardhur në pjesën më të madhe nga shtimi i kursimeve në lekë nga bizneset, të cilat janë zgjeruar me 1.9 miliardë lekë.

Në të kundërt, depozitat me afat të individëve kanë vijuar rënien që po vijon e pandalshme që nga tetori 2013. Në shkurt 2015, totali i depozitave me afat të individëve në lekë (që përbën 74% të totalit të depozitave në monedhën vendase) arriti në 352.5 miliardë lekë. Me bazë vjetore (shkurt 2015/shkurt 2014) kursimet në lekë të individëve në banka kanë rënë me 6%.

E njëjta tendencë u konstatua dhe për valutën, ku depozitat e individëve vijuan rënien, duke u tkurrur me 5.4% me bazë vjetore.

 

Ulen interesat e kredisë

Reduktimi i normave të interesit të kredisë bankare në lekë në tremujorin e katërt është vërejtur në të gjitha segmentet e kredisë në lekë dhe me një bazë të gjerë në të gjithë bankat aktive në kredidhënie, sipas një raporti të fundit të Bankës së Shqipërisë. Normat e interesit të kredisë sipas qëllimit të përdorimit tregojnë për një rënie me 0.5 pikë përqindje për kredinë për qëllime likuiditeti, e cila përbën edhe pjesën më të madhe të kredisë së re të dhënë gjatë periudhës në analizë. Rënie ka shfaqur edhe norma e interesit për kredi për investime për biznese, me rreth 0.7 pikë përqindje. Ndërkohë, në segmentin e kredisë me pakicë për individët, ndryshimi i normave për kredinë konsumatore dhe për atë hipotekare ka qenë minimal krahasuar menjë tremujor më parë. Gjithsesi, interesat e këtyre dy produkteve kanë shfaqur një rënie të ndjeshme në tremujorin e tretë. Kjo ecuri është në përputhje edhe me rezultatet e marra nga vrojtimi i kredisë pranë bankave, të cilat shprehen për një lehtësim më të ulët për tregun e individëve.

Normat mesatare e kredisë në euro kanë qëndruar në të njëjtin nivel metremujorin e tretë të vitit 2014, prej 6.6%. Krahasuar me fundin e vitit 2013 kjo normë është 0.4 pikë përqindje me e ulët. Në harkun e katër viteve, rënia në normat e interesit në euro prej 0.7 pikë përqindje është më pak se gjysma e rënies së realizuar në interesat e kredisë në lekë për vitin 2014. Kjo ecuri ka ndikuar edhe në reduktimin e ndjeshëm të spread-it të normave të interesit të kredisë në lekë me atë në euro, duke krijuar kushte më të përshtatshme për rritjen e aktivitetit në lekë dhe thellimin e ndërmjetësimit.

 

FMN: Kosova nuk mund të lejojë rritje pagash

Drejtuesi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Jacques Miniane, tha se rritja ekonomike gjatë këtij viti pritet të arrijë në 3%, një shifër që nuk siguron mundësi për rritje pagash në sektorin publik e madje as punësim të mjaftueshëm. Ai i bëri këto komente në përmbyllje të vizitës dyjavëshe të misionit të Fondit Monetar në Kosovë me ç’rast është diskutuar për gjendjen financiare, deficitin buxhetor dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar.

“Ne presim rritje ekonomike këtë vit, për 3 për qind. Kjo nuk është keq. Në fakt është më mirë sesa në shumë shtete tjera në rajon. Por, ne u pajtuam me qeverinë dhe Bankën Qendrore të Kosovës që duhet të ketë një rritje më të lartë sesa 3 për qind për të krijuar vende të reja pune”, – tha Miniane, duke nënvizuar se me situatën aktuale “pagat në sektorin publik nuk mund të rriten”. Qeveria tha ai, po përballet me angazhime të konsiderueshme nga viti i kaluar ndërsa në të njëjtën kohë të ardhurat nuk janë rritur aq shpejt.

Ndërsa, ministri i Financave Abdullah Hoti tha se pret që në muajin prill të debatojë me Fondin Monetar për ndonjë marrëveshje të re të financimit të nevojave zhvillimore të Kosovës. Sa u përket pagave ai tha se po punohet në ligjin për këtë çështje që rregullon pagat dhe përfitimet për 80 mijë punonjës në sektorin publik.

“Në Ligjin e ri të pagave, do të vendosim rregull të qartë duke marrë parasysh edhe rekomandimet e FMN-së, një kuadër brenda të cilit në baza vjetore ne i rregullojmë pagat. Vendosim edhe koston e përgjithshme të pagave brenda buxhetit, por duke vendos edhe kritere për rritjen e pagave, në mënyrë që rritja e pagave të mos jetë vendim politik, por të jetë i lidhur më produktivitetin e të punësuarit dhe rritjen ekonomike që ka vendi”, – tha ministri Hoti, qeveria e të cilit po përballet me kërkesa të shumta për rritje pagash në sektorin publik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency