Dilema e të majtëve/ Cili do të jetë kandidati i PS-së, prapaskenat për emrin. Zbardhen negociata mes Ramës e Metës

0
143

Gëzim Saliu

 rama me metenGara për Bashkinë e Tiranës përball Klosin dhe Veliajn, Majko duket jashtë. Sot publikohet emri

Tirana mbetet ende dilema e madhe e së majtës. Pasi janë vendosur thuajse pjesa më e madhe e kandidatëve të bashkive, PS duket ende e pavendosur për emrin që do të përfaqësojë koalicionin e majtë në garën për kryeqytetin përballë demokratëve. Ndonëse rrethi është ngushtuar dhe tashmë përballja ka vetëm dy emra, rezultati final i kësaj gare duket se do të dalë vetëm ditën e sotme, ku pritet të shpallen publikisht emrat zyrtarë nga kryesocialisti Rama dhe kreu i LSI-së Meta. E majta pritet të zgjedhë mes ministrit të Mirëqenies Sociale Erion Veliaj dhe deputetit Blendi Klosi, pasi duket se kandidati më i kuotuar që në nisje të diskutimeve për garën e Tiranës, Pandeli Majko, nuk është më pjesë e listës së përzgjedhjes përfundimtare.

 

Gara e brendshme

Si Erion Veliaj ashtu edhe Blendi Klosi njihen si dy politikanë që kanë marrëdhënie të ngushtë me Kryeministrin Rama. Deputeti socialist i qarkut të Durrësit, i cili njihet si një person pa shumë tension dhe jo zë kritik brenda PS-së, ka mbështetur qartë politikën e ndjekur nga kryesocialisti Rama që në nisje të saj në 2005-ën. Vetëm pak ditë më parë ai shoqëronte kreun e qeverisë në vizitën e tij në Itali, gjë kjo e cila mund të cilësohet si një indice për garën e Tiranës. Po ashtu Klosi ka mbështetje të gjerë brenda radhëve të PS-së, duke nisur që me deputetët tradicionalë si Blushi dhe Fino e deri tek ministri i Brendshëm dhe kreu i PS-së për Tiranën, Saimir Tahiri. Ndërkaq, Klosi njihet për miqësinë e ngushtë me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, edhe ky i preferuar nga Kryeministri Rama. Por ndërsa Klosi shihet si një kandidaturë e mundshme për Tiranën, në të njëjtat pozita me të qëndron edhe emri i ministrit të Mirëqenies Sociale Erion Veliaj. Edhe pse ky i fundit duket se nuk ka të njëjtën mbështetje me Klosin brenda radhëve të deputetëve socialistë, duke kujtuar këtu kundërshtitë e ardhura që në kohën kur ai drejtonte lëvizjen “Mjaft” dhe i kundërvihej qeverisë “Nano”, duket se faktori “Rama” është vendimtar për të. Veliaj njihet si mik i afërt i këshilltarit më të ngushtë të Kryeministrit, Endri Fuga, dhe si një ndër mbështetësit kryesorë të politikave të ndjekura nga Rama si në qeveri ashtu edhe në tërësi në politikë. Në këto kushte duket se të dy kandidatët janë në garë të fortë me njëri-tjetrin e duket se përcaktuese për ta do të jenë sondazhet me qytetarët, të cilat janë zhvilluar në masë këto kohët e fundit nga PS. Po ashtu një tjetër faktor ndikues në këtë garë është edhe LSI-ja, ku pas disa takimeve radhazi Kryeministri Rama ishte sërish dje në zyrën e Metës në Kryesinë e Kuvendit. Krahas emrave të tjerë të diskutuar për bashkitë, pasi në bazë të marrëveshjes çdo kandidat i dy partive duhet të marrë konsensusin e secilës për t’u përfshirë në garë, mësohet se në takim mes Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit temë kryesore ka qenë Bashkia e Tiranës. Për LSI-në e Metës duket se të dy emrat janë të pranueshëm, megjithëse flitet për një parapëlqim ndaj Veliajt ndaj Klosit. Ndërkaq, duke lënë mënjanë surprizat e fundit, duket se Pandeli Majko, emri i të cilit ishte ndër më të kuotuarit dhe më të votuarit nga baza e partisë për garën e Tiranës, do të lihet jashtë. Në këto kushte dilema më e madhe brenda së majtës duket se do të zgjidhet vetëm në momentet e fundit, ku sondazhet për dy emrat do të jenë përcaktuese në këtë proces.

 

Edhe Vlora në dilemë, gara mes prefektes Hoxha dhe mjekut Leli

Ashtu si Tirana edhe Vlora, qyteti ku është vetë deputet Kryeministri Rama, ende nuk ka një emër përfundimtar si kandidat për garën e Bashkisë. Dy kandidatët kryesorë që përfliten prej kohësh për këtë çështje janë prefektja Etjona Hoxha dhe mjeku Dritan Leli. Nga ana e tij, Kryeministri Rama në takimin me deputetët e qarkut të Vlorës bëri të ditur se do të priste përfundimin e sondazheve që po bën një organizatë e huaj dhe më pas do të merrej vendimi për kandidatin përfundimtar të së majtës. Sipas informacioneve paraprake, qytetarët e Vlorës në sondazh kanë vlerësuar shumë mirë mjekun kardiolog Dritan Leli, si një figurë të pastër. Por edhe prefektja Etjona Hoxha duket e avantazhuar në këtë garë pasi ka edhe mbështetjen e kryeministrit Rama, i cili e ka vlerësuar shpesh atë në kohën e përmbysjeve në Jug të vendit. Ndërkaq duket se çështja e koncesionit të parkingjeve ndikon negativisht tek prefektja Hoxha. Kjo pasi fillimisht Hoxha tha se nuk kishte dijeni për praktikën, ndërkohë që dokumentet që u publikuan më pas në media tregonin qartë se prefektja kishte dijeni.

 

Rama i pret hovin Lames: Nuk është kandidat për Tiranën

Artan Lame zyrtarisht nuk do të jetë kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës. Ishte vetë Kryeministri Rama, i cili e konfirmoi dje nga Lezha gjatë dhënies së certifikatave të pronësisë, duke i dhënë përgjigje njërit prej qytetarëve të qytetit verior. Gjatë dhënies së legalizimeve qytetari i ka kërkuar “një nder” shefit të qeverisë lidhur me dëshirën e bërë publike nga kreu i ALUIZNI-t se nuk do ta refuzonte një kandidim të mundshëm të tij për Bashkinë e kryeqytetit. “Për momentin është kryerje detyre. Tejkalimi është nder, por çfarë nderi duhet të të bëj unë ty tani?”, – tha Rama e ndërsa qytetari iu përgjigj: “E ka ai tjetri që i hanë duart për Bashkinë e Tiranës”. Në përgjigjen e tij me batutë, Rama tha: “Edhe ne prandaj nuk po e vëmë, se i hanë duart”.

 

 Marrëveshja PS-LSI/ Zërat kundër Idrizit, Dashamir Tahiri shprehet kundër, Muhedini skeptik

Jo të gjithë deputet e PDIU-së janë në mbështetje të kreut të kësaj force Shpëtim Idrizi lidhur me vendimin për marrëveshje me PS-në. Deputeti i PDIU, Dashamir Tahiri, duket se nuk e ka mirëpritur marrëveshjen politike, për të cilën tha se së pari duhet të pyetet baza për vendime të tilla. Deputeti Tahiri nuk është i vetmi deputet nga radhët e PDIU që kundërshton kalimin në kahun e majtë, por mbështetet edhe nga deputeti Tahir Muhedini. Vetëm pak para nënshkrimit të marrëveshjes mes Idrizit dhe Ramës në selinë e PS-së, Dashamir Tahiri ka konfirmuar qëndrimin e tij si pjesë e së djathtës, i votuar nga elektorati për të qenë në Parlamentin Shqiptar.

 

 Skandali/ Mediat italiane zbardhin përgjimet, Neritan Ceka, pazare me votat e arbëreshëve dhe shqiptarëve

Mediat italiane zbardhin një skandal korruptiv në vendin e tyre, ku është i përfshirë edhe Neritan Ceka. Në një artikull të botuar dy ditë më parë, mediat italiane shkruanin se Ceka, i cili i ka premtuar kryetarit të Bashkisë në ishullin Ischia, Giosi Ferrandino, vota të shqiptarëve në Itali për llogari të tij. Këto fakte dalin në dritë pas disa përgjimeve, të cilat nisin qysh nga marsi i vitit të kaluar kur dy persona, Francesco Simone e Nicola Verri, i pari përgjegjës për marrëdhëniet e jashtme të CPL (kooperativë shërbimesh) dhe i dyti menaxher komercial në Lazio, la Campania dhe Sardenjë, të cilët diskutojnë si të financojnë shoqata dhe fondacione të lidhura me politikën. Kryetari i komunës i arrestuar, Giosi Ferrandino, ishte një makinë lufte (elektorale). Në zgjedhjet e fundit për parlamentin evropian ai kishte 82 301 vota. Këtu del sërish në skenë Francesco Simone dhe kooperativa e tij e shërbimeve angazhohen për të preferuarin e tyre. Nga përgjimet del se Simone kishte “miqësi” me ambasadorin tonë Neritan Ceka dhe se kishin rënë dakord për të blerë vota për kryetarin Giosi Ferrandino, i cili po tentonte të zgjidhej për në parlamentin europian. “Simone telefonon kryetarin e komunës, Ferrandino dhe i tregon atij se ai është duke folur vetëm për shqiptarët me nënshtetësi italiane që votojnë për zgjedhjet evropiane; -“janë tridhjetë mijë vota”, – dhjetë mijë vota dalin gjithsesi, prit po të kalojë ambasadorin, kështu e fton deri në Ischia”, – thuhej në përgjimet gjatë një dreke mes Simone dhe Cekës. Më 14 shkurt, në bazë të hetimeve dhe përgjimeve Simone organizoi një drekë në restorantin Grazia Deledda në Romë për të folur për investimet në Shqipëri. Gjatë këtij takimi telefonon kryetari i Bashkisë Ferrandino dhe i tregon atij se është me Cekën, me të cilin,: “po flet pikërisht vetëm për shqiptarët me nënshtetësi italiane që votojnë për zgjedhjet evropiane: “po, po, por ata janë shqiptarët që jetojnë tani në Itali prej 15 vjetësh dhe kanë nënshtetësinë italiane, ne fillojmë me … “Sa shqiptarë janë …”-(Simone kthehet tek personi afër tij) 30 000 janë, kuptohet të gjithë ata që votojnë në Itali tashmë…””.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency