Arrestimet/ Prokuroria, në pranga edhe bashkëpunëtorët e Frrokut në vrasje

0
124

mark frroku policia arrestim prangaDyshohet se tre personat që bashkëpunuan me Mark Frrokun dhe vëllain e tij, Arbenin, për vrasjen e Aleksandër Kurtit, të jenë brenda kufijve të Shqipërisë. Autoritetet vihen në lëvizje

Prokuroria e Përgjithshme ka në dorë një dokument, që mban brenda jo vetëm emrin e Mark Frrokut, deputetit të PKD-së, por edhe të tre bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë në vrasje. Pak ditë më parë, Prokuroria iu drejtua Policisë së Shtetit dhe të gjitha pikave kufitare me një kërkesë, përmes së cilës kërkonte të merrte sa më shumë informacion lidhur me vendndodhjen e tre personave të shpallur në kërkim prej kohësh. Ata janë Besnik Vuka, Lek Bib Djafa dhe Arjan Bytyçi. Të tre këta persona, sipas autoriteteve belge, kanë qenë të pranishëm së bashku me Mark Frrokun në vendin e ngjarjes. Këtë fakt e ka nxjerrë në dritë vëllai i viktimës Vladimir Kurti. Prokurorisë së Përgjithshme do t’i duhet të hetojë paralelisht me Mark Frrokun edhe bashkëpunëtorët e tij, ndërkohë që priten të dhëna nga Interpol Tirana. Këtij institucioni i janë dërguar të dhënat e personave, të cilët kërkohen të shpallen në kërkim. Nuk dihet ende nëse Interpoli ka nisur procedurat për shpalljen në kërkim të tyre, ndërkohë që Mark Frroku ndodhet i sigurt në duart e Policisë pas vendimit të Gjykatës së Lartë për ta lënë në arrest shtëpie.

 

Fshehja

Tre personat e kërkuar nga drejtësia belge janë fshehur prej 16 vitesh. Ata e kanë ditur shumë mirë se janë duke u gjykuar në Belgjikë, por asnjëherë nuk janë interesuar. Prokuroria tashmë do të nisë një hetim paralel, kjo me ndihmën e drejtësisë belge. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, bëhet me dije se ka shumë gjasa që çështja e Mark Frrokut të hetohet dhe gjykohet në vendin tonë. Por ajo që thuhet në këto momente, është fakti se për Frrokun ka nisur një proces gjyqësor në Belgjik, që ka mbetur në mes. Akuza ndaj Frrokut dhe tre personave të tjerë për të cilët është nxjerrë një urdhër arresti nga Prokuroria e Përgjithshme, është ajo e “Vrasjes me paramendim”.

 

Identifikimi

Prokuroria në materialin e nisur drejt Interpolit shprehet se ka mundur të identifikojë personat e kërkuar nga autoritetet belge. Sipas akuzës, të gjithë personat e përfshirë në vrasjen e Vladimir Kurtit kanë lëvizur nga njëri shtet në tjetrin, duke përdorur disa identitete. Por pavarësisht nga ky fakt, është bërë i mundur zbulimi i identiteteve të sakta, ashtu sikundër u bë me deputetin Frroku, i cili lëvizte me pesë identitete. Po kështu, prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla është shprehur se do të mund të zbardhë ngjarjen për të cilën ai ka besim se do të ketë mbështetjen e Policisë së Shtetit. Por akuza nuk shpjegon se përse deri në këto momente Policia nuk ka vepruar për të vënë në pranga deputetin Frroku, kur prej më shumë se tre muajsh në zyrat e Interpolit ndodhej shkresa e drejtësisë belge për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit Frroku.

 

Vrasja

Nga sa mësohet, dy vëllezërit Leonard Frroku e Arben Frroku në atë periudhë kanë qenë në Shqipëri, ndërkohë që kanë njoftuar në telefon Mark Frrokun, i cili ndodhej në Belgjikë, duke e urdhëruar që t’i jepte një mësim të mirë Aleksandër Kurtit, pasi kishte filluar t’i sillte probleme me një prostitutë. Në 5 mars 1999, Mark Frroku së bashku me shtetasit Besnik Vuka, Hilë Morina, Lek Bib Djafa, kanë arritur të lokalizojnë shtetasin Aleksandër Kurti dhe janë përleshur me të fizikisht. Gjatë përleshjes, Kurti është qëlluar disa herë me thikë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në bazë të deklaratave të Nikola Kurtit, vëllait të viktimës, dhe dëshmitarëve anonimë në Belgjikë dhe në Shqipëri do të mund të përcaktohet kush ishin autorët e krimit të dyshuar dhe se krimi ishte planifikuar paraprakisht.

 

Frroku

8 janar dhe 23 janar, Interpoli Belg ka sjellë kërkesë dhe vetëm në 18 mars ka ardhur në Prokurorinë e Përgjithshme. Policia është shprehur se nuk ka pasur dijeni. Ndërkohë, Mark Frroku është shprehur se nuk ka qenë në Belgjikë në kohën kur ka ndodhur vrasja. Sipas Prokurorisë, Frroku gjatë gjithë kohës ka mbajtur disa identitete. Jo vetëm kaq, por ai ka përdorur edhe vendlindje Gjakovën, duke mos përmendur në asnjë rast vendlindjen e tij, që është në Shqipëri. Kështu, Frroku në një kohë që ndodhej në kërkim, lëvizte i lirë në shtetet që janë pjesë e zonës sShengen.

 

Procesi

Arrestimi i deputetit të PKD-së, Mark Frroku, për akuzën e vrasjes ka bërë që Prokuroria e Përgjithshme të hyjë në një korrespodencë intensive me autoritetet e drejtësisë belge. Shumë shpejt zyra e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurori do t’i drejtohet me një kërkesë Gjykatës së Krimeve të Rënda të Brukselit, ku do të kërkojë prej saj dërgimin e materialeve hetimore në Tiranë, ku Mark Frroku, Besnik Vuka, Lek Bib Djafa dhe Arjan Bytyçi janë proceduar penalisht si organizatorë dhe autorë të vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti. Në momentin që dosja penale do të transferohet nga Belgjika në Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme do t’i komunikojë akuzën e “Vrasjes me paramendim” deputetit Frroku, duke e çuar atë si të pandehur në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, nëse autoritetet belge nuk do të pranojnë të transferojnë dosjen në Shqipëri, atëherë ka shumë mundësi që pas dënimit me formë të prerë të Mark Frrokut, drejtësia belge të dërgojë në Tiranë kërkesën për njohjen e vendimit të dënimit penal të huaj dhe se dënimin e marrë në Belgjikë Frroku dhe tre bashkëpunëtorët e tij ta vuajnë në Shqipëri.

 

Vrasja për prostitutën, Kurti u rrah barbarisht dhe u qëllua disa herë me thikë

Viktima Aleksandër Kurti ka rënë në kurthin që e ka futur prostituta L. S., e cila punonte në Belgjikë për llogari të vëllezërve Arben, Leonard dhe Mark Frroku. Kurti e kishte pikasur L. S. në rrugët e Brukselit dhe i ka kërkuar asaj që të largoheshin në Angli. Mësohet se ai kishte pasur lidhje dashurie me të në Shqipëri dhe se i është prezantuar si agjent i Interpolit dhe se do të tregonte tek prindërit e saj lidhur me punën që bënte L. S. në Belgjikë. Për pasojë, ajo i ka telefonuar Leonard dhe Arben Frrokut, të cilët më pas kanë marrë vëllain e tyre në Belgjikë, Mark Frrokun, duke i thënë se duhet t’i jepte një mësim të mirë Aleksandër Kurtit. Për ta nxjerrë në pritë këtë të fundit, Frroku ka përdorur si karrem prostitutën L. S., e cila e ka telefonuar, duke i kërkuar një takim vetëm për vetëm. Kurti ka pranuar dhe ka dalë tek vendi i takimit, por në vend të L. S., aty ka gjetur katër persona, të cilët e kanë rrahur dhe më pas e kanë qëlluar me një thikë disa herë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency